Ballkani i zënë peng mes së kaluarës dhe së ardhmes

16 Korrik 2014 - 08:20 - Augustin Palokaj      

BE-ja nuk ka më as dëshirë, as kapacitet, të merret me të kaluarën dhe u bën thirrje vendeve të rajonit që të shikojnë nga e ardhmja. Por viktimat e Srebrenicës, të pagjeturit nga Vukovari e Kosova, sikurse edhe ndarja e Mitrovicës, nuk na lënë ta harrojmë aq lehtë të kaluarën, sepse ajo është ende edhe e tashme për shumë njerëz. Një ditë, shumë shpejtë, BE-ja mund ta quajë edhe ndërtimin e parkut mbi lumin Ibër në Mitrovicë si „di çka nga e kaluara“, por mund të mos bëj asgjë për ta zhdukur dhe ta pranojë tash si realitet.

E premtja e javës së shkuar ishte një ditë e çuditshme me tri ngjarje të cilat më nxiten emocione të përziera, me kthyen mendjen nga e kaluara, e tashmja mu duk e pakuptueshme, ndërsa të ardhmen e afërt e pashë si të pasigurt. Këto tri ngjarje ndodhen në katër vende të ndryshme. Njëra ishte në Potoçari në Bosnjë-Hercegovinë, tjetra në Dubrovnik të Kroacisë dhe e treta njëkohësisht në Bruksel dhe Mitrovicë.

Ngjarja e parë gjithsesi ishte më e dhimbshme. Ishte përsëritje e një homazhi që shohim secilin vit dhe do ta shohim edhe në të ardhmen derisa edhe viktimat e fundit të gjenocidit serb në Srebrenicë të mos identifikohen dhe të mos varrosen edhe viktimat e fundit të kësaj masakre më të madhe në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Kësaj radhe u varrosen ato që quhen „mbetje mortore“ të 175 viktimave të cilat me ndihmën e mjeteve më bashkëkohore të mjekësisë ligjore ishin identifikuar. Disa televizione perëndimore, por gjithnjë e më pak, raportojnë për këto varrime në Potoçari afër Srebrenicës secilin 11 korrik, ditë e cila edhe zyrtarisht është shpallur nga Parlamenti evropian Ditë e Kujtesës së Gjenocidit në Srebrenicë.

Kur sheh këto skena njeriu nuk mund të jetë indiferent. Si gazetar, i cili ka punuar në atë kohë të luftës në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë, m’u kthyen në mendje ngjarjet e asaj kohe kur Evropa bëri atë që kishte premtuar që nuk do ta lejonte kurrë më të përsëritej, me pasivitet lejoi që forcat e Ratko Mladiqit të masakrojnë hiç më pak se 8.000 myslimanë boshnjakë për dy apo tri ditë.
Por si është e mundur që edhe 20 vjet pas kësaj ngjarjeje, ende nuk është zbuluar fati i të gjithëve. Si është e mundur që edhe pas 23 vjetësh nga Masakra e Vukovarit të ketë gati 2.000 të zhdukur dhe të pagjetur edhe nga Kroacia. Si është e mundur që në emër të një pajtimi, si një qëllim politik, të hezitohet me kërkesat për të zbardhur fatin e tyre nga frika se mos përmendja „e tepruar“ e viktimave mund ta „dëmtojë procesin politik“.

Bosnjë-Hercegovina sot është vendi ku nuk funksionon shteti. Vendi i cili ka më së shumti fusha të minuara në Evropë. Dhe tamam kur pak a shumë u identifikuan ato mina ndodhi një fatkeqësi natyrore, përmbytjet e përmasave biblike, e cila, përpos shkatërrimeve të reja, i zhvendosi edhe minat. Për këtë shtet dhe për popullin e saj vuajtjeve nuk po u shihet fundi. Ndërsa bashkësia ndërkombëtare po e harron këtë vend duke ua lënë fajin politikanëve vendorë dhe duke e harruar të kaluarën.
Ditën kur shënohej përvjetori i gjenocidit në Srebrenicë, në Dubrovnik të Kroacisë, po ashtu qytet i shkatërruar nga agresioni serb, u zhvillua një konferencë kushtuar integrimit të rajonit në BE. Gjithçka që u tha aty ishte shumë me vënd.

U tha se pa integrimin e Ballkanit në BE nuk mund të konsiderohet i kompletuar procesi i ribashkimit të Evropës. U tha se popujt e rajonit tash janë duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin. U konstatua se BE-ja po gabon me hezitimin për të vazhduar procesin e zgjerimit. Ajo që m’u duk në këtë rast ironike ishte së pari pjesëmarrja në këtë debat e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, e edhe më ironike një thënie e tij e cila në Kroaci pati, pa nevojë, jehonë të madhe të pamerituar. „Ndodhemi këtu në një qytet i cili ishte granatuar dhe bombarduar, gjë që Serbia gjithsesi e dënon“, tha Daçiq, i cili në kohën e luftërave ka qenë njëri prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Sllobodan Millosheviqit, e i cili sot është në qeverinë e Aleksandër Vuçiqit, ish- bashkëpunëtor më i ngushtë i Vojisllav Sheshelit. Vuçiq në kohën e gjenocidit në Srebrenicë mbahet mend për kërcënimin e tij se „për një serb do të vrasim 100 myslimanë“, kërcënim i cili edhe sot mund të gjendet në youtube.

Por sot Daçiq dhe Vuçiq kanë ndërruar mendjen dhe janë jo vetëm të pranueshëm nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga kolegët e tyre në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroaci, por edhe konsiderohen si miq me të cilët mund të ndërtohen ura.
Daçiq nuk e përmendi Srebrenicën e as që e dënoi në emër të Serbisë gjenocidin. Nuk e përmendi as Vukovarin, por vetëm Dubrovnikun. Pse? Thjesht, sepse Dubrovniku ishte granatuar nga malazezët dhe nga ish-Armata jugosllave. Daçiq, duke e dënuar 23 vjet më vonë granatimin e Dubrovnikut, i mbetet besnik idesë se „Serbia nuk ka pasur asgjë me këtë“.

Në fakt ai, në emër të Serbisë, ka dënuar një veprim kriminal të Malit të Zi. Ndërkohë kanë kaluar disa vjet prej kur kryeministri i Malit të Zi kishte kërkuar falje për sulmet ndaj Dubrovnikut. E Serbia bëhet sikur në Kroaci e Bosnjë ka pasur vetëm „luftë civile me të cilën Serbia nuk ka pasur lidhje“, ndërsa në Kosovë ka pasur „qërim hesapesh me terroristët shqiptarë“. Pjesa më e madhe e fjalimit të Daçiqit ishte se çfarë duhet bërë BE-ja për të sanksionuar vendet e saj anëtare të cilat nuk po i respektojnë vlerat evropiane.
Se në të tashmen po përzihen e kaluara dhe e ardhmja, duke na bërë krejt situatën si një rrëmujë, dëshmoi një skenë bizare në Bruksel.

Në kohën kur Daçiq merr pjesë në takimin e Dubrovnikut për të folur për ndërtimin e urave, autostradave që do të lidhnin veriun e Adriatikut me pjesën më jugore të detit Jon, serbët e dirigjuar nga qeveria e Daçiqit në Mitrovicë vazhdojnë punën në ndërtimin e një parku mbi urë. Ndodh që në park të ndërtohet ndonjë urë por që mbi urë të ndërtohet park kjo nuk ndodh. E qëllimi i këtij parku është ndarja e jo bashkimi. Po atë ditë kur shënohej Dita e Gjenocidit të Srebrenicë, kur në Dubrovnik flitet për pajtim, bashkëpunim dhe ndërtim urash, në Bruksel ftohen për të biseduar përfaqësuesit e „Beogradit dhe të Prishtinës“ (edhe pse nuk ka problem me ura as në Beograd e as në Prishtinë, por për BE-në as ky dialog nuk mund të quhet Kosovë - Serbi dhe quhet me emrat e kryeqyteteve) dhe për të „gjetur zgjidhje rreth çështjes së urës!“

Pasi kuptuam se në takim nuk u arrit ndonjë marrëveshje, më vonë nga BE-ja u tha se „në takim ranë dakord për formimin e grupeve punuese“ dhe në fund kuptuam se nuk pati takim fare, se dy palët as që ia shtrinë dorën njëra-tjetrës as në korridor.
Tre vjet pas dialogut që u quajt historik, Mitrovica mbetet e ndarë me barrikada, jo me zhavorr por me „park mbi urë“, ndërsa situata është aq normale saqë përfaqësues të dy qeverive në Bruksel nuk duan t’ia shtrijnë dorën njëri-tjetrit. BE-ja nuk ka më as dëshirë, as kapacitet, të merret me të kaluarën dhe u bën thirrje vendeve të rajonit që të shikojnë nga e ardhmja. Por viktimat e Srebrenicës, të pagjeturit nga Vukovari e Kosova, sikurse edhe ndarja e Mitrovicës nuk na lënë ta harrojmë aq lehtë të kaluarën, sepse ajo është ende edhe e tashme për shumë njerëz.

Një ditë, shumë shpejt, BE-ja mund ta quajë edhe ndërtimin e parkut mbi lumin Ibër në Mitrovicë si „diçka nga e kaluara“, por mund të mos bëjë asgjë për ta zhdukur dhe ta pranojë tash si realitet. E realitetet po pranohen pa marrë parasysh se si janë arritur. Për shembull pas gjenocidit në Srebrenicë forcat serbe të Ratko Mladiqit okupuan këtë qytet dhe Srebrenica edhe sot e kësaj dite është pjesë e Republika Sërpskas, entitet serb në Bosnjë-Hercegovinë. Prandaj nuk është për t’u habitur kur shohim se si në entitetin serb të Bosnjë- Hercegovinës thërrasin „Hvala ti generale Ratko Mladiq“ (Faleminderit gjeneral Ratko Mladiq), pikërisht në kohën kur boshnjakët dhe një pjesë e madhe e Evropës me ndërgjegje të thyer kujtojnë viktimat e gjenocidit të udhëhequr nga ky kriminel, i cili tash po gjykohet në Hagë dhe temë kryesore në seanca është gjendja e tij shëndetësore.

Disi duket padrejtësi, madje dhe historike, kur shohim se pikërisht në proceset e integrimeve evropiane, Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina kanë mbetur krejtësisht të fundit në rajon, ndërsa ata të cilët edhe kanë shkaktuar tragjeditë më të mëdha u japin mësime jo vetëm këtyre dy vendeve, por edhe bashkësisë ndërkombëtare se çfarë duhet bërë. Madje edhe më bizare duket se për shkak të konfiguracionit politik të brendshëm Bosnjë-Hercegovina nuk mund ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Kosova, me atë takat që ka, merr pjesë në një konferencë donatorësh për ndihmë Bosnjë-Hercegovinës dhe Serbisë në kapërcimin e pasojave të përmbytjeve të mëdha të këtij viti. Serbia edhe në këtë gjeti arsye për të protestuar duke thënë se pjesëmarrjen e Kosovës në këtë konferencë e konsideron „fyerje“. Pastaj një përfaqësues i saj shkon dhe më larg, duke thënë se „Kosova nuk mund t’i ndihmojë as vetes“, edhe pse është Serbia kësaj radhe ajo e cila ka nevojë për ndihmë. Krejt kjo tregon se sa jonormale janë raportet për të cilat po na thuhet se janë normalizuar në rajon, përfshirë edhe raportet e Kosovës dhe Serbisë.

Duhet kuptuar thirrjet e BE-së për të tejkaluar trashëgimin e luftës, sepse vërtet edhe BE-ja është ndërtuar në këto parime. Por kjo nuk arrihet kurrsesi duke pritur që e kaluara të harrohet. Duhet të merremi me të kaluarën në mënyrë që të mos mbetet peng për të ardhmen e rajonit, por duke insistuar edhe në drejtësi, pa të cilën secila paqe dhe secili stabilitet mund të jetë vetëm iluzion politik e jo realitet.

© KOHA Ditore

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...