Kosova e Gjarpnit

29 Korrik 2014 - 08:07 - Flaka Surroi      

Këto zgjedhje kanë treguar se Kosova ka nevojë për brez të ri politikanësh, që nuk identifikohen as me të kaluarën e as me luftën. E posaçërisht me luftën, për shkak se ata që e keqpërdorën rëndësinë e saj, e gllabëruan Kosovën për vete, për shkak se “kanë luftuar”

Kosova e verës së vitit 2014 është “e zapu’eme prej regjimit Thaçi”, siç do të thotë shumëkush tash, pasi e ka lexuar bestsellerin e sivjetmë “Këmbët e gjarprit”, botimi i gjashtë i të cilit posa ka dalë në qarkullim.

Është Kosova e varfër, e pazhvilluar, e dominuar nga krimi e korrupsioni. Është Kosova e një gjyqësie të paefektshme, të rrezikshme, për shkak se nuk ofron mbrojtje për ata që përpiqen të gjejnë drejtësi në mënyrë institucionale; e një policie skandaloze, të cilën e vjedhin në shtëpi të vetën e ajo nuk mund t’i zërë hajnat; e një arsimi të një cilësie të keqe, që lë shumë për të dëshiruar; e një ekonomie që “mbështetet” në deficitin tregtar; e evazionit fiskal; e papërgjegjësisë; e mosndëshkimit, si vlerës më të madhe që ka prodhuar udhëheqja në krye me deputetin aktual, Hashim Thaçi.

Me të drejtë mund të quhet Kosova e Gjarpnit (nofkës së deputetit të apostrofuar), për shkak se ai, së bashku me një numër të madh këshilltarësh (dhe do të pranojmë, se këshilltarët i ka par excellence, që ditën t’i tregojnë se si duhej luajtur lojën) na sollën në këtë pikë ku jemi sot – në fund të pusit dhe në zgrip të bankrotit financiar si shtet. Gjarpni me këshilltarët e vet e mori formën e oktopodit dhe i përhapi pipthat e veta gjithkund – aty ku ka pare (ndërmarrjet me borde plus privatizimi); aty ku ka forcë (polici e hetuesi); aty ku duhet pasur paanësi (gjyqësi); aty ku është vendimmarrja (shërbyesit civilë), aty ku ushtrohet ndikimi te popullata (shërbyesit publikë)...

Masha

Prandaj edhe nuk është çudi se përse nuk e lëshon pushtetin nga dora. Madje edhe në kohën kur as ligjërisht e as moralisht nuk do të duhej marrë vendime ekzekutive, ai vazhdon ta bëjë këtë. Ndërkohë, derisa na mban ders në “Fejsbuk”, duke na përçmuar të gjithëve, i angazhon mashat e tij për t’ia kryer punët.

Të tillë, mashë pra, tashmë e kisha përshkruar në kolumnen e javës së shkuar: deputeten e cila kishte bërë një mori shkeljesh procedurale, për shkak se këto ishin instruksionet që i kishte marrë nga shefi i saj. Dhe në vend se të ndihej fajtore për krizën në të cilën e ka futur Kosovën me shërbimin e saj hiç të dinjitetshëm, dje Flora Brovina doli për ta thënë një gjë, që në anglishte quhet ridiculous (që vërtet tingëllon fuqishëm kur shqiptohet) – e që nuk e ka peshën e njëjtë kur të përkthehet në shqip (d.t.th: qesharake): “Ndihem shumë e ofenduar nga 82 deputetët dhe vendimi i tyre. Një lëndim të tillë veç armiku ka mundur të ma bëj. Edhe kur jam burgosur nuk jam ndier më keq”.

Brovina i ka shpallur armiq 82 (në fakt kanë qenë 83) deputetë, që kanë vlerësuar se obstruksionet që kjo ia bëri procesit demokratik më 17 korrik, do të duhej ndëshkuar me një mocion dhe zëvendësimin e saj me tjetër deputet. Rastisi që sipas moshës kjo të ishte Millka Vulliq nga Lista Srpska. Për më tepër, e ka ndier veten të ofenduar nga veprimi i hiç më pak se 83 vetave, duke mos u ndalur të mendojë se me gjestet e veta pos që na ka ofenduar të gjithë votuesve, na e ka ofenduar edhe inteligjencën, duke u shtirë parimore teksa shkonte vetëdijshëm prej shkeljes në shkelje.

Po qe se do të përsëritej seanca, që do të ishte në fakt edhe kontribut i saj i drejtpërdrejtë dhe shumë i çmueshëm për partinë, e bjerrakohës për shumicën, atëherë punën më të mirë që do të mund ta bënte do të ishte të tërhiqej, e të mos pranonte ta udhëhiqte atë. Gjithmonë do të mund të thoshte se ende ndihet e ofenduar me veprimin e atyre 83 të paturpshmëve që patën fytyrë ta zëvendësonin atë me Millkën...

Kalkulimet e PDK-së

Java e shkuar na solli masën e përkohshme shqiptuar nga Gjykata Kushtetuese, me të cilën u ndërprenë të gjitha aktivitetet e Kuvendit të Kosovës, ani që ky tashmë është konstituuar dhe teknikisht mund të nisë të veprojë. Arsyeja: ankesa e PDK-së, fituesit relativ të zgjedhjeve e që nuk i ka numrat në Kuvend, pasi që Grupi Parlamentar i PDK-së nuk ia doli që qëllimisht ta bllokonte Kuvendin.

Për ata që nuk e dinë, Rregullorja e Kuvendit e ka një zbrazësi të madhe, meqë nuk e parasheh se çfarë ndodh po qe se kryetari i Kuvendit nuk ia del të zgjidhet në votimin e parë. Deputetët e legjislaturave të kaluara e kanë neglizhuar këtë punë, sepse deri në këto zgjedhje, posti i kryetarit të Kuvendit nuk ka qenë objekt negociatash dhe disi përherë ka qenë më së paku atraktiv, sepse krejt gara është zhvilluar për atë se kush po bëhet kryeministër, e kush, babës, kryetar.

Pra, po ta kishin votuar, siç donin deputetët e PDK-së, “kandidatin” e tyre, Agim Aliun, (i cili me gjasë nuk do të mund t’i fitonte më shumë se 37 vota), atëherë puna e Kuvendit do të bllokohej plotësisht. Në mungesë të veprimit të trupit ligjvënës, që nuk do të mund ta zgjidhte Qeverinë e re, me kalimin e afateve do të shkohej në zgjedhje të parakohshme.

E zgjedhjeve të parakohshme do t’i gëzohej vetëm PDK-ja, sepse ende mban dizginat e Buxhetit të Kosovës: jep para për të sëmurë; për pensionistë, për veteranë; punëson kushërinj e besa edhe ndonjë dajë që ende s’është rehatuar dhe lidhë kontrata të shtrenjta që gjithmonë kthejnë para prapa tek “investitori”. Do t’i gëzohej, edhe pse është e vetmja nga partitë që ka shumë para; që i kontrollon krejt segmentet e shoqërisë dhe që lehtë mund t’i blejë ato vota që i nevojiten, madje për t’ia kaluar pragun partnerit të kaluar të koalicionit, AKR-së, me të cilën do ta siguronte shumicën absolute...

E meqë skenari i parë u dështoi, iu rrekën skenarit dy – iu qasen Babës, i cili si vëzhgues i mirë, nga korneri vendos ashtu siç ia merr mendja..., apo ashtu siç ia komunikojnë se duhet. Tash, për të qenë e drejtë, duhet thënë se vendimet nuk i merr bash krejt vetë, porse ndikimin, tashmë është e qartë, e ka të madh te gjykatësit vendorë. Sidoqoftë, Baba, për t’i dëshmuar pritjet, e ndalë punën e Legjislativit me një masë të përkohshme dhe u thotë të gjithëve se kjo mund të zgjasë deri në gjysmë të shtatorit, ani që gjykatësve ndërkombëtarë mandati u skadon më 31 gusht 2014. Ky fakt do të duhej ta përshpejtonte vendimin, i cili do të mund të rezultonte ndoshta me ndonjë aktgjykim, i cili për ndryshim do të jetë normal. Mirëpo, ai mund të jetë edhe i palogjikshëm apo edhe vështirë i argumentueshëm, siç qe vendimi për kryeprokurorin e Shtetit.

Nejse. Veprimi i Kushtetueses dhe zvarritja eventuale e vendimmarrjes në lidhje me këtë çështje, do t’i japë PDK-së një muaj kohë deri në formimin e trupave të Kuvendit, e plus edhe minimum një muaj deri te formimi i Qeverisë së re. Kjo do të jetë kohë e mjaftueshme për deputetin Hashim Thaçi së bashku me një grumbull deputetësh të tjerë, që tash i zënë karriget e ministrave në sallën e mbledhjeve të Qeverisë, të marrin edhe kush e di sa vendime ekzekutive në kundërshtim me Kushtetutën..., e të emërojnë kush e di edhe sa shefa të shërbimit civil nëpër ministri, duke u siguruar se edhe nëse dalin në opozitë, do ta kenë kontrollin mbi buxhetin. Sepse sekretarët e përgjithshëm janë përgjegjësit e buxheteve nëpër ministri, e të mërkurën nëntë syresh iu zgjatën mandatet, plus edhe pesë të tjerëve që janë shefa të agjencive të pavarura...

Kalkulimet e opozitës

Kalkulimet e triumviratit janë vërtet ende të paqarta – por fakti është se nuk ka pasur takim zyrtar ndërmjet tyre dhe “Vetëvendosjes” që nga data 16 korrik. Dhe nëse tri partitë e mëdha e kanë vendosur të ecin përpara pa “Vetëvendosjen”, do të thotë se do t’u nënshtrohen kushteve të Lista Srpskas, të cilat janë artikuluar me dy fjali të thjeshta: Një, s’ka privatizim aty ku jetojnë serbët (pra Brezovica nuk del në privatizim, e as “Trepça” nuk komercializohet, a çfarëdo që e kanë në plan, sepse “është pronë e Serbisë”). Dhe dy, e duan Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal për ta krijuar Zajednicën – që në fakt nënkupton jo OJQ-në që tashmë e kemi qe një dekadë e fiu, por njësinë autonome serbe tu Kosovës.

Nëse trioja e beson se me fuqinë që ka dhe me ndihmën e minoriteteve do të mund ta luftojë PDK-në në opozitë, atëherë e ka shumë gabim, për shkak se do të refuzonte të pranonte se po ato minoritete kanë qenë pjesë e pushtetit keqqeverisës të PDK-së. Nëse e beson se do ta ketë më lehtë edhe me “Vetëvendosjen” në opozitë, nuk do t’i nevojitet shumë kohë për të kuptuar se sa ka bërë kalkulim të keq dhe se më pas do të jetë vonë për ta shtrirë dorën e pajtimit rreth parimeve.

Është vështirë të thuhet se çka po kalon nëpër kokat e këtyre partive. Por duket se ende nuk e kanë kuptuar se sa zor do ta kenë ta luftojnë sistemin e fuqishëm të PDK-së. Dhe çka është më me rëndësi, udhëheqësit e tyre ende nuk e kanë kuptuar se prezenca e tyre në politikë duhet të mbarojë brenda një faze transitore dyvjeçare, po qe se ia duan të mirën Kosovës.

Këto zgjedhje kanë treguar se Kosova ka nevojë për brez të ri politikanësh, që nuk identifikohen as me të kaluarën e as me luftën. E posaçërisht me luftën, për shkak se ata që e keqpërdorën rëndësinë e saj, e gllabëruan Kosovën për vete, për shkak se “kanë luftuar”. E për shkak se kanë luftuar (disa përnjëmend e disa hiç), Kosova u bë e Gjarpnit – aty ku demokracia është e barabartë me trend diktature; aty ku krejt pasuria dhe të mirat e këtij shteti bëhen pronë private e njeriut që ka ndërtuar një mini-ushtri “luftëtarësh”, të cilët sillen thuajse populli u ka borxh gjithçka, përfshirë edhe jetën e tyre.

Mbaslufta ua dha 15 vjet për t’i shfryrë epshet e për t’u pasuruar jo vetëm me pushtet. Është koha për ndërrime njerëzish e fytyrash – dhe jo vetëm për shkak të dukjes së tyre, por për shkak të cilësisë se re që duhet t’ia sjellin Kosovës. Për shkak të armëve me të cilat do ta çlirojnë atë nga shtrëngimi i Gjarpnit. Me ndershmëri e dije.


flaka@koha.net

 

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...