Të ngrirë në Beograd

26 Janar 2017 - 08:20 - Enver Robelli      

Mbi 1000 refugjatë lahen në acar, përgatisin ushqimin nën qiellin e hapur, flenë në kushte çnjerëzore afër stacionit të trenit në Beograd. Organizatat humanitare janë të alarmuara, ndërsa një ministër serb lavdërohet se në qendrat e azilit të Serbisë është ngrohtë dhe ka internet falas. Shënime mbi epokën e cinizmit.

«Problemi janë kufijtë». Këtë parullë e kanë shkruar refugjatët në murin e një barake të braktisur afër Stacionit të trenit në Beograd. Kjo është një thirrje për ndihmë e të rinjve nga Afganistani dhe Lindja e Afërt, të cilët kanë përfunduar në kryeqytetin e Serbisë. Nga këtu ata po përpiqen të organizojnë udhëtimin drejt Evropës Perëndimore, ku duan të kërkojnë azil. Por, që nga mbyllja e asaj që quhet «rrugë ballkanike», rreth 1000 emigrantë presin në kampin kaotik të Beogradit. Kushtet higjienike janë katastrofë. Nuk ka ngrohje, nuk ka nevojtore, nuk ka rrymë. Njerëzit flenë në dyshemenë prej betoni, përgatisin ushqimin nën qiellin e hapur, lahen në acar, i cili e ka përfshirë edhe Ballkanin.

Organizatat humanitare janë të alarmuara. Gjatë janarit në Ballkan kanë vdekur mbi 10 veta si pasojë e motit të keq dhe temperaturave të ulëta. Nëse vazhdon ky acar dhe nëse nuk merren masa, mund të ketë viktima edhe në mesin e refugjatëve. Amnesty International i ka bërë thirrje Qeverisë serbe të kujdeset për strehimin dhe furnizimin e refugjatëve me ushqime. Organizata Mjekët pa Kufij ka tërhequr vërejtjen se në Beograd mund të krijohet një Calais i ri. Në kampin kaotik në Francë mijëra refugjatë banonin në tenda, duke pritur momentin e duhur për të ikur në Britaninë e Madhe.

«Taktika e rraskapitjes»

Shumica e refugjatëve që «banojnë» përreth Stacionit të trenit në Beograd nuk duan të strehohen në qendrat e azilit në Serbi. «Kemi frikë se autoritetet serbe na kthejnë në Maqedoni», tha Fahim Ham, një i ri nga Afganistani, për Radion Europa e Lirë. Ai shtoi se nuk dëshironte të kthehej në kampin e refugjatëve në Preshevë, sepse «është larg nga kufiri hungarez». Organizatat humanitare akuzojnë Qeverinë serbe se po i dëbon refugjatët ilegalisht. Së fundi u bë i ditur rasti i një familjeje me shtatë anëtarë nga Iraku, e cila me gjasë ishte lënë nga autoritetet serbe afër kufirit me Bullgarinë. Aty ku janë refugjatët, shpejt shfaqen edhe kontrabandistët e njerëzve. «Ata plasojnë thashetheme, sipas të cilave refugjatët do të dënohen menjëherë nëse pranojnë të banojnë në qendra të azilit», deklaroi Adrian Nikiçeviq nga Jesuit Refugee Service në Beograd.

Nëntorin e kaluar, Qeveria serbe vendosi që refugjatët, të cilët qëndrojnë jashtë qendrave zyrtare të azilit, nuk do të marrin ndihma. Përballë temperaturave të ulëta dhe kushteve gjithnjë e më të padurueshme në kampin e Beogradit, ky qëndrim është duke u kritikuar gjithnjë e më shumë nga mediat. «Qeveria dhe Komisariati i OKB-së për Refugjatë kanë vendosur të përdorin taktikën e rraskapitjes», shkroi revista «Vreme». Sipas të dhënave të Mjekëve pa Kufij në Serbi po qëndrojnë mbi 8.000 refugjatë. Në qendrat e pranimit të refugjatëve ka vend për 6.000 njerëz, por vetëm 3.140 vende janë të përshtatshme për stinën dimërore.

Zgjebja dhe morrat

Një pamje krejt tjetër e përshkruan ministri serb i Punës, Aleksandar Vulin, i cili në të vërtetë pjesën më të madhe të kohës e kalon duke provokuar kroatët dhe kosovarët. Në televizionin shtetëror serb Vulin tha se në qendrat e pranimit ka vende të mjaftueshme, çerdhe për fëmijë, internet falas, ndërsa refugjatët marrin tri shujta në ditë dhe gëzojnë kujdes shëndetësor. Të gjitha këto mund të jenë të vërteta. Por mjekët në Serbi raportojnë se gjithnjë e më shumë refugjatë vuajnë nga infektimet e lëkurës dhe problemet me frymëmarrje. Gazeta «Blic» njoftoi se në qendrën e azilit “Kërnjaça” në Beograd është kryer dezinfektimi javën që shkoi, pasi refugjatët ishin infektuar nga zgjebja dhe kishin zënë morra.

Rreth 200 refugjatë javën që shkoi braktisën kampin e egër afër Stacionit të trenit në Beograd. Ata u sollën në një qendër azili. Për shumë refugjatë po zbehen shpresat se mund të vazhdojnë rrugëtimin drejt Evropës Perëndimore. Qeveria e Hungarisë madje ka kërcënuar se do t'i internojë refugjatët nëse provojnë të hyjnë në këtë shtet. Përballë kësaj situate, disa refugjatë po kërkojnë azil në Serbi.

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...