Si në film

17 Qershor 2014 - 08:21 - Flaka Surroi      

Lajmi më i mirë që ka mundur t’i ndodhte Kosovës është vetëdijesimi demokratik i opozitës, se e bashkuar rreth votave dhe me një kompromis rreth programit politik, do të mund ta nxirrte përpara shtetin e futur në pashpresën e shkaktuar nga të gjitha misionet e kryeministrit në ikje

Dje e festova 15-vjetorin e asaj që për mua ishte dita e çlirimit: kthimin në shtëpi pas qëndrimit të pavullnetshëm në Maqedoni për më shumë se dy muaj. Ajo kishte qenë njëkohësisht dita më e ankthshme dhe më e lumtur që e kisha përjetuar pas një kohe shumë të gjatë, për shkak se po kthehesha më në fund në shtëpi, porse nuk po dija se në çka po kthehesha dhe po qe se po i gjeja gjallë familjarët e mi më të afërt.

Nuk kishte as dy ditë që trupat ruse kishin hyrë në Prishtinë duke ua mundësuar edhe më shumë shfrenimin policëve dhe paramilitarëve serbë të tërbuar me sulmet e NATO-s. Sipas raportimeve të CNN-it, kuptohej se kishte pasur futje me dhunë nëpër shtëpi private e vrasje civilësh. Kishte qenë ambient i zymtë dhe në ajër kishte frikë, më tregonte më vonë nëna. “E kishim mbijetuar gjithë bombardimin, për të ardhur te pika kur kanë mundur të na vrisnin ditën e fundit të luftës”, më thoshte. Unë e kisha përjetuar nga distanca. E di se më ishte ndalur frymëmarrja në çastin kur e pata parë lajmin në CNN. U pikëllova tej mase dhe me zë përsërisja: “Shpresoj nuk jemi aq të nëmur, sa për të mbaruar tash kështu, në këtë formë, pa mbrojtje, të lënë në mëshirën e fatit...”.

Një ditë pas rusëve, në Prishtinë do të hynin trupat britanike – pamjet, të cilat gjithashtu i kisha parë në CNN dhe që ma kthyen shpresën se më nuk do të kishte as rusë e as serbë të disponuar për t’i vrarë civilët shqiptarë në qytet. Për dallim nga dita paraprake që më kishte lënë pa gjumë dhe në përcjellje të cigareve që i ndizja një pas një, ajo ditë e shtunë më kishte dhënë jo pak gëzim, gjendje që kaloi në gati shastisje kur, së bashku me ekipin, kuptuam se të nesërmen do të ktheheshim në shtëpi.

Hidhërimi dhe gëzimi

Është interesante natyra e njeriut për emocionet që i përjeton dhe mënyrën se si i lidh ato për ngjarjet që i ka të parkuara në kujtesë. I pabesueshëm ka qenë asociacioni që më është ngjallur ditën kur u mbyllën vendvotimet dhe nisën konferencat për shtyp të subjekteve politike. Fitorja të cilën e prisja, por jo me diferencë më të madhe se dy pikë, u shpall plot eufori e piskamë mu atë natë, ende pa u numëruar as gjysma e rezultateve. Larg euforisë mbetnin shumë njerëz të cilët rastisa t’i shihja duke ecur rrugëve të Prishtinës, me pikëllimin e 11 qershorit të 15 vjetëve më parë, për shkak se po mbetnin në mëshirën e edhe të një mandati të atij njeriu dhe asaj partie që e kanë marrë në qafë këtë vend.

Por, që të nesërmen, një reagim i shpejtë i opozitës, që gjatë gjithë fushatës mbajti diskursin antiqeveritar (ani që secila parti në formë të veten), për të krijuar koalicionin e numrave, bëri që buzëqeshja t’u kthehet atyre fytyrave të ngrysura të një dite më parë. E besa ngjalli edhe euforinë e festimit me kundërtraktora, në përgjigje të okupimit të granitit të Ismetit me traktorë, gomat e të cilëve kundërmonin pleh bajgash, të dielën mbrëma. Pa dyshim se arsyet për gëzim ishin të shumëfishta te përfaqësuesit e partive politike të rreshtuara pas kësaj iniciative – po ndërmerrej një hap, në formë autonome dhe pa ndikim nga jashtë, për ta marrë pushtetin duke u mbështetur në parimet demokratike dhe në Kushtetutën. Por arsyet për gëzim ishin shumë të mëdha te pjesa më e madhe e votuesve në Kosovë, të cilët të fraksionuar i votuan këto parti sipas preferencave të tyre – për shkak se ishte hera e parë që tre shqiptarë (besa katër, kur e shikon hollë e hollë) po bëheshin bashkë për të vepruar kundër asaj që e kanë kualifikuar keqqeverisje dhe sundim despotik që duhej hequr nga udhëheqja e shtetit. Ndjenjë gëzimi sikur kur u çlirua Prishtina, më 12 qershor.

Lexuesit e Kushtetutës

Nuk e di nëse është e vërtetë, porse thonë që nga e hëna ka pasur rreth 200 mijë klikime në Google në kërkim të leximit të Kushtetutës së Kosovës – posaçërisht pasi që nisi debati për atë se kë duhet dekretuar për mandatar, se kush i plotëson ose jo kushtet.

Tashmë janë dëgjuar një sërë interpretimesh dhe debatesh në lidhje me nenin 95 të Kushtetutës, dhe larg të qenit ekspert i materies, megjithatë më duhet t’i bëj nja dy-tri komente në lidhje me temën.

E para: për të gjithë ata që kanë dilema në lidhje me nenin 95, më duket se ekziston një përkufizim shumë më i qartë në nenin 84 të Kushtetutës që thotë:

Neni 84 [Kompetencat e Presidentit]
Presidenti i Republikës së Kosovës:
(...) (14) cakton mandatarin për formimin e Qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të
koalicionit, që përbën shumicën e Kuvendit;

Pra, cilado parti apo cilido koalicion para apo paszgjedhor që e ka shumicën në Kuvend e propozon mandatarin, të cilin do të duhej ta caktonte kryetarja, pa pasur nevojë të shkohet për interpretim në Gjykatë Kushtetuese, siç besohet se do të veprojë ajo bashkë me kabinetin e saj. Shumica është e thjeshtë, pra 50% +1 (apo 61 ulëse), për shkak se po të ishte tjetër shumicë, atë do ta përcaktonte vetë Kushtetuta. Kjo, ngase Kushtetuta nuk përmban dispozita implicite, e këtë duhet ta dinë shumë më mirë autorët e saj. Pra, kush mund t’i sjellë nënshkrimet do të duhej t’ia eliminonte dilemat si asaj, ashtu edhe këshilltarëve të ndryshëm juridikë që i sillen vërdallë.

E dyta: Nëse, siç pretendon PDK-ja, neni 95 flet vetëm për koalicion parazgjedhor dhe thotë se marrëveshja e opozitës është kundërkushtetuese, atëherë del se qeveritë në të dyja mandatet e shkuara kanë qenë gjithashtu kundërkushtetuese, ngase marrëveshjet e koalicioneve që i ka lidhur PDK-ja kanë qenë paszgjedhore, përderisa në asnjërin rast, as ajo e as asnjëra parti tjetër nuk e ka fituar shumicën e ulëseve në Kuvend për të formuar qeveri.

E treta: Nëse profesorët e PDK-së vërtet besojnë se kur thuhet “sipas procedurës së njëjtë” nënkupton se mandati duhet t’i ofrohet një personi tjetër nga partia e tyre, po qe se kryeministri në largim nuk ia del t’i mbledhë 61 vota në përpjekjen e parë, atëherë kjo është për të qarë. Është vështirë e besueshme se nuk duan të kuptojnë se procedura i referohet atij që e ka shumicën për të formuar qeverinë, e jo partisë e cila i ka fituar zgjedhjet, por me numra të pamjaftueshëm për të krijuar qeverinë vetë. Po të ishte kështu siç e thonë ata, atëherë shteti përjetë do të duhej të shkonte në zgjedhje të parakohshme, për shkak se ai që nuk i ka 61 ulëset, nuk mund t’i ketë kurrë, pos nëse i vjedh apo i merr ato me shantazh.

Duket se situata është shumë e qartë dhe se alineja specifike që i referohet kryetares po tregon se si duhet vepruar, pa e tjerrë shumë. Natyrisht, jo para se të dalin rezultatet përfundimtare, të certifikuara nga KQZ-ja.

Interpretuesit dëshpërues

I pari nga PDK-ja që reagoi ndaj marrëveshjes së tri partive qe njëri nga “etërit” e Kushtetutës, Hajredin Kuçi, i cili, pak a shumë, këtë e quajti “veprim për ngritje të pazarit”. Për një qytetar dhe votues të ndërgjegjshëm nuk ka gjë më të shëmtuar se të dëgjosh se si jeta jote është objekt i një pazari, të cilin ia japin vetes të drejtën ta bëjnë ata që e besojnë se i dinë të gjitha dhe se kungulli përherë do t’ju ecë mbi ujë. Kërcënimin se çështjen do ta dërgojnë në Kushtetuese po qe se nuk do të mandatohet shefi i tyre, ia forcoi edhe “babai” tjetër i Kushtetutës – Arsim Bajrami, i cili në stilin e njëjtë këmbëngul se, o bëhet siç thotë PDK-ja, o shkohet në zgjedhje të parakohshme brenda një periudhe shumë të shkurtër.

Megjithatë, nuk mund të lë pa e komentuar se në vitin 2010 partia e “etërve” të Kushtetutës i vodhi votat në formë industriale për t’u bërë me pushtetin e pakicës, që e mori qeverinë për shkak se u lidh me AKR-në e Pacollit dhe minoritetet, një ditë pa u konstituuar legjislatura e katërt. Për më tepër, asnjërit nuk i kishte shkuar ndërmend as të ngrinte padi e as ta kundërshtonte shkeljen e vullnetit të sovranit para Kushtetueses.

Në situatë kur kanë konflikt të pastër interesi, nuk do të duhej të prononcoheshin. Ose, nëse tashmë kanë vendosur të prononcohen, atëherë do të duhej t’i mbeteshin besnik etikës së tyre profesionale. E cila, tashmë është evidente, nuk ekziston.

Qeveria e re

Duhet pritur rezultatet dhe nëse jetësohet formimi i Qeverisë nga blloku opozitar, kjo do të jetë fitore e demokracisë. Do të jetë hera e parë që Kosova do të ketë opozitë të fuqishme në Kuvend (PDK-në dhe VV-në, që besoj do t’u mbetet besnike kërkesave të veta); do ta ketë një kryeministër që ka ëndërruar me këtë çast qe dhjetë vjet, dhe do të ketë përfaqësues të shumë subjekteve politike, duke shpresuar se nuk do t’i kemi ende 19 ministri, 40 e kusur zëvendësministra e 5 zëvendëskryeministra; do të ketë shumë telashe e mbase do të duhej të shërbente si një qeveri kalimtare, ta zëmë dyvjeçare, deri në konsolidimin e skenës politike në Kosovë.

Kjo, ngase do të krijohet si rezultat i veprimit të përbashkët për ta rrëzuar nga pushteti njeriun që nuk i çoi deri në fund asnjërin nga dy mandatet qeverisëse; njeriun, sundimi i të cilit nuk i ka bërë mirë Kosovës; njeriun, i cili është dalluar nga të tjerët me mjeshtërinë e sigurimit të votave dhe prishjes së votimeve sa herë që kjo i ka shkuar për shtat, dhe që përfundimisht do të mbahet në mend për arrogancën që e ka përshkuar stilin e jetës së mjerë që ua ka imponuar qytetarëve përherë e më të varfër.

Nuk e besoj se dikujt i ka shkuar ndërmend se gjërat do të zhvilloheshin kështu, si me një skenar filmi krejt shpejtësi e hëz. Por nëse java e ardhshme ia del ta qesë kryeministrin në ikje në opozitë të merituar, e besoj se nuk do të ketë përshkrim më të mirë për të se ky të cilin po e huazoj nga miku im fejsbukian ML: “Thaçi edhe nëse nuk rizgjidhet kryeministër shkon faqebardhë – se fytyra kurrë për kurrgjë nuk i është skuqur”.


flaka@koha.net

©KOHA.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...