Kosova nuk ka nevojë për Ministri të Integrimeve Evropiane

13 Gusht 2014 - 09:00 - Augustin Palokaj      

Kushdo që ta formojë Qeverinë e ardhshme të Kosovës duhet t’i ikë gabimit që ka bërë Qeveria e mëparshme, duke e krijuar një Qeveri më të madhe sesa të Gjermanisë apo Rusisë me aq shumë zëvendëskryeministra e ministri. Nuk ka nevojë për shembull për një Ministri të veçantë të Integrimeve Evropiane. Pjesën politike të raporteve me BE-në duhet ta bartë Ministria e Jashtme, e cila do të koordinonte edhe raportet e ministrive tjera me strukturat përkatëse të Bashkimit Evropian. Integrimi në BE, që është një prioritet strategjik afatgjatë, nuk realizohet duke krijuar ministri të posaçme, por duke i përmbushur standardet në fushat, si rendi dhe ligji, ekonomia, mjedisi dhe tregtia.

Kemi harruar sa ministri i ka Qeveria në largim e Hashim Thaçit, por një gjë nuk mund të harrohet e ai është fakti se vështirë mund të gjendet një qeveri me aq shumë zëvendëskryeministra e aq shumë ministri. Shtetit më të varfër të Evropës, pra Kosovës, me numrin e ministrave dhe zëvendëskryeministrave, nuk mund t’i afrohen as shtetet më të pasura si Belgjika e Holanda e as shtetet e mëdha si Gjermania apo Rusia. Po ashtu nuk mund të harrohet as arsyeja pse Thaçi ishte aq zemërgjerë për të punësuar aq shumë persona në nivelet më të larta të Qeverisë së tij.

Fenomeni më i madh mbeti ende ai i listës “Rugova“, e cila në koalicion parazgjedhor me AAK-në fitoi një ulëse në Kuvendin e Kosovës dhe atë për të birin e ish-presidentit, Ibrahim Rugova, Ukën. Falë kësaj Thaçi bëri zëvendëskryeministër, Bujar Bukoshi, por dha edhe poste tjera. Edhe pse ishte e qartë se Kosova, me buxhetin e saj sa të një skuadre profesioniste të futbollit në Evropë, nuk mund dhe nuk guxon t’i ofrojë vetes një luks të tillë të ketë aq të madh aparatin shtetëror. Postet u ndanë sikur dhuratat e Babadimrit. Të gjithë anëtarët e Qeverisë kanë edhe kabinetet e tyre, nëpunësit dhe bashkëpunëtorët, këshilltarët dhe të tjerët që marrin rroga, mëditje dhe bëjnë shpenzime tjera.

Nga aspekti i funksionalitetit të Qeverisë një numër aq i madh i resorëve është i panevojshëm dhe irracional. Por në Kosovë, që nga kreu e deri tek niveli më u ulët i pushtetit, shteti është punëdhënësi më i madh e besa edhe më i miri.

Prandaj edhe është krijuar situata në të cilën tashmë pak ka simpatizantë të ideologjive të caktuara politike, por më shumë përdorues të shërbimeve të atyre që janë në pushtet. Dhe kjo bëhet pastaj motivi mbi të cilin njerëzit edhe zgjedhin preferencat e tyre se për kë do të votojnë në zgjedhjet në Kosovë. Nga kjo varet vendi i tyre i punës, varet se si do t’i funksionojë dikujt biznesi, cilit fshat do t’i asfaltohet rruga dhe shumë gjëra tjera. Kjo në një mënyrë merr edhe përmasa të korruptimit të votuesve, por kështu është në Kosovë. Parimet dhe ideologjitë janë në rend të dytë apo nuk ekzistojnë fare.

Dhe tash kur Kosova është në një krizë të qartë institucionale, ku nuk ka asnjë institucion i cili ka edhe legjitimitetin edhe legalitetin e tij, të gjitha debatet zhvillohen rreth krijimit të Qeverisë së ardhshme. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është zgjedhur në atë post në mënyrë legale, por ajo nuk ka legjitimitet, sepse nuk ka marrë pjesë asnjëherë në zgjedhje dhe nuk mund të konsiderohet si përfaqësuese legjitime e popullit të Kosovës për shkak të mënyrës se si është caktuar nga ish-ambasadori amerikan për të marrë atë post.

Kjo është bërë përmes një pazari politik në formën e një marrëveshjeje, e cila edhe është shkelur, sepse posti i saj nuk doli të jetë i përkohshëm, por me mandat të plotë. Qeveria në largim është e përbërë tashmë edhe nga njerëz që kanë dhënë betimin si deputet të Kuvendit. Legaliteti i kryetarit të Kuvendit është kontestuar në Gjykatën Kushtetuese e vetë kjo Gjykatë është pushtet gjyqësor e jo përfaqësues. Pra është një lëmsh institucional nga i cili bashkësia ndërkombëtare pret që Kosova të dalë vetë. E si do të dalë duket se do të pritet më shumë sesa mendohej më parë.

Nuk dihet pra kush dhe kur do të formojë Qeverinë edhe pse një logjikë e shëndoshë thotë se këtë do ta bëjë koalicioni paszgjedhor LDK-AAK-Nisma, sepse duket se i kanë votat në Kuvend.
Kushdo që ta formojë Qeverinë e ardhshme të Kosovës duhet t’i ikë gabimit që ka bërë Qeveria e mëparshme duke e krijuar një Qeveri më të madhe sesa të Gjermanisë apo Rusisë me aq shumë zëvendëskryeministra e ministri. Nuk ka nevojë për shembull për një ministri të veçantë të Integrimeve Evropiane.

Pjesën politike të raporteve me BE-në duhet ta bartë Ministria e Jashtme, e cila do të koordinonte edhe raportet e ministrive tjera me strukturat përkatëse të Bashkimit Evropian. Integrimi në BE, që është një prioritet strategjik afatgjatë, nuk realizohet duke krijuar ministri të posaçme, por duke i përmbushur standardet në fushat si rendi dhe ligji, ekonomia, mjedisi dhe tregtia.

Pasi që duhet hequr disa ministri dhe duhet reduktuar numrin e ministrave një prej eliminimeve më të logjikshme do të ishte heqja e Ministrisë së Integrimeve Evropiane. Kjo kurrsesi nuk duhet të shihet si heqje dorë nga integrimi në BE si prioritet. Por punën kryesore në këtë drejtim edhe ashtu duhet ta bëjnë Ministra e Punëve të Brendshme (që kryen edhe punën e liberalizimit të vizave), Ministria e Tregtisë ( e cila zbaton pjesën e madhe të MSA-së së ardhme), Ministria e Bujqësisë (ndër resorët më kryesorë të Bashkimit Evropian) dhe ministritë e tjera përkatëse.

Të gjitha ministritë do të duhej të kishin kontakte direkte me drejtoritë përkatëse të Komisionit Evropian, ndërsa pjesën politike e kryen Ministria e Jashtme dhe, kur duhet kontakte në krye, atëherë presidenti dhe kryeministri me Parlamentin Evropian, Kuvendi i Kosovës me strukturat e veta.

Kur themi se Ministria e Jashtme duhet të marrë përsipër pjesën politike të raporteve me BE-në, atëherë duhet saktësuar se kjo ministri duhet të shndërrohet në një shërbim profesional e jo të jetë siç është tani.

© KOHA DITORE

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...