Mbi dialogun e dështuar

6 Shkurt 2017 - 10:36 - Lumir Abdixhiku      

Në një situatë të re politike, Kosova ka vetëm dy rrugë përpara. E para, të unifikojë zërin e brendshëm në tërësi, nëpërmjet ndërtimit të një ekipi të ri uniteti. Dhe, e dyta, nëpërmjet nisjes së takimeve individuale me shtetet sponsorizuese të projektit tonë

-1-

“Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të kërkojë nga Prishtina çfarëdo që Prishtina të kërkojë nga Beogradi – përfshirë edhe pavarësinë”, ishte deklarata e parë e presidentit serb, Nikoliq, në vijimësi të dialogut Prishtinë-Beograd të zhvilluar këtë javë në Bruksel. Në pak rreshta qëndrim, Nikoliq po shpërfaq gjithë thelbin e Asociacionit në fjalë, gjithë intencën e procesit dialogues nga ana e Serbisë – ndarjen e Kosovës pra.

Jo se vjen si risi. Vjen veçse si rikonfirmim i dështimit të procesit dialogues në tërësi. Ky dështim u rikonfirmua dhe nga vetë palët në raundin e fundit. Pas katër vitesh takime e përpjekje për afrim, Serbia ndodhet më larg se kurrë në secilin relacion me Kosovën.

Ky relacion nuk do të përmirësohet as me lidhje të çuditshme telefonike në mes të niveleve të përziera president-kryeministër, as me darka e takime të tensionuara. Relacioni do të përmirësohej vetëm me një presion ndërkombëtar ndaj Serbisë nga ndërmjetësuesit e relacioneve. Ndërmjetësuesit, ndërsa, janë të lodhur e të pafuqishëm për të vënë presion; rrjedhimisht dhe të paaftë për të shtyrë përpara çështjet teknike e jostatutore rreth Kosovës. Çështjet statutore as që duhej të ishin pjesë e ndonjë tryeze, ku ka kosovarë e sponsorizues të Kosovës.

Në një situatë të re politike, Kosova ka vetëm dy rrugë përpara. E para, të unifikojë zërin e brendshëm në tërësi, nëpërmjet ndërtimit të një ekipi të ri uniteti. Dhe, e dyta, nëpërmjet nisjes së takimeve individuale me shtetet sponsorizuese të projektit tonë. Në vijën e parë, do të refuzonte secilën intencë për asociacion me të drejta separatiste – qëllimi i të cilit u bë veçse publik. Për këtë ka dhe bazë të gjerë kushtetuese në interpretimin e Gjykatës Kushtetuese. Në të dytën do të bënte përpjekje për krijimin e një ambienti të sigurt rreth sovranitetit tonë, duke riaktualizuar partneritetet që i ka. Deri më tani, as unifikimi e as proceset takuese nuk kanë nisur. Kosova ndodhet në pritje, s’paraprin. Tipike për të.

-2-

Në të vërtetë, parapritja ka qenë dhe kritika thelbësore disavjeçare e procesit dialogues. Pikërisht për shkak se në të pala jonë ka qenë e papërgatitur, pa platformë e pa prioritizim të diskutimit të temave që kërkonin zgjidhje, pse përfitimet tona nga i gjithë procesi janë insignifikante pas gjithë këtyre viteve konsumimi.

Dialogu mund të mos ketë alternativë, por alternativë ka gjithçka tjetër përbrenda idesë dialoguese. Nga përbërja deri tek temat e shtruara; nga kompromiset deri tek trysnia; nga kërkesat deri tek refuzimet. Alternativë ka dhe kontestimi i idesë se afrimi Kosovë- Serbi duhet të nisë nga afrimi i temave të vogla, për të marrë afrimin në temën e madhe – në njohje pra.

Siç dhe shihet përfundimisht, tema e madhe, e njohjes sonë, është po aq e refuzuar edhe katër vjet më pas. Veçse, në gjithë këtë kohë, ne kemi mbajtur qytetarët e Kosovës të konsumuar me brengat ndëretnike; kemi rritur tensionin në mes të bashkëqytetarëve tanë, serbë e shqiptarë pa dallim; dhe si përfundim kemi arritur në kërcënime lufte e intervenime ushtarake.

Fshehja e kërkesës përfundimtare të njohjes, në detaje të vogla teknike e politike, nuk ka dhënë rezultat. Bashkësia ndërkombëtare nuk ka arritur të kuptojë pandryshueshmërinë e Serbisë. Nuk ka arritur të kuptojë se prapa një participimi dialogues ndodhet një agjendë e tërë kontestuese e shtetësisë së Kosovës; rrjedhimisht i gjithë participimi i tyre dialogues nuk bëhej për të zbutur qëndrimin ndaj Kosovës, por për të forcuar atë. Në pritje si këto marrëveshja ka qenë gjithmonë e pamundur.

-3-

Por këtë fakt duhet ta kenë ditur liderët tanë. Ata që katër vjet rresht refuzojnë kritikuesit e dialogut, që vazhdojnë me standarde shabllone e joorigjinale për vendin tonë. Që takimet e Brukselit nuk i kanë për të afruar vendin tonë diku, por veten në sy të diplomatëve shpeshherë dhe jo fort të rëndësishëm e kalimtarë. Këtë gjë, këta liderë duhet ta shohin dhe sot.

Pra, sado keq që është, s’është vonë. Rruga jonë përpara në konsolidimin e shtetësisë është bërë e vështirë. Një lodhje evropiane, një paqartësi amerikane, një rritje ruse, s’ka se si të mos prekë e rritë tensionet këndej. Por, pavarësisht të gjithave, rruga jonë është shumë më e favorshme se sa para pavarësisë. Ne kemi institucione tonat, të përkrahura nga kryeqendra të rëndësishme, me të drejtë të plotë për ushtrim të sovranitetit. Këtë sovranitet duhet shtruar edhe te muri në Mitrovicë, edhe te çmilitarizimi në veri. Pra duhet të veprojmë, jo të presim veprim.

Jo nëpërmjet aksioneve që ngjallin përplasje me aktorët ndërkombëtarë, por nëpërmjet koordinimit me ta. Qëndrimi zyrtar i NATO-s, dhe së fundmi i Sekretarit të Mbrojtjes në administratën e re amerikane, japin qartësi e garanci të forta mbi të drejtën tonë mbi forcën dhe sovranitetin. Këtë garanci duhet ta shfrytëzojmë.

Për ushtrim të saj, natyrshëm, na duhet unitet. Na duhet pajtim. Për forca mbrojtëse na duhet pajtim. Për blerje të reja na duhet pajtim. Për aleanca më të fuqishme na duhet pajtim. Sado utopike që pajtimi duket, është i paalternativë. Në këto kohë përplasja në mes vete do të ishte goditja e fundit në shtetësinë tonë.

abdixhiku@facebook.com

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...