Krerët e Bashkësisë Islame të Kosovës po e njollosin fenë dhe traditën shqiptare

14 Gusht 2014 - 12:19 - Enver Robelli      

Udhëheqja e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) me në krye Naim Tërnavën duhet të largohet menjëherë nga drejtimi i këtij institucioni të rëndësishëm fetar për shkak se:

1. Ka toleruar dhe shpeshherë edhe frymëzuar ekstremizmin islamik në Kosovë.

2. Ka emëruar imamë radikalë që keqinterpretojnë Kuranin dhe keqpërdorin fenë për qëllime të ulëta politike. Këtë e tregojnë edhe arrestimet e fundit.

3. Ka heshtur kur janë rrahur nga grupe radikale teologë të njohur të vendit dhe imamë në xhami të ndryshme të Kosovës.

4. BIK-u kryesisht ka toleruar predikimet e tmerrshme të biçim-imamit Shefqet Krasniqi dhe të imamëve të tjerë fanatikë. Kështu ka rënë dukshëm autoriteti i imamëve të moderuar, sepse debati mbi fenë dominohet nga palaçot dhe bashkëpunëtorët e strukturave serbe të sigurisë dhe shërbëtorët e organizatave radikale islamike nga Gjiri Persik.

5. BIK-u nuk është organizatë transparente as sa i përket financave, as veprimtarisë fetare.

6. BIK-u është uzurpuar nga Naim Tërnava dhe grupi i tij. Zgjedhjet e fundit në BIK kanë qenë po aq demokratike sa ato në Korenë e Veriut.

7. Krerët e BIK-ut kanë futur kokën në zall kur i biri i Naim Tërnavës bënte thirrje për të luftuar në Siri për fe e Kuran, ndonëse populli i Sirisë betejën kundër regjimit diktatorial të Bashar al-Asadit e pati nisur me kërkesa për më shumë demokraci e liri.

8. BIK-u gjithnjë e më shumë është larguar nga tradita tolerante e islamit në viset shqiptare dhe po i vardiset grupimeve radikale për arsye financiare dhe politike.

9. BIK-u nuk e ka larguar nga puna asnjë imam që ka predikuar urrejtje.

10. BIK-u ka heshtur kur një imam mashtrues nga Shqipëria organizonte ekskursione për gra të varfra të Drenicës në Turqi.

11. BIK-u vetëm sa për sy e faqe dënon ekstremizmin, por në thelb e toleron atë.

12. Veprimtaritë antifetare dhe antikombëtare të Naim Tërnavës me shokë kanë ndikuar që Shtetet e Bashkuara të Amerikës t’ua ndalojnë hyrjen në këtë vend shumë imamëve dhe të shprehin shqetësim mbi gjuhën e urrejtjes nga ana e predikuesve fetarë, ku hyn, për fat të keq, edhe antisemitizmi.

13. BIK-u nuk do të kishte devijuar në këtë mënyrë sikur të mos i vardiseshin politikanët e pafytyrë të Kosovës, të cilët për vota e për pushtet janë në gjendje të bashkëpunojnë me çdo djall pseudofetar.

14. Në vend se të hidhej poshtë zgjedhja ilegale e Naim Tërnavës politikanët e Kosovës vrapuan në ditën e Bajramit që t’ia puthnin këmbët myftiut mashtrues.

15. BIK-u kurrë nuk e ka sqaruar faktin se si ndodhi që Shefqet Krasniqi të lejohet nga polica serbe të shkojë në Preshevë të predikojë përrallat e tij, ndërkohë që politikanët e Kosovës apo intelektualët nga Lugina e Preshevës që jetojnë në Prishtinë nuk lejohen të hyjnë në këto treva të banuara me shqiptarë.

16. BIK-u po hesht edhe përballë faktit se predikuesit të urrejtjes Shefqet Krasniqi i është ndaluar hyrja në Maqedoni.

17. BIK-u po hesht përballë faktit se Shefqet Krasniqi mban lidhje me ekstremistë fetarë në Zvicër, të cilët dyshohen për terrorizëm dhe janë nën vëzhgimin e autoriteteve zvicerane të sigurisë.

18. BIK-u në vend se të promovojë vlerat e vërteta të islamit – tolerancën, dëshirën për mësim, qetësinë shpirtërore, kultivimin e traditës shkencore islame që ka lënë aq gjurmë në Europën Perëndimore -, prej vitesh i ka fryrë zjarrit të ekstremizmit, duke krijuar hapësirë për grupe vahabiste e selafiste.

19. Në vend të teologëve që predikojnë me logjikshëm dhe imamëve të guximshëm tash për fenë islame flasin gomarë me mjekra të ndotura që thonë se qenkan të lejuara martesat brenda familjes (p.sh. të martosh vajzën e xhaxhait). E çfarë do të predikojnë këta kriminelë nesër? Pedofilinë? Sepse edhe profeti e paskësh martuar një vajzë të moshës fëmijërore...

20. Mbarë shoqëria e Kosovës duhet të kundërshtojë këtë udhëheqje të BIK-ut, sepse ajo është e rrezikshme për të ardhmen e vendit. Kosovës i duhet një udhëheqje tjetër e BIK-ut dhe politikanë që problemin e ekstremizmit fetar nuk përpiqen ta zgjidhin vetëm me represion dhe kufizim të të drejtave civile. Shpëtimi është te një pushtet demokratik, i cili e zhvillon vendin, e lufton varfërinë dhe nuk bën kompromise me të keqen që mbështillen me ambalazh fetar, qoftë kjo feja islame apo ndonjë fe tjetër.

21. Mbi gjysmë milioni njerëz në Kosovë jetojnë në varfëri. Prej tyre rreth 170 mijë jetojnë në varfëri ekstreme – domethënë këta njerëz nuk kanë mundësi as të ushqehen si duhet. Dëshpërimi me gjendjen e keqe ekonomike është aq i madh, saqë shumë njerëz kanë vetëm një qëllim: të largohen nga Kosova. Meqë rrugët drejt Perëndimit janë të mbyllura, disa kosovarë bien pre e manipulimeve fetare. Si urë lidhëse me islamin politik, me atë që mund të quhet “fashizëm i gjelbër”, prej vitesh po shërbejnë lloj-lloj shoqatash nga vendet e Gjirit Persik që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Kosovë.

22. Bashkësia Islame e Kosovës e ka injoruar faktin se grupet ekstreme kanë arritur të krijojnë një sistem paralel fetar, i cili vepron jashtë çdo kontrolli. Janë hapur xhami ilegale, konvikte ilegale, qendra ilegale islamike, ku as Bashkësia Islame dhe as opinioni nuk e di se çka predikohet aty, a është në përputhje me fenë islame apo thjeshtë aty bëhet politikë që nuk ka të bëjë me fenë. Këto rrethana të frikshme për Kosovën janë krijuar, sepse Bashkësia Islame është e përçarë, e korruptuar dhe e drejtuar nga teologë të dobët dhe pa autoritet. Për këtë flet edhe ideja e krerëve të BIK-ut që xhaminë e re dhe të madhe në qendër të Prishtinës ta shndërrojnë në qendër tregtare me gati 100 dyqane.

23. Për fat të keq Kuvendi i Kosovës nuk ishte në gjendje të miratojë ligjin që ndalon pjesëmarrjen në luftëra të huaja – edhe pse çdokush që rreshtohet në luftën e Sirisë apo Irakut, për shembull, automatikisht rreshtohet kundër Kosovës, kundër lirisë së saj dhe kundër aleatëve tanë perëndimorë. Ekstremistët fetarë shqiptarë po luftojnë edhe kundër Shqipërisë, pasi që Republika e Shqipërisë deri së fundi kishte në Irak një kontingjent ushtarak që bashkë me forcat amerikane ndihmonte në stabilizimin e këtij vendi.

24. Po ashtu për fat të keq mungesa e një ballafaqimi me fanatikët fetarë po ndikon që feja islame të perceptohet vetëm si fe e dhunës dhe shpatës, si fe që poshtëron femrat, që ua refuzon të drejtat ithtarëve të feve të tjera, që synon, në fund të fundit, pushtimin e botës. Modeli zanafillor tashmë është krijuar: Kalifati prej Sirisë në Irak, i dominuar nga terroristët ISIS. Ata tani për çiftet e sapomartuara po ofrojnë udhëtime romantike me autobus nga Raka siriane në Anbarin irakian. Por, kjo romantikë është e kufizuar, sepse në autobus gratë duhet të ulen prapa, ndërsa burrat zënë vend afër shoferit.

25. Zhvillimet e fundit në Irak dhe Siri tregojnë se terroristët po e përvetësojnë islamin si bazë për legjitimimin e krimeve. Për ta nuk ekzistojnë kufi mes shteteve, sepse ëndrra e tyre është një kalifat gjithëbotëror për umman (ymetin), bashkësinë e myslimanëve. Rreshtimi në këtë fushatë domethënë që shqiptarët të heqin dorë nga përkatësia kombëtare dhe të pozicionohen kundër çdo vlere perëndimore, kundër rendit demokratik, kundër të drejtave civile, kundër tolerancës dhe dialogut ndërfetar dhe ndërshoqëror. Kjo qasje është në kundërshtim të plotë me historinë e zhvillimit të shqiptarëve në Ballkan. Politikanë, intelektualë dhe teologë shqiptarë më 1908 vendosën të pranojnë alfabetin latin, ndonëse këtë e kundërshtonin liderët osmanë të kohës dhe disa nacionalistë serbë, të cilët bënë përpjekje të shumta të manipulojnë imamë për të kundërshtuar alfabetin “e Europës”. Ky është vetëm njëri nga shembujt e konsensusit strategjik mes shqiptarëve, pa marrë parasysh se cilës fe i takojnë. Është e domosdoshme që shqiptarët të zgjohen dhe të gjallërojnë traditën e tyre të tolerancës fetare.

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...