Shteti është përgjegjës për Elvisin

20 Qershor 2014 - 08:25 - Halil Matoshi      

Nëse PDK-ja dhe Hashim Thaçi pretendojnë se e kanë ndërtuar shtetin e së drejtës për dy mandatet në qeverisje, vrasësi i kandidatit të tyre për deputet në Rahovec, Elvis Pista, duhej të kapej qysh dje, kështu që nesër secili qytetar të ndihej i lirë dhe i sigurt në atdheun e tij, i çliruar më në fund se paska kush të merret me punët e shtetit. Nëse jo, atëherë tërë përgjegjësia bie mbi shtetin

Shqiptarët e Kosovës vazhdojnë të kenë problemin kryesor raportin me të vërtetën.
Në vendin e përplasjeve për pushtet politik, ku viktima e parë është e vërteta, viktimat njerëzore janë vetëm numra. U shërbejnë vetëm statistikave!
Shumica e shqiptarëve nuk e duan të vërtetën lakuriqe, ajo dhemb, sepse u kanë besuar mjaft gjatë gënjeshtrave dhe miteve (interpretimeve të rreme ose folklorike të vërtetave historike) dhe të pranuarit e shpejtë dhe pa hezitim i së vërtetës, kjo i zhburrnon.
Ose u duket se i bën të paburra.

Në vendin ku efiçienca e shtetit e ka për matës konstant zeron, çmohen partizanët që kryejnë detyrimet ndaj partisë ose klanit të tyre (sipas kodit mafioz) dhe jo ata që bëjnë detyrën përpara ligjit.
Në vendin ku nuk i besohet shtetit të së drejtës, secili vrapon ta marrë ligjin në duar, për “ta vënë drejtësinë në vend” dhe mundësisht në situata turbulente shoqërore. Sepse në këso situatash, për shkak të ligështimit të shtetit, cubi vritet për cubëri e mbetet në kujtesë si hero, ndërsa heroi vritet për ndonjë akt të lartë shoqëror e patriotik e dikush kujdeset që ai të përdhoset, të jetë vrarë për ndonjë akt të ulët, pra për moral të dyshimtë.

Kjo ndodh në shoqëritë ku janë shprishur kufijtë mes së mirës dhe së keqes, mes Kanunit dhe ligjit, mes trimërisë dhe qyqarllëkut, sepse aty ku nuk ekziston hierarkia e vlerave, brenda pak orëve cubi ngrihet tek retë, ndërsa heroi i vërtetë ulet tek pluhuri.
Vrasja e një qytetari në vendlindjen e tij, në qytetin e tij dhe mes të afërmve e miqve mund edhe të mos ketë asnjë lidhje me politikën, madje mund të jetë rast i motiveve më banale, mirëpo konteksti i krijuar në Kosovë, mungesa e sigurisë dhe kapja e strukturave të sigurisë nga segmente të parapolitikës klandestine i jep vrasjes së kandidatit për deputet të PDK-së konotacione politike.

Përderisa shteti nuk e zbardh rastin, qoftë edhe me ndihmën e ekspertëve të huaj (pse jo edhe të FBI-së), atëherë mbetet legjitim edhe një interpretim i mundshëm: prapa vrasjes qëndron ndonjë vegël qorre e segmenteve që e kanë kapur shtetin, pra vetë shteti!?
As vajtimi dhe as dënesjet nuk bëjnë punë në këtë zi, jo vetëm tek familjarët e Elvis Pistës, sepse secili njeri paqësor e normal ndihet ngushtë, dhe me neveri përcjell lajmet hap pas hapi, rreth kësaj vrasjeje, sepse nuk është thënë kot se me vdekjen e një njeriu njerëzimi ndihet i zvogëluar.
Në Kosovë secili qytetar i edukuar ndihet i vogël përpara gjëmës se njerëzve të dashur të Elvis Pistës.

Në këtë rast, kur një pjesë e madhe e shoqërisë është në çoroditje, kurse pjesa tjetër në ankth për të sotmen dhe të ardhmen e këtij vendi, nuk duhet bërë asgjë, as spekulime se kush e vrau këtë njeri dhe politikan, as përse.
Edhe më keq nëse vazhdohet me hedhje dyshimesh kuturu, herë nga njëra anë e herë nga blloku tjetër, ndërthurje konspiracionesh, në këtë rast pra, duhet të veprojë shteti – institucionet e tij legale.
Kapja e atentatorit të Pistës është e vetmja dëshmi se kjo elitë politike dhe institucionale e ka seriozisht shtetndërtimin.
Kurse moskapja e tij dhe moszbardhja e rastit e dëshmon edhe një herë agresivitetin në rritje të kësaj elite politike, injorancën, joprofesionalitetin dhe keqdashjen e shpirtligësinë e të gjithë bartësve të pushtetit politik në vend.

Ky është rasti i mirë për pushtetin e Thaçit dhe të segmenteve të shtetit që ai i kontrollon: kapeni vrasësin dhe dëshmojuni se jeni në krye të detyrës!
Ky është rasti për Policinë e Kosovës, nga e cila janë kthyer sytë dhe veshët e qytetarëve kosovarë, për ta sprovuar atë, nëse u ka shpëtuar ndikimeve politike ose nëse ka rënë në llumin e politikës këmbë e krye!?
Nëse në Policinë e Kosovës ka gra e burra me integritet, që s’kanë lejuar të kapet edhe kjo levë e shtetit, atëherë vrasësi i Pistës do të kapet!
Nëse ky rast nuk zbardhet deri në fund nga hetuesit policorë, nga Prokuroria dhe gjyqësori, atëherë qytetarit kosovar, qoftë edhe votues i PDK-së, nuk po i shkruhet mirë...

Kapeni pra vrasësin dhe silleni para drejtësisë që dikush të besojë në sinqeritetin tuaj në raport me kauzën e shtetndërtimit!
Që qytetari ta rikthejë besimin në shtetin e tij.
Në policinë e tij...
Ju obligoheni me ligj për këtë, sepse ju paguheni për këtë – t’i kapni vrasësit – jo vetëm të Elvis Pistës, por të të gjithë atyre, familjeve të të cilëve shteti ende u ka mbetur borxh, sepse nuk ua ka kumtuar të vërtetën përse u vranë dhe nga kush u vranë të dashurit e tyre, që nga paslufta e këtej.
Nëse nuk arrini ta mblidhni guximin qytetar dhe ta sillni vrasësin para një gjykate, atëherë indiferenca dhe indolenca juaj, e mbi të gjitha heshtja juaj dhe terri mbi ngjarjen, flasin vetë: ju e keni vrarë natën dhe po e qani ditën, jo që ndonjë nga ju si emra konkretë jeni të implikuar drejtpërsëdrejti në vrasje, por sepse ka qenë detyrë juaja dhe nuk keni krijuar shtet të sigurt, pra nuk e keni kryer detyrën që u është besuar, prandaj ju jeni përgjegjës.

Ju e keni vrarë Elvis Pistën, sepse shumë nga ju gjatë i keni heshtur krimet - plot 15 vjet - dhe përfundimisht ju e keni vrarë qytetarin Pista, sepse i keni legjitimuar vrasjet politike, përmes një kauze që ju e keni konsideruar si të vetmen të vërtetë dhe të drejtë; sepse e keni bindur veten dhe mbështetësit tuaj se vetëm juve u përket e vërteta supreme - e vërteta historike, duke vënë pushtetin tuaj edhe mbi gjuhën madje - sepse ju mendoni se jeni instanca e vetme e interpretimit të asaj të vërtete; sepse ju keni krijuar frikë dhe frikësim në këtë vend, me faktin se keni abuzuar me fuqinë tuaj pushtetare, për ta dominuar shoqërinë e dërrmuar kosovare.
Ju keni pasur dikur G2, ZKZ, SHIK dhe sot keni “në dorë” polici e FSK, AKI e një Zot e di se çfarë krijesash e mekanizmash të tjerë të ligjshëm e të paligjshëm.

Prandaj ju duhet të keni informatat e duhura.
Shpalosni ato më në fund dhe kapeni vrasësin – çlirojeni qytetarin kosovar nga ankthi se papandehur në një stacion autobusësh, në një tubim partiak apo në një kafene po vazhdojmë të rrimë ulur së bashku me vrasës.
Madje edhe po i cakërrojmë gotat mes vete !?
E jeta me vrasës e mes tyre, qofshin vegla qorre të levave të pushtetit, apo vrasës të paguar ose serikë është jetë pa dinjitet dhe e palumtur.
Hiqjani këtë ankth qytetarit kosovar dhe dëshmojuni shtetarë të vërtetë.
Mos u dëshmoni qyqarë, si një shoqëri sekrete, klandestinë dhe të pështirë!?

Kapeni vrasësin dhe dëshmojuni çlirimtarë të vërtetë të vendit, nga pritat dhe nga krimet...
Nëse e kapni vrasësin, pra dhe e sillni para drejtësisë, ju e siguroni qytetarin e Kosovës se nuk e keni vrarë Pistën vetë!
Vetëm nëse e kapni vrasësin dhe e sillni para drejtësisë duke e provuar fuqishëm veten në anën e ligjit - e jo nga ajo anë e tij - ju keni siguruar alibi.
Përndryshe, rahovecianëve, simpatizantëve të PDK-së dhe të të gjithë qytetarëve normalë kosovarë ka për t’iu qarë zemra tërë jetën se e vratë ju – drejtues të pushteteve në këtë vend - që s’po e lini të shohë dritë.

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...