Korrupsion ka edhe në BE

27 Shkurt 2014 - 09:48 - Augustin Palokaj      

Bashkimi Evropian është edhe vetëkritik. Për herë të parë ka nxjerrë edhe raportin për korrupsion në vendet e BE-së, duke konstatuar se mbi 120 miliardë euro në vit humben në BE para të taksapaguesve për shkak të korrupsionit. Por brenda vetë BE-së ka dallime të mëdha mes vendeve anëtare. Por faktin se ka korrupsion dhe në BE, vendet e Ballkanit nuk bën kurrsesi ta keqpërdorin si arsyetim për korrupsionin e tyre

Nuk ka ndonjë dukuri negative në Ballkan, sidomos në Kosovë dhe Shqipëri, e cila ka tërhequr aq shumë vëmendjen e Bashkimit Evropian në vitet e fundit, por edhe të vetë qytetarëve sesa korrupsioni. Kjo dukuri dhe përfshirja e saj e madhe i kanë lënë këto dy shtete aq larg në procesin e zgjerimit të BE-së.

Shqipëria nuk e ka as statusin e kandidatit, sepse BE-ja pret më shumë dëshmi për seriozitetin e shtetit (nuk mendohet këtu vetëm në Qeverinë, por më shumë në prokurorinë) në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Krahas disa arsyeve të tjera, korrupsioni po ashtu po e vështirëson edhe suksesin e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave.

Por politikanët gjithmonë gjejnë arsyetime. Nganjëherë thonë se akuzat për korrupsion vijnë nga „politikanët e dështuar” apo nga „ata që punojnë për interesa të dikujt tjetër“ apo se „nuk ka aq shumë korrupsion, por fjala është vetëm për percepcion“. Problemi në matjen e dukurisë së korrupsionit qëndron pikërisht në faktin se nuk ka ndonjë njësi matëse të kësaj dukurie, pos përshtypjes së qytetarëve. „Qytetarët në Ballkan besojnë në atë që shohin dhe përjetojnë.

Ata po shohin tepër shumë korrupsion“, pati thënë para disa vitesh në atë kohë Komisioneri i Zgjerimit i BE-së, Olli Rehn. Dhe përgjigjja më e shpeshtë e politikanëve në Ballkan kur u përmendet korrupsioni është: „Kjo është një dukuri e pranishme gjithandej. Nuk është vetëm problem për ne por për tërë rajonin dhe më gjerë“.
Vërtet ka korrupsion në tërë rajonin e edhe më gjerë. Por problemi i qytetarëve është se ata i bartin pasojat nga korrupsioni në vendin e tyre e jo nga korrupsioni në vendet e tjera. Në fakt, kur mundohen ta relativizojnë problemin e korrupsionit duke u thirrur në faktin se „korrupsion paska gjithkund“ politikanët tanë në mënyrë indirekte e pranojnë këtë problem por gjejnë arsyetime.

E arsyetime nuk ka.
Dhe vërtet ka korrupsion edhe në BE, madje shumë, aq shumë saqë duket i padurueshëm për qytetarët në këtë kohë krize. Por Bashkimi Evropian është edhe vetëkritik. Për herë të parë Komisioni Evropian ka nxjerrë edhe raportin për korrupsion në vendet e BE-së duke konstatuar se mbi 120 miliardë euro në vit humben në BE para të taksapaguesve për shkak të korrupsionit. Por brenda vet BE-së ka dallime të mëdha mes vendeve anëtare.

korrupsioni në vendet e BE-së kryesisht lidhet me Prokurimin publik, shërbimet në shëndetësi, financimin e partive politike, përdorimin e lidhjeve politike për punësim apo fitim të tenderëve. Por faktin se ka korrupsione dhe në BE vendet e Ballkanit nuk bën kurrsesi ta keqpërdorin si arsyetim për korrupsionin e tyre.
Komisioni Evropian, përmes Komisioneres për Punë të Brendshme, Cecilia Malmstrom, ka porositur shtetet anëtare që të bëjnë më shumë për ta luftuar korrupsionin dhe këtë ta bëjnë edhe në bashkëpunim me njëra-tjetrën, sepse kjo dukuri nuk njeh kufi, sidomos në BE-në në të cilën janë të zhdukur praktikisht kufijtë për lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave.

Edhe pse Komisioni Evropian nuk ka bërë një tabelë të klasifikimit të shteteve anëtare, duke dashur të jetë politikisht korrektë, ka pranuar se „ka korrupsion në të gjitha vendet anëtare dhe asnjë vend i BE-së nuk është pa këtë dukuri“ porse „ka dallime të mëdha mes shteteve“. Një raport i Transparency International për indexin e korrupsionit në botë i ka bërë të qarta dallimet mes vendeve të BE-së dhe ato janë aq të mëdha saqë është gabim të nxirret ndonjë mesatare.

Në vendet si Danimarka, Suedia, Finlanda dhe Holanda korrupsion pothuajse nuk ka, apo janë vetëm disa raste simbolike. Këto vende janë ndër të parat në listë si vendet më të pakorruptuara në botë sipas përshtypjes së vetë qytetarëve të tyre. Në anën tjetër, vendet si Greqia, Italia, Bullgaria dhe Rumania e kanë korrupsionin ne nivel të vendeve të botës së tretë, madje janë edhe prapa vendeve të Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Shqipërisë dhe Kosovës. Prandaj është edhe duke u rritur kundërshtimi i qytetarëve në vendet veriperëndimore të BE-së, si vende më të zhvilluara, ndaj vazhdimit të dhënieve të fondeve të mëdha përmes BE-së vendeve jugore.

Pikërisht vendet me korrupsion më të madh të BE-së janë edhe përfitueset më të mëdha të fondeve të BE-së. E korrupsion ka edhe në përdorimin e këtyre fondeve.
Duke thënë se „ka korrupsion në të gjitha vendet anëtare“, Komisioni Evropian vetëm sa u ka ndihmuar vendeve më të korruptuara që ta përballojnë më lehtë kritikën për korrupsionin kronik. Këto pohime sipërfaqësore nuk ndihmojnë shumë në luftimin e këtyre dukurive. Komisioni Evropian raportin e radhës për korrupsionin në vendet anëtare dhe masat për luftimin e tij do ta nxjerrë pas dy vjetësh.

Mandatin për t’u marrë me çështjen e korrupsionit në vendet anëtare Komisioni Evropian e ka marrë pikërisht nga këto vende. Por, përpos raportimit dhe dhënies së disa rekomandimeve Komisioni nuk ka ndonjë masë që mund ta marrë ndaj këtyre vendeve. Prandaj tash dëgjohet që edhe vetë vendeve anëtare të BE-së të cilat nuk marrin masa të duhura për ta luftuar korrupsionin t’u ndalen mjetet financiare nga fondet e BE-së.

Duke u kthyer prapë tek arsyetimi i politikanëve në Ballkan se „korrupsion ka gjithkund e jo vetëm tek ne“, duhet tërhequr vëmendjen në një fakt tjetër. Vërtet ka korrupsion edhe në vendet e BE-së. Por dallimi është se në to, apo në shumicën e tyre, kur zbulohet ndonjë rast atëherë ka edhe pasoja. Një politikan në një shtet sadopak serioz të BE-së nuk mund ta mbijetojë një aferë të korrupsionit. Ndërsa në Ballkan edhe kur zbulohen raste korrupsioni në të shumtën e rasteve nuk ka pasoja për ata që janë të përfshirë në këtë dukuri.

© KOHA Ditore
 

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...