Mos e hapni temën e rivizatimit të kufijve, mos punoni kundër Kosovës

28 Janar 2017 - 09:59 - Adriatik Kelmendi      

Është çmenduri që në kontekstin e provokimeve të fundit nga Beogradi dhe në aktualitetin e mjegulluar gjeopolitik, vetë Prishtina të iniciojë idenë e shkëmbimit të territoreve. Kjo, për faktin e thjeshtë, se në fund vetë Kosova do të humbte së paku veriun e banuar me shumicë serbe dhe nuk do të fitonte asgjë si shkëmbim. Natyrisht, as komunat e Luginës së Preshevës.

SECILI SHQIPTAR që në këtë kohë lanson idenë e ndarjes së Kosovës, ose rivizatimit të kufijve në Ballkan, me ose pa vetëdije është duke ndihmuar rritjen e Serbisë.

Është çmenduri që në kontekstin e provokimeve të fundit nga Beogradi dhe në aktualitetin e mjegulluar gjeopolitik, vetë Prishtina të iniciojë idenë e shkëmbimit të territoreve. Kjo, për faktin e thjeshtë, se në fund vetë Kosova do të humbte së paku veriun e banuar me shumicë serbe dhe nuk do të fitonte asgjë si shkëmbim. Natyrisht, as komunat e Luginës së Preshevës.
Në debatet tona të brendshme shqiptare është stërdiskutuar fakti se Shqipëria është e rrethuar me shqiptarë etnikë që jetojnë në territore kompakte jashtë kufijve të saj.

Sakaq, pak është nënvizuar se këtë fat e ka tash edhe Serbia. Serbia, duke dashur që të arrijë synimin e Serbisë së Madhe, ka zhvilluar dhe humbur katër luftëra, atë në Slloveni, Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë, si dhe ka humbur pa luftë pjesë të territoreve të banuara me popullatë serbe, në rastin e pavarësimit të Malit të Zi dhe të Maqedonisë.

Mirëpo, në këtë stad, më mirë qëndrojnë shqiptarët. Sot, lirisht mund të thuhet se shqiptarët i kanë dy shtete, Kosovën e Shqipërinë, si dhe janë etni shtetformuese në Maqedoni.
Serbët e kanë vetëm një shtet, Serbinë, porse kanë popullatë serbe jashtë kufijve të Serbisë - në Mal të Zi, Maqedoni, Bosnjë e Kosovë.

A DUHET TASH që Prishtina në kohë paqeje t’ia bëjë të mundur Serbisë t’i bashkojë serbët brenda një shteti? Pse?!
Me çfarëdo lloj iniciative për lëvizjen e kufijve në Ballkan Serbia do të rritej, rrjedhimisht më shumë serbë do të jetonin brenda Serbisë.

Për më tepër, Prishtina jo se nuk do të duhej ta ndihmonte Serbinë që t’i bashkonte serbët në një shtet vetëm për inat, ose hakmarrje, por ky do të ishte edhe hap në kundërshtim të parimeve të SHBA-së dhe BE-së. Asnjë shtet i ri në Ballkan nuk është formuar mbi parimin etnik, por duke respektuar kufijtë e njësive konstitutive të ish-Jugosllavisë.

Ndonëse nuk është pranuar ende si e tillë nga Beogradi, Kosovën e pavarur e kanë njohur mbi 110 shtete, shumica prej të cilave janë demokracitë më të mëdha botërore, me territor të garantuar nga NATO-ja dhe BE-ja, e njohur si entitet i veçantë edhe nga OKB-ja me Rezolutën 1244, si dhe e kornizuar nga Tri Parimet e Grupit të Kontaktit, pjesë e të cilit është edhe Federata Ruse. Këto fakte do të duhej të mjaftonin që edhe shqiptarët e edhe serbët ta pranonin Kosovën e pavarur dhe integrale, si kompromisi i dakorduar i të gjitha forcave politike globale të mijëvjeçarit të ri, e cila përjashton idetë e krijimit të Shqipërisë Etnike ose “Shqipërisë së Madhe”, respektivisht Serbisë Etnike ose “Serbisë së Madhe”.

MIRËPO, EDHE TE kompromisi Kosovë, siç po e shohim, shtizat shqiptaro-serbe vazhdojnë të thyhen për një pjesë të serbëve dhe të shqiptarëve që janë zënë të jetojnë jashtë kufijve të shteteve që konsiderojnë se u takojnë etnikisht. Serbët që jetojnë në veri e që kërkojnë të jenë pjesë e Serbisë dhe shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës e që kërkojnë të bashkohen me Kosovën.
Pse të mos merremi vesh për këtë?, dëgjojmë të na thonë disa në Prishtinë dhe Tiranë këto ditë.

Përgjigjja e thjeshtë është: ngase nuk jemi të barabartë.
Hapja e kësaj mundësie pa e njohur Serbia pavarësinë e Kosovës, rrjedhimisht pa u anëtarësuar Kosova në OKB, në secilin variant do të mundë të çonte në humbje territori nga Kosova, pa gjasa reale që të përfitojë diçka si kundërshpërblim.
Asnjëherë deri më sot Beogradi nuk ka pranuar që të bëhet çfarëdo paraleleje ndërmjet komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe tri komunave të Luginës së Preshevës. Kjo, meqë Serbia është shtet i njohur ndërkombëtarisht, me ulëse në OKB dhe pa probleme të aderimit në institucione ndërkombëtare, në kufij të qartë (natyrisht, pa Kosovën, për ato shtete e organizata që e njohin Kosovën si të pavarur). Presheva, Medvegja e Bujanoci janë pjesë e kësaj Serbie të njohur ndërkombëtarisht. Beogradi zyrtar ushtron kontroll të plotë dhe të pacenuar të sovranitetit mbi këto komuna.

Por, njësoj nuk qëndron puna edhe me Kosovën, e cila ende nuk e ka rrumbullakuar procesin e njohjes ndërkombëtare të pavarësisë, ende nuk është anëtare e OKB-së dhe e disa organizatave ndërkombëtare, si dhe nuk ushtron kontroll të plotë sovraniteti në komunat me shumicë serbe.
Për këtë arsye, vetëm Beogradit sot i konvenon që të flitet për rivizatim kufijsh. Ngase Serbia e Kosova janë të pabarabarta. Beogradi ka kontroll de fakto në pjesë të caktuara të territorit të Kosovës, Prishtina nuk ka kurrfarë kontrolli në Luginë të Preshevës.

Logjikisht: përse Beogradi do të pranonte të jepte territore të cilat i ka nën kontroll të vetin Prishtinës, kur Prishtina nuk ka asnjë kontroll në ato territore që do të mundte dikush t’i synonte për shkëmbim?!
Duke përdorur andrallat dhe romantizmat e disa shqiptarëve shkurtpamës të së sotmes, Beogradi vetëm sa do të ndihmohet në shitjen e idesë se edhe shqiptarët po pajtohen me ndarje të Kosovës. Kështu, me provokimet e njëpasnjëshme që po i shohim synon të arrijë një pozicionim të ri në kontrollin e territoreve me shumicë serbe në Kosovë, në mënyrë që nën vazhdën e ndryshimeve drastike që po ndodhin aktualisht në BE, në SHBA dhe me politikën ekspansioniste të Putinit në Rusi, të mundë të hapte në nivele të larta çështjen e ndarjes së Kosovës.

NË QOFTË SE edhe Prishtina e edhe Beogradi e kuptojnë se Kosova dhe pavarësia e saj nuk janë vetëm vullnete të shqiptarëve dhe të serbëve, porse ka pasur luftë, se ka pasur humbës e fitues dhe ka pasur një bashkësi ndërkombëtare që ka marrë pjesë në atë luftë, e ka vendosur paqen dhe ka treguar se ku janë kufijtë – atëherë do të ishte më e lehtë. Formula për shqiptarët dhe serbët e pakënaqur do të ishte zgjidhja evropiane për të drejta të komuniteteve pakicë në shtetet ku janë.
Në qoftë se edhe Kosova, edhe Serbia janë të sinqerta se dëshirojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe të praktikojnë vlerat evropiane, nuk kanë se si të shprehen kundër të drejtave që duan komunitetet pakicë në vendet e tyre, në mënyrë që qytetarët e këtyre komuniteteve ta ndiejnë veten me të drejta të barabarta me popullin shumicë e jo qytetarë të rendit të dytë.
Në këtë frymë, në bazë të të drejtave të njeriut, do të mundë të avancoheshin statuset e popullatës serbe në veri të Kosovës dhe të popullatës shqiptare në Luginë të Preshevës.
Si do të mundë të arrihej kjo?

Po në një Kosovë evropiane do të duhej të kishte respektim evropian të të drejtave të komunitetit pakicë serb, njësoj siç do të duhej që në një Serbi evropiane të kishte respektim evropian të të drejtave të komunitetit pakicë shqiptar.
Pra, me reciprocitet të plotë.
Përndryshe, nuk do të ishte e kapshme se si serbët në një Kosovë që përmbush standardet e BE-së për komunitetet pakicë do të kishin më shumë të drejta sesa shqiptarët në një Serbi që përmbush standardet e BE-së për komunitetet pakicë. Standardet e BE-së do të duhej të vlenin njësoj e barabar për të gjithë, dhe të mos jenë të dyfishta.

Përfundimisht, si dy shtete evropiane, Kosova dhe Serbia do të duhej ta njihnin sovranitetin e njëra-tjetrës reciprokisht. E nëse do të pajtoheshin plotësisht ndërmjet vete një ditë që në bazë të reciprocitetit të plotë të ketë edhe shkëmbim paqësor territoresh, mbase kjo s’do të paraqiste problem edhe për bashkësinë ndërkombëtare.
Deri atëherë dhe në atë mundësi duhet pranuar realiteti i sotëm.
Ai flet qartë për të drejta të njeriut në kufijtë e tashëm dhe pamundësi për krijim të shteteve njëetnike.

adriatik@kohavision.net
Twitter: @adriatikk

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...