Duaj atdhetë, si shqipja foletë!

26 Qershor 2014 - 10:00 - Enver Robelli      

Pse nuk duhet të ekzistojnë dilema në mesin e futbollistëve shqiptarë, që kanë vendosur të luajnë për Zvicrën, Gjermaninë apo Belgjikën? Të rritur në shoqëri të tjera, por prapë të lidhur shumë me trevat e prejardhjes, ata janë shembuj se një njeri mund të ndihet rehat në dy atdhe. Së paku.

Në vitin 1974 shkrimtari zviceran Max Frisch ishte nderuar në Zürich me Çmimin e Madh të Schillerit. Kjo ishte njëra prej mirënjohjeve më prestigjioze që Frisch merrte nga vendi i tij. Pra, mirënjohja ishte zvicerane, por mbante emrin e një shkrimtari gjerman, Friedrich Schiller. Frisch ka pasur një raport të ndërlikuar me atdheun e tij, Zvicrën. Ishte ndër të parët intelektualë që kritikoi politikat e ashpra të shtetit ndaj të huajve, trajtimin e keq të punëtorëve italianë, pas të cilëve filluan të vijnë - nga fundi i viteve ’60 - ata që në Zvicër njiheshin si “jugosllavë”, e në fakt kryesisht ishin shqiptarë nga Kosova, Maqedonia shqiptare dhe tri komunat e mbetura në kuadër të Serbisë (Presheva, Bujanoci dhe Medvegja).

Për këtë kategori argatësh Zvicra aplikoi një politikë të segregacionit subtil: punëtorët e huaj mbaheshin larg banorëve vendës. Të huajt ishin të strehuar në baraka dhe godina të veçanta. Të ngujuar në kazerma banimi punëtorët gjatë ditës kryenin me zell punët e mëdha dhe më të rënda në infrastrukturën e Zvicrës dhe në mbrëmje ktheheshin në banesa apo baraka, zienin ushqimin së bashku (për të kursyer para), dëgjonin ndonjë këngë patriotike dhe me lajmet e Radio-Prishtinës ose të Radio-Zagrebit ata i zinte gjumi.

Për këtë gjeneratë nuk kishte asnjë dilemë: atdheu është një dhe i vetëm, është ai atdhe prej të cilit si burra të moshës së re qenë të shtyrë ta braktisnin për shkak të mungesës së perspektivës ekonomike, për shkak të varfërisë, për shkak të rrethanave të rrezikshme politike e policore.

Kute të ndryshme


Pasi mori Çmimin e Madh të Schillerit, autori Max Frisch mbajti një fjalim mbi raportin e shkrimtarit, intelektualit, njeriut të jetës publike me atdheun. Sipas fjalorit të gjuhës gjermane, të cilin e citoi atëbotë Frisch, atdheu është “aty ku je në shtëpi; vend, pjesë e vendit, lokalitet, ku (ke lindur dhe) je rritur, ose ku e ke pasur vendbanimin e përhershëm dhe ku ndihesh apo je ndier rehat”. Frisch e vuri theksin te fjala “ku je ndier rehat” dhe me këtë ua sinjalizoi publikut në sallë dhe opinionit të gjerë se për një intelektual kritik është më se normale të mos ndihet përherë rehat me dhe në atdheun e tij.

Por Frisch menjëherë saktësoi se, sipas fjalorit të gjuhës gjermane, përdorimi i shumësit për fjalën atdhe është i pazakonshëm, andaj njeriut i duhet një atdhe. Në përgjithësi Frisch mendonte se fjala “atdhe” nënkupton diçka kërkuese për dallim nga fjala “mëmëdhe”, që ka një jehonë butësie.
Si është puna me atdhedashurinë? Këtë pyetje të rëndë ua kanë shtruar simpatizantët shqiptarë të futbollit shumë lojtarëve shqiptarë nëpër botë. Mëkati i këtyre djemve, nëse mund të flitet për mëkat në kontekst të lojës, është se luajnë për ekipe kombëtare të vendeve ku janë rritur dhe ku janë bërë futbollistë. “A ke atdhe vetëm nëse e do atë? Po pyes. E nëse ai nuk na do neve, atëherë a nuk ke atdhe? Çfarë duhet të bëj për të pasur atdhe dhe, para së gjithash, çka nuk duhet të bëj?” Për çudi këto pyetje që Max Frisch ia shtronte vetes në vitin 1974 janë aktuale edhe sot.

Fansat shqiptarë në Kosovë kanë arsye të jenë të pakënaqur me refuzimin e FIFA-s për t’i lejuar Kosovës pjesëmarrje të barabartë në garat ndërkombëtare. Funksionarët e FIFA-s në Zürich kanë gjetur një arsyetim: thonë se derisa Kosova nuk është anëtare e OKB-së, nuk mund të pranohet në FIFA. Por si ka qenë e mundshme, për shembull, që Zvicra të marrë pjesë në të gjitha garat ndërkombëtare të futbollit dhe të të gjitha sporteve të tjera deri në vitin 2002, kur votuesit zviceranë në referendum i thanë “po” hyrjes së vendit të tyre në OKB? Përse në rastin e Kosovës po matet me kute të ndryshme?

Identitete plurale

Këto janë pyetje politike dhe me to duhet të merret politika. Shumica e futbollistëve shqiptarë në Evropë nuk mund t’i zgjidhin këto probleme. Ata janë të rinj dhe me plot perspektivë, disa madje në kulmin e karrierës, andaj do të humbnin edhe kohë, edhe prestigj sikur ta braktisnin fushën e gjelbër dhe të notonin në ujërat politike, ku nuk kanë gjasa të fitojnë ndonjë kupë. Këta futbollistë nuk duhet të kenë as dilemë sa i përket vendimit të tyre për të luajtur për Zvicrën, Belgjikën, Gjermaninë? Të rritur në shoqëri të tjera, por prapë të lidhur shumë me trevat e prejardhjes, ata janë shembuj se një njeri mund të ndihet rehat në dy atdhe. Së paku.

Nacionalistët zviceranë – një pakicë e papërfillshme - u nervozuan kur mediet pas ndeshjes së Zvicrës kundër Ekuadorit filluan ta krahasojnë Valon Behramin me Arnold Winkelriedin, heroin mitik zviceran. Ky krahasim atyre u duket i pamundshëm po aq sa edhe nacionalistëve shqiptarë fakti se një shqiptar luan për Zvicrën apo një tjetër për Belgjikën. Këtyre nacionalistëve që shesin tullumba patriotikë, me sa duket, u kanë ikur 20-30 vjetët e fundit pa i parë fare. Identitetet në dukje të palëkundshme janë zëvendësuar me identitete plurale dhe kjo më së shumti shihet në ekipet e futbollit të Francës, Britanisë së Madhe, Zvicrës, Belgjikës etj.

Fjala atdhe e ka braktisur njëjësin dhe tani, më në fund, përdoret edhe në shumës – natyrisht falë edhe integrimeve të jashtëzakonshme evropiane. Para 25 vjetësh një shofer që merrte rrugën me veturë nga Prishtina për në Paris kafenë e paguante me shilingë austriakë, benzinën me lira italiane dhe taksën e autostradës me franga franceze. Sot në 17 vende të BE-së dhe në dy jashtë BE-së (Kosovë dhe Mali i Zi) vlen një valutë: euro. Madhështinë e integrimeve evropiane shumë kosovarë do ta shohin kur Bashkimi Evropian të heqë vizat. Liria e pakufishme do t’u ndihmojë shumë njerëzve të kuptojnë edhe vendimet e futbollistëve shqiptarë. “Prapëseprapë: Zvicra si atdhe?

Nuk ka dyshim se ekziston domosdoshmëria për të pasur atdhe dhe ndonëse nuk mund ta definoj lehtë se çka ndiej si atdhe, megjithatë pa ngurrim mund të them: kam atdhe, nuk jam pa atdhe, jam i lumtur që kam atdhe – por, a mund të them që është Zvicra?”, shkruante Max Frisch. Prapëseprapë: Kosova si atdhe! Duaj atdhetë, si shqipja foletë! Kjo nuk është më kundërthënie.

robelli@bluewin.ch

©KOHA.net

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...