Kapja për fije kashte

22 Korrik 2014 - 08:33 - Flaka Surroi      

I vetëdijshëm se ka krejt për të humbur po qe se kalon në opozitë, Thaçi së bashku me ekipin e vet është duke e luajtur lojën e nervave me popullin

Gjermania fitoi dhe u bë kampione e botës në futboll. Pavarësisht simpative, duhet pranuar se këtë e bëri me plot meritë, për shkak se e mbajti konsistencën deri në fund dhe e dëshmoi frymën ekipore, ku nuk pati vetëm një yll. Me këtë ekip, kampion u bë edhe Shkodran Mustafi – i shkëlqyer në ato paraqitje që i pati deri në lëndim. I buzëqeshur, iu falënderua të gjithëve për përkrahje, në gjuhën shqipe, ani që është i lindur në Gjermani.

Ne që i kishim përcjellë shumicën apo të gjitha ndeshjet u pikëlluam dyfish me të përfunduar kampionati: një, ngase tash duhej pritur kualifikimet për Evropianin e 2016-s për të parë futboll që nuk luhet në baltë dhe nuk i ngjet “shkathtësisë bujare”, dhe dy, për shkak se më nuk kishim nga të iknim nga realiteti, i cili kishte mbi një muaj që po zihej - konstituimin e trupave të dala nga zgjedhjet e 8 qershorit. Ata që nuk e duan futbollin, u çliruan nga ankthi i të shikuarit të djemve të rritur dhe burrave tek ngarendin pas një topi dhe nga tortura e të dëgjuarit të analizave të ekspertëve (e përnjëherë krejt u bëmë ekspertë) se kush çka bëri dhe si ia bëri.

Florë, ia more fytyrën vetes

Por, nëse kemi menduar se do të plasim nga mërzia pse përfundoi Botërori më i mirë deri tash, atëherë kemi gabuar – sepse nuk e kemi ditur, por tashmë e zbuluam se Qirkuzi është në fakt feniksi kosovar.

Kuvendi i Kosovës u ringjall në njërën nga trajtat që nuk e kemi parë deri tash – me paraqitjen më të keqe të mundshme të një femre në krye të një seance, të cilën rastisi ta kryesonte për shkak të moshës. Dhe bash pse kishte më së shumti moshë, është dashur t’u tregonte të gjithëve, përfshirë edhe shefin e partisë së saj, që urdhra do të mund të merrte vetëm nga ndërgjegjja e saj. Sepse ajo do të duhej treguar të gjithëve rrugën e drejtë, e jo të shfaqej në petkun e një militanteje të papjekur partiake.

Performanca e Flora Brovinës qe skandaloze – në shkelje të plotë të procedurave prej fillimit e deri në fund. Posaçërisht duke e marrë parasysh se ajo është deputete për të pestën herë; deputete qe 13 vjet, dhe se do të duhej ta dinte Rregulloren e punës përmendsh. Do të duhej ta vriste ndërgjegjja, për shkak se me vetëdije po e shkelte betimin të cilin posa e kishte dhënë – se do të punonte për të mirën e Kosovës. Ta fusësh shtetin në krizë politike, për shkak të mungesës së guximit dhe integritetit, është e pafalshme. E Flora Brovina, me veprimin e saj të dirigjuar nga shefi dhe partia, e bëri mu këtë – në përpjekje për t’ia ruajtur pushtetin shefit dhe suitës së tij. Aq më tepër, në çastin kur po bëhet më se evidente që as “aleatët” e tij të vjetër më nuk po e duan.

Të enjten, znj. Brovina e turpëroi veten dhe për fat të keq e turpëroi gjininë femërore kosovare në përgjithësi. Bile, në këtë rastin e parë, sado të rastësishëm, për ta udhëhequr institucionin më të rëndësishëm që e ka cilido shtet – e që do të duhej të ishte zëri i sovranit, është dashur të veprohej me dinjitet. Jo me frikë, jo me imponim. Përfundimisht jo me nënshtrim.

Kalle, kalle

Nënshtrim kërkojnë të gjithë ata që nuk e respektojnë as mendimin e lirë, as fjalën e thënë, për të cilën mbajnë në daç përgjegjësi morale, në daç juridike. Njëherë kur Halil Matoshi e kishte shkruar një kolumne, me të cilën ishte prekur udhëheqja e OVL-së, kjo e fundit kishte reaguar me një komunikatë kërcënuese, me të cilën ia kishte mohuar Matoshit ta thoshte mendimin e vet lirshëm, të fliste për kombin kosovar, madje edhe ta përkrahte dikë për çfarëdo. Në atë komunikatë, OVL-ja e kishte rezervuar për vete të drejtën për ta thënë “të vërtetën e vetme”; të drejtën për të dhënë instruksione se çfarë guxohet e çfarë nuk guxohet të thuhet, se kush do të mund të fliste e kush jo...

Të mërkurën, në Ferizaj, veteranët e UÇK-së, e dogjën librin “Këmbët e gjarprit”, botuar nga Botimet KOHA. Nga OVL-ja qendrore u tha se përkrahej një veprim i këtillë, për shkak se “autori i librit e mohon luftën çlirimtare të UÇK-së, fyen dhe përgojon pjesëmarrësit e kësaj lufte”. Më pas u tha se ky ishte një veprim simbolik, me të cilin donin të dëshmonin ofendimin e përjetuar.

Nuk e di nëse kanë qenë të njëjtët njerëz, porse para dy vjetësh e sa, po në Ferizaj, e patën djegur librin e Blendi Fevziut për Enver Hoxhën, ngase e kishin konsideruar heretik. Sepse e vërteta e vetme për Enver Hoxhën është ajo të cilën djegësit e librit e njohin. Në rastin e “Këmbëve...”, druaj se kemi të bëjmë me njerëz që as që e kanë lexuar librin dhe se përmbajtjen e tij e kanë “me të n’ime”... Sido që të jetë, ky veprim është barazi me fashizëm dhe mëton ta ndalë rrjedhën e lirë të mendimit dhe lirinë e shprehjes së lirë të tij. Veprimet e këtilla vetëm e dëshmojnë verbimin, të cilin e shkakton fuqia dhe bashibozukllëku, “në emër të luftës”.

Paramendojeni se si do të ishte po qe se ofendimin dhe mllefin tonë të gjithë ta demonstronim në të njëjtën formë; a do të thotë kjo se të enjten është dashur ta digjnim Parlamentin... e rrugës besa edhe dy ndërtesat e Qeverisë?

Grusht shtet sui generis

Ndërtesën e fundit të një parlamenti që e kam parë në televizor tek digjej, ka qenë ajo në Beograd, kur masa e mllefosur kishte hyrë për ta rrëzuar Milosheviqin prej pushtetit, të cilin ky e mbante me zor. Ky nuk pranonte se i kishte humbur zgjedhjet dhe nuk e lëshonte kolltukun. E donte për vete, sepse me të ia ruante vetes kokën, duke u bërë i paprekshëm për drejtësinë e shtetit të vet apo atë ndërkombëtare.

Pas 14 vjetësh pushteti, në të cilat i nisi katër luftëra për ta siguruar përjetësimin e tij në histori si bashkuesin e trojeve serbe gjithandej, Milosheviqin e rrëzuan ata që e kishin përkrahur në të gjitha veprimet e tij të çmendura, pavarësisht çmimit. Tashmë në krizë të thellë ekonomike, me papunësi të madhe dhe pa kurrfarë perspektive evropiane a rajonale, populli i tij më nuk e donte. Dhe atë mungesë dashurie nuk pati si t’ia dëshmonte ndryshe pos me dhunë – për shkak se ky e përdorte dhunën (lexo: policinë, ushtrinë dhe paramilitarët) kundër popullit të vet.

Kjo që po ndodh në Kosovën e këtyre ditëve është ballafaqimi i njeriut që mbajti pushtetin shtatë vjet me një dhunë tjetër, atë psikologjike, dhe me mashtrime, me faktin se nuk i ka numrat për ta kontrolluar as Kuvendin e as për ta formuar Qeverinë. I vetëdijshëm se ka krejt për të humbur po qe se kalon në opozitë, Thaçi së bashku me ekipin e vet është duke e luajtur lojën e nervave me popullin. Përderisa e përsërit pa pra se është fituesi i zgjedhjeve, megjithatë nuk ia qet goja për të thënë se nuk i mbledh dot numrat për ta riemëruar veten kryeministër. Dhe luan lojë të ndyrë, me keqpërdorimin e Brovinës në mbledhjen konstitutive dhe më pas me dërgimin e pyetjes-kërkesës-udhëzimit (s’di si ta quajmë atë letër) Gjykatës Kushtetuese, me të cilën e kërkon anulimin e vendimit për zgjedhjen e Isa Mustafës kryeparlamentar.

Pa pretenduar asnjë ekspertizë në materie, megjithatë lind një pyetje e logjikshme: nëse Kuvendi është përfaqësuesi i sovranit; nëse e miraton Kushtetutën dhe ligjet; nëse vetërregullohet – si bëhet atëherë që Kushtetuesja të merret me çështjet procedurale të Kuvendit dhe të vendosë për çfarëdo në këtë drejtim? Nëse e bën këtë, atëherë Kushtetuesja jo vetëm do të jetë gjykata e shkallës së katërt, por edhe institucioni mbi institucionin më të lartë të pushtetit. Po qe se ndodh kjo, ky do të jetë një grusht shtet sui generis. Në favor të ankuesit, natyrisht.

Dilema Ramushiane

Dhe ankuesi, PDK-ja, ka gjasa që pas disa vjetësh luksi, të kalojë në opozitë për t’u ballafaquar me Qeverinë tri apo katërpalëshe që do të duhej të formohej, pavarësisht vendimit të Kushtetueses sipas dokumentit të përmendur më lart. E se a do të jetë tre apo katërpalëshe, do të varet shumë nga negociatat e vazhdueshme ndërmjet tri partive të koalicionit paszgjedhor dhe lëvizjes “Vetëvendosje”.

Pas votimit të së enjtes, kur 18 përfaqësues të minoriteteve votuan për Mustafën, dy opsione u qartësuan jo vetëm për partitë politike, por edhe për Kosovën. Njëri, se koalicioni paszgjedhor do të mund ta krijojë Qeverinë me minoritetet e pa VV-në, duke e krijuar kështu një superopozitë përballë – PDK-në dhe VV-në. Partinë e parë, të pakënaqur pse e humb pushtetin, partinë e dytë që po qe se vepron si në legjislaturën e shkuar, është e vetmja që e ka mbrojtur parimin, kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë. Por, problemi më i madhi me këtë kompozicion do të ishte se kjo parti do të varej, dhe shumë bile, nga Lista Sërpska. Pra, nga direktivat që do të vinin nga Beogradi.

Opsioni tjetër është që Qeveria të formohet edhe nga “Vetëvendosje” – që do të ishte një kualitet i ri, që do të impononte disiplinë dhe përgjegjësi mjaft të kufizuar për mandatarin. Tashmë ky i fundit më nuk do ta kishte fuqinë e vendosjes, siç e ka pasur paraardhësi i tij në post, dhe mbase disa nga ministritë kyç do të ishin nën kontrollin e VV-së..., gjë që si duket nuk i pëlqen as LDK-së e as vetë Haradinajt. Në këtë rast, kjo Qeveri do t’i kishte përballë 37 deputetët e PDK-së edhe eventualisht ata 8 të Sërpskas – të pamjaftueshëm për të prishur shumë çka.

Ndërmjet interesit personal, të mbajtjes së pushtetit veç për vete, dhe një Qeverie më ndryshe, së cilës duhet dhënë rast për të mirën e Kosovës – është ajo që duhet të zgjedhë Haradinaj, bashkë me partnerët e vet të rinj. Dhe kjo e dyta mund të ndodhë që të mos zgjasë shumë e që të jetë Qeveri transitore – por gjithsesi do të ishte më e mirë sesa ta kesh PDK-në sërish në pushtet; më mirë se të varesh nga Lista Sërpska për vendimmarrje dhe më mirë se të kesh zgjedhje të parakohshme, sërish.

Dy vjet do të ishin idealë për reformimin e partive politike kosovare dhe largimin e gjithë atyre që nuk i kanë bërë mirë Kosovës me veprimin e tyre politik. Qetë dhe pa pasur nevojë të digjet çfarëdo qoftë në emër të shprehjes së ofendimit, mllefit dhe pakënaqësisë.

flaka@koha.net

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...