Haradinaj e Mustafa dhe postet e ndara vetvetes

15 Korrik 2014 - 11:08 - Adriatik Kelmendi      

Derisa është krejt legjitime që partitë e tyre të bëjnë koalicion dhe të krijojnë Qeverinë, në qoftë se i kanë numrat, duke u thirrur se kanë shumicën e elektoratit pas vetes, në të njëjtat arsye nuk mund të thirren edhe Haradinaj dhe Mustafa teksa aspirojnë poste udhëheqëse. Ata ishin kandiduar për kryeministra në zgjedhje nga partitë e tyre, mirëpo individualisht nuk e morën besimin e votuesve

RRI SHTREMTË E FOL DREJT, thotë populli. As Ramush Haradinaj e as Isa Mustafa individualisht nuk e kanë marrë besimin e votuesve për të qenë kryeministër, gjegjësisht kryetar Kuvendi.
Derisa është krejt legjitime që partitë e tyre të bëjnë koalicion dhe të krijojnë Qeverinë(pavarësisht se nuk dolën të parat në zgjedhje), në qoftë se i kanë numrat, duke u thirrur se kanë shumicën e elektoratit pas vetes, në të njëjtat arsye nuk mund të thirren edhe Haradinaj dhe Mustafa teksa aspirojnë poste udhëheqëse.

Kauza e opozitës së bashkuar është se shumica e votuesve nuk e kanë votuar PDK-në, e cila ka marrë 30.38 për qind (222,181 vota), kundrejt LDK-LVV-AAK-NISMA bashkë që kanë marrë 53.52 për qind të votave (391.465 vota). Pra, rreth 53 për qind të votuesve të tyre kanë votuar kundër një qeverie të re të PDK-së, kurse rreth 30 për qind kanë kërkuar që PDK-ja të vazhdojë qeverisjen.
Nëse nisemi nga ky standard matës, atëherë pikërisht aplikimi i drejtë i këtij standardi nuk i jep të drejtë Haradinajt dhe Mustafës (po e nënvizoj – si individë) që t’ia caktojnë vetvetes pozitat udhëheqëse.

TA SQAROJMË:Haradinaj dhe Mustafa që të dy kanë qenë të kandiduar për kryeministra nga partitë e tyre, njësoj siç ka qenë edhe Hashim Thaçi nga PDK-ja, Albin Kurti nga LVV-ja dhe Fatmir Limaj nga Nisma.
Haradinaj ka fituar gjithsej 50,388, që me standardin e votës kundër i bie se 680.860 kanë votuar kundër tij (nga numri total i 731,248 votave të vlefshme në zgjedhje).
Mustafa ka fituar gjithsej 121,059, që i bie se kundër tij kanë votuar 610.189 votues.
Në anën tjetër, Thaçi ka fituar si individ 166,422 vota, që i bie më se trefishi i votave të Haradinajt, gjegjësisht gati 30 për qind më shumë se Mustafa.

Pra, si kandidat i propozuar para zgjedhjeve për kryeministër, votuesit ia kanë falur më shumë besimin Thaçit sesa kandidatëve të tjerë për kryeministra, veç e veç.
Edhe moralisht e edhe me rezultat të zgjedhjeve, vetëm Thaçi mund të thirret se ka marrë besimin më të madh të votuesve për postin për të cilin është kandiduar.
Mirëpo, siç e dimë, PDK-ja vetë nuk e ka shumicën në Kuvend dhe nëse nuk arrin t’i sigurojë numrat, nuk do të mund ta jetësojë votimin e kandidatit të tyre për kryeministër, dhe kështu, natyrshëm, duhet t’ua lëshojë këtë mundësi subjekteve të tjera politike që mund t’i kenë numrat për ta krijuar Qeverinë, në rastin konkret LDK-së, LVV-së, AAK-së dhe Nisma-s.

E te opozita e bashkuar kësaj radhe shumë më parimorë dhe fer kanë dalë Kurti dhe Limaj.
Kurti që nga fillimi ka thënë se është për bllokun opozitar dhe kundër një qeverie të re të PDK-së, por – siç ma tha edhe në “Rubikon” – LDK-AAK-Nisma kanë gabuar që i kanë ndarë postet me marrëveshje politike.
Edhe Limaj është deklaruar se nuk do ta marrë për vete postin e zv.kryeministrit, meqë ende nuk e di se si do të përfundojë procesi i tij gjyqësor.

SË KËNDEJMI, me rezultatin individual që kanë korrur në zgjedhje, edhe Haradinaj e edhe Mustafa, para se t’ia caktonin vetvetes postet, më e udhës do të ishte sikur t’i lindin të tjerët nga partitë e tyre, ose edhe dikë krejt tjetër nga jashtë (meqë nuk po vlejtka rezultati individual), që të ulet në postet udhëheqëse institucionale, meqë asnjëri nuk e gëzon votën qytetare për këto poste.

Partitë e tyre mund t’i bëjnë votat bashkë në mënyrë legjitime për t’i formuar institucionet, por liderët e tyre nuk mund t’i bashkojnë votat e tyre individuale. Aq më tepër kur në Kosovë ekziston një lider tjetër i një partie që ka fituar individualisht më shumë vota se ata dhe s’po i mjafton kjo fitore për t’u ulur në postet që ia kanë caktuar vetes Haradinaj e Mustafa.
Nëse për parti vlen vota kundër, edhe për individë do të duhej të vlente e njëjta votë kundër.

Adriatik@kohavision.net
Twitter: @adriatikk

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...