S'ka më “autsajder“ në Botëror

8 Qershor 2014 - 08:27 - Augustin Palokaj      

Para disa ditësh kur në Holandë zhvilloheshin votimet për zgjedhjet evropiane, e Holanda është e para që i hap ato, kërkoja në “Google” lajme për këto zgjedhje. Kur klikova “Holanda“ search, në mesin e 10 lajmeve të para ishte vetëm një për zgjedhjet.

Nëntë tjera bënin fjalë për lëndimin e Robin van Persit, sulmuesit të Kombëtares holandeze. Por të kërkoni këto ditë ndonjë lajm për cilindo shtet skuadra kombëtare e së cilës merr pjesë në Botërorin, i cili hapet të enjten mbrëma do të keni rezultatin e njëjtë. Më shumë do t’u dalin lajme për formën e futbollistëve sesa për ndonjë zhvillim politik.

Kush e di sot jashtë Kroacisë se kryeministri i këtij shteti, Milanoviq, po përballet me krizën më të madhe të pushtetit të tij. Por shumë e dinë se mesfushori Ivan Rakitiq ka nënshkruar për Barcelonën, se sulmuesi Mangjukiq nuk do të luajë lojën e parë kundër Brazilit dhe se virtuozi i kësaj kombëtareje, Luka Modriq, i ka prerë flokët. Edhe ardhja e Barack Obamës e Vladimir Putinit, sikur edhe e mbretëreshës britanike në Francë për të kremtuar 70- vjetorin e “Ditës D“ ishin më pak të mbuluara si ngjarje se sa lëndimi i Franck Riberys, i cili nuk do të marrë pjesë në këtë Botëror.

Nëse doni shembuj tjerë për të dëshmuar se futbolli është bërë gjëja kryesore mund të gjeni sa të doni këto ditë. Madje jo vetëm tek shtetet kombëtaret e të cilave janë kualifikuar, por edhe në vendet tjera. Këtu në qendrën e Evropës, në Bruksel, është një ndjenjë e veçantë. Vështirë që mund të gjendet ndonjë vend në botë ku ka aq shumë grupe me prejardhje të ndryshme etnike. Që tani janë bërë gati për net të gjata pa gjumë. Së pari duan t’i shikojnë të gjitha ndeshjet, pra deri në orën 02:00 pas mesnatës. E pastaj do të ketë nëpër rrugë festa, parakalime me vetura dhe zhurmë të tifozëve të atyre që kanë fituar.

Kushdo që të fitojë do të festohet në Bruksel, sepse nga secili shtet ekziston nga një komunitet në Bruksel. E kësaj radhe Belgjika është në ethe të Botërorit. Madje kjo vërehet për herë të parë edhe më shumë sesa tek fqinjët shumëfish më të suksesshëm deri tash në këtë sport: gjermanët, holandezët dhe francezet, pa harruar ata përtej detit, anglezët. Belgjika më në fund ka një skuadër të fortë. Ata të cilët nuk e kanë parë mund të kenë gabuar. Ndoshta nuk e dinë se Eden Hazard nga Chelse, Vincent Kompany i Machester Cityt dhe portieri ndoshta më i mirë në Evropë, Thibaut Courtois, i Atletico Madridit, janë në Kombëtaren belge.

Shumë yj të tjerë që kanë rolin kryesor në skuadrat më të mëdha evropiane janë në Belgjikë, përfshirë edhe Adnan Januzajn. Sa për ilustrim: Belgjika humbjen e fundit në një ndeshje zyrtare e ka pasur para tre vjetësh. Belgët kësaj radhe ndihen së paku të barabartë me holandezët, francezët dhe gjermanët.
Në Belgjikë, Holandë dhe në vendet tjera tash e disa ditë gjithçka është stolisur në frymën e Botërorit. Edhe ëmbëlsirat, edhe buka po bëhen në formën e topit. Kafenetë janë pajisur me ekrane gjigante me definicion të lartë. Janë shtuar porositë e sasive të birrave, ndërsa në disa qytete edhe autoritetet u kanë lejuar të punojnë gjatë natës. Në shumë sheshe organizohen edhe përcjellje të ndeshjeve në ekrane të mëdha në sheshe të hapura.

E mira për punëdhënësit është se kësaj radhe nuk kanë nevojë t’u japin punëtorëve ditë të lira për të shikuar ndeshjet. Ato sipas kohës evropiane luhen në orën 18:00, në orën 22:00 dhe në mesnatë, disa edhe më vonë (apo thënë më mirë më herët). Por mbetet pyetja tjetër se sa do të jenë të motivuar të nesërmen në punë. Edhe rreth kësaj po bëhen analiza dhe hulumtime shkencore.

Asnjë kampionat botëror nuk ka qenë më i hapur se ky. Natyrisht se Brazili e Argjentina janë favoritë. Por këto janë megjithatë kombëtare të „evropianizuara“, sepse lojtarët kryesorë luajnë në ligat evropiane. Por janë së paku edhe 20 pjesëmarrëse në këtë Botëror që mund t’u bëjnë ballë. Spanja mbetet e fortë dhe favorite, por ajo tash është „libër i lexuar“ për kundërshtarët. Mos u befasoni kësaj radhe me suksesin eventual të Belgjikës, Kolumbisë, Zvicrës, Kroacisë, Uruguait dhe Ekuadorit. Mund të befasojë edhe debutuesi Bosnja e Hercegovina me Edin Xhekon dhe Pjaniqin.

Sukseset e Francës, Portugalisë e Holandës nuk mund të quhen më befasi. Gjermania dhe Italia nuk kanë nevojë të luajnë, sepse vetë emri i bën favoritë edhe kur nuk kanë lojtarë të klasës së lartë. Anglia është po ashtu gjithmonë aty. Po i ngacmojnë kolegët anglezë duke u thënë se „ju sigurt do e kaloni grupin e vështirë me Italinë dhe Uruguain -sepse ndryshe nuk mund të eliminoheni me penalti!“ Vendet afrikanë si Gana, Nigeria dhe Kameruni kanë përparuar edhe në aspektin teknik, ndërsa për përgatitjen e tyre fizike asnjëherë nuk ka pasur dyshime. Japonia ka tash një skuadër me përvojë po ashtu.

Mund të gabojmë edhe nëse i lëmë si „autsajder“ kësaj radhe skuadrat si Irani, Hondurasi, Algjeria, Kostarika, Australia dhe Koreja e Jugut. Më saktë do të ishte të thuhej se kësaj radhe nuk ka autsajder. Para nesh është një festë e madhe futbolli dhe net të gjata pa gjumë. Në këta një muaj gjithçka tjetër pos futbollit do të jetë në planin e dytë.

Kush do të fitojë nuk do të varet vetëm nga kualiteti. Një centimetër vendos a do të hyjë topi në portë apo do ta godasë shtyllën. Një gol vendos lojën e një lojë fatin e kampionatit. Mund të ndodhin edhe „dora magjike“ sikurse ajo e Maradonas në Meksiko, që i ndihmoi Argjentinës të bëhet kampion bote. Mund të ketë raste kur referi nuk do të shohë ndërhyrjen, prekjen me dorë të topit apo thjesht a e ka kaluar apo jo topi vijën. Të gjitha këto kanë qenë pjesë përbërëse të kampionateve dhe për diçka do të mbahet mend edhe ky në Brazil.

© KOHA.net 

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...