Tregimi me morra: Terror në Facebook!

10 Shkurt 2017 - 08:10 - Halil Matoshi      

Lajmi se një mësuese në shkollën fillore “Emin Duraku” në Prishtinë ka abuzuar emocionalisht fëmijët duke zgjedhur një mënyrë të tmerrshme ndëshkimi – turpërimi publik - është shokues për shoqërinë, veçanërisht për drejtuesit e shkollës kosovare. Ky rast trishtues e shpërfaq më së miri katandisjen e shkollës shqipe në Kosovë, si vend ku nxënësit ndëshkohen, turpërohen publikisht dhe abuzohen emocionalisht, pa e gëzuar mbrojtjen e askujt, ndonëse të drejtat e fëmijës mbrohen me konventa ndërkombëtare. Pse rasti i arsimtares prishtinase është i tmerrshëm?

Derisa në Shqipëri është miratuar Ligji për mbrojtjen e fëmijëve, Kosova ende nuk e ka një të tillë.
Rasti kur arsimtarja Lindita Ilazi – Fazliu i turpëroi nxënësit në publik shpreh urgjencën e nxjerrjes së këtij ligji, që do t’i mbronte fëmijët edhe nga abuzimet emocionale, dhe jo vetëm nga ato fizike.

E abuzimi me fëmijët, si dhuna fizike, trafikimi e abuzimi seksual, si dhe shfrytëzimi në punë të rënda e lypësi është i tmerrshëm, porse fëmijët kosovarë janë viktima edhe të abuzimit emocional, refuzimit të pranisë, turpërimit publik, ekspozimit të imazheve të tyre në rrjetet sociale etj.
Të drejtat e fëmijëve janë të drejtat njerëzore me vëmendje të veçantë për të drejtën e mbrojtjes dhe kujdesit të veçantë për të miturit.
Etimologjikisht termi "fëmijë" (child) vjen nga latinishtja, që do të thotë "ata që nuk flasin".

Të drejtat e fëmijëve janë njohur pas Luftës së Parë Botërore me miratimin e Deklaratës së Gjenevës, në vitin 1924. Procesi i njohjes së të drejtave të fëmijëve ka vazhduar në saje të OKB-së, me miratimin e Deklaratës së të Drejtave të Fëmijëve në vitin 1959.
Konventa për të Drejtat e Fëmijës (KDF) e vitit 1989 e përcakton një fëmijë si çdo person njerëzor i cili nuk e ka mbushur moshën tetëmbëdhjetëvjeçare.
Një nga emocionet më të fuqishme të jetës, fëmijët mësojnë të mendojnë se është turp.

Pothuajse të gjithë mund të kujtohen kur herën e parë kanë pasur këso emocionesh të pakëndshme.
Fëmijët, natyrisht, që bëjnë gabime; ata thyejnë rregullat, dhe rebelohen kundër prindërve të tyre.
Të gjitha këto janë gjëra që, edhe pse shpërfillen, janë pjesë e rritjes.
Turpërimi publik nuk duhet të jetë i pranueshëm për prindërit, sepse kjo valë e re e taktikave të “digi-dënimit” kërcënon në mënyrë të pakthyeshme ndërveprimin mes fëmijëve dhe prindërve e kujdestarëve, por edhe mësuesve. Kur prindërit, kujdestarët ose mësuesit i turpërojnë publikisht fëmijët, marrëdhëniet e tyre humbin elementin e respektit.
Së pari, ashiqare që vetë arsimtarja është rritur dhe edukuar në një shoqëri abuzive, dhe sidomos në një shoqëri që praktikon ende normat e edukimit komunist të masave.
Të mësuarit përmendësh të copave letrare, poezive ose njësive të tjera mësimore është një metodë arkaike dhe i takon së shkuarës në mësimnxënie.
Ka qenë relikt i shkollës komuniste dhe nuk praktikohet më në shkollën moderne evropiane.

Ky rast, së këndejmi dëshmon se Kosova e ka ligshtue shkollën e vet kombëtare duke e rrëzuar përtokë, kurse shumë mësues janë ekstremisht të padijshëm, pra pa integritet profesional dhe moral!
Porse as kurrikula nuk ofron zgjidhje fatlume, dhe këtë mendësi arkaike e dëshmoi Testi PISA, që u bë publik vitin e kaluar, ngase, sipas tij, nxënësit kosovarë nuk dinë të nxjerrin kuptim nga leximet letrare, nuk dinë të bëjnë komente dhe as të shtrojnë pyetje rreth asaj njësie tekstore.
Pra, sefte duhet thënë se nuk është kurrfarë turpi nëse nxënësi nuk e mëson një vjershë në këtë rast përmendësh.
Turp do të ishte që nxënësi që ka mbaruar klasën e parë të mos dijë fare të lexojë, po ashtu është turp të mos dijë të japë ndonjë koment të vetin rreth vjershës, copës së leximit ose njësisë mësimore dhe të mos dijë të shtrojë pyetje rreth asaj materie mësimore. Leximi letrar parashihet që të nxisë tek fëmijët imagjinatë, të nxisë kërkesa për të kërkuar e zbërthyer kuptime më të sofistikuara, më të fshehta, për ta pasuruar fjalorin e të shprehurit, dhe kështu për t’u joshur në zbulimin e botës dhe të mistereve të saj.

Së dyti, sa për morrat (dhe thniat) që arsimtarja pretendon se i ka hasur në flokët e fëmijëve kjo nuk është turp fare për ta, dhe as për prindërit (të cilët, megjithatë, nuk mund të zhvishen nga përgjegjësia), por është reflektim i një mjedisi në mjerim social dhe i një shoqërie primitive, të paemancipuar – por qyshdo qoftë nuk është marre për fëmijët - (sepse vuajtja e çfarëdoshme, skamja dhe nënshtrimi kushteve të mjera sociale, si dhe secila fatkeqësi tjetër nuk është kurrfarë turpi që rëndon mbi supet e fëmijëve,ndonëse ata janë viktima dhe e ndiejnë këtë turp në formën e vetë kërcitëse!?).
Pra, arsimtarja nuk i ka turpëruar nxënësit qysh ajo e ka menduar, por veten dhe mjedisin - ndonëse fëmijët janë ata që kanë bartur konsekuencat e ngushtimit (turpërimit) në publik, pa fajin e tyre, dhe kjo atyre mund t’iu shkaktojë çarje në ndërtimin shpirtëror (psikik) të personalitetit, por mund t’iu shkaktojë turbullime psikologjike madje edhe trauma.

Prandaj kjo “metodë” e arsimtares në Prishtinë mund të cilësohet abuzim emocional me fëmijët.
Së treti, mësuesja duhet të përgjigjet para ligjit pse i ka nxjerrë imazhet ( fotografitë) e nxënësve në rrjetet sociale, pa i pyetur prindërit/kujdestarët e tyre, pra ajo nuk e ka këtë të drejtë!
Imazhet e fëmijëve, sipas Aktit Australian të Privatësisë, mund të nxirren në rrjetet sociale (edhe pse nuk preferohet) vetëm nëse ato janë nga mese familjare, private.
Akti Australian i Privatësisë (133) thotë: “Nëse identiteti i një individi është i dukshëm, ose në mënyrë të arsyeshme mund të përcaktohet, nga një fotografi apo imazh tjetër, atëherë mbledhja, përdorimi dhe bërja publike e këtij imazhi është i mbuluar nga Akti 69”.

Arsimtarja në shkollën “Emin Duraku” të Prishtinës ka dëshmuar mungesë të skajshme etike profesionale dhe morale, sepse të dhënat personale të secilit person (e fëmijët duhet trajtuar si personalitete unike!?) janë të mbrojtura me ligj.
Natyrisht që kjo sferë e ndjeshme (të dhënat personale) në secilin vend me konstitucion modern është e rregulluar me ligj, ku një mjek do të bënte shkelje të rëndë etike, si dhe shkelje të Betimit të Hipokratit, nëse do të publikonte diagnoza lëngatash për pacientët e tij...

Porse Kosova ende nuk e ka ligjin për mbrojtjen e fëmijëve, ndonëse Kushtetuta e Kosovës shprehimisht i mbron fëmijët nga të gjitha llojet e abuzimeve dhe nga diskriminimet.
Përderisa Ligji shqiptar në nenin 14 (Liria e jetës private) thotë: 1. Fëmijës i garantohet respektimi i jetës private, familjare, i banesës, korrespondencës dhe mbrojtja nga cenimi i paligjshëm i moralit dhe i dinjitetit të tij. 2. Privatësia e fëmijës mbrohet në të gjitha situatat, përfshirë brenda familjes, institucioneve të përkujdesjes shoqërore dhe të shërbimeve. Kjo e drejtë përfshin privatësinë e marrëdhënieve e të komunikimeve me të tjerët, përfshirë të drejtën për këshillim konfidencial, kontrollin e aksesit në informacionin që ruhet për fëmijët në dosjet përkatëse. 3.

Privatësia e fëmijës respektohet në të gjitha fazat e procedurave gjyqësore apo administrative, përfshirë çështjet penale dhe të raportimeve në media. Kurse në nenin 18 ( E drejta për nivel jetese të përshtatshëm) thuhet: Fëmija ka të drejtë të gëzojë një nivel jetese të përshtatshëm për zhvillimin e tij fizik, mendor, shpirtëror, moral dhe shoqëror.

Së këndejmi, duke pasur parasysh Deklaratën e Gjenevës të vitit 1924, Deklaratën e të Drejtave të Fëmijëve të vitit 1959, Konventën për të Drejtat e Fëmijëve (KDF) të vitit 1989, si dhe shembujt si Aktin Australian të Privatësisë dhe Ligjin e Republikës së Shqipërisë për mbrojtjen e fëmijëve, ata – personazhet e këtij tregimi- u janë nënshtruar tri shkeljeve të mëdha: së pari, abuzimit emocional nga arsimtarja e tyre, së dyti, ekspozimit të imazhit të tyre në publik dhe së treti, atyre u është shkaktuar vuajtje shpirtërore deri në lëndim, për shkak se jetojnë në një nivel jetese të papërshtatshëm.
Alyson Schafer, në një shkrim në “Huffington Post” të Kanadasë, deklaron se trendi i turpërimit publik (në mediat sociale) të fëmijëve është në rritje.

Schafer e cilëson këtë si "digi-ndëshkim".
Ajo jep disa shembuj të dhimbshëm të kohëve të fundit, kur një baba e qorton sjelljen e vajzës së tij duke ia përplasur laptopin e saj, dhe që kishte 40 milionë shikime në YouTube.
Një tjetër rast, sipas saj, ishte postuar nga një nënë e cila e ndjek vajzën e saj të mitur nëpër korridoret e shkollës së saj tek e filmonte, duke e publikuar videon e cila po qarkullonte gjerësisht në rrjetet sociale duke e poshtëruar vajzën në masë.
Në këtë rast, arsimtarja nga Prishtina ka bërë një “digi-dënim” ekstrem.

Schafer së këndejmi apelon që prindërit dhe kujdestarët të mos publikojnë imazhe të fëmijëve, duke u përpjekur për të edukuar ata prindër që janë të impresionuar me këtë metodë ndëshkuese.
Së pari, disa prindër kanë idenë e gabuar se nëse dënimi dhemb mjaftueshëm, fëmijët do të ndryshojnë sjelljen e tyre nga frika.
Ata prindër ose kujdestarë të cilët besojnë në turpërimin publik se mund të sjellë rezultate të mira janë në lajthitje.
Nga një perspektivë psikologjike, fëmijët kërkojnë nga prindërit e tyre të sigurojë atë që teoricienët e quajnë "bazë të sigurt".
Sa më i madh turpi, aq më shumë ka të ngjarë që fëmijët të nxjerrin një përfundim se ata nuk janë të dashur, të denjë, ndoshta ata edhe besojnë se janë të pistë, qaramanë e të neveritshëm. (http://www.huffingtonpost.com/2015/05/22/shaming-children_n_7424664.html)

Sipas Dr. Michael S. në revistën “SocJourn”, format e abuzimit emocional të fëmijëve janë: izolimi - burgimi fizik; kufizimi i lirisë në mjedisin e vet, refuzimi i pranisë, turpërimi publik ose “digi-ndëshkimi”.
Modelet e abuzimit emocional të fëmijëve në median e re sociale si Facebook po bëjnë terror emocional dhe psikologjik të përmasave të gjëra mbi fëmijët. (http://www.sociology.org/the-emotional-abuse-of-our-children-teachers-schools-and-the-sanctioned-violence-of-our-modern-institutions/)
Të drejtat e fëmijëve janë të drejta njerëzore. E mbrojnë fëmijën si një qenie njerëzore. Si të drejtat e njeriut, të drejtat e fëmijëve janë të përbëra nga garancitë themelore dhe nga të drejtat themelore të njeriut.

Shoqëria, shteti, shkolla, prindërit dhe kujdestarët obligohen ligjërisht dhe moralisht që t’i mbrojnë fëmijët, jo vetëm nga abuzimet e rënda, si trafikimi dhe abuzimi seksual, keqtrajtimi fizik, tortura, përfshirja në konflikte të armatosura, shfrytëzimi në punë të rënda, për lypje etj. Porse fëmijët duhet mbrojtur edhe nga abuzimi emocional.
Mos e përdorni kurrë metodën e “digi-ndëshkimit”, mos postoni fotografi të fëmijëve (në kurrfarë rrethanash) në rrjetet sociale, pos të shoqëruar me prindër ose me kujdestarë dhe në ambiente private…

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...