Pakicat “bllokuese”

17 Gusht 2014 - 08:44 - Elmaz Isufi      

Kur isha fillorist kisha shumë pasion për gjeografinë. Përveç kureshtjes së shtuar për të ditur kryeqytetet e shteteve, vendet me kë kufizohen, numrin e banorëve, pasuritë e daljet në det, më pëlqente t’i vizatoja edhe hartat e tyre. Nuk bënte përjashtim as harta e Jugosllavisë. Por me të duhej të isha shumë i kujdesshëm. Kur bëja ndarjen e brendshme të republikave dhe krahinave, në pjesën ku Kosova dhe Vojvodina kufizoheshin me Serbinë, vijat ose i bëja me ndërprerje, ose me pika. Të tjerat kufizime shkonin me vijë të plotë.

Nuk duhej shumë mençuri të dije porosinë e atyre vijave të ndërprera. Kosovarët sado që mund të mburren se kishin një autonomi të avancuar dhe se kishte disa institucione të krahasueshme me atë të republikave, ajo në hartën e Jugosllavisë kishte një lidhje të veçantë me Serbinë. Edhe shqiptarët, pavarësisht se ishin të tretët në Jugosllavi për kah numri i banorëve, nuk ishin komb, por kombësi, një zgjidhje e ndërmjetme – as me popujt shtetformues, e në bazë të trajtimit, as me pakicat që nuk u dihej tamam origjina.

Por, gjërat u bënë më keq pas vitit 1989, kur u suprimua autonomia. U hoqën edhe vijat e ndërprera nga harta. Kosova u shkri në Serbi, ndërsa shqiptarët - pakicë në atë që kishte mbetur nga Jugosllavia. E serbët e Kosovës, vetëm me 5 për qind u shndërruan në mbretër.

Për shkak të numrave, shqiptarët e përballonin më lehtë diskriminimin e instaluar pas ndryshimeve kushtetuese. Ata refuzuan të bëhen pjesë e institucioneve politike të regjimit, por nuk refuzuan të bëhen pjesë e përditshmërisë së përbashkët. Nuk jetuan në geto, siç bëjnë tash serbët në shumicën e lokaliteteve, edhe pse iu nënshtruan presionit, fyerjeve, plaçkitjeve, e deri te burgosjet. Largimi masiv nga puna kishte përfunduar si proces në fazën e parë të keqtrajtimit kolektiv.

Edhe në këto rrethana, shqiptarët kanë lëvizur dhe punuar, në ato fusha ku ishte e mundur. Kanë kryer të gjitha detyrimet ligjore dhe financiare, madje sipas statistikave të atëhershme arkëtimi i tatimit në Kosovë ka qenë rekord në nivel të shtetit serbo-malazias (pseja dihet - nga frika). Edhe siguria e përgjithshme, deri në vitin 1998, është vlerësuar më e mira në nivel vendi. Të mbushej mendja se nga mënyra si funksiononte jeta dhe si ishin përshtatur njerëzit, kjo gjendje do të mund të zgjaste me shekuj.

Ngase, ajo që konsiderohej udhëheqje legjitime politike shqiptare në të vërtetë nuk kryente as funksionet e një organizate joqeveritare. I tërë aktiviteti i tyre përkufizohej në deklarata të kujdesshme, e që ishin më shumë predikime moralo-politike, të ngjashme me të klerikëve të urtë që kanë mision përhapjen e besimit fetar. Nuk kishte aksion, nuk kishte rebelim, nuk kishte refuzim ndaj regjimit. Të vetmet fusha me të cilat mburrej udhëheqja politike, ishin organizimi paralel i arsimit, i kulturës, i sportit dhe pjesërisht i shëndetësisë.

Këto fusha jo se i kishim marrë meqë ishim të vendosur në atë që bënim, porse ishte edhe interes politik dhe financiar i Serbisë. Ishin fusha që edhe sot janë konsumuese e jo prodhuese. Dhe të lësh jashtë institucioneve me dhjetëra e mijëra shërbyes civilë, pa paga dhe përkrahje tjetër, ishte një lehtësim për financat e shtetit serb, por edhe një goditje në vlerat morale, edukative dhe intelektuale të shqiptarëve. Madje, me tolerimin e tyre dhe së ashtuquajturës politikë pacifiste, Serbia kishte arritur të ruante qetësinë më lehtë sesa me njerëz me uniforma, ndërsa shqiptarët i linte të ushqeheshin me shpresën se po ndërtonin shtetin e tyre.

Platformat e bisedimeve, të projektuara në Beograd që më 1998
Politika drejtuese e Kosovës e viteve 90 ishte pa vizion. Kjo koniunkturë nuk kishte as dije, as plan, as strategji, e as institucione të specializuara. Ata që duhej menaxhuar aspektet ekzekutive (qeveria) jetonin jashtë vendit dhe kishin humbur kontaktin me realitetin, e të tjerët që duhej të krijonin politikat (ligjvënësit - deputetët), të dalë nga dy palë zgjedhje, nuk patën guximin të mblidheshin të paktën një herë për shtatë vjet.

Dhe derisa klasa politike shqiptare nuk kishte idenë se si të sillej edhe më pak si të dilej nga situata që bëhej gjithnjë e më tragjike, Serbia kishte bërë planet edhe për fazën post-luftë, madje edhe se si do të dukej Kosova më 2000,..., 2014 e deri më 2020. Kjo strategji e tyre nuk ishte dizajnuar kur tashmë shiheshin në horizont zhvillimet e reja, por qysh më 1998, kur pushteti i Serbisë rrinte këmbëkryq në Kosovë.

Në dokument-strategjinë e Institutit për Studime Gjeopolitike në Beograd, përpiluar pas konfrontimeve të armatosura dhe shtimit të vëmendjes e presionit ndërkombëtar, ishin parashikuar të gjithë skenarët, deri në detaje.

“Duke u bazuar në faktin se bashkësia ndërkombëtare po e mbron interesin e shqiptarëve në Kosovë, është e domosdoshme që të sigurohen garanci shtesë edhe për mbrojtjen e banorëve serbë”, shkruan në fillim të dokumentit, që ky institut ia kishte dorëzuar atëbotë vetëm presidentit Slobodan Milosheviq, kishës dhe institucioneve më të larta të sigurisë.

Serbia, që atëherë kishte parashikuar kantonizimin, ndarjen e pushtetit qendror, përfaqësimin e serbëve në institucione, të drejtën e vetos dhe pasurinë që duhej t’u jepej manastireve. Të gjitha që ishin parashikuar kanë gjetur zbatim në praktikë, me përjashtim të zonës së veriut, që ishte një nga pesë zonat e mëdha të kontrolluara nga serbët. Në strategji ishin përfshirë Zveçani, Zubin-Potoku dhe Leposaviqi, por jo edhe Mitrovica Veriore. Pakoja e Ahtisaarit e përmirësoi këtë “huqje” të ekspertëve të Beogradit.

“Vetëm garantimi i shumicës serbe në qeverisje, strukturat gjyqësore dhe të policisë në kantonet me shumicë serbe garanton qëndrimin e tyre në vendbanimet e tyre rurale ku janë me shumicë”, thuhet në pjesën strategjisë të titulluar: “Modeli i kantonizimit”. Ky formulim e bën të qartë bindjen e ekspertëve serbë se Kosova do të rrëshqasë shumë shpejt nga duart e Beogradit dhe se ajo çfarë duhet bërë është fuqizimi i pakicës serbe në Kosovë.

Mbrojtjen e popullatës serbe e kanë projektuar nëpërmjet organizimit të ri territorial të krahinës siç e kanë quajtur atëherë edhe siç e quajnë edhe tash, Kosovën, përkatësisht me formimin e kantoneve (komunave) sipas përkatësisë etnike.
“Në kanton do të përfshiheshin shumica e rretheve rurale pa qytete të mëdha”, ishte shkruar në dokument. Në fakt, sot shumica e vendbanimeve serbe nuk janë të lidhura me asnjërin nga qytetet e mëdha. Dhe për më tepër, sipas strategjisë së para 16 vjetëve, ishte paraparë formimi i Asociacionit të Komunave serbe.

“Kufijtë e komunave do të ndryshonin ashtu që të krijohej mundësia për themelimin e komunave të vogla, të cilat do t’i bashkonin fshatrat me shumicë serbe... Në çdo kohë, ato me vendim të vetin mund të jenë të lidhura me pushtetin qendror të Republikës së Serbisë, me mundësi të formimit të Bashkësisë së Komunave”, thuhet në dokument.

Kantoneve (komunave) serbe ishte projektuar t’u jepeshin manastiret me të gjitha pronat e tyre, të cilat i kanë poseduar deri në shpërthimin e luftës më 1941.
“Llogaritë tregojnë se me një organizim të tillë territorial të krahinës, serbët do të kishin nën autonominë e tyre policore dhe organeve gjyqësore mbi 30% të territorit të Kosovës. Kjo do të ishte garanci e sigurt e mbijetesës serbe në krahinë”.

Garantues i marrëveshjes për kantonizim ishte parashikuar Kuvendi i Serbisë (tamam puna ekspertët e Beogradit të eliminonin autoritetin e Serbisë mbi Kosovën), kurse mbikëqyrëse do të ishte bashkësia ndërkombëtare. Afati i zgjatjes së rregullimit kantonal, sipas asaj strategjie, do të ishte 15-20 vjet.

“Diskriminimi pozitiv”
Në dokument nuk është lënë pa përshkrim as përfaqësimi etnik në institucione.
“Në Ligjin mbi zgjedhjet do të vihej baza e diskriminimit pozitiv, e cila është e pranuar në praktikën evropiane. Ky princip do të nënkuptonte që numri i deputetëve serbë nuk do të ishte më i vogël se një e treta e të gjithë deputetëve nga të cilët shumica do të ishin shqiptarë”.

Në përfundim të dokumentit, hartuesit e saj nga Instituti i Studimeve Gjeopolitike kanë shkruar se “ideja themelore e përpiluesit është që në procesin e bisedimeve delegacioni serb të ketë iniciativë të përhershme që të ofrojë zgjidhje të cilat në dukje do të jenë konstruktive”.

Kur e lexon Planin e Ahtisaarit, të drejtat që u ofrohen serbëve, kur sheh formulën e decentralizimit, pastaj krejt në fund platformën e bisedimeve të Brukselit, të mbushet mendja, se asnjëherë bashkësia ndërkombëtare nuk ka pasur platformë të sajën, por çdo herë në tavolinë ka qenë platforma e Serbisë si bazë për bisedime.

Manipulimi me kartën se Serbia është kundër propozimit të ndërkombëtarëve, e ka bërë gjithmonë të kollajshme miratimin e marrëveshjeve nga pala kosovare. Refuzimi i palës serbe është konsideruar gjithmonë si dështim i tyre, ndërsa sukses dhe pragmatizëm pranimi i palës shqiptare.

Strategjia e Institutit për Studime Gjeopolitike nuk dihet nëse është përfillur nga Milosheviqi që çoi vendin e tij në luftë me NATO-n, por ka gjetur mbështetje tek politikat e pasluftës dhe tek serbët lokalë në Kosovë. Pas qershorit të vitit 1999, serbët kanë instaluar një mënyrë paralele të të jetuarit, por të ndryshme në përmbajtje nga ajo që bënin shqiptarët para tyre. Ata refuzojnë edhe tash të shfrytëzojnë infrastrukturën e përbashkët shëndetësore, arsimore, kulturore e sportive, ndonëse atyre nuk u është ndaluar qasja në to, ashtu siç u ishte ndaluar shqiptarëve, disa vjet më parë.

Ata nuk shfrytëzojnë as hapësirat shkollore universitare. Numri i tyre është simbolik në ndërmarrjet publike. Por, për “çudi” ata janë të përfaqësuar mirë në Polici, në Qeveri e Kuvend, pavarësisht se ato përbëjnë disa nga shtyllat kryesore të shtetit. Në këto të fundit, si rezultat i daljes në zgjedhjet dhe shfrytëzimit maksimal të privilegjeve të garantuara me Kushtetutë.
Kjo mënyrë e të jetuarit, megjithatë, është komplekse dhe në dukje të parë e paperspektivë.

Ata nuk duhet të kënaqen vetëm me përfaqësim politik dhe mbi bazën e tij të demonstrojnë fuqinë në vendimmarrje. Diskriminimi pozitiv i garantuar në letër nuk u bën shumë nder, nëse qasja e tyre është abuzive. Edhe loja me kartën e viktimës, në kushtet kur ofrohet siguri e dyfishtë edhe vendore, edhe ndërkombëtare, nuk prodhon më asnjë efekt propagandistik. Kosova nuk konsiderohet më terren ku cenohen institucionalisht të drejtat dhe liritë individuale. Edhe më pak ato të pakicave.
Kosova, ashtu siç është quajtur rast sui-generis, edhe standardet për pakicat i ka “veç dynjasë”, në kuptimin pozitiv.

© KOHA DITORE

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...