Zëri dhe heshtja për Palestinën

3 Gusht 2014 - 10:15 - Brikenda Rexhepi      

Nuk është se fjala e institucioneve të Kosovës mund ta bindë Izraelin të mos i bombardojë vendbanimet në Gaza, apo që në ndonjë formë mund të ndikojë në veprimet e “Hamasit”. Por Kosovës më së paku i takon të heshtë. Zëri i një vendi që ka luftuar për t’u çliruar kumbon më shumë kur flet për rëndësinë që ka shteti për një popull që e do atë. Edhe heshtja e Kosovës është më e mjerë kur injoron vuajtjet e një populli, të cilat rishtas i ka provuar në lëkurën e vet.

Edhe pse filmin e vizatuar e shikoja më me dëshirë, nuk ndodhte të më iknin as lajmet e RTP-së që nisnin në 19:30. Si fëmijë i viteve tetëdhjetë, kur situata politike në Kosovë veç kishte nisur të ndryshonte, nuk ishin vetëm emisionet për fëmijë, e as veç “Rilindja” e së martës që ma tërhiqnin vëmendjen. E mbaj mend se si dëshiroja vetë me vete që atë që e dëgjoja në lajme për luftën irako-iraniane apo çka u ndodhte palestinezëve të mos ndodhte ndonjëherë në Kosovë. Nuk e dija që pikërisht atëherë asaj rruge ishim nisur.

Tash po e mendoj se sa me fat jemi që lufta në Kosovë ka pasur një fund. Se si askush më mirë se ne nuk e di rëndësinë që e ka ky fund për një popull që vritet, dëbohet, torturohet, dhunohet... Po e mendoj se si e ka bërë jetën gjatë këtyre viteve një palestineze, e cila në të 80-tat ka qenë fëmijë i vogël, dhe se si po ia del tash në valën e fundit të dhunës.

Çështja izraelito-palestineze mund të jetë e komplikuar dhe mund të interpretohet në format më të ndryshme, por është e panjerëzishme nga kushdo që e mban një grimcë përgjegjësie të mos e dënojë atë që po ndodh atje. Është po ashtu e panjerëzishme nga ata që kanë më shumë përgjegjësi e ndikim të lejojnë një gjë të tillë të ndodhë.

Shteti i Kosovës i takon kategorisë së parë. Nuk është se fjala e institucioneve të Kosovës mund ta bindë Izraelin të mos i bombardojë vendbanimet në Gaza, apo që në ndonjë formë mund të ndikojë në veprimet e “Hamasit”. Por Kosovës më së paku i takon të heshtë. Zëri i një vendi që ka luftuar për t’u çliruar kumbon më shumë kur flet për rëndësinë që ka shteti për një popull që e do atë. Edhe heshtja e Kosovës është më e mjerë kur injoron vuajtjet e një populli, të cilat rishtas i ka provuar në lëkurën e vet.
Javën që shkoi kryeministri i Kosovës reagoi, por duke u fshehur në “Facebook”. “Kosova duhet të ketë kujdes t'i çmojë kontribuuesit e lirisë dhe pavarësisë sonë nga populli hebre”, ka shkruar ai – porosi kjo që më shumë i ka goditur ata, por edhe vetë autorin e kësaj fjalie. Dihet që kosovarët çdoherë kanë qenë falënderues dhe do të mbesin përherë të tillë për të gjithë përkrahësit, ashtu siç, e besoj se dikur do të jenë edhe palestinezët ndaj përkrahësve të tyre. Të dalësh me një porosi të tillë, derisa e tërë bota është tmerruar me pamjet nga Gaza, nuk është falënderim për miqtë.

Përkundrazi, është mveshje dhe nënçmim duke e injoruar qëllimshëm atë që po ndodh dhe duke e dhënë një arsyetim për këtë. Është indikacion i gabuar të shfaqësh frikë nga dikush që dikur e ka mbrojtur atë që ti sot frikësohesh ta thuash – të drejtën e popullatës civile për të jetuar. Nuk është antisemitizëm të radhitesh kah kjo e drejtë. Përkundrazi.
Sot më shumë po lexoj nëpër mediat ndërkombëtare reagime e kundërshtim nga vetë pjesëtarët e popullit izraelit dhe të fesë hebraike për bombardimet e vendbanimeve në Gaza dhe për numrin e lartë të viktimave civile, veçanërisht fëmijëve. Po lexoj edhe për dhimbjen që e kanë familjet e ushtarëve izraelitë të vrarë kur po i varrosin ata. Po lexoj për prindërit e trishtuar të këtyre djemve të rinj se si po rrisin fëmijë për t’i bërë ushtarë, për të vrarë e për t’u vrarë. Edhe pse numri i viktimave mes dy palëve dallon shumë - 1500 palestinezë, shumica civilë, dhe mbi 60 izraelitë, shumica ushtarë – dhimbja që ndien nëna e një palestinezi të vrarë dhe ajo që e ndien nëna e një izraeliti është e njëjtë. Një gazetare izraelite e “Haaretzit” javën që shkoi ia kishte vënë titullin një artikulli të saj: “Lufta e godet vërtet shtëpinë tënde, kur e njeh gruan që po e varros djalin e vet”. Nëna e ushtarit të vrarë, për varrimin e të cilit po shkruante ajo, kishte qenë mësuesja e vajzës së vet.

Kur lexon rrëfimet nga ana palestineze e sheh se si lufta e ka goditur shtëpinë e çdokujt, dhe jo veç simbolikisht. Kur i shikon fotografitë, një pjesë e madhe e tyre vjen me paralajmërimin për njerëzit e ndjeshëm se “pamjet janë tronditëse”. Një i ngjashëm, më 30 shtator 1998, ka qenë edhe në ballinën e “Kohës Ditore”. Pamjet e foshnjës gjashtëjavëshe të vrarë në mesin e 23 anëtarëve të familjes Deliu, kanë qenë po aq tronditëse sa pamjet e fëmijëve të vrarë me ndonjë gjymtyrë jashtë gërmadhave të ndërtesave të bombarduara në Gaza.
Nuk ka fije dyshimi që populli izraelit nuk i shikon gjakftohtësisht ato, gjë që nuk mund të thuhet për ata që i japin urdhrat. Po ashtu nuk ka fije dyshimi që “Hamasi” nuk e pyet apo i tregon popullit palestinez për vendin dhe kohën e sulmeve që do t’i ndërmarrë në drejtim të Izraelit e të cilat do të rezultojnë me kundërsulme ndaj civilëve. Armëpushimi 72 orësh, të cilit i qenë gëzuar të enjten mbrëma, zgjati vetëm dy orë – sulmi i “Hamasit” mori jetët e 5 ushtarëve, kurse kundërsulmi i menjëhershëm jetët e 25 palestinezëve.

Nga Prishtina askush nuk pret ta përpilojë planin e zgjidhjes së krizës gati njëshekullore, por të tregojë atë që i takon – rëndësinë e së drejtës për të jetuar dhe për ta bërë këtë i lirë. Është edhe përgjegjësia që institucionet kanë ndaj popullit të vet, i cili posaçërisht nuk mund të rrijë indiferent ndaj pamjeve nga Gaza. Kur mungojnë qëndrimet shtetërore për ngjarjet sikur në Palestinë, u krijohet hapësira shoqatave e partive islamike të mbajnë bajrakun. Në Kosovë debati po merr karakter fetar. Kjo, për dy arsye. E para, për shkak të injorancës rreth realitetit atje, dhe, e dyta, për shkak se një situatë e tillë përbën habitat të favorshëm për ekstremistët “fetarë” që kanë për qëllim të shfrytëzojnë çdo rast për manipulimin e njerëzve. Ata ndoshta nuk e dinë se populli palestinez është sikur populli shqiptar - ka tri fe: islame, ortodokse e katolike dhe bashkëjetesë shumë të mirë. Në mesin e luftëtarëve më të mëdhenj për kauzën palestineze njihen pjesëtarë të të tri feve, pavarësisht faktit se sot “Hamasi” përdor retorikë islamike.

Populli palestinez me dekada po lufton për ta pasur shtetin e vet, për të mos qenë i izoluar e i burgosur në vendin e vet, për të pasur ujë për të pirë e kulm mbi kokë, për të jetuar pa frikën se raketat do t’ua godasin shtëpitë derisa janë duke fjetur… Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon i janë dashur disa javë për të thënë se “s’ka asgjë më të turpshme se t’i sulmosh fëmijët që janë duke fjetur”. Ditë më parë aktori i famshëm spanjoll, Javier Bardem, i mirënjohur për aktivizimin e tij politik, në një letër të nënshkruar nga shumë emra të tjerë me famë botërore ka shkruar një porosi: “Në tmerrin që po ndodh tash në Gaza NUK ka vend për distancë apo neutralitet”.

brikenda@koha.net
©KOHA.net

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...