Vullneti

1 Korrik 2014 - 08:44 - Flaka Surroi      

Kosova ka nevojë për ndryshime, dhe kjo nuk vihet në dyshim. Njerëzit vijnë e shkojnë, porse është mendësia ajo që duhet të ndryshojë po qe se duam të ecim përpara. Dhe kjo nuk është vetëm punë dëshire, por edhe vendosmërie që kthim prapa më s’mund të ketë

Kush e kishte parafytyruar fillimin e kësaj vere si fillimin e sezonit të amullisë e kishte pasur krejt keq – sepse ka kohë që një verë nuk ka qenë kaq dinamike si kjo e sivjetmja. Nëse nuk na dolën boll emocione me të gjitha spekulimet që rrodhën për shkak të vonesës në numërimin e votave, që ngërthyen turli kombinime deputetësh, kalim pragjesh, formime qeverish koalicioni apo edhe teknike, shumë të tjera na i shtuan edhe lojërat, e besa edhe golat, e shqiptarëve në Mundialin e Brazilit.

Në javën kur Shqipërisë iu kumtua edhe zyrtarisht se do të mund të bëhet dikur në perspektivë pjesë e BE-së, në Mitrovicë shpërtheu një dhunë që ngjalli shumë akuza ndërshqiptare, më shumë se aso ndëretnike; u anuluan shumë teste të maturës për hajni; u arrestuan tre veta të akuzuar për terrorizëm dhe për pjesëmarrje në luftën e Sirisë, u mbajt BeerFesti, dhe përfundimisht pamë odën e burrave të koalicionit shumë të mundshëm, të ardhshëm, qeveritar.

Panagjyri ende gjallë

Nëse kurrgjë tjetër, BeerFesti, që zgjati disa ditë të gjata (bile shumë të gjata për banorët e Qendrës), dëshmoi së paku katër gjëra: se kosovarët, pavarësisht gjinisë, kanë qejf me pi birra; se “motrat dhe vëllezërit kosovarë”, sport nacional, pos farave, e kanë edhe përtypjen e çamçakëzëve; se kosovarët janë popull shurdh me traditë dhe, last but not least (që kishin thanë amerat), se Prishtina ka nevojë urgjente për WC publike.

Nuk e di cila do të ketë qenë sasia e birrave të shitura gjatë atyre ditëve sa zgjati ky manifestim. Atë që kam kuptuar ka qenë uria e njerëzve të qytetit që të mblidhen në një vend dhe, krahas birrës, të dëgjojnë muzikë. Kësaj radhe rok muzikë – dhe atë tepër të zhurmshme. Fotografitë e postuara në Fejsbuk dëshmonin për qejfin, për harenë dhe për shtendosjen (nuk pati ndonjë raportim për rrahje a helmim masiv, ta zëmë). Pra, kjo tregonte se të rinjtë kosovarë kanë nevojë për këso manifestimesh të qeta, në kuptimin e sigurisë. Me fjalë të tjera, do të duhej vazhduar me organizimin e tyre – porse kurrsesi në qendër të qytetit, sepse edhe qytetarët e Prishtinës kanë nevojë për ambient të qetë, sepse aty jetojnë.

Dhe, me gjithë shpresën se gjërat në të do të mund të përmirësoheshin, megjithatë Panagjyri u kthye në formën e vet më spektakulare me BeerFestin dhe pasojat që i la pas: një granit të zhytur me yndyrën e skarës gjithandej; gurët graniti të fëlliqur me gomat përtypëse të hedhura pa kurrfarë kontrolli nga mos, aq sa ekziston droja në mos po ngjiten këpucët për gurë; me fontanat para Shtëpisë së Vjetër të Mallrave që e kishin ndërruar ngjyrën e ujit dhe kundërmonin shurrë, ngase ishin shndërruar në guaskat më të më mëdha tualeti që kishte parë Prishtina ndonjëherë, dhe me të gjitha rrugët anësore përreth qendrës që të bënin të villje nga papastërtia dhe neveria. Piskama dhe tejkalimi i çfarëdo kufiri normal i decibelëve bëri që ndotjes fizike të hapësirës dhe mjedisit t’i shtohej edhe ajo e zhurmës, që sa nuk na i lëkundte trutë për çdo natë të lume sa zgjati festivali. Keq, se ka mundur edhe ndryshe.

Komuna ka shumë tokë publike në dispozicion – edhe jashtë qytetit. Panagjyrin duhet zhvendosur jashtë qendrës, aty ku askush askujt nuk i pengon. Aty ku ka rend. Aty ku ka frymë metropoli. Fjalët nuk mjaftojnë. Vyen vullnet.

Çka po bëhet tash?

E vullnet duket se do të ketë kësaj jave, për të parandaluar keqpërdorimet, përkatësisht kopjimin (lexo: hajninë) në testin e maturës. Herën e shkuar, në pjesën e parë, u raportua për kopjim masiv nëpërmjet Viberit dhe aplikacioneve të tjera telefonike. U anuluan me mijëra teste dhe kurrgjë kurrkujt.

E për të lënë përshtypje se megjithatë diçka dikujt, Ministria e Arsimit vendosi që maturantët t’i ruajë (në mos po vjedhin) një kompani e sigurimit fizik. Skandal! Për shkak se kemi ardhur në derexhenë ku si për fëmijët që kopjuan ashtu edhe për prindërit e tyre – fenomeni i vjedhjes është bërë normë e shoqërisë kosovare. E vjedhja është e lejuar, për shkak se atë e bëjnë edhe “të mëdhenjtë”. Është e lejuar, për shkak se ajo nuk sanksionohet. Përkundrazi. Në këtë shoqëri, sa më shumë dallavere që të bësh, aq më shumë edhe shpërblehesh. Bile me pushtet.

Mbase edhe për këtë shkak është se partia që e mbante pushtetin deri tash, duket se nuk e ka vullnetin për ta zgjidhur problemin e “vdekjes së administratës” për shkak të “krizës” institucionale të cilën po e krijon. Me deklarata të kohëpaskohshme, kryeministri në ikje e përsërit se ai do të jetë mandatar, ndërkohë që nëpërmjet ca portaleve edhe të Shqipërisë, tenton të plasojë dokumente, kinse konfidenciale dhe kinse të hartuara nga të huajt, duke shpjeguar se zgjidhja më e mirë për Kosovën është qeveria teknike – mundësisht me veten si kryeministër konsensual.

Ajo që po del në pah, është se po bëhet përherë më evidente se në PDK ka plasaritje të brendshme. Se të mos ishte ashtu, vështirë do ta shihnim ministrin e Brendshëm në ikje tek deklaronte publikisht se vetë partia e tij e kishte dëmtuar me vota, për shkak se “ky nuk ka lejuar që ata të përzihen në tenderët e MPB-së”. Kësaj i thonë mos e vet se të tregon vetë – se partia dhe partiashët e tij paskan qejf të përzihen në tenderë. Ani që kjo është në kundërshtim me ligjin. E kjo nuk flet mirë as për partinë e as për partiashët.

Aty duket se ka edhe panik. Se po të mos ishte ashtu, nuk kishin qarkulluar aq shpesh “lajmet ekskluzive” të portaleve të ndryshme për kalimin e liderit të AAK-në në krah të Qeverisë Thaçi 3; e as për koalicionin e madh PDK-LDK; e as nuk kishin qarkulluar informata se filan-filani deputeti i opozitës aktuale do të votojë për Qeverinë Thaçi 3, për shkak se partia fituese me 30% të votave i ka blerë ata; apo se edhe për shkak se vota është individuale dhe nuk i nënshtrohet disiplinës partiake...

Ndihen komente edhe të llojit se po qe se PDK-ja nuk e formon Qeverinë, do të ketë trazira vështirë të kontrollueshme – pra, për hir të stabilitetit PDK-ja duhet marrë pushtetin, për shkak se i ka fituar zgjedhjet, ani që nuk po mundet ta bëjë shumicën, madje as me minoritetet. PDK-së në këtë rast nuk po i intereson të dijë për Gjermaninë e vitit 1976: Kohli i kishte fituar zgjedhjet me madje 48.6% të votave, porse Schmidti dhe Genscheri e kishin qitur në opozitë, sepse bashkë, ani që partia e dytë, përkatësisht e treta në zgjedhje, i bënin 50.5% të votave. PDK-së i intereson pushteti, se po qe se bie do të hapet Kutia e Pandorës dhe, ndër të tjera, do të zbulohen krejt kontratat dhe prokurimet që janë mbajtur të fshehta.

Vullnet për ndryshime, pos dëshirës, e dëshmojnë të kenë edhe opozitarët, të cilët i ka bashkuar disponimi anti-Thaçi. Rregullisht mbajnë takime, këmbejnë ide, supozoj që ndërtojnë edhe strategji se si tutje. Porse e bëjnë një gabim trashanik: takimet e tyre u ngjasojnë odave të burrave. Do të më falni për epitetin, porse bash të “shëmtuar” po duken gjithë ata burra të veshur me tesha të zeza në pikë të verës, të mbledhur rreth një tavoline ku nuk ka asnjë grua. Pos që nuk dëshmojnë atraktivitet, tregohen mizogjinë të vërtetë, thuajse dëgjohen duke thënë: “Çka lypin gratë në punë të shtetit”. Me qenë pak më të kujdesshëm, do ta kuptonin se gratë kërkojnë të vendosin për veten, nëse jo për tjetërkënd, sepse e bëjnë 50% të elektoratit.

Për ndryshim nuk ka nevojë veç Qeveria, por edhe mendësia. E edhe për këtë ka nevojë për vullnet. Dhe shumë bile.

Kornerxhinjtë dhe “tradhtarët”

E vullnetin për të ikur nga kompleksi i inferioritetit dhe për të arritur sukses aty ku të shikojnë si autsajder, e dëshmuan pa kurrfarë dyshimi, shtatë futbollistët shqiptarë, të cilët u aktivizuan në përfaqësueset e shteteve të tyre adoptuese javën e shkuar.

Iu patën nënshtruar shumë kritikave, ofendimeve dhe etiketimeve. I quajtën tradhtarë, i shanë me prindër e familje, dhe në fund, nga korneri i dhomës së rehatshme ose edhe nga Fejsbuku, i lëçitën duke i quajtur turp i shqiptarisë. Ua mohuan të drejtën për të vendosur për jetën e tyre, edhe pse me këtë nuk i bënin askujt zarar. Përkundrazi.

Futbollistët shqiptarë javën e shkuar bënë atë që asnjë shqiptar, pos xhudistëve kosovarë, nuk e ka bërë një kohë shumë të gjatë: të ndihemi krenarë për ta dhe për veten. Madje as Shqipëria me fitimin e statusit të shtetit kandidat, për shkak se dy ditë më vonë e dëshmoi se sa e lirë dhe e pavlerë është jeta e njeriut, që ekzekutohet midis rrugës, si të ishte seriali “Oktopodi”. E aq më pak tre të arrestuarit në Kaçanik, të dyshuar për terrorizëm dhe për pjesëmarrje në luftën fetare në Siri – pa dyshim fenomeni më i rrezikshëm i paraqitur në Kosovë, e që është, besoj, rezultat i drejtpërdrejtë i skamjes dhe i keqpërdorimit të tij nga grupe militante që nuk ia donë të mirën këtij vendi.

Mehmedi, Xhaka, Xhemajli e Shaqiri, sikurse Behrami, Mustafi dhe Januzaj janë emrat që përfundimisht kanë hyrë në historinë e futbollit shqiptar, ani që nuk kanë luajtur as për kombëtaren e as për përfaqësuesen e Kosovës. Kanë hyrë edhe në historinë e popullit shqiptar, si njerëz të cilët janë nderuar, duartrokitur dhe ovacionuar për lojën dhe golat – si njerëz që përfaqësojnë vlera sportive, sepse po të ishte ndryshe, të huajt nuk i kishin marrë nëpër ekipet e tyre. Përfundimisht jo në futbollin ndërkombëtar, ku gara është aq e madhe dhe ku duhet dëshmuar talentin.

Këta e dëshmuan se kanë pasur vullnet që nga azilkërkues apo emigrantë të dhunshëm të bëhen njerëz të hairit. T’i hapin vetes rrugë dhe të krenohen me popullin e tyre, edhe kur ka të tillë që i nënçmojnë për “punë patriotizmi”.

Këta janë mbase shembulli më i mirë se pse ndryshimi është i mundur. Vyen vullnet për të thyer mendësinë primitive dhe shumë dëshirë të shkrirë në vendosmëri që kthim prapa më nuk mund të ketë.

flaka@koha.net

©KOHA.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...