Rusia ka manipuluar mirë me ndasitë brenda BE-së

23 Korrik 2014 - 08:35 - Augustin Palokaj      

Ndër shumë dështime të tjera në politikën e jashtme të BE-së, si rezultat i pamundësisë që të arrihet një qëndrim unik dhe për faktin se është dashur të veprohej sipas një emëruesi më të vogël të përbashkët, edhe raportet me Rusinë tashmë janë duke u shndërruar në një dështim të politikës së jashtme të përbashkët të BE-së. Me deklarata të matura, me sanksione të çuditshme të cilat nuk kanë prekur akterët kryesorë politikë dhe ekonomikë të Rusisë, BE-ja nuk ka arritur t’ia tremb syrin liderit rus, Vladimir Putin.

Ai ka aneksuar një pjesë të madhe të territorit të Ukrainës, Krimenë, dhe tash ndihmon separatistët prorusë në Lindje të këtij shteti. Dhe BE-ja vetëm shton aty-këtu ndonjë emër të ndonjë zyrtari rusë në listët e zezë të personave të cilëve do tu ndalohet hyrja në territorin e Bashkimit Evropian. Me kalimin e kohës, Putini do të marrë epërsi në këtë pjesë, sepse po afrohet dimri e me afrimin e kësaj stine të ftohtë edhe rritet frika nga ndonjë krizë me furnizimin me gaz. E qytetarët e BE-së, kur të vijë të ftohtit, nuk do të mendojnë aq shumë për parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe rendit botëror, por do të shikojnë komforin e tyre.

Prandaj BE-ja edhe i ka duart të lidhura, sepse është tepër i madh numri i vendeve anëtare të cilat varen shumë nga furnizimi me gaz nga Rusia. Edhe pse Rusia nga ana tjetër varet shumë nga paratë që i merr nga BE-ja për gazin e saj, Moska është më e gatshme të rrezikojë sesa vendet e BE-së. Bashkimi Evropian është ndeshur me një realitet të hidhur në raportet me Rusinë e ai është se lideri rus Putin e ka vlerësuar mirë faktin se mund të llogaritë në ndasitë e BE-së. Pas rrëzimit të avionit me udhëtarë civilë në Ukrainën Lindore, që kryesisht dyshohet ta kenë bërë rebelët prorusë e ku kanë humbur jetën më së shumti qytetarë të BE-së, presioni ndaj vetë liderëve të BE-së për ndryshim të madh të raporteve me Rusinë është rritur.

Tragjedia me avionin e Malejzia Airlines ka filluar të ndryshojë dukshëm dioptrinë me të cilën disa vende të BE-së e kanë parë Rusinë deri më tash. Kryeministri i Britanisë së madhe këtë e ka krahasuar me rrëzimin e avionit në Lokerby nga terroristët e Libisë ku kishin humbur jetën shumë qytetarë. Ai u ka bërë thirrje kolegëve të tij që të shkohet në sanksione të reja, të vërteta ndaj Rusisë. Në anën tjetër, ka shtetet të cilat ende mendojnë se „kriza do të tejkalohet shpejt“ dhe se është mirë të mbajnë raporte të mira me Rusinë sepse në këtë mënyrë do të përfitojnë në të ardhmen nga investimet Ruse. Nuk është lehtë që kur janë 28 shtetet rreth tryezës ato të merren vesh shpejt. Por kur në pyetje është diçka aq e rëndësishme siç është mbrojta e parimeve dhe, fundi i fundit, mbrojtja e qytetarëve të BE-së, atëherë edhe në politikën e jashtme BE-ja duhet të bëhet më serioze.

Pikërisht kjo dobësi në politikën e jashtme e BE-së po shfaqet në kohën kur liderët e kësaj organizate kanë dështuar në tentimet për të zgjedhur pasardhësen e Baroneshës Ashton në krye të shërbimit diplomatik të BE-së. Para 5 vitesh pikërisht faktin se në këtë postë ishte zgjedhur Catherine Ashton, disa analistë e kishin vlerësuar si dëshmi se vendet e BE-së nuk janë shumë të interesuar që të ketë sukses politika e jashtme e përbashkët e saj, sepse në këtë mënyrë shtetet anëtare do ta ruajnë rolin e tyre më shumë. Tash kërkojnë një person, i cili do të ketë më shumë iniciativë dhe më shumë peshë sesa që kishte Ashton dhe një person i cili mund edhe të ketë ndikim tek vendet anëtare e jo vetëm të masë pulsin e tyre dhe të veprojë, apo më mirë të thuhet të mos veprojë fare, në çështjet kryesore të politikës së jashtme.

Një prej roleve të përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Përbashkët të Jashtme është që të tentojë të gjejë gjithë të përbashkët me të gjitha shtetet anëtare duke krijuar rrethana në të cilat BE-ja do të fliste me një zë. Ashton, për shembull, nuk ka bërë asgjë për të siguruar që BE-ja në rastin e Kosovës të flasë me një zë. Prej ardhjes së saj në këtë post është ndërprerë secili tentim ndaj shteteve anëtare të cilat nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë një gjë të tillë. Aq më tepër disa diplomatë të BE-së thonë se bashkëpunëtorët e Baroneshës Ashton kanë bërë të kundërtën, kanë paraqitur ndasitë e BE-së ndaj statusit të Kosovës si „përparësi“. Këtë e kanë shpjeguar duke thënë se „shqiptarëve u themi se statusi është punë e kryer, sepse ju kanë njohur 23 vende anëtare, ndërsa serbëve u themi se janë 5 shtete të cilat nuk e njohin Kosovën, prandaj për ne Kosova nuk është shtet“: Ajo që për BE-në është shndërruar në prioritet është dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe atëherë të gjitha „prioritetet“ e tjera është dashur t’i nënshtrohen këtij prioriteti.

Prandaj edhe sot e kësaj ditë 5 shtete të BE-së kanë të njëjtin qëndrim ndaj pavarësisë së Kosovës, sikur edhe Rusia. Përmendëm Kosovën vetëm si shembullin të cilin e njohim më së miri për ta ilustruar politikën e jashtme të BE-së. Dhe nëse u besojmë diplomatëve në Bruksel për Baroneshën Ashton takimet me Kryeministrin e Kosovës Thaçi dhe atë të Serbisë Daçiq, dhe marrëveshjet e arritura aty, kanë qenë sukseset më të mëdha në mandatin e saj“. „Mund ta paramendoni se cili është rezultati i politikës së jashtme të BE-së në këto 5 vitet e fundit nëse Kosova është suksesi më i madh atëherë“ dëgjohen komente ironike nga diplomatët në Bruksel.

E nëse BE-ja për një çështje pothuajse të brendshme, që ndodh në oborrin e saj, siç është Kosova, nuk mund të flasë me një zë si mund ta bëjë këtë në raportet me Rusinë. Këtë Rusia e di mirë dhe prandaj ka manipuluar mirë me këtë ndasi deri më tash. Raportet me Rusinë në këtë moment edhe më shumë sesa kriza në Lindjen e Mesme, shumë më shumë sesa Kosova apo Serbia, janë sfida më e madhe e BE-së. Nuk është për t’u habitur se qëndrimet ndaj Rusisë janë bërë një kriter shumë i rëndësishëm për të zgjedhur pasardhësin e Baroneshës Ashton në krye të politikës së jashtme të BE-së. Për disa shtete ai person nuk mund të jetë „tepër i ashpër ndaj Rusisë“, por për të tjerët as nuk bën të jetë „tepër i butë ndaj Moskës“. Si të tillë thuhet ta kenë parë disa shtete të Evropës Lindore, anëtare të BE-së, kandidaten kryesore për këtë post, ministren e Jashtme të Italisë, Federica Mogherini, për të cilën nuk arritën marrëveshja ta caktojnë në këtë post javën e shkuar në samitin e Brukselit.

Tash kjo është shtyrë për fundin e muajit gusht e deri atëherë mund të ketë zhvillime të reja në raportet me Rusinë, sepse ato janë vetëm duke eskaluar më shumë në vend që të shkojnë kah qetësimi dhe normalizimi.

©KOHA Ditore

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...