Më shumë se lojë

12 Qershor 2014 - 08:43 - Enver Robelli      

Të enjten fillon një garë e rëndësishme sportive: Kampionati i futbollit në Brazil. Një ngjarje që e shpëton këtë verë dhe na e rikujton jo vetëm Zef Seremben, udhëtarin më të famshëm shqiptar në Brazil

100 vjet më parë njerëzit në Evropë bënin plane për pushime verore. Në sallonet e Vjenës dhe të Parisit artistët kritikonin pikturat dhe romanet e kohës. Askush nuk mendonte për luftën. Gati të gjithë flisnin për modën e re. Më 28 qershor 1914, në Sarajevë nacionalistët serbë do të vrisnin trashëgimtarin e fronit austro-hungarez, Franz Ferdinandin, një muaj më vonë do të shpërthente Lufta e Parë Botërore, katastrofa zanafillore e të gjitha të këqijave në Evropën e shekullit të 20-të.

100 vjet më vonë, përkundër krizës në Ukrainë, të gjitha shikimet do të jenë të drejtuara jo nga një luftë e re, por drejt shumë betejave që do të zhvillohen në fushën e futbollit në Brazil, ku nga e enjtja do të mbahet Kampionati Botëror i Futbollit. Qindra rrëfime mund të tregohen me këtë rast. Para 100 vjetësh shqiptarët kishin një gjysmështet (Shqipërinë), ku qeni nuk e dinte të zotin, ku disa kërkonin kthimin e Perandorisë Osmane e disa të tjerë kërcënonin me luftë vëllavrasëse. Kosova sapo ishte pushtuar nga Serbia në kuadër të një dalldie nacionaliste, ku lartësohej kulti i vdekjes dhe projektohej Serbia e Madhe.
Pas një shekulli tragjedish e emigrimesh ja ku jemi: gati gjysma e ekipit të Zvicrës përbëhet nga shqiptarët.

Ky fakt mund të shikohet me dhembje (për shkak se këta s’luajnë për Kosovën) ose me krenari (për shkak se kanë arritur sukses në një vend të ri). Mendoj se duhet të zgjedhim të dytën: krenarinë. Xhaka, Shaqiri, Behrami, Xhemaili, Mehmedi do të mbrojnë ngjyrat e Zvicrës, por do të sjellin në fushën e blertë edhe diçka nga temperamenti shqiptar: zhdërvjelltësinë dhe talentin për improvizim, kokëfortësinë dhe gjaknxehtësinë, e mbi të gjitha dëshirën e madhe për fitore, që nganjëherë tejkalon mundësitë reale.
Zviceranët duken ambiciozë: për ekipin e tyre e kanë rezervuar hotelin deri në çerekfinale. Nëse përparojnë më tutje në turnirin më të rëndësishëm të futbollit në botë, me siguri do të gjendet ndonjë hotel i ri për kombëtaren zvicerane. Një shqiptar tjetër (Shkodran Mustafi) mund të qëndrojë edhe më gjatë në Brazil, sepse ekipi për të cilin luan (Gjermania) hyn mbase në pesëshen e favoritëve për titullin e kampionit botëror. Këta janë udhëtarët më të rëndësishëm shqiptarë këtë vit.

Do të gjenden në fokus të mijëra fansave dhe mijëra kamerave, emrat e tyre do të përmenden anekënd botës, ndonjëri prej tyre nuk do të harrojë të përshëndesë atdheun e parë (Kosovën apo Maqedoninë shqiptare). Pasioni i tyre është futbolli. Por duke qenë pasion i popullarizuar ata përmes lojës shndërrohen edhe në bartës të shpresave për sukses.
Deri më tani udhëtari më i famshëm shqiptar që ka shkuar në Brazil është shkrimtari Zef Serembe. Por pasioni i tij nuk kishte të bënte me futbollin. Pasioni i tij ishte sa i bukur po aq edhe i dhimbshëm. Arbëreshi Serembe qe dashuruar në moshë të re në një bashkëfshatare, e cila emigroi në Brazil. Në shekullin e 19-të shumë arbëreshë ia mësynë Amerikës Latine në kërkim të një jete më të mirë. Por e dashura e Serembes ishte fatkeqe dhe vdiq pak kohë pas shkuarjes në Brazil. I pikëlluar thellë, Zef Serembe mori detin në vitin 1874 apo 1875 (në lidhje me vitin e shkuarjes ka të dhëna të ndryshme) dhe lundroi për në Brazil për të parë së paku varrin e së dashurës së tij dhe për të dëshmuar se sa e madhe di të jetë dashuria për një njeri.

Serembe shkoi në Brazil edhe për të ndërtuar një jetë të re. U kthye i dëshpëruar, sepse Brazili nuk ishte parajsa e premtuar. Zhgënjime të ngjashme përjetuan edhe shumë zviceranë që në shekullin e 19-të emigruan në Brazil për shkak të varfërisë së madhe në Zvicër. Kur në prill të vitit 1815 në Indonezi shpërtheu vullkani Tambora, hiri mbuloi gati gjithë botën dhe për dy vjet në Evropë u shkatërruan drithërat. Në atë kohë vetëm në Zvicrën Lindore u shënuan mijëra të vdekur nga uria. Në këtë situatë qindra familje zvicerane morën botën në sy dhe disa prej tyre u vendosën në Brazil.
Kjo histori e dhimbshme mërgimi e zviceranëve në Brazil ndoshta do t’ua kujtojë futbollistëve shqiptarë edhe historitë personale apo familjare të mërgimit. Secila është më e dhimbshme se tjetra. Dikush iku nga represioni, tjetri nga varfëria - për të arritur në Zvicër, në një vend malor mes Evropës, ku asgjë nuk të falet, madje as një buzëqeshje.

Andaj, suksesi i futbollistëve shqiptarë është i shumëfishtë. Së pari sportiv. Pastaj edhe politik, sepse tregon se çdokush mund të ketë sukses në një shoqëri të lirë, ndonëse tepër kërkuese dhe jo rrallë edhe skeptike ndaj të huajve, por jo përjashtuese.
Duke i pasur parasysh të gjitha këto mund të thuhet se në botërorin e sivjetmë do të marrin pjesë edhe Kosova dhe Maqedonia shqiptare. Legjionarët tanë do të dallojnë nga ata të mesjetës. Këta sjellin gëzim me lojën e tyre, ata të mesjetës jetonin e mbijetonin mes luftërave. Njëri prej tyre, i njohur me emrin Konstantin Araniti, në mesjetë arriti të bëhej komandant i Gardës Zvicerane në Vatikan. Si shqiptarët edhe zviceranët kanë një përvojë të gjatë historike si mercenarë, si luftëtarë në shërbim të fuqive të tjera.

Në vitin 1499, në luftën e Italisë Veriore në të dyja anët ndërluftuese u gjendën mercenarë zviceranë, djem muskulorë që kishin braktisur malet për të fituar ndonjë para si luftëtarë. Gjatë javëve në vijim, kur Shaqiri ta marrë topin me shpejtësinë e një leopardi, do të kemi rast të mendojmë pak edhe për historinë. Futbolli është më shumë se lojë.

robelli@bluewin.ch
©KOHA.net

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...