Treni i tragjikomedisë së politikanëve të këqij

29 Janar 2017 - 08:00 - Elmaz Isufi      

Popujt e lirë nuk duhet të paguajnë sa herë që strukturat e caktuara politike e ndiejnë rrëshqitjen nga pushteti. Nuk duhet lejuar më tragjikomedinë e shëmtuar të skenës politike, ku porositësit e trenit të luftës të nesërmen ulen dhe flasin për paqen

“Treni rus” ishte provokim, ama jo i pari. Ishte vetëm i radhës që shteti i Serbisë i bën Kosovës, që nga viti 1999, kur ajo humbi terren këtu. Në shumicën e këtyre provokimeve pushteti në Kosovë nuk ka ditur të reagojë - as me dije e as me forcë. Këta, që sot mburren se u sollën në lartësinë e duhur kushtetuese ndaj përpjekjes për cenimin e sovranitetit nëpërmjet trenit që mbartte parullën “Kosova është Serbi”, gjithmonë janë mjaftuar me deklarata kundërshtuese të tipit të “opinionistëve”. Serbia nuk e ka ndalur trenin se është trembur nga urdhrat e pushtetit në Kosovë. Ajo ka marrë sinjalet nga lart, nga atje ku Qeveria jonë ankohet për gjithçka. Se po të ishte ndryshe, Serbia do t’i shuante strukturat qeverisëse të saj, që i ka qe 17 vjet jo vetëm në veri, por në secilën pjesë të Kosovës, ku serbët përbëjnë kolektivitetin shumicë.

Serbia pushtetin e saj e ka të shtrirë në disa pjesë të Kosovës dhe provokimet mund t’i bëjë edhe nga brenda. Ajo i ka organizuar çdoherë zgjedhjet e të dy niveleve, dhe vazhdon t’i bëjë edhe sot. Ajo ka sistemin paralel të drejtësisë, të mbrojtjes, të arsimit, shëndetësisë e të politikave sociale. Serbia investon në infrastrukturë e kulturë. Klubet sportive marrin pjesë në garat e Serbisë dhe janë të regjistruara në federatat gjegjëse të këtij shteti. Serbia operon me telekomunikacion e me energjetikë. Ajo shfrytëzon kapacitetet minerale në veri. Ka instaluar edhe sistemin e saj bankar. Pronat e ndërmarrjeve shoqërore në komunat me shumicë serbe nuk menaxhohen nga institucionet e Kosovës, e as që mund të privatizohen. Atje nuk paguhen taksa për Prishtinën e as nuk përfillen ligjet e saj. Në komunat me shumicë serbe dinari përdoret si valutë shtetërore, e mbishkrimet e emrave të institucioneve janë vetëm në cirilikë dhe mbajnë firmën “Republika e Serbisë”.

Pushteti i Serbisë nuk përkufizohet vetëm në marrëdhëniet e nivelit lokal, ku emëron dhe shkarkon drejtuesit e pushtetit. Ai është përcaktues i shumë zhvillimeve në qeverisjen qendrore. Vendos për partitë serbe që do të përfaqësohen në Kuvend e në Qeveri të Kosovës. Dikton qëndrimin e tyre për vendimet e caktuara, gjuhën që duhet të përdorin dhe partnerët që duhet të zgjedhin. Serbia pengon Kosovën në çdo nismë anëtarësimi të saj në institucionet ndërkombëtare. Pengon qytetarët shqiptarë të Kosovës të lëvizin lirshëm nëpër territorin e saj. E nëpërmjet urdhërarresteve të lëshuara i pengon të lëvizin edhe nëpër vendet e tjera të botës.

Serbia e konsideron Kosovën territor të saj.

Treni ishte provokim, jo si mjet transporti i mallrave dhe njerëzve, por se në vetvete bartte mesazhe nacionaliste. Dhe duhej penguar – pak ka rëndësi nga kush.

Duhej penguar, jo se ne lëndoheshim më shumë seç na ka lënduar për më shumë se 100 vjet, ngase treni po futej nga Serbia në një zonë që kontrollohet po nga Serbia. Por, se përtej këtij mjeti që mund të mbërrinte në Mitrovicë dhe ku do të kremtonin disa orë qytetarët serbë të veriut, ishte një tjetër plan – nxitja e konfliktit. Ishte përpjekje serioze për provokimin e incidenteve të ngjashme me ato të marsit 2004. Një argument që do të përdorej jo për ndonjë luftë të hapur, por për imponimin e zgjidhjeve të tjera politike. Serbia, e rrethuar nga shtete anëtare të NATO-s, nuk do të intervenonte me ushtri, por do të ndihmonte në mobilizimin e serbëve lokalë sipas modelit të rusëve të Krimesë. Ky “pushtim” që do të çonte në ndarje të brendshme fare lehtë do të legjitimohej me arsyetimin se është mënyra e vetme që banorët lokalë të mbroheshin nga shqiptarët përtej urës së Ibrit. Pra, në Kosovë nuk do të kishte as luftë e as armiqësi të serbëve në raport me praninë ushtarake ndërkombëtare, që në një rrethanë të tillë do të vendosej në mes si garantues i sigurisë së qytetarëve dhe do të mbante qëndrimin neutral.

Ishte shansi më i mirë për Serbinë që, duke shfrytëzuar paaftësinë qeverisëse të Kosovës, përplasjet e ashpra mes subjekteve politike shqiptare dhe mungesën e një konsensusi të brendshëm politik për çështjet nacionale, të ngrejë si të vërtetë të dhënën se ky vend nuk bëhet shtet. Se më shumë se faktor stabiliteti e paqeje, Kosova i ngjan një “bombe të kurdisur” që mbahet në dorë nga ekstremistë dhe grupe kriminale, siç ka qejf ajo t’i quajë sidomos përfaqësuesit e partive që dolën nga strukturat udhëheqëse të UÇK-së.

“Treni” ishte edhe një shans për drejtuesit e pushtetit në Beograd, që në prag të zgjedhjeve presidenciale të dëshmojë gatishmërinë dhe vullnetin për t’u dal zot të gjithë serbëve që jetojnë jashtë kufijve të saj, në Kosovë, Bosnjë, Kroaci, Mal të Zi e Maqedoni. Ishte konfirmim se gara për pushtet ende bëhet mbi kurrizin e qytetarëve serbë që jetojnë në shtetet ku Serbia ka humbur luftërat gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë.

“Treni”në të vërtetë doli të jetë moment shqetësimi i madh edhe për qytetarët e Kosovës që ende e kanë të freskët kujtesën për atë që përjetuan 17 vjet më parë, por moment i mirë për pushtetin e Kosovës që për këto vite nuk mbahet mend për asgjë të mirë. Një shans propagande me tone mburrjeje karshi kritikave e akuzave të panumërta për keqqeverisje dhe për një kurs dështues në procesin e integrimeve dhe në dialogun me Serbinë.

“Treni”, pra, u bëri punë dy strukturave politike, në Kosovë e Serbi, për t’u faktorizuar karshi qytetarëve luajalë dhe bashkësisë ndërkombëtare që mbante shpresë se procesi i “pajtimit” është në rrugën e duhur. U erdhi si i porositur të dyja palëve, për të paralajmëruar tensione, por në të njëjtën kohë edhe për të ngre krye se janë këta që mund të nisin luftën, e edhe mund ta parandalojnë atë.

Nga ky “teatër” përplasjesh vijmë në një përfundim.

Se nisja e trenit nga Beogradi drejt Mitrovicës dhe ndalja e tij para se të mbërrinte në kufirin me Kosovën nuk ka ndikuar në rritjen e tensioneve – vetëm ka treguar se ato ende janë të larta. Vetë prania ndërkombëtare ushtarake e civile në Kosovë dëshmon se këtu ka krizë dhe se ka nevojë për administrimin e saj.

Se shpërbërja e Jugosllavisë nuk i ka dhënë fund konfigurimit të kësaj hapësire në Ballkan. Kosova edhe pas shpalljes së Pavarësisë nuk ka siguruar subjektivitet të plotë ndërkombëtar dhe vuan ende presionin e vazhdueshëm destabilizues të Serbisë. Marrëveshja për Paqe e Daytonit ka ndërprerë luftën e përgjakshme në Bosnjë-Hercegovinë, por nuk ua ka dhënë përgjigjen përfundimtare tendencave të hapura për defunksionalizimin e këtij shteti, politikë kjo që po ashtu sponsorizohet nga Beogradi. Maqedonia nuk ka gjetur forcën dhe vullnetin e duhur për të përmbushur kërkesat e shqiptarëve në këtë shtet. Nuk ka gjetur as zgjidhjen për emrin e saj, si rezultat i mosmarrëveshjeve me Greqinë, dhe ka ngecur në rrugën integruese. E nuk janë të vogla përplasjet e Athinës zyrtare edhe me Shqipërinë për çështjen çame, pakicën greke dhe për Ligjin e luftës mes dy vendeve, që është në fuqi qe afro 70 vjet.

Se rreziku për trazira nuk është produkt vetëm i së kaluarës dhe gjurmëve të saj të bartura nëpër kohë, e as tendencave për pushtimin e territorit, ngjashëm me ato të kohës së luftës së ftoftë. Kërcënimet sot vijnë nga dobësia e institucioneve, paqëndrueshmëria ekonomike, krimi i organizuar dhe korrupsioni. Përtej tyre edhe nga globalizmi, që përveç rolit integrues, shkëmbimit të ideve, produkteve dhe vlerave, tash po bart me vete edhe mundësinë e transmetimit të rreziqeve, sidomos në fushën e sigurisë – terrorizmi dhe migrimi i pakontrolluar.

Problemet dhe kultura politike e trashëguar vështirë se mund të ndryshojnë këtë kurs. Në shumicën e vendeve të Ballkanit diskursi i konfliktit mund të zëvendësohet vetëm duke ndryshuar kreatorët e tij. Popujt e lirë nuk duhet të paguajnë sa herë që strukturat e caktuara politike e ndiejnë rrëshqitjen e tyre nga pushteti. Nuk duhet lejuar më tragjikomedinë e shëmtuar të skenës politike, ku porositësit e trenit të luftës të nesërmen ulen dhe flasin për paqen. 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...