Turizëm i shpifur apo elitar

22 Qershor 2014 - 08:24 - Elmaz Isufi      

Kur lexon statistikat s’ka se si të mos bien në sy disa të dhëna paradoksale. Kosova, vendi me shkallën më të lartë të papunësisë dhe varfërisë në Evropë, jo një herë ka nxjerrë qytetarët e saj si më optimistët në planet. Se si e përkufizojnë shpresën dhe e projektojnë të ardhmen, mbase duhet një tjetër hulumtim, më specifik. Por ky optimizëm megjithatë duket se e përshkruan gjendjen psikosociale, të ngjashme me të një të burgosuri, që maksimumi i dëshirës së tij është të braktisë qelinë.

Edhe e dhëna se qindra e mijëra vetura me mbi 1 milion shtetas të Kosovës lëvizin drejt vendeve bregdetare brenda muajve korrik-gusht të çdo viti, pavarësisht gjendjes së tyre ekonomike, dëshmon jo vetëm paradoksin e këtij “bumi”, por për një betejë të brendshme individuale e familjare, e që mund të përkthehet më shumë si krizë e më pak si dëshirë dhe kulturë për pushime dhe turizëm.

Shkuarja me çdo kusht jashtë vendit, sidomos në det, është përpjekje për t’i minimizuar dëmet e kësaj krize që ata i ka mbërthyer përgjatë gjithë vitit.

Ikja përtej kufirit i bën ata të shkëputen përkohësisht nga të jetuarit rutinë - stresi në punë, debati për politikën, për ujin e rrymën, për pagat dhe taksat. Jo se në bregdet ata bëjnë jetë luksi, madje akomodimi nëpër gjysmë-shtëpi, ritualet e shkuarjes në plazh, qëndrimi deri në 40 gradë celsius, dilemat për ushqimin dhe për cikërrima të tjera, i dërrmojnë më shumë se çdo aktivitet tjetër. Shumë prej tyre më shumë lodhen sesa pushojnë.

Por kjo është e vetmja mënyrë që ata të sfidojnë qytetarin që ecën nëpër ”teh”. Të atij qytetari që në vendin e vet nuk ndihet i dinjitetshëm. Aty ku shoqëria është kthyer e tëra në hileqare, ku aftësia për të mashtruar dhe vjedhur është kultivuar nga të miturit (manipulimi me testet e maturës) e deri tek të rriturit, nga të varfrit e deri tek të pasurit e pangopur.

Ku lufta për poste e pushtet kalon çdo kufi. Ku komuniteti intelektual del të jetë më i korruptuari, ku studentët më shumë garojnë për Parlamentin e tyre sesa për dije, ku mjekët abuzojnë me pacientë e familjarë të tyre, ku vriten njerëzit e s’ka as të dyshuar, e ku brenda vitit humbin jetë qindra njerëz në aksidente trafiku. E kulmi i kësaj torture që nuk njeh kufij – kur sheh se si njerëzit e përfshirë në krim, korrupsion dhe në të këqija të tjera paraqiten si shpëtimtarë të këtij vendi.

E derisa ky “shpëtim” nuk vjen nga shpëtimtarët e vërtetë, qytetarët, kokat që u vlojnë nga hallet dhe pakënaqësitë mund t’i ftohin vetëm për pak çaste në det apo në zonat malore me klimë të freskët. Edhe me çmimin që në total arrin në 200 milionë euro në sezon, por edhe me lënien anash të faturave të papaguara të energjisë, ujit, bërllokut, tatimit, e deri te këstet e kredisë në banka.

Por si harxhohen qindra miliona euro nga pushuesit që ia mësyjnë kryesisht bregdetit të Shqipërisë dhe qytetit shqiptar në Mal të Zi, Ulqinit, e të cilët disa i quajnë turistë “të shpifur”, disa “të domateve”, e ka edhe të tjerë që i quajnë “patriotë”.

Sipas hulumtimeve, dy të tretat e ekonomive familjare në Kosovë nuk arrijnë të përballojnë shpenzimin e papritur prej 500 eurove gjatë një viti, aq sa minimalisht mund t’i duhen një familjeje të vogël për pushim njëjavor në bregdet. Në këtë gjendje ngërçi financiar, kjo shumicë e qytetarëve të Kosovës ka pak shanse të pretendojë pushime, edhe më pak aso luksi. Ata janë të shtrënguar që mënyrën e njëjtë të jetesës që e bëjnë në Kosovë, ta bartin për pak ditë në qytetet e Shqipërisë, apo edhe në Ulqin. Dallimin e bën vetëm fakti se në vend të pluhurit, atje mund të shijojnë kripën dhe freskinë e detit.

Për këtë model të pushimeve me “gjygyma të çajit”, faji i pushuesve është i vogël.

Kërkesat e tyre, që nga shkuarjet e para të tyre në Shqipëri, kanë qenë më të avancuara sesa vetë oferta dhe kushtet që ofroheshin. Shqipëria dhe institucionet e saj kanë dështuar të ndjekin ritmet e iniciativës private dhe të nevojave të turistëve. Më shpejt janë realizuar ndërtimet sesa është bërë planifikimi urbanistik i zonave bregdetare. Gjendja kaotike e ndërtimeve dhe e menaxhimit të hapësirave për pushues ka diktuar edhe kulturën e sjelljes së pushuesve.

Tash turisti nuk duhet të mjaftohet me mikpritje dhe ndjenjën e patriotizmit. Pushuesi nuk duhet të durojë pritjet e gjata për ushqimin e porositur, të ndihet i fyer nga mungesa e çmimeve të artikujve në dyqane dhe nga ndryshimi i tyre orë e çast. Veç kësaj, ai duhet të kërkojë shërbim profesional, siguri, infrastrukturë rrugore, por edhe informacione për vendet e rëndësishme kulturore dhe historike, që mund ta joshin atë për të ndryshuar destinacionin.

Dhe, Shqipëria, pjesërisht edhe Ulqini (që me shumëçka ngjan ende në qytetin e viteve ‘80), kanë dështuar të ndjekin modelin e disa vendeve dikur të frekuentuara edhe nga kosovarët. Shteti shqiptar ende nuk e ka idenë e qartë se si mund të bëhet turizmi elitar, madje edhe me oferta të arsyeshme, siç ndodh ta zëmë në rivierën turke. Dhe jo rastësisht, Kroacia gjatë një sezoni veror ka fituar 7-fish më shumë se Shqipëria, edhe pse numrin e pushuesve e kishin të njëjtë.

Pushuesi nga Kosova tash duhet të dëshmojë se është i gatshëm të sakrifikojë pak nga ato të mira që ia ka ofruar jeta, për t’u ndier rehat kudo që shkon. Ai nuk duhet të pranojë të jetë i përjashtuar. Duhet të mësohet që në vend të 10 ditëve për faqe të zezë, të pushojë 5 ditë “zotnishi”. Të nisë të interesohet për pastërtinë në plazh, për terrenet sportive, për parqet, udhëtimet e organizuara, monumentet e trashëgimisë kulturore e historike..., e fare të mos pyes nëse apartamenti ka kuzhinë, ka enë, shporetin, tersen e rrobave dhe vend për akomodimin e pesë apo gjashtë vetave në një dhomë. Ai duhet të vendosë shumë shpejt nëse do që të trajtohet si turist i shpifur e skamnor, apo si turist i emancipuar dhe elitar.

Por, para se të nxjerrë “kajde” në shtetin tjetër, ai duhet të luftojë për më shumë qytetari në vendin e vet. Shteti atij duhet t’i garantojë mirëqenie, pagë apo pension të dinjitetshëm, shërbime cilësore dhe profesionale. Ai duhet të kërkojë nga pushtetarët që ta vënë atë në qendër të interesimit dhe të investimeve. Ky ndryshim i mënyrës së të jetuarit atij i duhet më shumë sesa çdo episod i bukur, por i shkurtër, i pushimeve verore.

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...