Mbi vlerën e shkrimeve të ruajtura

10 Korrik 2014 - 08:37 - Enver Robelli      

Asgjë s’mund të ruhet për gjeneratat e ardhshme nëse nuk arkivohet dhe digjitalizohet. Kosova ka ende shumë punë për të bërë në këtë drejtim. Një hap i rëndësishëm do të ishte digjitalizimi i gazetës së parë të përditshme të Kosovës – “Rilindjes” së famshme, në mënyrë që të gjithë të kenë qasje ndaj asaj që quhet “kujtesë kolektive” gjysmëshekullore

Sllovenët e kanë ruajtur gazetën e tyre “Delo”. Është ndër të përditshmet më serioze në Europën Juglindore. Kroatët nuk e kanë ruajtur “Vjesnikun” e famshëm, që dikur lexohej edhe në Kosovë, madje gazeta kroate kishte edhe zyrë në Prishtinë. “U takuam në zyrën e Vjesnikut në Prishtinë...”, kështu i nisin rrëfimet për të kaluarën disa nga kolegët e mi në kryeqytetin e Kosovës, të cilët me raportimet e tyre mbi ngjarjet në Kosovë kanë lënë gjurmë të pashlyeshme dhe shumë të rëndësishme jo vetëm në gazetari. Në Sarajevë vazhdon të botohet “Oslobogjenje”, e cila mbetet burim i mirë i informimit.

Kjo gazetë, e themeluar nga partizanët gjatë Luftës së Dytë Botërore, vazhdon të mbajë një kurs liberal, majtist dhe antinacionalist. Edhe serbët e kanë ruajtur gazetën e tyre kryesore “Politika”, e cila dikur ka gëzuar prestigj për shkak të raportimeve mbi ngjarjet botërore. Në vitet 80 dhe 90 kjo gazetë u shndërrua në fletushkë nacionaliste dhe luftënxitëse. Pas rrëzimit të regjimit të Slobodan Milosheviqit “Politika” korrigjoi deri-diku kursin e saj, por ajo prapë mbetet zëdhënëse shpeshherë e neveritshme e propagandës së pushtetit.

Pa marrë parasysh kush është në pushtet në Serbi – “Politika” është me pushtetin, pa marrë parasysh se nganjëherë boton komente që janë në kundërshtim me politikat qeveritare. Në Split ende shtypet “Slobodna Dalmacija”, e cila po ashtu është themeluar nga partizanët dhe në vitet 80 ka qenë zë i rëndësishëm i debateve që zhvilloheshin mbi të ardhmen e Jugosllavisë. Në këtë gazetë kanë botuar komente me vlerë edhe gazetarë nga Kosova. Në Podgoricë ende botohet “Pobjeda” dhe në Shkup “Nova Makedonija”, ndonëse për cilësinë e këtyre dy të përditshmeve mund të diskutohet gjatë.

Trashëgimia shkrimore

“Rilindja”, e para gazetë e përditshme në gjuhën shqipe në Kosovë, e themeluar më 12 shkurt 1945, tashmë ka përfunduar në arkiv, s’botohet më. Një traditë e madhe e shkrimit shqip, e raportimit shqip, me të gjitha të metat e pashmangshme për shkak të rrethanave dhe censurës së kohës, tashmë i përket historisë, për fat të keq. Pas luftës së fundit në Kosovë dolën gazeta të reja, fletushka të reja, broshura të reja, që herë paguhen prej mafies politike, herë prej politikanëve mafiozë. Shtypi i lirë në Kosovë mbijetoi, mes tjerash, veçanërisht falë “Kohës Ditore”, të cilën gazeta e famshme gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” e quan “gazeta më e mirë e Kosovës dhe njëra prej jo të shumtave në Ballkan që i është përkushtuar raportimit serioz”. Për një gazetë të mirë është përparësi që gazetarët e saj s’kanë nevojë ta mbrojnë, as ta lavdërojnë, këtë e bëjnë mediet më të rëndësishme ndërkombëtare.

Andaj t’i kthehemi “Rilindjes”: asgjë s’mund të ruhet për gjeneratat e ardhshme nëse nuk arkivohet dhe digjitalizohet. Kosova ka ende shumë punë për të bërë në këtë drejtim. Një hap i rëndësishëm do të ishte digjitalizimi i gazetës së parë të përditshme të Kosovës – “Rilindjes” së famshme. Gjeneratat e sotme, ato që janë gjallë, por edhe gjeneratat e ardhshme duhet të kenë qasje ndaj trashëgimisë shkrimore të këtij vendi. “Rilindja” është pjesë e rëndësishme e kësaj trashëgimie.

Ndryshe njerëzit do të harrojnë Esad Mekulin dhe Beqir Musliun, Anton Pashkun dhe Enver Gjerqekun, Mirko Gashin dhe Hasan Mekulin, Din Mehmetin dhe Ali Podrimjen, Hilmi Aganin dhe Gazmend Zajmin, Azem Shkrelin dhe Martin Camajn. Dhe shumë emra të ndritur të këtij vendi. Pa marrë parasysh se ç’dreq qeveri do të krijohet në fund, ruajtja e gjërave të shkruara duhet të gëzojë prioritet, andaj kabineti i ardhshëm qeveritar do të duhej të kishte parasysh edhe këtë domosdoshmëri. Kujtesa është e shtrenjtë. Së paku 100 euro kushton kopja e një rrëfimi nga Kosova e vitit 1989, që gjendet në arkivin e medieve kroate dhe që menaxhohet nga agjencia e lajmeve HINA.

Qytetarët e Kosovës duhet të mësojnë më shumë për të kaluarën e tyre të afërt. Sidomos për gjysmëshekullin e fundit. Për vitin 1966, kur ra Aleksandar Rankoviqi dhe kur thyheshin fotografitë e tij në Prishtinë. Për vitin 1978, kur në Prizren shënohej 100-vjetori i Lidhjes së Prizrenit. Dhe për shumë e shumë detaje të tjera, ta zëmë, për duhanmbjellësit e Gadimes, për Fatime Qerimin (“...mësuesja e parë ndër njimbëdhetë katundet e Karadakut”), për kuzhinierin e restorantit në stacionin e autobusëve në Pejë, për programin e kinemasë në Gjilan në verën e vitit 1966. E kaluara na bën të vetëdijshëm për të ardhmen, por edhe për rrugën që kemi kaluar si shoqëri drejt lirisë.

Hamdi Tusha i Begracës

Nuk e di nëse Hamdi Tusha i fshatit Begracë është gjallë, por ai ka lënë një gjurmë, një dëshmi që flet shumë për rrethanat që mbretëronin në Kosovë para gati pesë dekadave. Në një nga numrat e “Rilindjes” të verës së vitit 1966 ai me një gjuhë të thjeshtë tregon se si shtypeshin shqiptarët. Te rubrika “Lexuesit na shkruejnë” Hamdi Tusha ka botuar këtë letër: “Më 24 të këtij mueji isha në Kaçanik të Vjetër tu e ba regjistrimin e nxanësve që kanë me vijue klasën e parë. At ditë kisha me udhëtue për Ferizaj. Prej katundi vrapova dy kilometra për ta nxanë trenin. Kur mbërrina në Gëzlicë (me gjasë: Gërlicë, v.j.) treni ende nuk kishte ardhë, u mundova me i thye të hollat mbasi Vasilijeviqi nuk jepë biletë nëse nuk ke të holla t‘imta. Kur iu drejtova Vasilijeviqit që të më japi biletën më tha asht vonë.

Duhet me ardhë pesë minuta para se me ardhë treni për me marrë biletë! Isha i lodhun mezi – flitsha. Ju luta disa herë, por ai rrinte duerkryq në derë. Treni erdhi, duel dhe i dha shenjë. Unë mbeta pa shkue mbasi që nuk më dha biletë. Pajtohem me Vasilijeviqin, por kam ardhë ma shumë se pesë minuta para nisjes së trenit, por ai si duket ka dashtë me la borxhin pse i kam kërkue 10 dinarë të vjetra para disa ditësh, që nuk deshti me m’i kthye kusur. Mendoj se hakëmarrja e këtillë asht sa e mbrapsht aq edhe e shëmtuet, sepse ai po sillej keq edhe ndaj udhtarëve tjerë”.

Ky rrëfim gjendet në arkivin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Duhet harxhuar shumë kohë derisa të bie në sy duke shfletuar gazetat e vjetra. Në kohërat moderne qasja ndaj informacionit duhet të jetë më e lehtë. Ministri i ardhshëm i kulturës ka mjaft punë. Duhet të shpërndahet dija për të kaluarën e afërt në mënyrë që e ardhmja të shihet më mirë.
Po të mos ekzistonin arkivat, ribotimet, digjitalizimi, ruajtja elektronike e të dhënave dhe shkrimeve publicistike, sot nuk do e dinim se çfarë ka shkruar, ta zëmë, shkrimtari zviceran Max Frisch për Ballkanin në vitin 1933. Një rrëfim i tij, që po e sjellim këtu me shkurtime, ka të bëjë me serbët, por ndoshta edhe me popujt e tjerë të rajonit: “Sikur t’ua shkelje maceve bishtin ashtu bërtitën shoqërueset tona kundër meje, kur takuam çiftin bashkëshortor serb dhe unë i pasherr pranova se diçka e tillë më dukej magjepse.

Thjesht magjepse kur shihje se si burri krenar afrohej duke kalëruar mbi mushkë dhe se si ecte pas gruaja e tij, e cila e frenonte mushkën duke ia tërhequr bishtin dhe me shikim të devotshëm përtokë bartte një thes me patate. Pasi që kjo ishte hera e parë që ne po shihnim një bashkëshortësi kaq të përsosur, shoqërueset tona nuk deshën të qetësohen dhe nuk arritën të shohin si po u kalonte para syve ky vend i çuditshëm. (...) Kur një javë më vonë sërish takuam një krushqi pamë se mes tyre së paku gjendej edhe nusja. Por, nënat dhe shoqet nuk kishin vend aty. Sepse edhe te sllavët e krishterë të jugut bartet ajo veshje grash, të cilën e kanë mësuar nga turqit. Në të vërtetë, serbi ortodoks edhe kur ka vetëm një mushkë nganjëherë e lejon gruan e tij të eci kaluar dhe vetë ec këmbë; por, që gratë të jenë pjesëmarrëse të një gazmendi apo takimi serioz – kjo, miku im, është po aq e pamundshme sa të merrnim ne kafshët tona shtëpiake në ballo.

Fakti se së paku nusen e re e sjellin me vete nuk ka të bëjë me atë se duan të festojnë për të. Jo, ajo është vetëm pronë e blerë për hir të së cilës burrat përgëzojnë vetveten. As burri i nuses nuk përgëzohet aq, por më shumë festohet për bijtë që ende nuk kanë lindur: sepse ata do të vazhdojnë gjininë mashkullore, sepse ata dikur po ashtu do të kalërojnë andej-këndej dhe herë pas here do të pinë dhe do të gjuajnë me armë derisa Zoti dhe gruaja do t’i bëjnë pak më pjellore arat e tyre shterpa dhe burrat do të jenë të vetëdijshëm mbi vlerën e tyre të pakrahasueshme”.

Xhungël gurësh?

Ky tekst doli në “Kölnische Zeitung” më 5 shtator 1933 dhe përmban, në vijim, edhe këto mendime për shqiptarët: “Me duar të mëdha në formë të shqiponjës pesë shqiptarët i kapnin cungat që kalonin atypari. Tani kishim mjaft kohë për t’i vështruar këpucët e tyre të çuditshme me lidhëse, të cilat përpara kishin një sqep siç i kanë pasur dikur anijet me vela. Dhe pantallonat e tyre të bardhë që përshkohen prej vijave të zeza përdredhëse për hijeshi.

Dhe se si ata, për t’u mbrojtur nga dielli, kishin mbështjellë çarçafë të tërë rreth kokës, derisa rreth gjoksit u luhatej një zinxhir prej argjendi. Duke parë veprimin e tyre, që më pak ishte punë dhe më shumë luftim, kuptohej se si këta arnautë kishin arritur të depërtonin nga Shqipëria deri në Maqedoni dhe ua kishin mësyrë në befasi fshatrave të përgjumura, duke lënë pas serbë dhe bullgarë dhe grekë dhe turq të vrarë në gërmadhat e tyre prej të cilave dilte tym dhe duke sjellë në shtëpi plaçkën e rëndë nëpër këtë xhungël gurësh”.

Xhungël gurësh? Mbase Frisch së paku në këtë pikë kishte të drejtë. Në pika të tjera ai bie viktimë e stereotipave për Ballkanin. “Ballkani shikohet me përbuzje prej një Ballkani edhe më të tmerrshëm, i cili quhet Evropë”. Kështu kishte thënë reporteri i famshëm gjerman Egon Erwin Kisch pas një udhëtimi nëpër rajon në vitin 1913. Sot, për t’u bërë më mirë, duhet të bëhet ndryshe. E ndryshimi merr hov me rritjen e vetëdijes se historia e Kosovës nuk fillon më 1999. Faktet për këtë ndodhen ende në arkiva.

robelli@bluewin.ch

©KOHA.net

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...