Beqarët e artit

15 Korrik 2014 - 08:35 - Flaka Surroi      

...apo rrëfimi për Kosovën, shtetin e analfabetëve funksionalë, ku Baba është Zot...

Shkoi edhe një javë. As kjo, si shumë të tjera që po i përjetojmë me vite, nuk do të mbahet mend për gjëra të mira që na kanë ndodhur në Kosovë. Do të kujtohet për faktin se ende nuk kemi Kuvend të konstituuar dhe ende kemi dyshime se formën e përzgjedhjes së krerëve të institucioneve do të vazhdojë ta caktojë Gjykata Kushtetuese, që me siguri do t’i mbështesë vendimet mbi emocionet dhe faktet që i supozon, më parë sesa që i vërteton.

Mbase si në mjegull do të mbahet mend edhe për nga fakti se Serbia e ka ndërprerë dhe refuzon ta aktivizojë sërish groposjen te Rashka (kinse për mungesë paresh), në kërkim të varrezave masive të të pagjeturve shqiptarë. Dhe kjo ndodh bash në kohën kur shënohet përvjetori i 19-të i gjenocidit në Srebrenicën e Bosnjës, aty ku ende nuk janë gjetur mbetjet e mbi një mijë njerëzve, të cilët në mënyrë aq perfide i kanë futur në dhé vrasësit e sojit të atyre që e kanë bërë po të njëjtën gjë me shqiptarët e Kosovës.

Nga ana tjetër, nuk e kam as dyshimin më të vogël se kur pas 20 vjetësh dikush do ta shtrojë pyetjen se me çfarë mbahet në mend Brazili 2014, do të ketë shumë syresh që do të thonë: “debakli të cilin e përjetoi Brazili në terren të vetin kundër Gjermanisë në gjysmëfinale”. Rezultatin skandaloz prej 7:1, besoj se nuk e ka paramenduar askush, e aq më pak do ta ketë imagjinuar kushdo se kampionit të pesëfishtë botëror dikush mund t’ia jepte madje 5 gola për njëzet minuta – thuajse po luhej futsall e jo futboll për të rritur.

Do të ketë shumë të tillë që do të tregojnë sesi gjermanët, pasi kishin përjetuar debaklin në Kampionatin Evropian të vitit 2000, kur nuk e kishin kaluar fazën e grupeve, kishin vendosur që kjo mos t’u përsëritej më. E kishin nisur programin për kultivimin e talentëve të rinj në të gjithë shtetin, ku fëmijët nga mosha 6-vjeçare nisin të ushtrojnë. Por, të ushtrojnë seriozisht, dhe me një qëllim: që krahas shkollës të bëhen të mirë në atë që e bëjnë. Të bëhen kampionë.

Kampionët sui generis, si shteti

Nuk e dyshoj se kampionë do të donin të bëheshin edhe fëmijët kosovarë. Për më tepër, do të mund të bëheshin, vetëm po t’u kushtohej më shumë rëndësi si atyre ashtu edhe kushteve që do t’u duhej siguruar për një rritë normale dhe të shëndoshë. Në vend të kësaj, atë që e shohim sot, është rezultat i shkatërrimit të sistemit arsimor kosovar në 15 vjetët e fundit, e posaçërisht në shtatë vjetët e pushtetit të Thaçit: prodhimin masiv të analfabetëve funksionalë (të atyre që mund të lexojnë dhe të shkruajnë fjali të shkurtra me fjalor të kufizuar, që i dallon nga analfabetët klasikë që nuk dinë as të shkruajnë e as të lexojnë). Të cilët për fat të keq besojnë se dinë shumë. Aq sa për ta zënë një post në pushtet.

I thellë ishte dëshpërimi im, kur mu në ditën në të cilën na thuhej se diku gjysma e maturantëve nuk e kishin kaluar provimin e maturës, më erdhi kjo porosi (intervenimet në tekst janë bërë për ruajtjen e identitetit të dërgueses):

“Pershendetje Te nderuar si jeni ajeni mir sipo kaloni me pun apo lodhni Jum (xxx) Kumunes (xxx) Fshatit (xxx) Jum Nxense Klases 12 Profesjonin Administrat Jum Nxense shebollore un kum degju qe ju mundi me na ndihmu diqka po nuk edij sa esht e vertet Un ikum Dy libra per botim po botim spo muj te bej (...) kum morrpjes shum or letra kum morr mirnjohje tash jum duke pergadit nje revist per shkoll (...) ne falne nese ju pengum najsen ju deshiroj suksese pun te mbar ju kishum lut amundni te na ktheni nje pergjigje ju pershendesum Me Respekt per ju”

Mbase nuk kishte shembull më të prekshëm se ky, për të dëshmuar se në cilin nivel ka rënë arsimi në Kosovë, kur dikush që do ta kryejë shkollën e mesme nuk di t’i lidhë tri fjali pa bërë gabime drejtshkrimore (për t’i quajtur diqysh). Për mua, tepër pikëlluese të kuptoj se 18 vjeçët nuk dinë të shprehen më mirë se kaq, për shkak se nuk ka kush t’i mësojë më mirë. Për shkak se prindërit e tyre do t’i kenë problemet e njëjta me gjuhën, dhe për shkak se ata nuk e shohin të arsyeshme apo edhe nuk e gjejnë motivacionin për t’u përmirësuar vetë, për shkak se mediokriteti e dominon këtë shoqëri.

Problemi këtu bëhet edhe më i madh kur dihet se Kosova akrediton me dhjetëra institucione të arsimit të lartë, nga një agjenci e cila kritikohet për mungesë profesionalizmi dhe për keqpërdorime nga trupa ndërkombëtarë. Për më tepër, bëhet edhe më tragjike, kur kupton se Kosova ka gjashtë (e jo pesë siç e kisha shkruar javën e kaluar) universitete publike, që u mungojnë kuadri akademik, hapësira dhe shumëçka tjetër. Përfshirë edhe njohuria bazike e gjuhës shqipe, dëshmuar nga kjo shpallje, të cilën e qarkulluan në FB ose ata që kuptojnë bile pak drejtshkrim, ose ata që nuk kanë qen, me të cilët do të mund të shkonin në provim:

Njoftim: Ftohen të gjithë studentët të cilën kan pasur provim në lëndën E Drejta Kushtetuese 1 te profesori Kadri Krzeziu dhe të cilët “nuk kan qen në list” që të paraqiten në provim te profesori Kadri diten e Shtun me datë 28.06.2014 në ora 10. Nga Dekanati

Ato që ka bërë Kosova në 15 vjetët e fundit në arsim është ta përkeqësojë edhe më nivelin, i cili ishte mbajtur me shumë vështirësi, por me më shumë përkushtim një dekadë të tërë të aparteidit dhe okupimit. Ka arritur ta rrisë rrethin vicioz: universitete të dobëta me profesorë jocilësorë, prodhojnë profesionistë jocilësorë e të dobët, që bëhen arsimtarë të dobët e jocilësorë e që prodhojnë nxënës jocilësorë e të dobët, të cilët bëhen studentë të dobët dhe jocilësorë, profesionistë jocilësorë dhe të dobët, e profesorë të dobët e jocilësorë universiteti...

Kosova ka arritur që kamionxhiun e bërllokut ta avancojë në shef të sektorit të ndërtimit në komunën më të madhe të Kosovës, falë një diplome të një institucioni privat, që emërtohet “baçellor i arteve në menaxhment dhe ekonomi”. Me i pyet në atë dhe mbase në cilindo institucion se çfarë do të thotë “baçellor i artit”, druaj që do të na thonë “beqari i artit”.

Jemi bërë kampionë të analfabetizmit funksional, që e besoj shumë më mirë do ta shpjegonin ata pak ekspertë të mirëfilltë të arsimit që ka Kosova, e që thonë se arsimi duhet të depolitizohet për t’i dhënë përparësi nxënies. Kampionë sui generis, si vetë shteti të cilin na e kanë krijuar, e të cilin nuk po dimë ta çojmë përpara.

Shteti jam unë, thotë Baba

Në fakt, ka të atillë që dinë por nuk kanë pushtet, përderisa ka të tjerë që kanë pushtet e që pos bagerave dinë të ngasin edhe kombajnë, por që nuk dinë të udhëheqin shtet. Atë që dinë është ta ndërtojnë rrjetin e merimangës për të shtrirë pushtetin në cilëndo pore të shoqërisë, posaçërisht aty ku ka para dhe ndikim – me ç’gjë ecën përpara rrethi i ngushtë familjaro-biznesoro-miqësor, përderisa pjesa dërrmuese e shoqërisë fundoset në krizë dhe skamje.

Para tre vjetësh, ish-ministrit të Drejtësisë i kishte rënë ndërmend ta kalonte një ligj me një emër të gjatë (për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-001 për përfitimin e ish-zyrtarëve të lartë) sipas të cilit zyrtar i lartë është: ish-kryetari i Kuvendit, ish-kryeministri, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, ish-kryeprokurori i Shtetit dhe ish-kryetari i Gjykatës Supreme. Për ata që nuk i dinë detajet, kjo nënkupton që këta njerëz do të marrin 70% të pagave aktuale pas largimit nga pozitat që i mbajnë. Pos pagave, institucionet ku ata sot punojnë janë të obliguara që t’u sigurojnë asistentë, shoferë dhe nga një truprojë. Veç të tjerash, duhet t’u krijojnë edhe hapësira të përshtatshme për zyrë dhe t’ua heqin shpenzimet e komunikimit deri në 1200 € në muaj. Për kapak, ligji parasheh edhe bartjen e së drejtës për gëzimin e privilegjeve te e veja ose te fëmijët nën moshën 18-vjeçare.

Është më se indikative që të jetë ndërmarrë një hap i këtillë – thuajse llogaritej në përkrahjen e plotë të personaliteteve të caktuara për të (mos)vepruar në situata të caktuara, e që do të mund ta pengonin mbarëvajtjen e shtrirjes së rrjetit të merimangës. Për shkak se nga njëra anë do të mund të sigurohej mostrajtimi i rasteve “të nxehta” dhe të atyre ku duhet mbrojtur fëmijët e dhunshëm të shefave, apo besa edhe vetë shefat për armë zjarri, e kush e di edhe çka tjetër. Në vend të zgjidhjes së problemeve të grumbulluara në ekzekutimin e lëndëve (120 mijë sosh presin përmbarimin); apo edhe shmangien e vjetërsimit të lëndëve që presin me vite për t’u trajtuar; apo zgjidhjen e rasteve të ftohta që rrinë nëpër sirtarët e prokurorëve me vite të tëra, Qeveria e shkuar është marrë me sigurimin e privilegjeve njerëzve që nuk po duket se e kanë merituar as rrogën aktuale që e marrin.

Konflikti i mundshëm i interesit të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, i cili sipas deklaratës së EULEX-it është, apo edhe ka qenë nën hetime kur ka vendosur për kryeprokurorin, është shumë problematike. Por jo aq sa edhe arsyetimi i GJK-së, sipas së cilës konstatohet se Gjykata Themelore nuk ka kapacitet për ta trajtuar ankesën në nivel administrativ, ani se kjo as që e ka marrë rastin në shqyrtim. GJK-ja me këtë vendim sërish merr kompetenca që nuk do të duhej t’i kishte, dhe përzihet drejtpërsëdrejti në procedurën që nuk do të duhej t’i takonte, ashtu siç kishte bërë në rastin e Bajrush Xhemajlit kur u shndërrua në gjykatë të shkallës së katërt madje.

E frikshme është njohuria për një fakt ende të pavërtetuar: nëse kryetari i GJK-së ka qenë nën hetime në kohën kur ka konkurruar dhe kur është zgjedhur, e që kjo të jetë fshehur nga dikush i lartë në prokurori. Po qe se kjo do të dilte të jetë e vërtetë, cilat do të ishin pasojat jo vetëm për statusin e gjykatësit dhe të prokurorit, por edhe i vendimeve të cilat i ka gjykuar ky i pari?

Është po ashtu shumë e frikshme se nëse ka qenë kështu, porse për një arsye ose tjetrën gjenden modalitete për ta mbrojtur atë deri në përfundimin e mandatit që ka, ky njeri do të jetë ai, i cili do të mund ta ushtrojë fuqinë e porsazbuluar se mund të jetë edhe gjykatë administrative, edhe e rregullt në shkallën e katërt, edhe çfarëdo gjykate sa herë që do të nevojitet. Si në bahçe të babës. Sepse bahçja po bëhet e Babës, e Baba po bëhet Zot në Kosovë. E nuk është çudi nëse nesër, kur t’i skadojë mandati, të konkurrojë për kryetar shteti, por jo para se t’ia përshtatë vetes interpretimin e dispozitave kushtetuese që i referohen zgjedhjes së kryetarit të shtetit...

...dhe gjithë kjo na kthen te rrethi vicioz i arsimit: profesorët e dobët dhe jocilësorë kanë prodhuar një Kushtetutë plot vrima, që interpretohet edhe nga profesorë jocilësorë që japin mësim në shtatë a tetë institucione (a flenë more këta, a veç “punojnë”?) të dobëta dhe jocilësore që mbase nesër do të na e bëjnë kamionxhiun kryetar të Gjykatës Kushtetuese apo edhe kryeprokuror të Shtetit. S’i dihet fatit, pra ja shansi për beqarët e artit.

flaka@koha.net

©KOHA.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...