Ylberet prej guri që bashkojnë dhe ndajnë

12 Janar 2017 - 08:17 - Enver Robelli      

Si kurrë më parë, vitin që shkoi janë ndërtuar ose kanë filluar të ndërtohen ura. Kina është e para me projekte gjigante. Rusia dëshiron të lidhet me Krimenë me një urë që, në fakt, ndan dy popuj. Në Mitrovicë një urë e bllokuar nga terroristët serbë është hapur, por po ndërtohet një mur. Në këtë rrëmujë Ura e Mostarit mbetet më e bukura.

«Atje poshtë në jugun e ngrohtë është një lumë i gjelbër/Dhe Ura e Vjetër mbi ujë,/Nën qiell një ylber i bardhë prej guri...». Kështu tingëllon dhe jehon një këngë nga Bosnjë-Hercegovina që i kushtohet Urës së Vjetër, Stari Mostit, të Mostarit. Në pamjet e vjetra, bardhë e zi, shihen djem e vajza mbi urë, mbi lumin Neretva, duke lëshuar pëllumba në qiellin e pafundmë. Një simbol i paqes. E ndërtuar në vitin 1566, kjo urë lidhte Orientin me Oksidentin, islamin me krishterimin. Në shekullin ’16 Sulltan Sulejmani i Madhërishëm ia kishte besuar arkitektit Mimar Hajrudinit ndërtimin e urës mbi Neretvë. Hajrudini ishte nxënës i të famshmit Mimar Sinanit, i cili ndërtoi xhamitë madhështore të Stambollit. Urën e famshme Hajrudini e ndërtoi me 456 tulla prej guri dhe, sipas legjendës, një ditë para se të inaugurohej ngrehina e tij, ai iku nga Mostari, sepse thuhet se i frikësohej Sulejmanit të Madhërishëm se do ta dënonte me vdekje nëse ura do të rrëzohej.
Ura nuk u rrëzua.

Ura qëndroi.
Ura u bë simbol jo vetëm i Bosnjë-Hercegovinës.
Ura u quajt ylber prej guri.
Deri në orët e hershme të mëngjesit të 9 nëntorit 1993, kur nacionalistët kroatë e hodhën në ajër.
Ndërkohë, në vitin 2010, ura është (ri)ndërtuar me para të Bashkimit Evropian dhe të Turqisë, Mostari deri diku, edhe falë urës, është qytet i bashkuar, por jo si në kohën e paraluftës, tani gjërat janë të qarta, kroatët (katolikët) dominojnë anën perëndimore, boshnjakët (myslimanët) anën lindore. Secili në të veten dhe pothuaj askush i lumtur. Mes dy komuniteteve fetare zhvillohet një garë absurde: kush e ka më të madh - kryqin, kush e ka më të gjatë – minaren? Përkundër ndarjeve ende ekzistuese ura është e bukur. Faqja amerikane e lajmeve «Daily Beast» mes shumë urave të botës vitin që shkoi e zgjodhi urën e famshme të Mostarit si më të bukurën në botë. Një margaritar arkitektonik.
Si asnjë vit më parë, më 2016 janë ndërtuar ura mbresëlënëse. Në këtë garë prin Kina, jo Perëndimi. Kinezët sapo kanë ndërtuar urën më të lartë në botë dhe e kanë hapur për qarkullim.

Ajo është gati 570 metra e lartë dhe kalon mbi luginën Beipanxhiang. Ura e gjatë 1341 metra bashkon dy provinca dhe shkurton kohën e udhëtimit nga pesë në më pak se një orë. Për këtë vepër arkitektonike kinezët kanë harxhuar 139 milionë euro. Një kusur i vogël për një superfuqi ekonomike si Kina. Edhe ura e dytë më e lartë në botë gjendet në Kinë. 472 metra. Quhet Suduhe (në krahinën Hubei). Në gusht kinezët ndërtuan edhe urën më të lartë në botë prej qelqi – një atraksion i vërtetë turistik në malet Zhangxhiaxhi në jug të vendit. Ura e gjatë 430 metra u mbyll pas pak ditësh për shkak të masës së turistëve. Në po këto male inxhinierët francezë po ndërtojnë të parën urë të padukshme. Si një pasqyrë ura do të reflektojë ambientin përreth dhe do t’i përshtatet natyrës si objekt i padukshëm.

Edhe rusët kanë filluar ndërtimin e një ure, e cila do të lidhë Rusinë me Krimenë. Në të vërtetë, Krimeja ende konsiderohet pjesë e Ukrainës, e aneksuar nga Vladimir Putini. Por, kushedi, ndoshta Donald Trumpi do ta ndryshojë politikën ndaj Ukrainës, ndoshta do të organizojë një Jaltë të re për ndarjen e sferave të interesit, një marrëveshje «fifty-fifty», ku Krimeja përfundimisht do të legalizohej si pjesë e Rusisë, atëherë një urë ndërkohë e ndërtuar vetëm sa do të lehtësonte këtë proces. Një gjë mund të thuhet që tani: kjo urë nuk do të bashkojë dy vendet, Ukrainën dhe Rusinë, por do t’i ndajë edhe më shumë.

Në këtë lojë me muskuj Rusia s’mund të shtyhet me Kinën. Republika Popullore e komunistëve kapitalistë tashmë ka ndërtuar urën më të gjatë në botë, viaduktin më të gjatë në botë – 165 kilometra. Quhet Danjang-Kunshan. Ura më e gjatë mbi detin e hapur gjendet po ashtu në Kinë. 36 kilometra, Hangzhou Bay Bridge. (Sa për krahasim: ura më e gjatë në Evropë gjendet në Lisbonë, Ponte Vasco da Gama, 12,3 kilometra. Lundërtari i famshëm zbuloi rrugën detare para Kepit të Shpresës së Mirë dhe ishte zëvendës i Mbretit të Indisë portugeze).

Cili mund të jetë rrëfimi për urat nga Kosova? Ah, po, ura e famshme e Mitrovicës... Një administrator gjerman i Kosovës (thënë ndryshe: shef i UNMIK-ut) para disa vjetësh kaloi mbi këtë urë, shpalli bashkimin e Mitrovicës, pastaj karremin e hëngrën jo vetëm mediat në Kosovë, por edhe në Gjermani. Urra, Mitrovica u bashkua, gënjeshtra u fisnikërua. Disi.

Në fakt ura u hap tek në vitin 2016, pasi që nga viti 1999 ishte mbajtur e bllokuar nga ata që me emër përkëdhelës quheshin «roja të urës» dhe, në fakt, janë vetëm terroristë të financuar dhe mbështetur politikisht nga Beogradi. Ura e Mitrovicës është hapur, por «rojat e urës» janë treguar kreativë: kanë filluar të ndërtojnë një mur. Një mur gjoja për të mbrojtur terrenin nga shembjet. Por edhe të verbrit e dinë për çka bëhet fjalë: për betonimin e ndarjes së Kosovës.

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...