Një tjetër opozitë

23 Qershor 2014 - 08:43 - Lumir Abdixhiku      

Një vlerësim pa dorëza ndaj rezultatit zgjedhor të LDK-së dhe VV-së

-1-

Në kohë të Kampionatit Botëror – dhe me gjithë energjinë shpërthyese të holandezëve e gjermanëve qysh në ditët e para – është bukur paradoksale trajtimi politik kosovar; sidomos kur ky trajtim është bërë aq i padurueshëm e aq bezdisës tash e sa kohë. Pas gjithë këtyre debateve, komplikimeve e paqartësive politike do të duhej të meritonim më tepër qetësi; një trajtim më ndryshe – diçka si ky kampionati fantastik futbollistik.

Por para se të ftohet diskutimi politik e partiak, nëse ka për t’u ftohur ndonjëherë gjithsesi, them të jap një vështrim pa dorëza mbi dy partitë e para opozitare, pra mbi LDK-në dhe VV-në. Do ta jap e bëj vlerësimin pa dorëza meqë për shkak të bashkëkundërshtimit kundërqeveritar të katër vjetëve të shkuar ndiej veten me kredit të mjaftueshëm për të vlerësuar pa hile të dy grupimet politike. Dhe dua ta bëj tani, sepse, pavarësisht se bashkimi eventual opozitar i bërë për të hequr një të keqe të madhe për një të keqe më të vogël mund të eklipsojë për pak gjendjen e tyre, them se vota e drejtë qytetare megjithatë ka pasur një gjuhë të qartë – gjuhë jashtëzakonisht kritike ndaj opozitës.

Do të formojnë ose jo qeverinë, do të shkohet ose jo në zgjedhje të parakohshme, do të formohet ose jo një qeveri teknike – kjo ka pak rëndësi. Rëndësi ka – për opozitën – se rezultati i marrë nga ta është katastrofal. Dhe kur të gjitha të qetësohen, kurdo që zgjedhjet të mbahen, ai ka për t’u reflektuar sërish; në mos më keq tash pas eksperimentimit opozitar paszgjedhor (e jo para siç do të duhej të ishte rendi). Prandaj, nëse mendojnë të shmangin politikën e heqjes së një të keqeje të madhe me një më të vogël – gjithsesi të keqe – duhet të mendojnë zgjidhje të mirë.

Sepse zgjidhje e lënies së Qeverisë në duar të dikujt që ka marrë vetëm 39.000 vota për kryeministër, me një përzierje mishmashe të interesave ministrore e jo programore sa s’bëhet më, bashkë me një grumbull paqartësish e defektesh stabilizuese – nuk është fare e mirë; larg prej së mirës. E përderisa nuk prodhojmë zgjidhje të mira, ky vend s’ka për të ecur kurrë para.

-2-

Rezultatet gati përfundimtare të zgjedhjeve tregojnë qartë se edhe LDK-ja, edhe VV-ja me gjithë përkrahjen e shoqërisë civile, mediave, opinionistëve e secilit tjetër (përkrahje që asnjë parti tjetër opozitare nuk e ka pasur), janë rritur, por ama janë rritur proporcionalisht (e ndoshta edhe më pak) sesa janë rritur edhe votuesit e rinj në Kosovë. Do të ishte rënie pra mbetja në stad të njëjtë të votave kur në katër vjetët e shkuar janë shtuar plot 120.000 votues të rinj. Në këto zgjedhje, me plus 120.000 votues të rinj, edhe LDK-ja edhe VV-ja rriten me vetëm nga 5-6 mijë vota - për katër vjet; pra nga 1500 në vit, trend aspak i mirë.

Ç’është e vërteta, me fushatën e bërë nga PDK-ja duket se votuesit e rinj kanë zgjedhur megjithatë pozitën dhe shijen promovuese të saj; opozita si duket nuk ka kapur fare votuesin e ri – dhe kjo bëhet edhe më shqetësuese për këto parti në të ardhmen. Sepse paaftësia e komunikimit me votuesit e rinj nuk sjell qëndrueshmëri. Sepse rritja simbolike dhe e pavërejtur në këta katër vjet, po të ekstrapolohet në vazhdimësi, i bie se të dy partitë – më këtë avaz – do të mbesin në rend të dytë edhe për plot 30 vjet. Pra është rezultat me të cilin asnjëra palë nuk guxon të mburret; sado që mund të kenë tendenca të ndonjë interpretimi pozitiv, nëse bash dëshirojnë të nxjerrin diçka pozitive - mish nga pleshti, them unë.

Por përtej nevojës së tillë vlerësuese pavarësisht arsyeve, them se ka një tregim të përgjithshëm që rrumbullakohet rreth idesë se vota opozitare e kosovarëve është shpërndarë dukshëm tek këto dy parti si shenjë pakënaqësie ndaj të dyjave proporcionalisht.

-3-

Për LDK-në është i pafalshëm mosdalja si e para në relacion me një parti të konsumuar nga dy mandate, e të rrahur me një mijë e një skandale dhe të izoluar ndërkombëtarisht. Për LDK-në, moshapja e partisë, ndërprerja e reformës dhe rrumbullakimi tek disa figura të topitura partiake – që fitoren s’kanë për ta sjellë kurrë – është gabim i pafalshëm. Ky gabim bëhet edhe më i rëndë kur përsëritet dy herë në më pak se gjashtë muaj; sikur LDK-ja nuk deshi të merrte mësim nga zgjedhjet lokale. Kanë shpenzuar jashtëzakonisht shumë kohë, kanë humbur jashtëzakonisht shumë kredi, dhe kanë djegur jashtëzakonisht shumë reputacion e besim me kandidimin e individëve që megjithatë u refuzuan nga elektorati standard që LDK-ja mund të aktivizonte. Pra nuk i duan as të vetët.

Nuk i duan, sepse LDK-ja ka kohë që ka qenë e kapur nga një grup individësh që nuk mërziten fort për rezultatin e partisë, sa mërziten për pozicionin e tyre individual në Parlament. Përderisa të njëjtit mbesin deputetë, kanë nga një shofer, një pagë të mirë e një ndikim evident në parti, gjithçka mbetet brenda kornizave të rregullsisë; edhe ky rezultat madje. Të njëjtit, që kanë humbur rresht tri palë zgjedhje (2007, 2010, 2014) janë ngufatësit kryesorë të partisë; dhe është mu për shkak të tyre pse reforma partiake ka ngecur tmerrësisht. Në të vërtetë, dhe këtë e them plot përgjegjësi, po të mos ishte kryetari i tanishëm i LDK-së që megjithatë provoi të freskonte partinë me fytyra të reja, këta ngufatës do ta shpinin LDK-në në numra njëshifrorë.

Është tjetër muhabet që reforma e nisur nga kryetari i tanishëm nuk vazhdoi deri në fund, pra u kompromisua me ngufatësit, dhe është tjetër muhabet që ky kompromis i faturohet tash – dhe me të drejtë – liderit të partisë. Si bartës i partisë është dashur t’i shkonte deri në fund reformës (radikale dhe madje) për të dëshmuar kështu frymën e re në LDK. Me reformë LDK-ja do të parandalonte riciklimin e figurave e të individëve, të cilët në vitin 2007 kishin dërguar partinë drejt e në greminë.
Them se LDK-ja ka brumë shumë më vete. Ka individë të rinj e të shkëlqyeshëm në ide, të cilët, për fatin e tyre të keq, nuk janë lejuar asnjëherë të marrin partinë në dorë. Në të vërtetë, kapësit e partisë gjithmonë kanë bërë thirrje për afrim të të rinjve, por jo duke iu dhënë atyre timonin e partisë, por duke u dhënë ulëset e prapme dhe thirrjet na ndiqni neve. E puna e partisë nuk shkon me trashëgimi – sepse nuk është pronë private, është më shumë.

Kapësve të sotshëm duhet thënë mirë shumë për punën e bërë deri më tani, mirë shumë për kontributin e dhënë deri më tani, mirë shumë për të gjithat. LDK-ja nuk do të ishte kjo që është sot pa ju, e pa ju me siguri nuk do të kishim as disa prej proceseve më të rëndësishme nacionale. Por cikli juaj ka mbaruar këtu, dhe me ju nuk shkohet në vitin 2018. Sepse është hera e tretë që i humbni zgjedhjet, dhe do t’i humbni sa herë që pretendentë do të jeni ju. Prandaj, si dhuratë për fund që këta mund t’i bëjnë partisë dhe gjithë Kosovës është një transicion i lehtë por i mençur shumë tek gjenerata e re e LDK-së, e atyre që janë aty dhe të tjerëve që do të vijnë. Në muajt vijues ky do të duhej të ishte misioni i tyre përfundimtar.

-4-

Për VV-në, në anën tjetër, rezultati i tanishëm është larg prej të pritshmes. Katër vjet opozitëbërje superaktive, energji të pashtershme parlamentare, organizim i mjaftueshëm partiak me individë tërësisht të pasur me dije e të pastër në vepra, kanë prodhuar hiçgjë; ama bash hiç (hiç nëse gjërat maten me vota në këtë jetë gjithsesi; me valutë morali mund të jetë tjetër muhabet). Dhe ky hiç buron nga tri gabime fatale të VV-së. Gabimi i parë dhe më i rëndësishmi është ngurtësimi ideologjik që VV-ja ia bën vetes.

Përderisa kosovarët kanë nevojë për pragmatizëm, VV-ja u jep citate të Hegelit e Aristotelit, u jep utopizëm filozofik pa fije nevoje; thuajse gara e tyre është mbizotërimi ideologjik i një shkolle të të menduarit. Një lloj vetëkënaqësie kjo pa kurrfarë efekti përfundimtar që prodhon ndryshim. Mos të harrojmë, rreth 87% e Kosovës refuzuan programin e tanishëm super të majtë e super ideologjik të VV-së; ndoshta do ta refuzonin shumë më pak qendrën e pragmatizmin. Sepse kosovarët nuk duanë t’u merret pasuria – me progresivitet – në të vërtetë duan pasuri dhe dalje nga fukarallëku kush sa mundet e sa më shpejt; kosovarët nuk duan kthim të shoqërizimit – me mosprivatizim – në të vërtetë janë ngirë nga kooperativat e nga shoqërorja, duan modernizmin e pronës private, pra duan privatizimin; dhe kosovarët nuk duan barazi për secilin, duan mundësi për secilin sa e kanë hakun të gjithë; janë ngirë me “puno një e merr të gjithë”.

Gabimi i dytë i VV-së është qëndrimi politik ndaj proceseve dhe aktorëve kyç politikë në Kosovë. Fakti që nuk promovon simbolet e Republikës por zgjedh një ide bashkimi – sado të mirë por sërish jashtë agjendës së tanishme të kosovarëve – e bën VV-në të duket aspak pragmatike; sërish e bën të duket ideologjike. Ironizimi e refuzimi me simbolet e shtetit, me të njëjtat për të cilat kosovarët megjithatë shprehin pajtueshmëri e pëlqyeshmëri – sepse i kanë ndërtuar vetë dhe me ndihmesë të miqve ndërkombëtarë – nuk i bën hair aspak Lëvizjes. E kur jemi tek miqtë ndërkombëtarë, kosovarët sërish kërkojnë respektim të tyre në tërësi; e kanë në gjak e kulturë e mendësi miqësinë; sidomos ndaj atyre që u kanë dhënë lirinë. Pesëmbëdhjetë vjet janë pak për të harruar ku e si kemi qenë.

Është e pakuptueshme ngrirja e relacioneve me përfaqësuesit e shtetit më mik të Kosovës, në Kosovë – pra Ambasadën e SHBA-së. VV-ja duhet të pyesë veten se si ka lejuar që hajnat e matrapazët më të mëdhenj të Kosovës të ndërtojnë miqësi me miqtë më të mëdhenj të Kosovës? Do të ishte tërësisht e natyrshme që kjo miqësi të ndërtohej me njerëz të VV-së, për të cilët, dhe këtë e them me shumë përgjegjësi (sërish) askush nuk mund të ankohet për mungesë profesionalizmi apo mungesë vullneti të mirë. Janë burra e gra të ndershme sa nuk bëhet më.
Gabimi i tretë i VV-së është distancimi nga gjithçka që është bërë deri më tani në Kosovë; nga të gjithë – pa kuptuar kështu se gjithçka që është bërë deri më tani në Kosovë teknikisht është bërë nga të gjithë. Ky distancim e izolon VV-në në masën që për katër vjet opozitëbërje e tëra çfarë arrin të bëjë është mobilizimi i bazës së vet; dhe asgjë më shumë.

VV-së pra nuk i falet qëndrimi radikal ndaj gjithçkaje; e bën të duket e rrezikshme – edhe pse mund të mos jetë e tillë. Pavarësisht të gjithave, them se në VV, megjithatë, ka frymë të hapjes dhe animit nga qendra, pra ka frymë që promovon shartimin e ekstremeve në relacion me komunitetin ndërkombëtar në vend, me simbolizmin e Republikës dhe me ultramajtizmin. Do të duhej që kjo frymë të mbizotëronte ideologjinë e mbjellë gabimisht aty dhe në fund metodën e shpërndarjes së ideve të tyre. VV-ja në fund të fundit gjithnjë ka pranuar se evoluon; atëherë është koha për të ngjizë një evoluim të ri, edhe më të madh se ai i mëparshëm.

-5-

Them se zgjidhja opozitare e Kosovës është një pragmatizëm në mesin e LDK-së dhe VV-së; pra LDK-ja duhet të reformohet e të bëhet pak më shumë si “Vetëvendosje”, ndërkaq “Vetëvendosje” duhet të reformohet e të bëhet pak më shumë si LDK. Thënë ndryshe, LDK-ja duhet të marrë në vete individë të rinj e pa barrë të konsumimit politik, pra njerëz të rinj me ide e vlera moderne – për t’u bërë pak më shumë si VV; ndërkaq VV-ja duhet të shartojë ideologjitë utopike dhe sidomos ato joinstitucionale, për t’u bërë pragmatike dhe institucionale sikurse LDK-ja.

Nëse të dyja partitë vendosin të ndjekin idetë origjinale të tyre, pa nevojë për reflektim e ndryshim, le ta bëjnë. Ndoshta të gjithë janë gabim, votuesit, jovotuesit, të dëshpëruarit e ata me shpresë. Ndoshta vetëm këta kanë të drejtë. Ndoshta ky insistim do t’u shpaguhet një ditë. Por ama, nëse ndiejnë për pak se e kanë gabim atëherë le të ndryshojnë. Le të ndryshojnë sepse kosovarët – duke shpërndarë votën e tyre tek këto dy parti kryesisht – kërkojnë një mes normal të partive; as njërën e as tjetrën siç janë, por një mes të arsyeshëm e të mbarë.

Këto dy parti kanë dy zgjidhje, ose të provojnë e shpresojnë në edukimin dhe ndryshimin e perceptimeve të kosovarëve – të të gjithë kosovarëve; ose të provojnë e shpresojnë në edukimin dhe ndryshimin e perceptimeve të tyre. Them ta bëjnë të dytën, meqë qytetarët megjithatë e dinë më mirë.

abdixhiku@facebook.com

©KOHA.net

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...