Nuk ishin ata nga ISIS-i

27 Qershor 2014 - 08:52 - Halil Matoshi      

Pse parulla “Ose ju, ose na”, që u shfaq tek ura e Ibrit, është në thelbin e vet fashiste

Duhet të theksohet që në nismë të këtij shkrimi se liria e protestimit paqësor është e garantuar me Ku­shtetutë, neni 43 (Liria e Tubimit.) Porse aty thuhet decidivisht: “Liria e tubimit paqësor është e garantuar.”

Në media u tha se grupi i dhunshëm i protestuesve në Mitrovicë nuk ishte pjesë e atyre që organizuan protestën, të menduar fillimisht paqësore, por ishte një grup “misterioz”!? Kjo logjikë shpie atje ku dhemb më së shumti: Kur shteti i kapur nga struktura parashtetërore, deziformon dhe shkakton pasiguri të përgjithshme. Nëse dikujt i kujtohen trazirat e marsit 2004 natyrisht se do të gjejë shumë analogji me zjarrvënien e 22 qershorit 2014 në Mitrovicë.

Është i njëjti skenar, fatmirësisht me intensitet më të ulët. Politikëbërës të avanskenës (leva të shërbimeve inteligjente) të lidhura me pushtetin aktual duan që t’i arrijnë disa mësymje përmes përdorimit të adoleshentëve (të rinjve kryesisht të pashpresë) për qëllime politike. Së pari përmes dhunës së shfrenuar (kinse jashtë kontrollit të shtetit) ata duan ta shantazhojnë bashkësinë ndërkombëtare që ta ndihmojnë Prishtinën zyrtare për të dalë nga kolapsi ku është katandisur, në aspektin e ngërçit politik, kolapsit social dhe ta zhvendosin vëmendjen nga keqqeverisja; për të marrë liberalizimin e vizave, për t’i hequr qafe barrikadat dhe bllokun opozitar që po u kanoset me shpushtetizim, si dhe ta sigurojnë integritetin territorial, pa prodhuar vetë politika të qarta e të urta, pa prodhuar vetë më shumë siguri për të gjithë, porse vetëm duke konsumuar siguri.

Politikat majtiste të kombinuara me akte dhune të rrëmbyeshme, shpesh kanë vlejtur si katalizatorë për përshpejtimin e proceseve shoqë­rore, sikur në ato kimike. Ky është synimi i kësaj strukture parashtetërore. Porse gjithnjë ai që mbjell frikë, korr furtunë. Kjo është vërtetuar gjatë historisë së trazirave të dhunshme kurdoherë dhe gjithandej ku janë shfaqur. Levat parashtetërore krijojnë ku­shte të volitshme për krijimin dhe strukturimin e grupeve anarkiste, të cilat gjithnjë e kanë një sfond, një mentor në prapavijë, ndërsa në të parë duken spontane e të çorientuara. Fatmirësisht, duke qenë se Kosova është vend i vogël, gjasat për maskim dhe infiltrim në një trazirë janë tepër minimale dhe po ashtu gjasat për ta hedhur përgjegjësinë tek ndonjë organizatë fantome janë tepër të vogla.

Dihet saktë se djemtë me fytyra të mbuluara nuk ishin të infiltruar të shërbimeve serbe të inteligjencës (UDB-së siç mbahet në mend në Kosovë), por afërmendsh që s’ishin as nga organizata famëkeqe ISIS, që po bën kërdi nëpër Irak. Këta janë fëmijët e politikës, të shkollës, mendësisë dhe medias së papërgjegjshme kosovare. Së pari në skenë dolën politikanët e shpifur e të papërgjegjshëm.

Kryetari aktual i Komunës jugore të Mitrovicës, Agim Bahtiri ndonëse nuk ka kurrfarë kompetencash ekzekutive në komunën veri i Mitrovicës, tek ia qiti goja një fjali abuzive “ose hiqeni sonte, ose do të shihni nesër” nuk kishte menduar fare se çfarë mund t’i ndodhte të nesërmen në oborrin e zyrës së tij dhe ky njeri vlen si ekzemplar unikat i politikanit të papërgj­egjshëm, sepse kjo sipas një “përkthimi” semantik i binte se ai po u shpallte luftë bashkëqytetarëve të tij në veri të qytetit. Mirëpo ai nuk ishte organizatori dhe as fajtori kryesor, ndonëse një natë më parë i rrëshqiti gjuha e foli përçartë. Në anën tjetër, të nesërmen u zgjua me ferk ministri i Brendshëm në largim, Bajram Rexhepi, fërkoi sytë e lëbyrur e të zënë me perde lakmie për pushtet dhe iu vërsul Bahtirit me një potpuri sharjesh.

Ministri krekosej si këndesi për­mbi pleh, se ai dhe Qeveria e tij do ta heqin barrikadën me politikë!?. Ndonëse i papërgjegjshëm, as Rexhepi në këtë rast nuk është kryefajtori. Në anën tjetër, një turbonacionalist cinik dhe i çartur (sherifi i komunës së veriut të Mitrovicës Rakiq) mesazhin “ose ju, ose na” e përktheu ashtu siç atij i konvenonte për t’i akuzuar shqiptarët se nuk janë të gatshëm për paqe!? Dhe vërtet shqiptarët nuk janë të gatshëm për performanca të tilla cinike në emër të paqes. Paqja krijohet me debat demokratik, me gjuhë të përgjegjshme dhe tolerancë, por jo sidomos me cinizëm dhe beton. Por as ai nuk është djalli vetë, më parë mund të cilësohet si palaço që dëfren djallin.

Fajtori i parë dhe i fundit për këtë gjendje mjeruese vetëm dy orë larg fluturim nga Brukseli megjithatë është Qeveria e Serbisë dhe mbë­shtetësit e saj në Bruksel. Bahtiri e Rexhepi thyejnë shtizat mes vete dhe s’ia kanë idenë se kush janë grupet që “kallnin” Mitrovicën!? Ose shtiren budallenj me zarar. Këtë fakt, se kush ishin “misteriozët”, ndonëse e dinte Policia e Kosovës (sepse tashmë kishte kapur disa nga ata të rinj, që kryesisht s’ishin mitrovicas, disa nga ta me prejardhje nga Drenica), nuk e thoshte hapur: Këta janë njerëzit tanë të revoltuar! Porse, shteti të cilin mund ta cenojë një grup prej qindra të rinjsh me gurë dhe shkrepësa, ai shtet ka probleme me veten – me mekanizmat që e mbajnë në këmbë - e jo me shkallën e lartë të agresivitetit të ndonjë grupi, sado i madh që të jetë, ose cila është prejardhja e tij.

Duke qenë se gjithnjë e më shumë po braktiset gjuha racionale dhe po stigmatizohet angazhimi shoqërisht i orientuar, për t’i lënë hapësirë të bollshme gjuhës së urrejtjes dhe përjashtimit të tjetrit – kushdo qoftë ai – duke e rikthyer në skenë angazhimin kombëtarisht të orientuar - si derivat i turbonacionalizmit – ka gjithnjë e më pak zëra të arsyeshëm dhe po rritet masa kritike për një luftë të re. Porse ende nuk është definuar dhe piketuar mirë armiku ndaj të cilit do të hidhemi me zjarr e hekur. Sepse në Mitrovicë u sulmua një armik fiktiv, i fabrikuar, u sulmua gjithçka dhe askush në veçanti.

Nuk pati një armik të personalizuar. Atje ku nuk ndërtohet një shoqëri politike shfaqen grupe kundërgoditëse fillimisht ndaj “tjetrit” dhe në fund ndaj çdo gjëje madje edhe ndaj shtetit. Funksionimi i dembeltë i institucioneve të shtetit po i rikthen në skenë turmat e pakontrolluara. Pra aty ku mungon veprimi i institucioneve legale e të përgjegjshme të shtetit, aty shfaqet një lloj i tretë njerëzish, agresivë dhe përjashtues, që ikonografinë dhe fjalët ikonike (turmat rëndom kanë pak fjalë dhe edhe më pak arsye) i orientojnë kundër një armiku të jashtëm (të shtresuar në mbamendje) dhe kur ai nuk kundërpërgjigjet, atëherë dhuna shpërthen përbrenda. Protestat tek ura e Mitrovicës ia nisën të qeta e paqësore.

Ato shumë shpejt u orientuan kundër barrikaduesve – pra kundër serbëve. E përplasja në veri do t’ua zgjaste jetën strukturave parashtetërore serbe atje, madje do t’ua legjitimonte “parkun e paqes” mbi urë. Kur Policia e Kosovës dhe KFOR-i zunë pritë, protestat eskaluan në dhunë të zhveshur e të papërmbajtur kundër vetvetes – pra kundër shqiptarëve - (Policisë së Kosovës, institucioneve, ndonjë gazetari dhe pronës publike). Kjo dëshmon se në Kosovë po rritet një brez rebelësh i ushqyer nga etnonacionalizmi dhe historicizmi folklorik dhe ky akumulator pasionesh e budallallëqesh të paçrrënjosura, i orientuar gjatë përjashtë, rëndom në fund shpërthen përbrenda.

Askush nga bartësit e pushteteve në Kosovë nuk është kujdesur që 15 vjet që shoqërinë kosovare ta orientojë kah çrrënjosja e budallallëkut! Askush s’e ka diagnostifikuar frymën e kohës. Për këtë, shkrimtari Bertolt Brecht tek “ Tregimet e zotit Keuner”, shqipëruar nga E. Robelli, thotë: „Zoti K. nuk e shihte të nevojshme të jetonte në një vend të caktuar. Ai thoshte: ‘Nga uria mund të vuaj ku të dua’. Por, një ditë ai kaloi nëpër një qytet, i cili ishte i pushtuar nga armiku i vendit, në të cilin jetonte. Këtu hasi në një oficer të këtij armiku, i cili e detyroi atë të zbresë nga trotuari. Zoti K. zbriti poshtë dhe ndjeu zemërim jo vetëm kundër këtij njeriu, por sidomos kundër vendit prej nga vinte ky njeri, të cilin kishte qejf ta lëshonte toka. Zoti K. pyeti: ‘Athua çfarë më bëri nacionalist në këtë minutë?

Më bëri fakti se takova një nacionalist. Pikërisht për këtë arsye duhet çrrënjosur budallallëkun, sepse ata që e takojnë i bën budalla”. Të rinj turbonacionalistë kosovarë ka kush t’i bëjë të tillë. Të tillë i bëjnë nacionalistët e anës tjetër, të vendit tjetër sapo janë takuar e ndeshur nëpër histori. Në këso situatash, parulla “Ose ju, ose na”, që i adresohet një pale tjetër (d.m.th. tjetri në këtë rast, siç e kam kuptuar unë, është Qeveria e Kosovës) është betim për luftë deri në zhdukjen e njërës palë ndërluftuese. Në aspektin semantik kjo parullë i drejtohej si apelativ Qeverisë me mesazhin” “Ose hiqeni ju barrikadën, ose do ta heqim ne” e jo serbëve, mirëpo qysh do qoftë është përjashtuese e tjetrit.

Së këndejmi parulla “Ose ju, ose na”, në të gjitha këndvështrimet, është fashiste, sepse sugjestioni i saj është apeli i fundit, është një be, një thirrje hyjnore që predestinon fatin: ose do të na vrasin, ose do t’i vrasim! Këso parullash janë vërejtur kryesisht në kohëra të turbullta të depresioneve të mëdha, veçanërisht gjatë Natës së Kristaltë në Gjermaninë naziste. Këta të rinj janë fëmijët e këtij vendi, pjesëtarët e kësaj shoqërie, pra ata nuk duhet stigmatizuar, por me ta duhet debatuar. Uluni kudo e kurdo e bisedoni me ta, sepse ata janë kryesisht adoleshentë, por edhe njerëz me shpresa të venitura, të frustruar me gjendjen politike, ata janë kryesisht të papunë dhe të paperspektivë. Sepse politikanët që ata i kanë votuar nuk u kanë dhënë as shpresë dhe as një punë, por vetëm retorika nacionaliste dhe trumbeta lufte!?

Prandaj të shtrohet pyetja në Kosovën e vogël: Kush ishin protestuesit “misteriozë” që e kallën Mitrovicën?! – së pari është papërgjegjësi, e pastaj edhe injorancë. Aman mos thoni se ishin të infiltruar nga ISIS-i (bandat që po luftojnë për shtetin islam të Shamit dhe Levantit.) Këta ishin të rinj kosovarë! Fatkeqësisht!

©KOHA Ditore

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...