Kosova nuk është pështymore për bijtë e Ibrahim Rugovës

17 Korrik 2014 - 08:50 - Enver Robelli      

Ka një tendencë të pandershme nga ana e familjarëve të Ibrahim Rugovës që ta përshkruajnë Ukë Rugovën si viktimë të një komploti pothuaj botëror, që ndikoi në futjen e tij në burg. Para disa javësh Teuta Rugova, deputete e re në Kuvendin e Kosovës, luajti rolin e profanes, duke e akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për gjoja mosangazhim të duhur, madje heshtje ndaj rastit “U.R.”. Pak a shumë të njëjtës bori i ra tani edhe Mendim Rugova, i cili në vend se të fliste për meteorologji, ku me gjasë merr vesh diçka, e rreku opinionin me përshkrimin e vëllait të tij vetëm si viktimë.

Dhembja e fëmijëve të Rugovës për vëllanë në burg gati po i përngjan vajtimit në “Këngën e Rexhës”. Kjo dhembje e tyre nga prizmi familjar është e kuptueshme, por është joserioze që faji apo përgjegjësia për situatën e krijuar me Ukë Rugovën të kërkohet përtej oborrit të vilës në Velani dhe përtej rrethit me të cilin është shoqëruar Ukë Rugova. Kosova s’është monarki Lidhja Demokratike e Kosovës nuk i ka asnjë borxh familjes Rugova, as borxh moral, as financiar.

LDK-ja nuk ka as obligim t’ia paguajë avokatin Ukë Rugovës. Do të ishte skandaloze që LDK-ja të përzihej në një rast që po hetohet nga drejtësia. Derisa drejtësia nuk e thotë fjalën e vet, Ukë Rugova, si çdo i dyshuar, konsiderohet i pafajshëm në kuptimin juridik. Por, në kuptimin publik opinioni i gjerë, siç po shihet tashmë, nuk ka ndonjë mëshirë për të, sepse ai qëmoti e ka krijuar imazhin e një personi të lidhur me nëntokën. Kosovarët janë të varfër, jetojnë keq, por budallenj nuk janë. Ata nuk ndihen mirë që Ukë Rugova e njollosi emrin e babait të vet, por këtu përfundon solidariteti i kosovarëve. Nuk mund të kërkosh solidaritet për dikë që hetohet për krim të organizuar duke iu referuar babait (kushdo qoftë ai), as nuk mund të thirresh në të ashtuquajturën famë fisnore. Kosova mëton të jetë shoqëri me rend demokratik dhe me organizim shtetëror republikan.

Ky vend nuk është monarki dhe as Ukë Rugova, as Mendim Rugova nuk janë princër trashëgimtarë. As Teuta Rugova nuk është princeshë trashëgimtare. Në zgjedhjet e fundit parlamentare ajo mori mijëra vota emocionale, që lidhen me emrin e babait të saj, jo me të, sepse deputetja e re nuk ka asnjë përvojë politike. Kapitali politik i Teuta Rugovës është i brishtë, andaj ajo duhet të sillet me shumë kujdes në akuariumin politik dhe të mos e përsëris shembullin e vëllait të saj Ukë Rugova. Sa legjenda, sa miti, sa tregimi hiperbolizues është shpërndarë me vite të tëra për Ukë Rugovën në çarshinë e Prishtinës. Thuhej se kur ai të hyjë në politikë nga qielli i Kosovës bashkë me shiun do të rigojnë edhe miliona euro, shteti do të jetë funksional dhe mileti i lumtur pa hesap.

Në fakt nga angazhimi i tij në politikë do të mbetet vetëm përshkrimi si prostitutë politike. Kthina dhe ashensorë Në Prishtinë ka biznesmenë që tregojnë se si Ukë Rugova me shokë shkonte natën te ta dhe u kërkonte një milion euro. “Nëse na i jep nuk po e themelojmë Listën Rugova”, citohet të këtë thënë i biri i Ibrahim Rugovës. Ukë Rugova është përmendur edhe si ndërmjetësues në pazare të ndotura rreth privatizimit të hotelit “Grand”, i cili ia hëngri kryet edhe drejtorit të Agjencisë së Privatizimeve, Dino Asanajt. Dyshimi se deputeti Rugova është marrë edhe me shitblerje vizash nxiti hetime nga ana e EULEX-it, që çuan në arrestimin e tij.

Si deputet Ukë Rugova nuk doli asnjëherë në foltore, por as nga karrigia e tij nuk e mori kurrë fjalën. Me sa duket krejt çfarë kishte për të thënë ia kishte thënë Hashim Thaçit në takimet konspirative nëpër kthina e ashensorë në Prishtinë. Kështu mbaroi karriera politike e të birit të Ibrahim Rugovës, liderit të shqiptarëve të Kosovës që në vitet 90-të u nderua nga Këshilli i Europës me çmimin Saharov. Nëse ish-kryetari i LDK-së Fatmir Sejdiu dhe kryetari i tanishëm i LDK-së Isa Mustafa kanë bërë një punë të mençur, atëherë këtë: nuk lejuan që pas vdekjes së Rugovës në parti të depërtojë banda e Ramë Marajt, Ukë Rugovës dhe Astrit Haraqisë. Ukë Rugova para se të hynte në politikë intervistohej nga asistentët publicistikë të Hashim Thaçit, të cilët e lavdëronin dhe mitizonin me qëllim që ai të merrte ndonjë post drejtues në LDK dhe ta shndërronte partinë në filiale të SHIK-ut dhe firmës së tenderëve që njihet me emrin Partia Demokratike e Kosovës.

Tani Mendim Rugova nuk ka asnjë arsye të jetë krenar me bëmat e vëllait të tij në politikë, andaj do t’i ndihmonte vetes të mos përlyhej më shumë në moçalin e politikës kosovare. Ai nuk ka asnjë funksion në LDK dhe nuk mund të sillet si udhërrëfyes pa qenë i ngarkuar me përgjegjësi partiake, politike apo publike. Fama fisnore është referencë mesjetare, e papërshtatshme për të bërë politikë në shekullin 21. Statuja e verbër Shoqëria e Kosovës u ka dalë haku Fanë, Mendim, Ukë dhe Teuta Rugovës pafundësisht. Vlera e vilës që ua ka falur shteti tejkalon një milion euro dhe gjendet në njërën ndër lagjet më të rregulluara të Prishtinës. Pothuaj askush nuk e ka kontestuar këtë, edhe pse, në fakt, po të respektoheshin rregullat për pronat e shtetit rezidenca do t’i takonte presidentit të radhës. Shteti i Kosovës ndonëse është i varfër ka vendosur që familja Rugova të marrë për çdo muaj një pension prej 2.000 eurosh. Sa për krahasim: rroga mesatare në Gjermani është 2.500 euro.

Po ashtu kjo familje gëzon mbrojtje të përhershme policore. Shteti i Kosovës nuk mund të marrë edhe rolin e tutorit që ta pengojë Ukë Rugovën të mos merret me allishverishe të paligjshme. Ai dhe të gjithë të tjerët e familjes Rugova janë të moshës madhore dhe do të duhej të ishin të barabartë para ligjit, si çdo qytetar i Kosovës. Shqetësuese në këtë mes është se e veja e Ibrahim Rugovës krejt këtë situatë të pakëndshme me të birin e saj po e vëzhgon si statujë e verbër. E rendit do të ishte që ajo së paku të kërkonte falje për rrëshqitjen e birit të saj në sfera të errëta dhe të tregohej mirënjohëse ndaj të gjitha të mirave që i gëzon nga kjo shoqëri. Po ndodh e kundërta: familja Rugova po përpiqet që historinë personale të Ukë Rugovës ta bëjë kauzë publike.

Kosova ka kauza shumë më të rëndësishme se sa të merret me zahmetet e Ukë Rugovës me drejtësi dhe me hamendjet e Mendim Rugovës. Kosova, kjo duhet të jetë e qartë përgjithmonë, nuk është pështymore e bijve të Ibrahim Rugovës. Ata me veprimet e tyre, për fat të keq, po e pështyjnë vetëm varrin e babait të tyre. As në këtë mbrapshti s’mund t’i ndalim. Janë të moshës madhore. Fundja, si shoqëri nuk u kemi asnjë borxh.
robelli@bluewin.ch

©KOHA.net

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...