Ra ky dialog e u pamë

15 Janar 2017 - 08:01 - Agron Bajrami      

Dhe që një vit i cili tashmë nisi mbrapsht, ta kthejmë në një drejtim të mbarë për të gjithë. Natyrisht, përveç atyre që përfitojnë nga situata kështu si është

I

Arrestimi i Ramush Haradinajt në Francë, aksidental apo i planifikuar, është vetëm një nga incidentet e shumta të javëve të fundit, që kanë nxjerrë në dritë defektet e rënda që kanë shteti dhe qeverisja e Kosovës, sidomos në raport me Serbinë dhe Bashkimin Evropian.

Së pari, pas gjashtë vitesh të dialogut në Bruksel, nuk ka normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Arrestimi i Haradinajt, sikur edhe ai i drejtorit të policisë, Nehat Thaçi, në shtator 2016, nuk janë të vetmet argumente që konfirmojnë se Beogradi zyrtar nuk ka hequr dorë nga pozicionet që ka pasur gjatë kohës së luftës 1998-1999, por edhe para saj, gjatë gjithë kohës së pushtetit të Slobodan Milosheviqit. Argumentet e tjera përfshijnë edhe insistimin në ndarje etnike në veri, ku synimi tentohet të arrihet me çdo mjet, prej barrikadave e ndërtimit të mureve, deri te hedhja e bombave natën. Është edhe bllokimi që përfaqësuesit serbë të Kosovës, nën diktatin e Beogradit, i bëjnë institucioneve të Kosovës në çështje që janë fondamentale për një shtet, siç është puna e krijimit të Ushtrisë së Kosovës.

Janë provokimet e përditshme, me deklarata zyrtare apo përmes sajimeve mediale, sikur kjo me lajmet për “terroristët shqiptarë” që duan të “rrëmbejnë diplomatë e zyrtarë të Serbisë” nëpër gjithë botën, me çka vetëm se vazhdohet përpjekja e paramenduar dhe e organizuar e Qeverisë së Serbisë që shqiptarët e Kosovës t’i paraqesë në botë të njëjtë me terroristët e ISIS-it. Siç janë edhe shumë lëvizje të tjera të imta serbe, si puna e trenit Beograd - Mitrovicë, që përveçse shërbejnë për të provokuar Kosovën, janë edhe pjesë e rivendosjes së prezencës së Serbisë në territorin e Kosovës, dhe nxjerrja jashtë sovranitetit të Prishtinës e pjesëve të vendit të populluara me shumicë serbe, që në afat të gjatë synohet të arrihet përmes krijimit të entitetit serb në Kosovë, fillimisht të quajtur Asociacioni i Komunave Serbe.

II

Asociacioni i Komunave me shumicë serbe është pika e ardhshme e konfrontimit me Serbinë, nëse Beogradi realizon kërcënimin që tashmë e ka bërë se do ta formojë vetë nëse Qeveria e Kosovës nuk e bën këtë deri më 15 shkurt.

Me ultimatumin për Asociacionin Serbia caktoi ditën e mejdanit, e bindur mbase se rrethanat politike globale janë të favorshme për përpjekjen e saj që suksesshëm të kontestojë sovranitetin e Kosovës, së paku në veri. Pjesë simbolike të kësaj përpjekjeje janë edhe ndërtimi i murit edhe ardhja e trenit, por aleati kryesor i Serbisë në këtë pikë është dialogu në Bruksel, i cili, me pranimin e BE-së dhe pajtimin e heshtur të Kosovës në vend se të jetë proces i normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, është shndërruar në mekanizëm për modifikimin e rendit kushtetues të Kosovës, duke lejuar sovranitet të dyfishtë në pjesë të territorit të saj ku jeton shumica serbe.

Një situatë e tillë tashmë është krijuar me Marrëveshjen e telefonisë, ku në shkëmbim për kodin ndërkombëtar për Kosovën, telefonia shtetërore e Serbisë është lejuar të veprojë në ato që në të ardhmen do të mundë të quhen “territore serbe” të Kosovës. Njëjtë planifikohet të ngjajë edhe me sistemin energjetik, si dhe disa segmente të tjera, duke e legalizuar dhe legjitimuar sistemin paralel serb në Kosovë, ani që ai është jo vetëm në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, por edhe me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Sigurisht, ka qenë e qartë se Serbia do të tentojë gjithçka që mundet që të ruajë prezencën e vet në Kosovë. Por zhvillimet e fundit po e nxjerrin në pah edhe më qartë dështimin e institucioneve të Kosovës që të ndërtojnë një politikë mbrojtëse nga ky agresion serb, i cili së fundi po del prej domenit të deklaratave dhe përpjekjeve politike, në veprime konkrete në terren, që në një mënyrë apo tjetër janë hapur në kundërshtim të rendit kushtetues të Kosovës.

III

Qeveria e Kosovës, si kjo tani e Isa Mustafës, ashtu edhe ajo paraprake e Hashim Thaçit, janë përgjegjëse për situatën e krijuar, kur edhe shtetet që e njohin Kosovën e pavarur përkrahin një proces të dialogut në të cilin kompromiset e nevojshme për arritjen e marrëveshjeve i ngarkohen më shumë palës kosovare, apo ku të gjithë dakordohen që në dialog të diskutohen çështjet ekskluzivisht të brendshme të Kosovës, siç është rregullimi i brendshëm administrativ i vendit, funksionimi i sistemit juridik apo atij energjetik brenda vendit.

Të konfrontuar me këtë realitet, eksponentë qeveritarë janë përgjigjur - herë publikisht me gjysmë zëri, e herë më zëshëm në bisedat private – duke thënë se ka qenë presioni prej bashkësisë ndërkombëtare, BE-së, por edhe SHBA-së, ai që i ka detyruar pushtetarët kosovarë të pranojnë procese që vendin e sollën në këtë pikë.

Argumentimi i tillë u dëgjua së fundi, në seancën e dështuar të Kuvendit të Kosovës për rastin Haradinaj, kur përfaqësuesit e koalicionit qeverisës refuzuan të pajtohen me pjesën e Rezolutës që bënte thirrje për ndërprerje të dialogut, duke thënë se dialogu është kërkesë e imponuar nga OKB-ja dhe BE-ja, dhe nuk mund të ndërpritet.

Sigurisht se një qasje e tillë, para së gjithash, nga Bashkimi Evropian, nën kulmin e të cilit edhe bëhet dialogu i Brukselit, e bën edhe bashkësinë ndërkombëtare bashkëpërgjegjëse për dështimet e dialogut. Por, në fund të ditës, zyrtarët e Brukselit dhe të gjithë të tjerët do të thonë se nënshkrimet në dokumentet e Brukselit janë të kosovarëve, jo të ndërkombëtarëve. Dhe nëse përfaqësuesit e Kosovës nuk e kanë problem cenimin e sovranitetit të vendit të vet, pse një gjë e tillë do të duhej të ishte më problem për ta?

Ky moment është i rëndësishëm kur flasim edhe për rastin Haradinaj dhe reagimet e zjarrta e kuazipatriotike nga disa anë që sulmonin Francën dhe Serbinë, dhe heshtin përgjegjësinë e institucioneve tona. Sepse, pyetja e logjikshme që do ta shtrojë çdo francez është: Nëse Kosova nuk ka kërkuar asnjëherë shfuqizimin e fletarrestimeve, pse është pritur që Franca t’i shfuqizojë ato?!

IV

Sigurisht, jo gjithçka është e humbur. Para se të vijë dita e mejdanit me Serbinë, kemi dhe një datë deri kur Qeveria e Kosovës ka afatin që të ndërrojë kursin e vet që shpie në humnerën politike: 31 janari 2017. Është ky afati i fundit për heqjen e murit të ndërtuar nga serbët në Mitrovicë.

Por, derisa ndërtimi i murit ishte simbol i një pozicionimi të ri dhe më agresiv të Serbisë ndaj Kosovës, në kohën kur dezintegrimi politik i BE-së, zgjedhja e Trumpit për president të SHBA-së dhe ngritja e peshës ruse dhe të Putinit në skenën globale kanë ringjallur shpresat serbe për dominim në Ballkan, edhe puna e rrënimit të tij mund të shndërrohet në simbol të ndryshimit të kursit të Kosovës. Që do të thotë se jo domosdo duhet të rrënohet muri deri në atë datë - meqë një gjë e tillë mund të shpjerë në konfrontim të panevojshëm me popullatën lokale në veri të Mitrovicës – por do të duhej rrënuar muri që kemi ndërtuar vetë në kokat tona, dhe i cili na ndalon ndërmarrjen e veprimeve në mbrojtje të interesit shtetëror dhe kombëtar.

Ai mur do të rrënohej nëse, deri më 31 janar, Kosova merr vendim që:

- Të ngrijë çdo komunikim me Qeverinë e Serbisë deri në shfuqizimin e të gjitha fletarrestimeve ndërkombëtare ndaj shtetasve të Kosovës;

- Të hartojë dhe miratojë Ligjin për reciprocitet me Serbinë;

- Të nisë procedurën e amendamentimit të Ligjit për Gjykatën Speciale, për të zgjeruar mandatin në hetimin dhe gjykimin e të gjitha krimeve të luftës të kryera në territorin e Kosovës;

- Marrë parasysh paralajmërimet zyrtare nga Qeveria e Serbisë për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, që paraqesin ndërhyrje të jashtëligjshme në rregullimin e brendshëm politik dhe administrativ të Kosovës, Qeveria e Kosovës duhet të vendos masat e jashtëzakonshme në kufijtë me Serbinë, duke mos lejuar hyrjen e parregullt të asnjë mjeti apo personi, dhe të suspendojë çdo vizitë zyrtare nga Serbia në territorin e Kosovës;

- Qeveria e Kosovës të marrë vendim për suspendimin e çdo aktiviteti në lidhje me krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe deri në tërheqjen e ultimatumit dhe kërcënimit nga Serbia se do ta krijojnë vetë;

- Të miratojë dokumentin e parimeve mbi të cilat mund të vazhdohet dialogu dhe që duhet të përfshijnë njohjen zyrtare të e Pavarësisë së Kosovës nga Serbia si qëllim final të bisedimeve, anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe në të gjitha organizatat ndërkombëtare, dhe nënshkrimin e Traktatit të Paqes mes Kosovës dhe Serbisë, me të cilin Beogradi do të obligohet që të tërhiqet nga çdo pretendim territorial ndaj Kosovës, si dhe të heqë referencat për Kosovën nga Kushtetuta e vet;

- Në Dokumentin e Parimeve të reja të përcaktohet që “Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës” riemërohet në “Dialog për njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë”;

- Të kërkojë nga Bashkimi Evropian të që roli i BE-së në dialog të ndryshojë prej “lehtësuesi” në “ndërmjetës”, me çka BE-ja edhe formalisht do të marrë përgjegjësinë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe të ndërlidhë procesin e Dialogut.

V

Sigurisht, propozimet e bëra më lart mund të modifikohen, por esenca duhet të mbetet që Kosova kërkon të jetë palë e barabartë në një dialog që synim e ka njohjen e Kosovës nga Serbia. Dhe, meqë disa eksponentë nga Qeveria e Kosovës tashmë kanë kërkuar që dialogu i Brukselit të rimodelohet, ky është moment i duhur që Kosova të ndërrojë kursin e vet dhe të rrënojë atë murin që kemi ndërtuar në kokat tona, e që na ndalon të veprojmë si shtet.

Dhe që një vit i cili tashmë nisi mbrapsht, ta kthejmë në një drejtim të mbarë për të gjithë. Natyrisht, përveç atyre që përfitojnë nga situata kështu si është.

agronb@kohaditore.com

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...