Një fetva kundër lajmeve të rrejshme

9 Shkurt 2017 - 08:31 - Enver Robelli      

Ulematë e Indonezisë duan të mallkojnë të gjithë ata myslimanë që marrin pjesë në përhapjen e lajmeve të rrejshme. Më në fund një paralajmërim i arsyeshëm. Dhe një leksion edhe për Kosovën.

Nëpër mediat sociale dhe në portale të ndryshme që peshkojnë nëpër botën e moçaleve për të kapur ndonjë lajm bizar, shpesh qarkullojnë video apo njoftime se çfarë ka thënë ky apo ai hoxhë. Citohet një imam që thotë se të vdekurit në sulmet vetëvrasëse i presin 72 virgjëresha në parajsë, në xhenet. Pastaj shfaqet imami tjetër që në një studio televizive diku në vendet e Gjirit Persik paskësh thënë se islami e lejon poligaminë, madje edhe seksin me kafshë të caktuara. Një tjetër hoxhë mbështet gjymtimin e gjenitaleve të vajzave. Tjetri thotë se bota nuk është e rrumbullakët, por e rrafshët si pjatë.

Kështu, të pafiltruara dhe të paverifikuara, këto «lajme» qarkullojnë në të katër anët e botës. Disave u shërbejnë për të treguar «sa primitivë janë ca dinjitarë të fesë islame», të tjerët shkojnë edhe më larg, duke e njollosur një fe të tërë për shkak të marrëzive të disa mashtruesve.

Me bindjen e budallait

Kjo kategori imamësh janë në fakt prodhues të lajmeve të rrejshme, «FakeNews», siç quhen në epokën e Donald Trumpit, falë të cilave ky i fundit hyri në Shtëpinë e Bardhë. Kemi pasur edhe në Kosovë raste të imamëve apo politikanëve të marrë, që provokojnë opinionin dhe acarojnë raportet mes njerëzve. Nëna Terezë nuk e ka vendin në parajsë, sepse është e krishterë, pati llomotitur njëri para disa vjetësh. Një politikan i parëndësishëm, por i mirëpritur në studiot televizive, sepse me marrëzitë e tij e ndjell audiencën para ekranit, nuk e pranon Skënderbeun si hero kombëtar, «sepse ka luftuar kundër osmanëve».

Një imam nga provinca flet si anëtarët shqiptarëngrënës të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë: s'kishte shqiptarë në Kosovë deri në ardhjen e turqve. Këtë e thotë me bindjen e budallait, pa u skuqur fare, madje duke i mbajtur ligjëratë xhematit injorant.
Personat e tillë, po të jetonin në Indonezi, do t'i përfshinte një fetva, një ekspertizë juridiko-teologjike e imamëve. Këshilli Islamik i Indonezisë po planifikon një urdhëresë, një fetva, me të cilën do të mallkohen të gjithë ata që përhapin lajme të rrejshme, «FakeNews». «Gjendja është serioze», tha Maaruf Amin, kryetar i Këshillit të Ulemave të Indonezisë. Ai u bëri apel myslimanëve të mos marrin pjesë në përhapjen e lajmeve të rrejshme. Indonezia është vendi me numrin më të madh të myslimanëve në botë. Numri i shfrytëzuesve të rrjeteve sociale si “Facebook” dhe “Twitter” është ndër më lartit në botë.

Në vrimat mediale

Një fetfva kundër lajmeve të rrejshme duket ndoshta diçka absurde. Por nuk është. Krahas politikanëve e mediave edhe dinjitarët fetarë duhet të jenë pjesë e angazhimit për të mirën e përgjithshme, e cila s'mund të arrihet nëse lajmet e rrejshme mbizotërojnë diskursin publik. Skandalizimi i çdo gjëje, shikimi i çdo zhvillimi nga këndvështrimi sensacionalist apo pornografik ka efekt edhe në «edukimin» negativ të qytetarëve. Kjo reflektohet edhe në zgjedhje: qytetarët e dezorientuar nga lajmet e rrejshme mund të manipulohen më lehtë. Kësisoj, qytetari i manipuluar ia falë besimin politikanit manipulues.

Fetvaja indoneziane nuk ka efekt ligjor, por do të jetë një apel për mobilizim të imamëve të arsyeshëm për të izoluar teologët që manipulojnë në emër të fesë. Të tillët janë shumë të zhurmshëm dhe gjejnë vrima mediale për t'iu drejtuar publikut. Kur s’gjejnë mundësi të «komunikojnë» me publikun përmes mediave tradicionale hidhen në “Youtube”, ku plasojnë «ligjërata» të mbajtura në konakë kasabash në Kosovë, Maqedoni, Luginë të Preshevës. Dhe në zonat industriale të botës perëndimore, aty ku zakonisht kanë gjetur një vend për të hapur një xhami për komunitetin, shpeshherë me minare prej teneqeje. Kjo është një botë e izoluar, ku lirisht mund të prodhohen e përhapen lajme të rrejshme, të tregohen legjenda për «gratë e Muhamedit», të flitet për grupet e armatosura në Siri. Do të duhej të ishte në interesin e imamëve të ndërgjegjshëm për kombin që të shpërthenin këtë botë dhe të predikonin në frymën e paqes dhe të tolerancës. A është kjo e mundur? Fetvaja e Indonezisë tregon se ka imamë që nuk mendojnë vetëm në prerjen e duarve të mëkatarëve. Mjafton një qëndrim i qartë – kundër lajmeve të rrejshme po aq sa kundër manipuluesve politikë.

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...