Banorët e Bosnjës thonë “boll”!

28 Shkurt 2014 - 12:06 - Enver Robelli      

Protestat kundër klasës së dhjamosur politike në Bosnjë janë shenjë shpresëdhënëse se në këtë vend qytetarët nuk janë më të gatshëm të durojnë si tufë dhensh

1. Politikë me “Audi A-8”

Një unitet i tillë në skenën politike dhe diplomatike ndërkombëtare është i rrallë: Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Sarajevë hapur dhe publikisht i mbështet protestat e qytetarëve të Bosnjës kundër politikanëve të papërgjegjshëm. Shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian (BE), Catherine Ashton, po ashtu shpreh simpati për revoltën qytetare.

Komisioneri i BE-së, Stefan Füle, thekson se politikanët e Bosnjës duhet të turpërohen për shkak se prej kohësh po qëndrojnë duarkryq dhe s’po merren dot vesh për ndryshimin e Kushtetutës. Gjatë qëndrimit në Sarajevë javën e kaluar Füle përsëriti se vendet e rajonit po përparojnë në integrimet europiane, ndërsa Bosnjë-Hercegovina po stagnon.

“Qytetarët po u bëjnë thirrje politikanëve të jenë të përgjegjshëm”, tha Füle. Duket se apelet e qytetarëve të Bosnjës po hasin në veshë të shurdhër të politikanëve. Derisa pas trazirave të fundit qytetarët po vazhdojnë të organizojnë plenume, ku po parashtrojnë kërkesa konkrete për ndryshime, politikanët duket se përgjigje të vetme kanë injorimin e zemërimit popullor.

Deri ku ka shkuar arroganca e pushtetit tregon ky rast: në nëntor të vitit të kaluar Bakir Izetbegoviqi, njëri nga tre presidentët e vendit, u dhuroi dërrasa disa të pastrehëve për të ndërtuar ndonjë kolibe sa për të fjetur rehat. Ironike ishte se Izetbegoviq shkoi te të pastrehët me veturën e tij “Audi A-8”, të cilën e kishte blerë me para të buxhetit (100 mijë euro).

2. Tuzla

Në fund të janarit vala e protestave nisi në Tuzël. Dhe kjo s’ishte aspak rastësi. Ky qytet është ndër të rrallët në Ballkan që ende ka klasë punëtore, ndonëse, për fat të keq, të papunë. Dhjetëra ndërmarrje në Tuzël dhe rrethinë kanë falimentuar për shkak të luftës në vitet 90, menaxhimit të keq pas luftës, privatizimeve mafioze, grabitjes nga ana e kapitalistëve të formatit ballkanik.

Por, në këtë qytet kanë mbetur të gjallë dhe aktivë udhëheqësit sindikalë. Ata nuk bartin kravata si në vende të tjera ballkanike, ata janë përfaqësues të mirëfilltë të interesave të punëtorëve. Dhe nuk ngurrojnë që për të drejtat e punëtorëve të luftojnë në vijën e parë të frontit politik. Tuzla i ka rezistuar nacionalizimit në vitet 90 dhe ka ruajtur një frymë tolerance mes etnive. Edhe kjo është arsyeja pse banorët e Tuzlës janë më të emancipuar politikisht se shumë vdekatarë ballkanikë.

3. Për një Dayton të ri

Marrëveshja e Daytonit e ndërpreu luftën e llahtarshme që shkaktoi mbi 100 mijë viktima, por nuk e bëri Bosnjën shtet funksional. Labirinti institucional i Bosnjës i çmend edhe dashamirët më të mëdhenj të këtij vendi. Bosnja ka një qeveri gjithështetërore (e cila pothuaj nuk ka kompetenca), dy qeveri të entiteteve (Federata e boshnjakëve dhe e kroatëve dhe Republika Srpska), dhjetë qeveri në dhjetë kantone të Federatës boshnjake-kroate, pastaj një administratë të veçantë e ka distrikti i Bërçkos.

Ky vend me 3.8 milionë banorë dhe me ekonomi tejet të dobët ka rreth 150 ministra në të gjitha nivelet. Për ta bërë vendin më funksional prej vitesh janë angazhuar diplomatë amerikanë dhe europianë, por ky angazhim ka qenë tejet i plogët. Duket se një pjesë e madhe e bashkësisë ndërkombëtare është pajtuar me fatalizmin boshnjak, disa janë dorëzuar pasi kanë parë se çfarë lëshimesh i janë bërë palës serbe, e cila pas krimeve shumëvjeçare çdo kund në Bosnjë dhe gjenocidit në Srebrenicë u shpërblye me gjysmën e territorit të vendit.

Për ta bërë Bosnjën vend funksional Bashkimi Europian do të duhej t’i bënte presion jo vetëm udhëheqjes së serbëve në Banjallukë, por edhe Beogradit zyrtar, i cili përherë ka mbështetur politikën e minimit të çdo përparimi në shtetin fqinj. Që Bosnja të ndryshojë pak për të mbarë Brukseli duhet ta izolojë kryetarin e Republika Srpska, Milorad Dodik, i cili hapur kërcënon me shkatërrimin e këtij vendi dhe publikisht përbetohet se detyrë e tij është që “ta bindë” bashkësinë ndërkombëtare se Bosnja nuk ka ardhmëri.

Nëse BE i kërcënohet – me të drejtë – kryetarit të Ukrainës për dhunën kundër opozitës, pse atëherë tolerohet Dodiku, i cili e mohon se në Srebrenicë forcat serbe kanë kryer gjenocid. Për fat të keq nga Brukseli nuk mund të pritet një qëndrim i prerë derisa shefe e politikës së jashtme do të jetë Catherine Ashton. Për fat të mirë ajo sivjet do të largohet, por rreziku është i madh që sipas traditës së palavdishme të BE-së postin e saj ta marrë ndonjë kandidat/e që mbështetet nga të gjithë dhe nuk ka kurrfarë profili politik.

4. Mashtrim dhe vetëmashtrim

Një austriak (Valentin Inzko) prej vitesh është përfaqësues i lartë i bashkësisë ndërkombëtare në Sarajevë. Përveç raporteve bajate mbi mungesën e përparimit në vend nuk dihet se ç’bën tjetër. Ky slloven austriak është rehatuar mirë me rrogë e me privilegje, por edhe në gazetat e rëndësishme gjermane kohëve të fundit është shtruar pyetja se a duhet të ketë bashkësia ndërkombëtare një përfaqësues të tillë në Sarajevë.

Pas protestave të fundit Inzko në vend se të mbështeste qytetarët e zemëruar paralajmëroi se bashkësia ndërkombëtare mund të angazhojë më shumë trupa ushtarake në Bosnjë për të mbajtur situatën nën kontroll. Për situatën e pashpresë të Bosnjës po aq fajtorë sa politikanët lokalë është edhe e ashtuquajtura bashkësi ndërkombëtare, e cila merret me menaxhimin e stabilitetit të rrejshëm, punon e bashkëpunon me politikanë të korruptuar dhe njëkohësisht predikon vlerat europiane.

Sa më parë që të marrë fund ky mashtrim vetëmashtrim, aq më mirë jo vetëm për Bosnjën, por edhe për mbarë rajonin. Për fat të mirë krahas austriakut jo aq të dobishëm Inzko ka edhe austriakë të tjerë gjuhëmprehtë si shkrimtari Richard Schuberth, i cili në një ese të botuar para disa ditësh në gazetën e Vjenës “Der Standard” e çmontoi krejt sistemin e gënjeshtrave perëndimore në Bosnjë. Në paragrafin e ardhshëm mund të gjeni disa nga komentet e serta dhe aq të vërteta të autorit Schuberth.

5. “Voltaire e dinte se...”

Richard Schuberth, mes tjerash, shkruan: “Në mediet perëndimore për Bosnjë-Hercegovinën gjithnjë e më shumë u krijua imazhi i një shteti të dështuar. Thuhej se me korrupsion të tillë dhe me kësi qengjash të paralizuar, të cilët vazhdimisht i zgjedhin ujqit e tyre nacionalistë, nuk mund të ndërtosh shtet.

Ky vlerësim është jashtëzakonisht arrogant nëse merret parasysh se jo rrallë kanë qenë investitorët dhe administratorët ndërkombëtarë, të cilët ujqve ua kanë dhënë veglat dhe mjetet për masakrim dhe kanë marrë pjesë në prerjen e leshit. (...) Gabimi më i madh është të mendohet se lufta qytetare paskësh mbaruar më 1995. Në rrafshin ekonomik ajo vazhdon pa pushim. Qe 19 vjet. (...) Politika zhvillohet vetëm në nivel klientelist. Banesat, ndihmat, infrastruktura, lejet, lirimi nga detyrimet arbitrare, kontributet sociale ndahen sipas përkatësisë në rrjetet e pushtetit, të cilat përbëjnë bazën e një tregu etnikisht të ndarë.

Kështu krijohen zgjedhësit nacionalistë dhe jo përmes Allahut dhe mitit të Gazimestanit. (...) Voltaire e dinte se të gjitha luftërat janë fushata plaçkitëse dhe ekonomia e zezë dhe plaçkitëse nuk ka qenë dëm kolateral i etnoluftës boshnjake, por qëllimi i saj. (...) Të vetmit që përfituan ishin fajdexhinjtë në të dy anët e vijës së frontit, të cilët kapitalin fillestar e nxorën nga mjerimi i popullsisë civile.

Ata krijuan bërthamën e shtresës së re të ndërmarrësve, ku BE dhe FMN (Fondi Monetar Ndërkombëtar, v.j.) i investuan miliardat e tyre, në mënyrë që ata (ndërmarrësit, v.j.) të çonin përpara privatizimet dhe t’i anulonin edhe kontributet e fundit sociale. (...) Një shtyllë e fuqishme e ekonomisë boshnjake është peace keeping business: aparati gjigant i administratës dhe ushtarakëve ndërkombëtarë plus investitorëve dhe mbi 12 mijë NGO-ve (të cilat merren me shpëlarjen humanitare të parave) krijuan një mjedis gjysmëkolonial dhe një ekonomi sikofantësh, e cila assesi nuk po i përngjan imazhit të dëshiruar të forcave të tregut të lirë, por më shumë një kapitalizmi plaçkitës. Kjo është njëra nga arsyet pse në Bosnjë-Hercegovinë lulëzon një grumbull kërpudhash prej 800 politikanësh dhe 150 ministrish.

Diçka e tillë rritet vetvetiu, nëse nuk ekziston një Kushtetutë e arsyeshme dhe nëse në të njëjtën kohë nga Perëndimi i lirë rrjedh shumë sheqer. Në Bosnjë dhe jo vetëm atje, politikë domethënë të kanalizosh rrjedhën e qarkullimit të parave ndërkombëtare në pishinën e klientelës tënde. (...) Gabimi më fatal i administratës ndërkombëtare me gjasë ishte – nga njëra anë - imponimi në mënyrë autoritare i kornizës së sundimit të ligjit, ndërsa nga ana tjetër lënia e procesit demokratik plotësisht në duart e përfituesve të luftës. (...)

Këtu shtrihen bandat e mëdha si Hypo Alpe Adria dhe Raiffeisen. 90 për qind e sektorit financiar boshnjak gjendet në duar austriake. Të mos harrojmë pastaj angazhimin heroik të Admiral Casinos & Entertainment AG dhe të Novomatic Group, të cilat kujdesen që asnjë cent të mos mbes pa rrjedhur nga kuletat e vogla në kuletat e mëdha. Edhe në Ballkan këto ndërmarrje kriminale alpine me dëshirë i hapin humnerat e tyre të lojërave pranë shkollave”.

6. Delet politike

Bendi mbase më gjenial i Bosnjës “Dubioza kolektiv” në njërën nga stuhitë e zemërimit këndon dhe bërtet se derisa të ketë dele, leshi nuk do të mungojë. Në Bosnjë qytetarët kanë filluar të emancipohen politikisht, kanë filluar të mos pajtohem me rolin e deleve politike. Mesazhi është i qartë: nuk duam fasadë demokratike, por demokraci të mirëfilltë.

Me betejën e tyre qytetarët e Bosnjës kanë siguruar simpatinë e mijëra njerëzve në Ballkan, tani edhe Bashkimi Europian duhet të heqë dorë nga mbështetja e politikanëve që “fitojnë vota”. Fitimi në këtë rast është vetëm një fjalë tjetër për vjedhje. Jo vetëm në Bosnjë.

robelli@bluewin.ch

 


© KOHA.net

 

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...