Kodi i fshehur: “Parku i paqes”

28 Qershor 2014 - 10:35 - Adriatik Kelmendi      

Udhëheqësit serbë kanë ambicie që nëpërmjet kornizës ligjore të Kosovës të krijojnë një minishtet serb. Gjithnjë duke shfrytëzuar deri në maksimum hapësirën e veprimit, e cila u shkon për shtati interesave të tyre në ligjet e Kosovës dhe duke i thyer të njëjtat ligje sa herë që diçka nuk është në funksion të qëllimit. Kështu, llogarisin ata, para Brukselit do të dalin si bashkëpunues, meqë po veprojnë sipas legjislacionit kosovar, kurse duke rënë ndesh me këtë legjislacion, do të jenë më se të gatshëm që të përballen me pasojat procedurale, të ngjashme me reagimet joserioze që po i shohim këto ditë për barrikadën me lule mbi urën e Mitrovicës

NUK DO T’I ZBATOJMË më ligjet e Serbisë, por tash do t’i thyejmë ligjet e Kosovës!
Duket se kjo është formula e re origjinale e kryetarëve të komunave me shumicë serbe, të cilët përfundimisht nga të gjithë trajtohen si legalë dhe legjitimë, meqë u zgjodhën – siç thuhet në këso raste – në zgjedhje demokratike dhe të drejta sipas ligjeve të Republikës së Kosovës.
A nuk na e bëri këtë kristalisht të qartë Milan Rakiq, kryetar i komunës veriore të Mitrovicës?

Ai ka zgjedhur ta luajë lojën. Loja e tij, gjithsesi e mbrapshtë, është që t’i japë emër tjetër barrikadës që pamundëson qarkullimin e lirë të qytetarëve me automjete dhe që këtë barrikadë ta quaj – park.
Rakiq, i pakënaqur me heqjen e barrikadës së betontë nga qytetarët serbë, ka nxituar që atë ta rikthejë aty, në formë bari e lulesh në saksi.

Pra, ai është thirrur në përgjegjësinë dhe kompetencat e tij ligjore (ndonëse ka shpërfillur procedurat), pra sipas ligjeve të Kosovës, dhe ka vendosur që vetëm pjesën e urës që bie në ingjerencat territoriale të komunës me të cilën udhëheq ta bllokojë dhe ta bëjë park, duke ia lënë homologut të tij jugor, Agim Bahtirit, që ta vazhdojë parkun në pjesën e tij (sic!), sado idiotik e skandaloz që është ky veprim.
Rakiq ka dalë të jetë shumë perfid.
Asnjëherë nuk e ka përmendur se po bllokon diçka, por vetëm se po ndërton diçka. Ai mund të thotë se edhe kryetarë komunash me shumicë shqiptare kanë vendosur p.sh. të mbyllin rrugë për qarkullim veturash dhe të ndërtojnë sheshe të gjelbëruara për këmbësorët.

I ka vënë emrin “Parku i paqes” në tri gjuhë, siç e kërkon ligji.
Tha: “Pas diskutimeve të gjata dhe në konsultim me Qeverinë e Serbisë, kam marrë vendim që të ndërtojmë parkun e paqes mbi urën e lumit Ibër” (Neni 30, pika 2 e Ligjit për vetëqeverisje lokale të Republikës së Kosovës thuhet katërçipërisht se “komunat kanë të drejtë të bashkëpunojnë, brenda kompetencave të tyre, me komunat dhe institucionet, përfshirë agjencitë qeveritare të Republikës së Serbisë.”)

Nesër mund ta vazhdojë talljen me të gjithë dhe të ndërtojë brenda tij edhe një statujë të Nënë Terezës, të propagojë se me këtë mbi të gjitha po i respekton shqiptarët e edhe po simbolizon humanizmin që nuk njeh kufij.
Cilat janë pasojat për të?

E PAMË TASHMË. Reagim i ashpër nëpërmjet deklaratës për media i presidentes Jahjaga dhe i kryeministrit Thaçi. Reagime të mefshta të ndërkombëtarëve, të cilët thonë se parku me lule është një përparim, krahasuar me vrazhdësinë e barrikadës së betonuar.
Po, ai mund të ketë kritika edhe në raportin e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovë në vitin 2015, për shkak të shkeljeve të procedurave.

Sigurisht për të ndërtuar çfarëdo, qoftë edhe një lulishte, një kryetar komune duhet proceduralisht të ndajë një linjë buxhetore për financimin e projektit në kohën e miratimit të projektbuxhetit komunal dhe për të njëjtin të kërkojë votim në asamblenë komunale, duhet shpallur tenderin për hartimin e projektit, pastaj duhet të përzgjidhet projekti më i mirë nga drejtoria përkatëse në komunë, më vonë të shpallet tenderi për ekzekutim të punimeve, të përzgjidhet kompania fituese e tevona edhe komisioni mbikëqyrës për realizim të kontratës, teksa krejt në fund mund të fillojë ekzekutimi i projektit. Me “Parkun e paqes” Rakiq gjithsesi se i ka shkelur krejtësisht të gjitha këto procedura dhe është i gatshëm t’i vuajë “pasojat”.

Pra, Rakiq më së shumti do të mund të pësojë qortim nga liderët institucionalë në Prishtinë, ndonjë mesazh të kujdesshëm e konfuz nga ndërkombëtarët dhe vërejtje për mosrespektim procedurash dhe rekomandime se si të përmirësohet në të ardhmen nga Auditori i Përgjithshëm. Po, dhe të mos harrojmë, do të mund të sodisë me komoditetin e mbrojtjes së shumëfishtë nga organet e rendit e sigurisë ndonjë protestë të dhunshme të shqiptarëve në pjesën jugore të Mitrovicës.

Kjo i bie të të luftojë me shpatën tënde.

JO RASTËSISHT QË në ditën kur bashkë me Rakiqin po e vëzhgonte rivendosjen e barrikadës në formë tjetër, Marko Gjuriq, shefi i ri i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, tha se tash është momenti i themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe.

Udhëheqësit serbë, siç po e dëshmojnë, tash me ndërrimin e skenarit të lojës, kanë ambicie që nëpërmjet të kornizës ligjore të Kosovës të krijojnë një minishtet serb. Gjithnjë duke shfrytëzuar deri në maksimum hapësirën e veprimit e cila u shkon për shtati interesave të tyre në ligjet e Kosovës dhe duke i thyer të njëjtat ligje sa herë që diçka nuk është në funksion të qëllimit.

Kështu, llogarisin ata, para Brukselit do të dalin si bashkëpunues, meqë po veprojnë sipas legjislacionit kosovar, kurse duke rënë ndesh me këtë legjislacion, do të jenë më se të gatshëm që të përballen me pasojat procedurale, të ngjashme me reagimet që po i shohim këto ditë për barrikadën me lule të Radiqit.

Tash, çka në qoftë se nesër, kryetarët e tjerë legalë e legjitimë të komunave me shumicë serbe, në kuadër të kompetencave të subvencionuara të Asociacionit të Komunave Serbe, do të vendosin që në mes të rrugëve që lidhin ato komuna me komunat me shumicë shqiptare të ndërtojnë bllokada në formë parqesh, ose edhe pishinash, fontanash, statujash romantike?...

E pamë se po na ndodh në Mitrovicë, në pikë të ditës dhe nën mbrojtjen e Policisë së Kosovës.

Politika e re serbe e ka emrin e koduar “Parku i paqes”.
Prishtina do të duhej ta kuptonte “Parkun e paqes” si episodin e parë të një serie bukur të gjatë me skenarin e Beogradit të titulluar “Si të ndahet Kosova me rregulla kosovare?” shfaqur në televizionin “Rrugës drejt BE-së”.

Do të duhet shumë urtësi në muajt në vazhdim që situata të mos rrëshqasë në një drejtim të keq, shumë të keq!

Adriatik@kohavision.net
Twitter: @adriatikk

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...