Zbukurimi i ndarjes së Mitrovicës

25 Qershor 2014 - 09:23 - Augustin Palokaj      

Këto ditë kam vërejtur se në Kosovë njerëzit kanë filluar të bëhen shumë nervozë kur dëgjojnë nga udhëheqësit e tyre premtime se diçka do të ndodhë “shumë shpejt”. Kështu me vite dëgjojnë se “shumë shpejt” do të hiqen vizat për të udhëtuar në shtetet e Bashkimit Evropian, se “shumë shpejt” apo “në afat rekord” Kosova do të korrë suksese në proceset e integrimeve evropiane.

Tash dëgjon se “shumë shpejt” Kosova do të zbatojë ligjin dhe Kushtetutën në tërë territorin dhe do të sigurojë heqjen e një barrikade të re, të cilën e ka ndërtuar Serbia në urën mbi lumin Ibër në qytetin e ndarë të Mitrovicës.

Një premtim të tillë e ka dhënë Edita Tahiri, ende zëvendëskryeministre në Qeverinë e Kosovës, e cila angazhohet në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli që ka për qëllim normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit. Zonja Tahiri, e njohur edhe për premtimet se “shumë shpejt”, madje sapo të vijë vera e radhës, do të shkrihet fusnota e famshme që rri si “fjollë bore’ mbi emrin e Kosovës. Kanë kaluar tashmë disa vera dhe ajo fusnotë është bërë pjesë përbërëse e emrit të Kosovës për të pamundësuar që Kosova të trajtohet si shtet normal.

Disi duket pak e besueshme se zonja Tahiri dhe “kontaktet direkte” të saj në Bruksel do të mund dhe do të heqin „shumë shpejt“ barrikadën e re mbi lumin Ibër. Kur morëm vësh se kush ishin kontaktet e zonjës Tahiri në Bruksel, të cilët do të sigurojnë që të hiqet barrikada, optimizmi i zbeh edhe më shumë. Për disa muaj shumë prej atyre “kontakteve direkte në Bruksel” të kryeministrit Thaçi dhe njërës prej shumë zëvendësve të tij, Edita Tahiri, nuk do të jenë më aty.

Ata do të vazhdojnë karrierat e tyre diku tjetër, ndoshta edhe do të shkruajnë ndonjë libër apo fejton për përvojën që kanë fituar duke ndërmjetësuar në takimet e Brukselit. Ndoshta këtë përvojë do ta shfrytëzojnë edhe për të dhënë këshilla. E ndërkohë ndarja e Mitrovicës do të vazhdojë, e ajo do të legjitimohet dhe do të marrë një formë më të bukur, me më pak tela gjemborë, më pak gurë e zhavorr e më shumë lule, pemë e beton. Mund të bëhemi edhe ironikë dhe të pyesim zonjën Tahiri pse ka biseduar ajo fare me Brukselin për Mitrovicën, sepse për këtë ishte zotuar se “kurrë nuk do të pranojë Kosova të bisedohet pasi që është çështje e brendshme e Kosovës“ apo, siç na pati thënë edhe presidentja Jahjaga “çështja e veriut nuk ekziston”. Por më mirë është të mos merremi më shumë me deklaratat dhe “garancitë” e politikanëve të Kosovës kësaj radhe.

Kjo barrikadë është vetëm zbukurim i ndarjes së Mitrovicës dhe një dëshmi se dialogu i Brukselit nuk ka qenë dhe aq i suksesshëm në normalizimin e situatës. Apo ndoshta ne, të cilët mendojmë se nuk është normale kjo që ndodh në Mitrovicë, nuk jemi normalë.

Kjo barrikadë nuk është e rastësishme. Ajo nuk është vënë aty spontanisht nga „qytetarë të thjeshtë", siç dihet se as rojat e Urës, për të cilët mendohej se janë “qytetarë të thjeshtë”, nuk kanë qenë të tillë, por kanë qenë njësi formale të shtetit të Serbisë që i ka kontrolluar, vazhdon ta kontrollojë dhe, sipas të gjitha gjasave, edhe do të vazhdojë ta kontrollojë atë pjesë të Kosovës.

Çfarë emërtimi mbajnë policët në anën veriore të Kosovës dhe nën strukturat e kujt janë ato formalisht, sigurimi i “ndërtimtarëve”, kur ata vendosnin barrikadën mbi lumin Ibër dëshmon se ata janë në shërbim të Qeverisë së Beogradit. Prania e njeriut kryesor, kryeministrit Vuçiq atë ditë në Mitrovicë, e dëshmon këtë.

Nuk është koha të analizojmë se çfarë ka fituar Beogradi nga dialogu e çfarë Kosova. Mjafton të rikujtojmë se qytetarët e Serbisë qëmoti udhëtojnë pa viza në BE, Serbia ka fituar statusin e kandidatit dhe ka hapur edhe negociatat. E Kosovës i ka mbetur “Parku i paqes” i ndërtuar mbi urën e cila, edhe pse e zbukuruar, nuk shërben për të lidhur, por për të ndarë qytetin.

Përmes dialogut është relaksuar pak situata dhe kosovarët kanë fituar një mundësi për të udhëtuar nëpër territorin e Serbisë. Edhe zgjedhjet janë zhvilluar në tërë territorin e Kosovës. Por strukturat paralele të Serbisë nuk janë shuar, ato vetëm janë legalizuar dhe janë lidhur edhe me strukturat e Kosovës, edhe pse do t’i mbeten besnike Qeverisë së Serbisë.

Në anën tjetër, Beogradit i është dhënë rol i rëndësishëm në politikën e brendshme të Kosovës dhe, pa pëlqimin e Beogradit vështirë se do të mund të zgjidhet ndonjë problem në territorin e Kosovës. Madje edhe në zgjidhjen e dilemës se kush dhe si do ta krijojë Qeverinë e ardhshme të Kosovës, mendimi i Beogradit do të jetë po aq i rëndësishëm sa edhe i Brukselit, nëse jo edhe më i rëndësishëm duke pasur parasysh mosinteresimin e BE-së apo qëndrimin se “kësaj radhe këtë nyjë duhet ta zgjidhin vetë kosovarët“.

Beogradi me një shpejtësi të madhe e ka bërë situatën të atillë që tash heqja e barrikadës do të konsiderohej si “përdorim dhune” dhe si “tensionim i situatës”, ndërsa vetë vendosja e atyre barrikadave është bërë “në mënyrë të qetë, nën kontroll të policisë”.

Dialogu i Brukselit e ka sjellë Kosovën në një situatë nga e cila nuk ka dalje më. Kushdo që të krijojë Qeverinë do të duhej të zbatojë të gjitha marrëveshjet dhe kompromiset të cilat me Beogradin i ka bërë Qeveria e Thaçit. Nuk do të ketë mundësi për të evituar zbatimin e tyre, sado që të dëmshme t’i duken ato dikujt. E tash, kur analizohen rezultatet e vërteta të këtij dialogu, shihet se ai është duke shkuar drejt një legalizimi të ndarjes së Kosovës edhe pse formalisht kjo nuk do të quhet ndarje, siç nuk quhet as situata e sotme në Bosnjë-Hercegovinë si ndarje. Madje roli i Beogradit në veri të Kosovës është edhe më i madh se në entitetin serb të Bosnjë-Hercegovinës. Dhe në fund, nga bashkësia ndërkombëtare do të dëgjojmë atë që tash vetëm privatisht pëshpëritin disa diplomatë se “për hir të paqes dhe stabilitetit ndoshta është më mirë të ketë njëlloj ndarjeje joformale“. Dhe serbët jo rastësisht kanë vendosur që barrikadës së re mbi lumin e Ibrit t’ia japin emrin “Parku i paqes”. 

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...