Mirë se vini në epokën postfaktike

2 Shkurt 2017 - 08:17 - Enver Robelli      

Me Donald Trumpin në Shtëpinë e Bardhë një gjë është e sigurt: asgjë s’do të jetë monotone

Një ditë janari 2017. Presidenti Donald Trump telefonon kryeministrin e Izraelit, e fton për vizitë në Washington, po atë ditë kur Qeveria në Tel-Aviv vendos të ndërtojë lagje të reja për kolonizatorë, me fjalë të tjera: sërish shpallet qëllimi të grabitet tokë palestineze. Gjatë fushatës elektorale Trump kishte premtuar se do ta zhvendoste Ambasadën e SHBA-ve nga Tel-Avivi në Jerusalem, të cilin e konsideron «kryeqytet të Izraelit». (Si ndryshon bota: presidenti i Kinës Xi Jingping hapur përkrahu pavarësinë e Palestinës, bazuar në kufijtë e vitit 1967 dhe me Jerusalemin Lindor si kryeqytet të këtij shteti).

Një ditë janari 2017. Gjatë fushatës elektorale Trump kishte premtuar se do të publikonte deklaratën e tij tatimore. Një gjë të tillë e kishin kërkuar shumë amerikanë, mbi 200 mijë njerëz kanë nënshkruar një peticion përkatës. Shtëpia e Bardhë duhet të deklarohet ndaj një çështjeje nëse është nënshkruar një peticion prej më shumë se 100 mijë qytetarëve. Një këshilltare e Trumpit tha se presidenti nuk do ta publikojë deklaratën e tatimeve. Pikë. Çka është thënë para zgjedhjeve nuk vlen pas zgjedhjeve. «Një sipërmarrës ndërtimesh tani është njeriu më i fuqishëm i botës, dhe nëse nuk duket gjithçka mashtruese, atëherë Trump është i vendosur që postin e tij ta ushtrojë si një sipërmarrës ndërtimesh», shkroi së fundi revista gjermane «Der Spiegel». Në vende të tjera eksperimentet me oligarkë ndërtimi të dashuruar në botoks nuk kanë përfunduar mirë.

Një ditë janari 2017. Zëdhënësi i Donald Trumpit godet mediat, të cilat i akuzon se kanë dezinformuar mbi numrin e pjesëmarrësve në ceremoninë e inaugurimit të presidentit – ndonëse të gjitha të dhënat, përfshirë edhe fotografitë nga ajri, tregojnë se në këtë ceremoni morën pjesë shumë më pak njerëz se në inaugurimin e Barack Obamas, për shembull. Si të gjithë burrat që nuk arrijnë të shkëputen nga puberteti, edhe Trump përherë ka qejf të dëgjojë dhe të shohë se publiku po i duartroket pa pushim, po e shikon si presidentin më të madh, më të rëndësishëm të të gjitha kohërave. Etj. Etj. Sa u përket pjesëmarrësve në ceremoninë e inaugurimit të tij: një këshilltare e Trumpit tha se zëdhënësi i presidentit kishte prezantuar «fakte alternative». Me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë asgjë nuk është e sigurt. Ekzistojnë fakte, por ekzistojnë edhe fakte alternative. Deri më tani në SHBA vlente ky rregull: secili ka të drejtë të ketë mendimin e tij, por askush nuk ka të drejtë të ketë faktet e veta. Faktet janë fakte, për të gjithë.

Një ditë janari 2017. Një gazetë perëndimore, përherë proamerikane, mbrojtëse e liberalizmit, botoi një shkrim me këtë titull: «Trump is wrong». Një portal gjerman shkruan se hyrja e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë i jep fund Republikës Federale të Gjermanisë siç e njohim dhe siç e kanë formësuar sidomos amerikanët pas Luftës së Dytë Botërore. Por ka edhe politikanë në Gjermani që tregojnë pak mirëkuptim për kritikën e Trumpit ndaj vendeve anëtare të NATO-s, të cilat kanë paguar shuma minimale në buxhetin e Aleancës Veriatlantike dhe kanë gëzuar siguri maksimale.

Një ditë janari 2017. Në SHBA mijëra gra (dhe burra) vërshojnë rrugët dhe sheshet për të protestuar kundër presidentit dhe sidomos kundër gjuhës së tij seksiste. Ka njerëz që pyesin: ku kanë qenë të gjitha këto gra, të gjithë këta burra në ditën e zgjedhjeve? Në të vërtetë, këtë pyetje ua bëri edhe Donald Trump nga “Twitteri”, arma e tij e preferuar. Sidoqoftë, në SHBA po krijohet një lëvizje protestuese, më e madhe në historinë më të re amerikane.

Një ditë janari 2017. Bota gjendet para një presidenti amerikan të cilit nuk i intereson rendi i ndërtuar pas vitit 1945. Një president me origjinë gjermane që adhuron presidentin rus dhe atakon kancelaren gjermane, një president që kërcënon kompanitë gjermane dhe në rregullimin e punëve të botës dëshiron të bashkëpunojë me Kremlinin, një president që s’ka kurrfarë ndjeshmërie për të drejtat e njeriut, por vetëm për biznes, «deals», tregti e tyxhari, një president i panjohur deri më tani nga SHBA-ja.

Në të vërtetë, në Shtëpinë e Bardhë kanë sunduar pijanecë dhe dallaveraxhinj, por Trump është një president që e shpërthen kornizën. Në një intervistë dhënë revistës gjermane «Der Spiegel», historiania amerikane Anne Applebaum tha: «Rendi ekzistues, me të cilin jemi mësuar që nga fundi i Luftës së Ftohtë, do të transformohet në mënyrë radikale». Me Donald Trumpin në Shtëpinë e Bardhë një gjë është e sigurt: asgjë s’do të jetë monotone.

Një ditë janari 2017. Presidenti nënshkroi një dekret, i cili ua ndalon hyrjen në SHBA sirianëve, irakianëve, iranianëve, jemenasve, somalezëve, sudanezëve dhe libianëve. Këta janë «myslimanët e këqij», sipas Trumpit. Prej tyre ai dëshiron ta mbrojë Amerikën. Bie në sy se cilat shtete myslimane nuk janë të prekura nga mallkimi i Trumpit: Egjipti autokratik dhe Arabia Saudite fundamentaliste. Shumica e terroristëve të 11 shtatorit 2001 kanë qenë shtetas të këtyre dy vendeve. Në të dy vendet firma e Trumpit ka biznese. A mund të jetë kjo arsyeja që ato nuk goditen nga masat e Trumpit? Sidoqoftë, nga Iraku, Irani, Sudani, Somalia, Libia dhe Siria asnjë terrorist nuk ka atakuar SHBA-në. Për detaje të tilla padroni i ri i Shtëpisë së Bardhë nuk dëshiron të mendojë. Fakti që Trumpin po e kritikon edhe një neokonservator si Dick Cheney tregon shumë për një superfuqi që dikur shihej si arkitekte e të drejtave të njeriut dhe yll shpresëdhënës për shumë luftëtarë për të drejtat e njeriut kudo në botë.

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...