Hipokrizia përballë grave të dhunuara

27 Korrik 2014 - 09:01 - Valbona Mehmeti      

Nuk jam nënshkruese e peticionit nëpërmjet të cilit kërkohet drejtësi ndërkombëtare për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë. Jo se nuk i përkrah iniciativat që mbështesin të mbijetuarat e krimeve të shtetit serb, sepse ato janë ndër viktimat më tronditëse të konfliktit të fundit, porse vetë ideja e nisjes së nënshkrimit të një peticioni 15 vjet pas kryerjes së krimeve mbi mijëra gra shqiptare jo vetëm që më është dukur e vonuar, por kam dyshime që do t’u sjellë ndonjë dobi apo satisfaksion konkret grave që në luftë u dënuan më së rëndi: me përdhosjen e integritetit personal.

Iniciuese të peticionit ishte një grup i grave politikane dhe aktiviste të të drejtave të grave, madje pak kohë para zgjedhjeve të tetë qershorit dhe pas miratimit në Kuvend të themelimit të Gjykatës Speciale për krime lufte, që linte për të dyshuar në prapavijë politike të peticionit. Veprimi i tyre më dukej i pamoralshëm. Po aq sa edhe pozimet dhe postimi i fotografive nëpër rrjete sociale e medie interneti. Pothuajse të gjitha gratë e përfshira në këtë iniciativë ka me vite që merren me politikë ose me çështjen e të drejtave të grave dhe asnjëherë nuk i kemi dëgjuar, së paku publikisht, të kenë ngritur si çështje në Parlament ose në Qeveri, ose të potencojnë mungesën e përkrahjes institucionale për viktimat e dhunimeve.

Në mesin e iniciatoreve është edhe kryenegociatorja kosovare në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri. Si është e mundur që një kryenegociatore, që ka pasur mundësinë ta shtrojë këtë çështje aq të rëndë në mënyrë institucionale dhe ta hedhë në tavolinën e bisedimeve, ta ulë tani krimin e luftës në nivel peticioni të pambështetur me dëshmi konkrete dhe me kërkesa të paarsyetuara mirë juridikisht. Të tillë e kanë vlerësuar për gazetën aktivistë të të drejtave të njeriut.

Tahiri dhe koleget e saj besoj se e kanë ditur gjithmonë se dhunimi i grave shqiptare, ashtu si atyre në Bosnjë, nuk ishte vepër e epsheve momentale të forcave ushtarake dhe paraushtarake serbe. Ishte fushatë e planifikuar dhe e koordinuar politikisht, ishte armë lufte dhe metodë për spastrim etnik. Me këtë metodë synohej poshtërimi jo vetëm i viktimave, por i një shoqërie të tërë. Prandaj, edhe çështja e dhunimeve së bashku me krimet e tjera dhe fatin e të pagjeturve do të duhej të bëhej kushti kryesor i negociatave dhe i përmirësimit të raporteve me Serbinë.

Për të vendosur raporte, Kosova do të duhej t’i kërkonte Serbisë dorëzimin e atyre që kryen krime ose të japë dëshmi se do t’i gjykojë vetë në gjykime të pavarura.
Por, institucionet dhe shoqëria kosovare dështuan të luftojnë që krimet monstruoze dhe përpjekja për gjenocid e Serbisë të sanksionohen juridikisht. Dështuan që viktimat të shihnin drejtësinë, duke vepruar dhe dëshmuar, pse jo, edhe epërsinë kosovare në rrafshin politik e moral ndaj shtetit që jo vetëm i kreu krimet, por vazhdon ta mohojë kryerjen dhe të përfitojë politikisht, duke bërë pazare.

Kosova ende nuk ka të dhëna të sakta për numrin e të vrarëve të luftës e as të të dhunuarave. Shumë para janë harxhuar për komisione të ndryshme qeveritare, por rezultate të bindshme në dokumentimin e krimeve nuk po shihen. E të bindshme do të ishin ato rezultate që do të merreshin seriozisht si nga opinioni vendor e ndërkombëtar ashtu edhe nga drejtësia. Madje, shumë nga gjurmët e dhunimeve janë djegur apo zhdukur nga banorët në lokacionet ku janë kryer, me qëllim të fshehjes së “turpit”.
Si shoqëri e patëm qasjen e gabuar ndaj dhunimeve që nga fillimi. Nuk morëm fare mësime nga Bosnja apo nga vendet e tjera. Nuk është për t’u lavdëruar as qasja e medieve.

Pas luftës secili ngutej të riniste jetën, të shëronte plagët e humbjes së më të dashurve të vrarë, të rimëkëmbte ekonomitë e shkatërruara, ndërkohë që pos disa organizatave humanitare, kush nuk çante kokën për plagët shpirtërore të grave të dhunuara, që shkuan duke u thelluar me kalimin e viteve. Për këta 15 vjet të heshtjes atyre u mungoi edhe përkrahja e më të dashurve të tyre dhe u përballën edhe me akuzat për turpërim të familjes.

Përdhunimi nuk ishte zgjedhja e tyre. Ato u bënë mish për top në mbrojtje të familjes, vëllezërve dhe burrave të tyre, shumica e të cilëve kishin marrë malin qoftë për të luftuar, qoftë për të shpëtuar kokën e vet. Human Rights Watch ka publikuar dëshminë e një gruaje që tregon se burri i saj fshihej në kotec në momentet kur atë e dhunuan dhe ia vranë djalin.

Me të përfunduar lufta, burri ua kishte dorëzuar gruan vëllezërve të saj, me arsyetimin se ai nuk mund të mbante një grua të dhunuar. Mentaliteti i prapambetur e patriarkal i rrethit të tyre ua ka imponuar këtyre grave ndrydhjen dhe fshehjen e së vërtetës, që për pasojë shpesh i ka çuar edhe në aktin e vetëvrasjes. Por “turpi” tani ka nisur “të çojë krye”.

E kuptoj që gratë e dhunuara, të cilat për 15 vjet janë përballur me heshtjen institucionale dhe shoqërore të problemit të tyre u gëzohen edhe akteve simbolike të përkrahjes nga shoqëria, sikurse peticioni, por ato nuk e meritojnë që edhe më tej të luhet me fatkeqësinë e tyre për kusure politike. Nuk mjafton vetëm miratimi i një ligji që e njeh statusin e tyre të viktimës së luftës. Nuk mjaftojnë këngët as memorialet për to. Perfomancat e tilla janë të nevojshme, por ato kurrë nuk mund të sjellin në vend drejtësinë për krimin e përjetuar. Drejtësia vihet në vend vetëm duke dënuar kriminelët (kurdo qoftë), duke u ofruar viktimave integrim, shërim të traumave nëpërmjet përkujdesjes institucionale dhe kompensim material që ta kenë paksa më të lehtë vazhdimin e jetës.

Me një peticion sensibilizimi nuk e shpërlajmë ndërgjegjen tonë si shoqëri pse dështuam t’ua lajmë borxhin grave të cilat lufta i shkatërroi emocionalisht dhe fizikisht, ua shoi ëndrrat femërore.
Shpresoj që iniciatoret do ta mbështesin mirë me dëshmi peticionin e nënshkruar nga 100 mijë qytetarë, sepse ndryshe edhe sipas juristëve, edhe sipas aktivistëve të të drejtave të njeriut, efekti i tij do të jetë vetëm sensibilizues, madje më shumë i opinionit kosovar se sa atij ndërkombëtar.

E gratë e dhunuara nuk kanë nevojë për sensibilizim me efekte të propagandës. Dhunimet kanë ndodhur dhe nuk mund t’i mohojë askush. Duhet krijuar institucione që e dokumentojnë krimin dhe i ndjekin kriminelët. Në institucionet që i përfaqëson, ta zëmë, negociatorja Tahiri, zor të kenë besim qytetarët normalë të këtij vendi.
valbona@koha.net

©KOHA.net

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...