NATO-ja ka arritur sukses në Ballkan, por kjo nuk mjafton

8 Shkurt 2017 - 08:09 - Augustin Palokaj      

22 vjet pas përfundimit në luftës në Bosnjë-Hercegovinë dhe 17 vjet pas çlirimit të Kosovës nuk mund të kënaqemi vetëm me faktin se tash situata është më mirë sesa kur kishte luftë. Vërtet luftë nuk ka, edhe pse ajo përsëri po përmendet, por Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina vazhdojnë të jetojnë sikur të ishin shtete kalimtare. Kjo situatë dëshmon se nga të gjitha organizatat ndërkombëtare vetëm NATO-ja ka kryer punën e saj, ka garantuar dhe garanton paqen, por gjithçka tjetër që nuk ka qenë detyrë ushtarake ka dështuar

Në fund të javës së shkuar vizitova Sarajevën dhe Prishtinën me ftesë nga zyra e shtypit e NATO-s, së bashku me sekretarin e përgjithshëm të kësaj Aleance dhe stafin e tij. Të ftuar ishin edhe dy gazetarë tjerë, një nga Amerika dhe një nga Italia. Për ta ishte hera e parë që po qëndronin në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë. Për mua nuk ishte. Gjatë luftës që në fillim të karrierës gazetareske kisha raportuar edhe nga Bosnjë- Hercegovina dhe shpesh e kisha vizituar këtë shtet, kryesisht me punë. Bosnjë-Hercegovina vazhdon të jetë tregim në vete. E kaluara e saj gjeneratave të reja në Evropë u duket shumë e komplikuar. Prandaj e kanë vështirë ta kuptojnë edhe të tashmen e saj, sepse pa e kuptuar të kaluarën nuk mund të kuptohet as e tashmja. Pse janë tre anëtarë të Presidencës në Bosnjë-Hercegovinë nëse ky shtet ka dy entitete. Pse nëse janë tre popuj konstituivë Bosnja është e ndarë në dy entitete. Kush kundër kujt ka luftuar. Dhe çfarë mendoi kryesuesi i radhës i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Mladen Ivaniq, kur thotë se në këtë shtet “ka konsensus për rrugën drejt integrimit në NATO, por jo edhe për anëtarësim në NATO”. Nëse ai është përfaqësues i serbëve pse thuhet se ai nuk flet në emër të serbëve të Bosnjë-Hercegovinës, por udhëheqës i tyre është Milorad Dodik, i cili vazhdon të thotë se Bosnjë-Hercegovina nuk mund të mbijetojë.

Për sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Bosnjë-Hercegovina nuk është territor i panjohur. Ai si fëmijë kishte jetuar një pjesë të jetës së tij në Beograd, ku i ati ishte diplomat norvegjez. Më vonë i ati i tij edhe gjatë luftës ishte i dërguar i posaçëm ndërkombëtar. Dhe ai, duke e ditur se çfarë ka kaluar Bosnjë-Hercegovina, duket i impresionuar me atë që ky shtet ka arritur sot. Këto përshtypje ua përcjell edhe mikpritësve në Sarajevë. U thotë madje se këto të arritura janë “impresive”. Ende, 22 vjet pas përfundimit të luftës dhe të rrethimit famëkeq të qytetit nëpër shumë mure të ndërtesave në Sarajevë shihen vrimat e granatave dhe plumbave të shkaktuar gjatë luftimeve. Por ajo që sekretari i përgjithshëm i NATO-s i konsideron arritje të mëdha janë në fushën e mbrojtjes. Përmend faktin se kur NATO-ja hyri me rreth 60.000 ushtarë për të ruajtur paqen në këtë shtet ekzistonin më shumë se 400.000 ushtarë nga tri ushtri të ndryshme, të cilat luftonin kundër njëra-tjetrës. Tash ka një ushtri të përbashkët me rreth 10.000 ushtarë, të cilët madje edhe marrin pjesë në misionet ndërkombëtare, përfshirë edhe ata që u udhëhoqën nga NATO-ja si ai në Afganistan. Kjo ushtri e Bosnjë-Hercegovinës ka falur edhe municion për ushtrinë e Irakut për t’i ndihmuar në luftë kundër terrorizmit islamik.

Dhe pas vizitës në Sarajevë, pas takimeve me ushtarakë dhe zyrtarë të ndryshëm, shefi i NATO-s, megjithëse e kupton se ka ende sfida të sigurisë, është i bindur se nuk mund të ketë luftë, sepse liderët politikë nuk do të përsërisin gabimet nga e kaluara.

Vizita në Kosovë duket pak ndryshe. Në këtë shtet NATO-ja kishte hyrë kur Kosova nuk ishte shtet dhe për NATO-n Kosova as sot nuk trajtohet formalisht si shtet. Prandaj edhe vizita në Kosovë, për dallim nga ajo në Bosnjë-Hercegovinë, nuk e kishte karakterin e njëjtë. Vizita në Kosovë u paraqit si “vizitë KFOR-it”. Edhe takimet me përfaqësues të institucioneve të Kosovës në komunikatën për shtyp të NATO-s u paraqitën me emra të personave, por jo edhe përshkrimin se çfarë funksioni kanë ata. Kështu, sipas komunikatës së NATO-s, sekretari i përgjithshëm, Jens Stoltenberg, u takua në Kosovë me Hashim Thaçin, Isa Mustafën, Branimir Stojanoviqin dhe Enver Hoxhajn. Në takimet që pati të premten në Kosovë kishte edhe zyrtarë tjerë po ashtu. Por NATO-ja në komunikim po mbetet madje edhe më strikte në qëndrimin neutral ndaj statusit sesa Bashkimi Evropian. Kjo nuk ka ndikuar në suksesin e misionit të NATO-s në Kosovë. Por në të ardhmen një qëndrim i tillë mund të ketë ndikim në detyrat e reja që mund të marrë NATO-ja në rast se Kosova vendos të ketë, për shembull, ushtrinë e saj. Në atë rast, siç tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në Prishtinë, “NATO-ja duhet të rishqyrtojë angazhimin e vet për të parë se çfarë roli mund të ketë”. Sa i përket qëndrimit të deritashëm NATO-ja nuk është në favor të ndryshimit të mandatit ekzistues të FSK-së.

Gjatë ditës sa sekretari i përgjithshëm i NATO-s qëndroi në Kosovë pati mjaft tensione politike. Por tensionet nuk ishin të lidhura me vizitën e tij. E as vizita e tij nuk ishte bërë për shkak të tensioneve, sepse ajo ishte planifikuar shumë kohë më parë, Por, përkundër kësaj, Stoltenberg në Prishtinë bëri thirrje për ulje të tensioneve, për përmbajtje nga retorika e cila mund të krijojë tensione. U dha zotime, edhe shqiptarëve e edhe serbëve, se NATO-ja do të mbetet në Kosovë për të mbrojtur të gjithë. Për çudi NATO-ja vazhdon të jetë prania më e besueshme ndërkombëtare për kosovarët, si për shqiptarët ashtu edhe për serbët. Dhe në këtë kohë të përsëritjes së tensioneve as shqiptarët e as serbët nuk do të donin ndonjë zvogëlim të numrit të ushtarëve të NATO-s. Shqiptarët druajnë se Serbia mund të nisë ndonjë aventurë ushtarake përsëri në Kosovë, sepse luftën e ka përmendur vetë presidenti i Serbisë. Serbët po frikësohen nga mediat e Beogradit dhe politikanët për ndonjë “sulm të shqiptarëve”. Prandaj përsëritja e zotimeve të shefit të NATO-s ndihmon që të gjithë të qetësohen pak në këto kohëra të fjalëve të rënda që vijnë nga goja e politikanëve.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s po ashtu shprehu bindjen se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbeten të angazhuara në Ballkan. Kjo është me rëndësi edhe për Bosnjë-Hercegovinën e edhe për Kosovën. Qytetarët e edhe politikanët në të dyja këto shtete janë në pritje të veprimeve konkrete të administratës së re amerikane. Ata e dinë se pa rolin udhëheqës të SHBA-së NATO-ja nuk mund të bëjë shumë, as në Ballkan. Ndonëse pajtohen se edhe BH-ja, edhe Kosova e kanë të ardhmen drejt integrimeve në BE, qytetarët nuk janë të sigurt nëse Bashkimi Evropian mund ta marrë rolin e NATO-s për të garantuar paqen dhe stabilitetin në rajon, sidomos kur ka një rritje të rolit dhe ndikimit të Rusisë dhe Turqisë në këtë rajon.

Nga e gjithë kjo vizitë unë mbeta ndoshta ndër skeptikët e rrallë. Të gjithë të tjerët dukeshin më të lumtur. Sepse ata thoshin se “përparimi është shumë i madh” nëse krahasohet me të kaluarën e këtyre vendeve. Këtë e tha në intervistë për gazetën tonë edhe vetë sekretari i përgjithshëm i NATO-s.

Por 22 vjet pas përfundimit të luftës në Bosnjë-Hercegovinë dhe 17 vjet pas çlirimit të Kosovës nuk mund të kënaqemi vetëm me faktin se tash situata është më mirë sesa kur kishte luftë. Vërtet luftë nuk ka, edhe pse ajo përsëri po përmendet, por Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina vazhdojnë të jetojnë sikur të ishin shtete kalimtare. Kjo situatë dëshmon se nga të gjitha organizatat ndërkombëtare vetëm NATO-ja ka kryer punën e saj, ka garantuar dhe garanton paqen, por gjithçka tjetër që nuk ka qenë detyrë ushtarake ka dështuar.

Si në Bosnjë-Hercegovinë ashtu edhe në Kosovë lulëzon korrupsioni. Vendet e punës vështirë gjenden pa nepotizëm, ryshfet apo klientelizëm politik. Krimi i organizuar është i lidhur me strukturat politike. Gjyqësori nuk është i pavarur. Njerëzit nuk shohin shumë perspektivë dhe synojnë të largohen nga ky shtet. Në rastin e Bosnjë- Hercegovinës më shumë e në atë të Kosovës më pak shqetësim serioz janë edhe fushat e minuara që nuk janë pastruar as 22 vjet pas përfundimit të luftës. Grindjet politike shërbejnë jo për të lëvizur shtetin dhe shoqërinë përpara, por për t’u mundësuar politikanëve që të mbeten në pushtet, apo thjesht në skenën politike, qoftë edhe në opozitë. Sepse edhe të jesh në opozitë është më mirë sesa të mos jesh fare i lidhur me strukturat politike. Por këto nuk janë probleme të natyrës ushtarake dhe nuk i takojnë NATO-s. Prandaj tash duhet si në Kosovë ashtu edhe në Bosnjë-Hercegovinë, të vazhdohet puna e pakryer që këto shtete të normalizohen, të hiqet nga rendi i ditës mundësia e ndarjes së tyre, në mënyrë që të mos shkojë huq ky përparim që është bërë në aspektin ushtarak e që shihet krahas faktit se, përkundër incidenteve dhe retorikës që ka krijuar shpesh tensione, nuk ka pasur luftë qëkur me veprimet e bashkësisë ndërkombëtare asaj i ishte dhënë fund në Bosnjë-Hercegovinë në vitin 1995 dhe në Kosovë katër vjet më vonë. 

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...