Futbollistët në krye

8 Korrik 2014 - 08:50 - Flaka Surroi      

... apo rrëfimi për fituesin relativ; se si duhet dribluar kryeministri në ikje dhe çfarë na mëson Amerika Latine

“Nëse mund të thuhet se humbja ka shije të fitores, atëherë Zvicra fitoi me shumë dinjitet dhe ferplej të papërsëritshëm. Bravo, bravo!!!” – kishin qenë fjalët që i shkrova në FB posa përfundoi ndeshja e paharrueshme ndërmjet Zvicrës së vogël dhe Goliatit Argjentinë. Aty, fati dhe vetëm fati, e jo mungesa as e guximit, e as e stilit, e as e vendosmërisë, e eliminoi nga garat e mëtejme në Kampionatin Botëror të Futbollit. Qe kënaqësi e rrallë të shihje se si Messi me shokët kishin mbetur pa koncept, pa ide dhe pa frymë, për shkak se në fushë dukej se kishte 22 lojtarë me bluza të kuqe e kryq të bardhë. Pesë syresh shqiptarë. Dhe të pestit të shkëlqyer.

Emocione të këtilla nuk e besoj se shumica prej nesh kemi përjetuar prej kohësh. Emocione në një situatë kur nuk anonim për kombëtare a përfaqësuese tonën, ku nuk kishim çfarë të fitonim a çfarë të humbnim – por ku shpresonim se të rinjtë, të cilët na hynë në zemër do të paraqiteshin me dinjitet. E që në fund megjithatë na bënë fitimtarë.

Po mund ta paramendoj se me çfarë emocionesh do ta kenë përjetuar vendimin e Kushtetueses ata që u gjendën në situatë ku kishin edhe çfarë të fitonin e edhe çfarë të humbnin. Posaçërisht ata që prej kohësh dëshmojnë se, si fituan e si humbën, nuk e kanë fijen e dinjitetit.

Si sigurohet humbja e Thaçit

Kosovës pothuajse dymilionëshe, iu desh gati një muaj për t’i kuptuar rezultatet e zgjedhjeve. Çdo vonesë në certifikimin përfundimtar të votave në fakt kishte mëtuar të çonte ujë në mullirin e partisë që ka fituar shumicën relative (qashtu po e quan Gjykata Kushtetuese) në kërkim të shumicës absolute për t’u bërë edhe me një mandat qeverisës..., e për të na e nxirë jetën neve edhe nja katër vjet.

Gjatë kësaj periudhe, pos një “dokumenti të përkrahur nga Brukseli”, ku flitet për nevojën e formimit të një Qeverie teknike që do të udhëhiqej nga PDK-ja (demek teknike me fytyra politike – bash sui generis), u tha se për bashkësinë ndërkombëtare do të ishte e papranueshme që Qeveria të varej nga votat e Srpskas apo të Vetëvendosjes. Pa dyshim një “qyfte” e madhe që del tri ditë pas vendimit të Kushtetueses, me synim krijimin e koalicionit të madh (PDK-LDK), si shansin e fundit real për Thaçin për ta mbajtur pushtetin “pastër” dhe me marrëveshje.

Krejt këtij lëmshi i kontribuoi, pa dyshim, Gjykata Kushtetuese me një interpretim antologjik të “shumicës”, e posaçërisht të përkufizimit të termit “koalicion”, të cilin e ka mbështetur në ligjin aktual të zgjedhjeve. Duke mos qenë eksperte kushtetuese, kjo megjithatë ngjall dilema mbështetur në logjikën: Përse Kushtetuesja i beson më pak Kushtetutës sesa ligjit që ka derivuar nga ajo? Apo edhe, përse beson Kushtetuesja se Ligji i zgjedhjeve nuk do të ndryshojë kurrë? Apo edhe, a do të thotë kjo kurrën e kurrës nuk do të mund të ketë koalicion paszgjedhor në Kosovë, ngase tashmë ekziston ky vendim i Kushtetueses që nuk njeh këso kategorie..., kjo për të mos vazhduar tutje...

Vendimi u kundërshtua nga gjykatësi amerikan, i cili argumentoi se asnjëra Qeveri e Kosovës deri tash nuk është formuar nga koalicionet parazgjedhore, por nga ato paszgjedhore. Por meqë mbeti në pakicë, për pasojë mandati do t’i ofrohet fillimisht Thaçit, si fituesit relativ. Nëse ky nuk ia del ta formojë Qeverinë, sipas vendimit të Kushtetueses, nuk përjashtohet që kryetarja (meqë e ka diskrecionin) t’ia ofrojë sërish mandatin partisë së tij, sepse do të mund të argumentohet se Kuvendi nuk e deshi Thaçin për kryeministër, e jo PDK-në për parti udhëheqëse të Qeverisë.

Tashmë shumëkush po thotë se Thaçi i ka siguruar votat edhe të katër a pesë deputetëve të tjerë nga LDK-ja dhe AAK-ja për t’u bërë me post sërish. Por, shumë gjëra u folën ditëve të shkuara dhe shumica dolën të pavërteta..., porse në politikën e fëlliqur dhe të papjekur kosovare, nuk duhet përjashtuar as këtë mundësi. Sido që të jetë, për opozitën (po qe se e arrin konsensusin për Qeveri dhe për t’i shmangur zgjedhjet e reja) ekziston një formë shumë e thjeshtë për të siguruar moskalimin e Thaçit në votim në Kuvend. Kjo, me kusht që qëndron leximi i Kushtetutës se për zgjedhjen e Qeverisë nevojiten 61 vota.

Skenari do të parashihte që në ditën kur të shqyrtohet çështja e Qeverisë, që në atë pikë të rendit të ditës në sallë të mbeteshin vetëm katër liderët e partive opozitare, të cilët krahas deputetëve të grupit të Thaçit dhe të minoriteteve, do të bënin gjithsej 61. Kështu do të sigurohej edhe kuorumi, por edhe disfata e Thaçit. Ky veprim i opozitës do të siguronte se asnjëri nga deputetët e “blerë” të mos mund të votonte. Tjetër mesele është nëse “të blerët” do të ndaheshin dhe të vendosnin të merrnin pjesë në seancë: atëherë do të dihej se kush u shit. Ajo që nuk do të dihej është çmimi.

“Hani asfalt”

Çmimi i përafërt (600 milionë) i dihet autostradës së re, që nisi së ndërtuari pardje me një pompozitet nga ato të fushatës parazgjedhore, ku rolin kryesor e luante George Washington Clooney mbi bager. U lidh kontrata me konsorciumin që i punon autostradat më të shtrenjta në botë, ndërmjet 10 dhe 11 milionë euro për kilometër dhe u dha premtimi se për tre vjet e gjysmë do të kryheshin hiç më pak se 55 kilometra (po, po, 55 e jo 550, siç do të mund të imagjinohej) që do të ndërtohen nëpër rrafsh e aty këtu ndonjë kodër.

Pra, sërish u lidh një kontratë që askush nuk e ka parë. U lidh për një kohë tepër të gjatë; me gjasë do të ketë mbetur klauzola e kontratës së shkuar se vonesat që kanë të bëjnë me shpronësimet apo ta zëmë zbulimin e lokacioneve arkeologjike, do të penalizohen dhe Kosova do të detyrohet t’i paguajë dëmshpërblim punëkryerësit. Kush e di edhe çka tjetër përmban. Kush e di. Ndonjë klauzolë që nuk e lejon shkëputjen e kontratës, përkatësisht që kushton më shtrenjtë ta shkëpusësh atë, sesa ta ndërtosh rrugën. Ndërkohë, neve do të na mbetet të vajtojmë për 200 milionët që do të na zhduken për çdo vit nga buxheti, e që do të dalin jashtë Kosovës, duke e lënë shtetin sërish pa para dhe të thelluar edhe më shumë në krizë.

As nuk u përpoq kush nga kjo Qeveri të aplikojë për mjete evropiane, as për të marrë ndonjë kredi të butë për ta ndërtuar këtë rrugë, që, me gjithë respektin për mendjen e ndritur të Arbën Xhaferit, nuk është dashur të pagëzohej kështu (më parë do të duhej emërtuar ndonjë institucion shkencor apo kulturor me emrin e tij). Vendimet e këtilla nuk do të duhej të merreshin pa konsensus të gjerë, apo së paku pa përkrahjen e përfaqësuesve të sovranit. Popullizmi i këtillë i kryeministrit në ikje në kërkim të shpëtimit nga rënia prej fronit edhe në çastet e fundit, është neveritës. Kurse investimi në rrugë të shtrenjta në krah të zhvillimit të njëmendtë të shoqërisë, është pos hajnisë edhe injorancë.

Mësim nga Amerika Latine

Është një shtet relativisht i vogël në Amerikën Qendrore. Me sipërfaqe është sa pesë herë Kosova; me popullatë, gati tri herë më e madhe. Ka popullsi të përzier, pra është multiracore e besa edhe multietnike. Ka qenë dy herë e okupuar – njëherë nga spanjollët e mandej edhe nga meksikanët. Është ndër shtetet e rralla latino-amerikane që gati u ka shpëtuar plotësisht grusht shteteve ushtarake. E pësoi një më 1948 – dhe ky ishte mbase më unikali në botë. Junta ushtarake u bë popullore, sepse e ndërroi Kushtetutën dhe e shoi ushtrinë. Dhe, organizoi zgjedhje të lira, demokratike.

Kostarika (apo Bregu i Pasur, në përkthim të lirë) është mbase i vetmi shtet në botë që nuk ka ushtri, e që megjithatë ka stabilitet dhe ndër shkallët më të ulëta të krimit. Është ndër pesëdhjetë shtetet e para në botë me më pak korrupsion. Një tjetër gjë që e veçon këtë shtet është se shkalla e analfabetizmit nuk mbërrin as në 7%. E veçon edhe fakti se 50 për qind e buxhetit prej gati 9 miliardë eurosh, i dedikohet arsimit, shkencës, kulturës dhe sportit. Madje 25% e buxhetit i shkon arsimit, në të gjitha nivelet, përfshirë edhe katër universitetet publike që i ka shteti.

Shumë e dhimbshme kur krahasohet me Kosovën e Hashim Thaçit: ndër shtetet më të korruptuara në rajon e botë; me analfabetizëm që e mbërrin (nëse nuk e kalon) 20- përqindëshin; me pesë universitete publike në trefish më pak banorë dhe me të njëjtët profesorë supermena që këputen duke marrë honorarë dhe me rreth 20% të buxhetit vjetor që u ndahet rrugëve, që deri më tash na kanë sjellë asfalt që prishet shpejt.

Ekipi i Kostarikës sivjet është ndër befasitë më të këndshme të Mundialit “Brazili 2014”. Ka arritur në çerekfinale me lojë të shkëlqyeshme, përkushtim dhe vullnet për të dalë nga guaska e “bananarepublikës”, me të cilën identifikohen shumica e shteteve latino-amerikane. Sonte do të ballafaqohet me njërën nga favoritet për ta fituar garën e sivjetme, Holandën, dhe do të jetë befasi e klasës së parë po qe se ia del ta mundë portokallin mekanik. Dhe pavarësisht rezultatit futbollistik, në arenën botërore në përgjithësi, Kostarika tashmë e ka arritur suksesin e vet më të madh: të qenit shtet i pavarur. Një shtet, udhëheqësit e të cilit e kanë kuptuar se rruga e vetme që e shpie popullin përpara është arsimi, teknologjia e kultura, pa të cilët nuk ka zhvillimin ekonomik.

FIFA mund të mos i lejojë Kosovës që të luajë në kampionate evropiane e botërore, porse nuk mund të na e ndalojë askush që të mësojmë nga të tjerët. Nga ata që e kanë kuptuar se çka është shtetndërtimi dhe si duhet mbajtur shtetin.

Java e shkuar e vërtetoi se Kosova ka nevojë që të mos mësojë nga gabimet e veta, por nga përvoja e të tjerëve. E vërtetoi se atë që më së paku ka nevojë tash është për juristët – sepse posa të bëhen tre, dalin pesë mendime. E vërtetoi edhe se përfundimisht Kosova nuk meriton të ketë udhëheqje çfarë ka pasur deri tash: egoiste, injorante dhe të dëmshme.

Deri në javën tjetër nuk e besoj se do të kemi Qeveri të re..., e shyqyr që do të ketë ende ndeshje që do të na kënaqin dhe do të na shmangin vëmendjen nga shëmtia e politikës ditore kosovare. A thua do t’i kishim punët më mirë po qe se do të na udhëhiqnin futbollistët? Atyre bile u ka hije driblimi.

flaka@koha.net

©KOHA.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...