Kosova duhet ta krijojë ushtrinë e saj pa e pritur mbështetjen e NATO-s

25 Janar 2017 - 08:26 - Augustin Palokaj      

Nëse Kosova pret që të ketë edhe mbështetjen formale të NATO-s për të krijuar ushtrinë e saj, jo vetëm në emër por edhe në substancë, atëherë kjo nuk do të ndodhë në një të ardhme të afërt. NATO-ja nuk e mbështet një plan të tillë për shkak të ndasive rreth statusit të Kosovës. Madje edhe kontaktet me udhëheqësit politikë të Kosovës bëhen pothuajse në nivele private. Prandaj, Kosova duhet të kërkojë mundësi që ushtrinë e saj ta krijojë në marrëveshje bilaterale me shtetet e NATO-s që duan të ndihmojnë, sepse as ato shtete nuk kanë interes të mbeten në Kosovë për një kohë të gjatë

Presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova, sa herë që pyetej për krijimin e ushtrisë së Kosovës, në stilin e tij përgjigjej se “Kosova e ka ushtrinë më të fortë në botë: NATO-n”. Kjo për shumë vjet edhe ka qenë e vërtetë, sepse Aleanca e NATO-s, e cila me ndërhyrjen e saj para 18 vjetësh i dha fund sundimit të regjimit të Slobodan Milosheviqit në Kosovë, prej asaj kohe udhëheq misionin e KFOR-it, i cili në të njëjtën kohë vazhdon të jetë formacioni i vetëm ushtarak në territorin e Kosovës. Këtu duhet pasur kujdes në përdorimin e termeve “NATO” dhe “KFOR”, sepse KFOR-i është mision i udhëhequr nga NATO-ja, por në të bëjnë pjesë edhe shtetet që nuk janë anëtare të kësaj Aleance, e për disa vjet në kuadër të këtij misioni merrte pjesë edhe Rusia, e cila sot më nuk konsiderohet si partner, por si “rrezik dhe sfidë për sigurinë e NATO-s”.

Edhe pse KFOR-i mbetet edhe sot e kësaj dite garantuesi kryesor i integritetit territorial të Kosovës nga ndonjë ndërhyrje nga jashtë, gjërat kanë ndryshuar shumë në këta 18 vjet sa ky mision ndodhet në Kosovë. Kosova është shpallur shtet i pavarur dhe është njohur nga shumica e shteteve të botës dhe nga shumica e vendeve të NATO-s. Situata e sigurisë në masë të madhe është përmirësuar dhe Kosova nuk ka pasur shumë sfida të natyrës ushtarake, por më shumë të asaj policore. Krimi i organizuar, korrupsioni, radikalizmi islam dhe terrorizmi, lidhja e strukturave politike me krimin e organizuar, kanë qenë sfida me të cilat nuk mund të merren dhe nuk duhet të merren forcat ushtarake. Prandaj, edhe pse e ka ditur mirë për të gjitha këto dukuri, e madje ka pasur edhe dëshmi se ato po ndodhin, KFOR-i dhe NATO-ja nuk kanë mundur të bënin gjë, sepse me to merren apo është dashur të merreshin organet policore dhe të drejtësisë së Kosovës dhe misioni i BE-së - EULEX-i. Këto edhe sot konsiderohen si “reaguesi i parë dhe i dytë i sigurisë”, ndërsa KFOR-i mbetet i treti, pra nëse situata përshkallëzon në atë masë saqë me të nuk do të mund të përballeshin Policia e Kosovës dhe EULEX-i.

Prejse NATO-ja ka hyrë në Kosovë politikanët vendorë kishin nisur të flisnin për krijimin e ushtrisë së Kosovës. Për t’ua bërë atyre qejfin, dhe për të lënë përshtypjen se “po shkohet në atë drejtim”, ishte krijuar në fillim formacioni i quajtur “Trupat Mbrojtëse të Kosovës” (TMK) e më pas edhe ajo që Kosova ka sot si forcë të emergjencës civile “Forcat e Sigurisë së Kosovës” (FSK). TMK-ja ishte krijuar, siç na thoshin atëherë privatisht zyrtarë të NATO-s, me qëllim që ish-ushtarëve të UÇK-së t’u merreshin armët dhe pjesëtarët e saj të mos i lihen nëntokës. Në NATO dhe tek shtetet që ndihmuan Kosovën ishin të vetëdijshëm se atyre që luftuan për çlirimin e Kosovës duhej dhënë një mundësi që veten ta ndiejnë të dobishëm dhe pas luftës. Kështu disa hynë në politikë e të tjerëve iu dha mundësia që të bëheshin pjesëtarë të TMK-së. Që atëherë kishte filluar ajo që edhe sot e shohim në Kosovë, loja me fjalë. TMK-ja në gjuhën shqipe në emërtim kishte fjalën “Mbrojtje”, sepse ishte shkurtesë e “Trupave Mbrojtëse të Kosovës”. Në të njëjtën kohë në gjuhen angleze nuk përdorej termi “Defencë”, por “protection”. Edhe Ministria përkatëse nuk quhej “Ministri e Mbrojtjes”, por Ministri e TMK-së. Edhe sot FSK-ja nuk ka term ushtarak në emërtimin e saj. Por brenda mundësive të lejuara nga rrethanat politike FSK-ja ka arritur një sukses të madh në përgatitjen profesionale për të kryer detyrat që i ka përsipër. Kjo është bërë me ndihmën e NATO-s, gjithnjë duke pasur parasysh se nuk konsiderohej ushtri. Ajo prandaj edhe është bërë një bërthamë nga e cila mund të krijohet një ushtri e vërtetë e Kosovës. E Kosova ka nevojë për një ushtri të tillë, jo për të kërcënuar ndokënd, por për të rritur ndjenjën e sigurisë për qytetarët e saj.

Në Evropë ekzistojnë vetëm disa shtete të vogla, të cilat nuk kanë ushtri të saj formale. Vatikani, Lihtenshtajni dhe Andora janë ndër to. Por, kanë marrëveshje me vendet e tjera për t’i mbrojtur. Islanda ka formacione të ngjashme me ato ushtarake, siç është “Garda bregdetare” e pajisur edhe me aviacion, por është shtet anëtar i NATO-s dhe ka marrëveshje ushtarake dhe bilaterale me disa shtete të NATO-s.

Nëse Kosova pret që të ketë edhe mbështetjen formale të NATO-s për të krijuar ushtrinë e saj, jo vetëm në emër por edhe në substancë, atëherë kjo nuk do të ndodhë në një të ardhme të afërt. NATO-ja nuk mbështet një plan të tillë për shkak të ndasive rreth statusit të Kosovës. Madje edhe kontaktet me udhëheqësit politikë të Kosovës bëhen pothuajse në nivele private. Prandaj, Kosova duhet të kërkoj, mundësi që ushtrinë e saj ta krijojë në marrëveshje bilaterale me shtetet e NATO-s që duan të ndihmojnë, sepse as ato shtete nuk kanë interes të mbeten në Kosovë për një kohë të gjatë.

Ka ardhur koha që Kosova të mendojë të ardhmen e saj edhe pa praninë e NATO-s në territorin e saj. Duhet shpresuar se Serbia do të heqë dorë nga pretendimet territoriale ndaj Kosovës dhe nga kërcënimet e shpeshta që i bën Kosovës. Nganjëherë në Serbi, e besa edhe në BE dhe NATO. As nuk e kuptojnë se çfarë do të thotë kërcënim ushtarak. Kur presidenti i Serbisë apo shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, apo edhe ministri i Mbrojtjes në Serbi thonë se “ushtria është e gatshme të zbatojë Kushtetutën në tërë territorin e shtetit”, ky është një kërcënim direkt ushtarak ndaj Kosovës, sepse në atë kushtetutë Kosova konsiderohet si “pjesë e Serbisë”. Këto ditë dëgjuam edhe kërcënime direkte nga Serbia. Krijimi i ushtrisë së Kosovës do të ishte hap për forcimin e mbrojtjes së shtetit, forcimit edhe përmbajtjesor e edhe simbolik të shtetësisë. Por, do të kishte edhe rëndësi konkrete. Sepse një gjë e tillë do të ishte në përputhje me aspiratat e integrimeve euroatlantike të Kosovës. Me përjashtim të Islandës, secili shtet i NATO-s ka ushtri të veten, sado të vogël, dhe secili me forcat e veta ushtarake kontribuon në mbrojtjen kolektive të Aleancës. Edhe Bashkimi Evropian po ndërton kapacitetet e veta ushtarake dhe ky proces, së paku aktualisht, koordinohet me NATO-n në mënyrë që të mos ketë dublikime.

Kundërshtimet ndaj krijimit të ushtrisë së Kosovës mund të vijnë vetëm për arsye politike. Por, duhet pasur parasysh edhe rrethanat e reja të krijuara në të cilat nuk mund të parashikohet me siguri të madhe as e ardhmja e NATO-s e as ajo e BE-së. Ashtu siç një ditë papritmas kontingjenti i Spanjës u largua nga Kosova, mund të vendosë edhe ndonjë shtet tjetër ta bëjë një gjë të tillë. Edhe ashtu NATO-ja ka zvogëluar dukshëm praninë në Kosovë dhe ajo prani është vetëm rreth 5000 ushtarë. Në mesin e tyre pothuajse nuk ka fare ushtarë nga Franca dhe Britania e Madhe, dy fuqitë më të mëdha ushtarake të Evropës. Rreth një të katërtën e forcave të KFOR-it formojnë shtetet që nuk janë në NATO. Më së shumti Austria dhe Zvicra, por edhe vendet si Armenia dhe Moldavia. As formalisht ndoshta nuk do të ishte e pritshme që disa nga ushtarakët e KFOR-it, të cilët vijnë nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, të mbrojnë kufijtë e këtij shteti që nuk e njohin.

Marrëveshjet ushtarake me disa shtete të NATO-s, të cilat nuk do të duhej të prisnin që të gjithë në Bruksel, në takime të Aleancës, të pajtohen për vendime rreth veprimit, do ta përshpejtonin procesin e ndërkohë edhe KFOR-i paralelisht mund të vazhdojë misionin. KFOR-i vazhdon ta ketë si bazë juridike për praninë e vetë Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kosovës, një rezolutë së cilës i ka dalë afati dhe është përmbyllur me caktimin e statusit të Kosovës, status që, sipas Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, por që nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, nuk ishte në kundërshtim as me këtë Rezolutë të OKB-së. Prania ushtarake e disa vendeve të NATO-s do të mund të sigurohej edhe me ftesë nga vetë Kosova dhe me marrëveshje ndërshtetërore. Ka ardhur koha që Kosova të mendojë seriozisht për këto opsione, sepse nuk mund të pritet që të gjithë në NATO të pajtohen me krijimin e Forcës ushtarake të Kosovës e pa pajtimin e të gjithëve NATO-ja nuk mund ta mbështesë formalisht një hap të tillë.

© KOHA Ditore 

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...