Askush nuk ka kërkuar nga Serbia heqjen e aktakuzave ndaj politikanëve shqiptarë të Kosovës

11 Janar 2017 - 08:29 - Augustin Palokaj      

Haradinaj do të lirohet, por me këtë nuk do të zgjidhet problemi. BE-ja ia ka njohur të drejtën Serbisë që t’i japë vetes kompetenca për të ngritur aktakuza ndaj cilitdo qytetar në cilindo shtet të ish-Jugosllavisë. Komisioni Evropian, duke e mbrojtur Serbinë pas kritikave të Kroacisë, madje ishte shprehur se “juridiksion universal kanë edhe shtetet e BE-së” duke injoruar kështu faktin se Serbia këtë e ka për qëllime politike. Madje edhe vetë BE-ja, e cila nuk ka kërkuar e as që do të kërkojë nga Serbia heqjen dorë nga akuzat e tilla, konfirmon se në dokumentet e saja në Serbi nuk është siguruar në praktikë pavarësia e gjyqësorit. Pos BE-së, as politikanët e Kosovës nuk kanë dëshmuar konsistencë në raporte ndaj Serbisë

Rasti i ndaljes së ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në Francë, në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Serbia para më shumë se 10 vjetësh, ka dëshmuar edhe një herë inferioritetin që ka Kosova jo vetëm në raporte me Serbinë, por edhe me bashkësinë ndërkombëtare. Mund ta kuptojmë se pse Kosova është e pafuqishme. Mund ta kuptojmë edhe pse Serbia ka shumë më tepër mirëkuptim sesa Kosova në BE. Por atë që nuk mund ta kuptojmë është pse politikanët e Kosovës, e besa edhe ata të Shqipërisë, nuk kanë qenë asnjëherë konsistentë në raportet me kolegët e tyre nga Serbia. Është shumë e qatë se politikanët e Kosovës dhe të Shqipërisë një gjuhë përdorin kur shprehen nëpër faqet e tyre në “Facebook” dhe një tjetër kur me ta takohen nëpër sallonet e Brukselit, Parisit, Berlinit apo Vjenës. Këtë na e kanë thënë shpesh edhe diplomatët e huaj, sa herë që u kemi thënë se “është vështirë të bashkëpunohet me ish-bashkëpunëtorët më të ngushtë të Milosheviqit dhe Sheshelit që sot janë në pushtet në Serbi”. Por ata na janë përgjigjur se “atmosfera në takimet e liderëve nga Kosova, e edhe nga Shqipëria, me ta është shumë e mirë, madje shpesh edhe më miqësore sesa me politikanët nga BE-ja”. Prandaj edhe qytetarët duhet ta dinë se gjuhën që përdorin nëpër postimet e tyre në “Facebook”, përfshirë edhe “dënimet” që shprehin këto ditë për arrestimin e zotit Haradinaj në Francë, e bëjnë për t’u arsyetuar para opinionit të brendshëm, për të fshehur pafuqinë e tyre, dhe atë gjuhë do ta harrojnë sapo të kalojnë kufirin dhe të zbresin në ndonjë vend të huaj, ku duhet të promovojnë imazhin e tyre prej kozmopoliti dhe ku sulmojnë kundërshtarët e dialogut si “radikalë, ekstremistë dhe antievropianë”.

Haradinaj do të lirohet, por me këtë nuk do të zgjidhet problemi. BE-ja ia ka njohur të drejtën Serbisë që t’i japë vetes kompetenca për të ngritur aktakuza ndaj cilitdo qytetar në cilindo shtet të ish-Jugosllavisë. Komisioni Evropian, duke e mbrojtur Serbinë pas kritikave të Kroacisë, madje ishte shprehur se “juridiksion universal kanë edhe shtetet e BE-së”, duke injoruar kështu faktin se Serbia këtë e ka për qëllime politike. Madje edhe vetë BE-ja, e cila nuk ka kërkuar e as që do të kërkojë nga Serbia heqjen dorë nga akuzat e tilla, konfirmon se në dokumentet e saja në Serbi nuk është siguruar në praktikë pavarësia e gjyqësorit. Pos BE-së as politikanët e Kosovës nuk kanë dëshmuar konsistencë në raporte ndaj Serbisë. Presidenti Thaçi para disa muajsh në Bruksel kishte thënë se “Me Serbinë raportet janë shumë më të mira sesa që mendohet në opinion”. Nëse vërtet është ashtu siç thotë Thaçi, e ai me siguri di më shumë sesa dimë ne që mendojmë se raportet nuk janë të mira, atëherë le t’i përdorë ato raporte të mira për të zgjidhur këtë problem madhor, i cili në të kundërtën do të zgjasë edhe shumë vjet.

Me zgjatjen e këtij problemi, të listave të Serbisë për të dyshuar për krime lufte, do të zgjatet edhe pasiguria dhe paparashikueshmëria juridike dhe pasiguria personale për personat që janë në ato lista, sipas të gjitha gjasave edhe për vetë presidentin Thaçi, të cilin, me gjithë dëshirën e tij, nuk e lanë të vizitojë Beogradin me porosinë se “nëse vjen do të arrestohet, sepse është në fletarrestim”. Pasi është botuar edhe lista e veteranëve të UÇK-së, mund të ndodhë që e njëjta të përdoret nga Beogradi për të shtuar numrin e personave në listat e tyre për fletarrestim. Këtë Serbia nuk e bën vetëm për shtetasit e Kosovës, por edhe për ata të Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, e mund ta bëjë edhe për shumë shtetas të vendeve të BE-së, të cilët kanë luftuar në anën e shqiptarëve të Kosovës apo të kroatëve gjatë luftës mbrojtëse kundër agresionit të Serbisë. Disa deputetë të Parlamentit Evropian në Bruksel kishin llogaritur se janë 13 shtete të BE-së nga të cilat ka pasur luftëtarë në radhët e ushtrisë kroate gjatë luftës atdhetare, dhe të gjithë ata potencialisht mund të akuzohen nga Serbia.

Arrestimi i Haradinajt nga policia kufitare e Francës në aeroportin e trekëndëshit Zvicër-Francë-Gjermani (Basel-Moulhouse-Freiburg) me siguri nuk ka qenë arrestim politik. Por ekzistimi i fletarrestimit, edhe pasi Haradinaj ishte liruar nga Haga, është politikë. Nga Serbia duhet kërkuar që të heqë një praktikë të tillë. Tash edhe për Brukselin duhet të jetë më e qartë se si Serbia përdor kompetencat që i ka dhënë vetes, të jetë “gjykues i të gjithëve”, i përdor për qëllime politike. Nëse arrestimet e tilla destabilizojnë Kosovën, Kroacinë apo Bosnjë-Hercegovinën, nëse ato prishin edhe raportet e këtyre vendeve me disa vende evropiane, atëherë edhe më mirë për Serbinë. Një ministër i Kroacisë para disa muajsh akuzat që ngre Serbia për krime lufte në Kroaci, Kosovë dhe Bosnjë, ndaj qytetarëve që nuk janë qytetarë të Serbisë, i ka quajtur si “perversitet historik, duke pasur parasysh faktin se Serbia ishte agresore ndaj këtyre shteteve dhe tash i gjykon ata që u mbrojtën”. Edhe gjykata e Londrës, kur kishte liruar politikanin boshnjak Ejup Ganiq, dhe madje pas një procesi që zgjati një muaj, ishte shprehur se nuk ka gjetur asnjë argument për aktakuzë, pos qëllimeve politike. Këtë rast e kishte përdorur Kroacia në përballjen e saj me Serbinë në Bruksel, por Komisioni Evropian i kishte dalë fuqishëm Serbisë në mbrojtje, madje edhe duke e përpiluar një “non paper”, ku arsyetohej e drejta e Serbisë. Kur e pata zbuluar atë dokument dhe pata shkruar për të në gazetën “Jutarnji list” të Kroacisë, nga Komisioni Evropian u munduan të përgënjeshtrojnë ekzistimin e tij. Prandaj edhe e botoi ajo gazetë tërë dokumentin në fjalë. Në vend që të bëhej presion ndaj Serbisë, për këtë bëhej presion ndaj Kroacisë. Por Kroacia nuk hoqi dorë. Sikur Kosova, edhe ajo ka problem me mbrojtësit e saj, ish-luftëtarët dhe veteranët e luftës, të cilët duan ta dinë se a mund të udhëtojnë apo jo jashtë shtetit.

Kosova ndoshta nuk ka fuqi të ndikojë në gjykatat e Francës, por me dhënien e dëshmive. Por duhet të jetë e qartë ndaj burokratëve të BE-së, të cilët në këtë rast pa dyshim janë në anën e Serbisë, dhe t’u sqarojnë atyre se kurrfarë normalizimi i raporteve nuk po ndodh përderisa ekziston një paqartësi e tillë juridike. Edhe pse Kroacia, si vend i BE-së dhe i NATO-s, ndoshta nuk ka aq shumë nevojë për ndihmën e Kosovës, do të ishte mirë sikur së paku moralisht dhe publikisht, si viktimë e agresionit serb, t’i kishte shprehur mbështetje Kroacisë. Por politikanët e Kosovës ishin të zënë duke u shitur si ndërtues të paqes, mirëkuptimit dhe pajtimit në rajon.

Edhe një gjë duhet nxjerrë si mësim nga rasti Haradinaj. As BE-ja, as Shtetet e Bashkuara të Amerikës e as vendet mike nuk kanë reaguar për këtë rast. BE-ja ka heshtur duke u kufizuar në thënien se “po verifikon informatat që ka në dispozicion dhe po vëzhgon për së afërmi zhvillimet”. Të gjitha reagimet kanë qenë vetëm personale nga deputetja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, dhe nga kongresisti amerikan Eliot Engel. Edhe pse që të dy janë personalitete të shquara, ata nuk flasin as në emër të BE-së e as të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Duke i paraqitur ato si reagime amerikane dhe të BE-së, kosovarët vetëm ia bëjnë qejfin vetes. As sharjet dhe fyerjet ndaj shtetit të Francës nuk ndihmojnë. Franca ishte shtet i cili ka ndihmuar shumë Kosovën, gjatë dhe pas luftës. Në këtë shtet shpejt mund të ndodhin ndryshimet dhe në pushtet të vijë një president që dëshiron afrim me Rusinë, dhe që bën paralele mes aneksimit të Krimesë nga Rusia dhe pavarësia e Kosovës. Nuk është fjala vetëm për kandidaten e ekstremit të djathtë Marine le Pen, e cila është edhe e financuar nga Rusia, por për Francuis Fillon,personin i cili ishte kryeministër në Presidencën e Sarkozyt pikërisht në kohën kur Franca njohu Kosovën.

Problemi qëndron në Beograd, Prishtinë dhe Bruksel e jo në ndonjë njësi policore në ndonjë qytezë të Francës. As në punën e shërbimeve policore të shteteve të BE-së nuk ka konsistencë në veprime rreth fletarrestimeve të Serbisë. Në të shumtën e rasteve nuk veprojnë, sipas tyre, por nganjëherë ndonjë polic të cilit i ndizet alarmi në kompjuter kur skanon pasaportën mund edhe ta bëjë arrestimin. E kur bëhet atëherë duhet të ndiqet procedura. Dhe kur nisin procedurat nuk mund të ketë ndërhyrje politike. Kosova është dashur që moti të insistonte që kjo të bëhet edhe pjesë e dialogut në Bruksel. Por, gjykuar në bazë të prononcimit të zonjës Edita Tahiri, Kosova ka provuar dhe nuk ka arritur ta fusë si temë, sepse Serbia nuk ka pranuar të diskutohet ajo. Dhe, siç na sqaroi përsëri zonja Tahiri, për ta futur një temë në dialog duhet të pajtohen të dyja palët. Me këtë ajo në mënyrë direkte apo të tërthortë pranoi se Kosova ka pranuar që të diskutohet për çështjet e saj të brendshme, për krijimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, për fusnotën, ndërsa Serbia nuk ka pranuar që të flitet për arrestet e saja.

Problemi është shumë serioz dhe vështirë së Kosova do të gjejë mbështetje ndërkombëtare për të bërë presion ndaj Serbisë, sidomos tash kur ka një pauzë në aktivitetin e diplomacisë amerikane në Ballkan, një hiperaktivitet të Rusisë dhe një rënie të madhe të ndikimit të BE-së. Por, askush nuk ua ndalon liderëve të Kosovës që të tregojnë pak më shumë dinjitet kur përfaqësojnë shtetin, sidomos në dialogun në Bruksel. Dhe aty duhet të angazhohen për të gjithë e jo vetëm për fatin e tyre personal.

E sa për Serbinë vetëm në këtë moment, kur ajo bazohet në autoritet që gjykon krimet e luftës, ekzistojnë këto çështje të hapura: Serbia ka ndërprerë bashkëpunimin e plotë me Tribunalin e Hagës, Serbia nuk arreston të akuzuarit nga Tribunali i Hagës, Serbia ka pritur si hero të dënuarit nga Tribunali i Hagës, të cilëve u janë dëshmuar krimet ndaj shqiptarëve në Kosovë, në Serbi nuk është siguruar në praktikë pavarësia e gjyqësorit, Serbia nuk njeh gjenocidin në Srebrenicë me gjithë faktin se ky krim si i tillë është njohur edhe nga Gjykata e Hagës për krime lufte e edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, përfaqësuesit e Serbisë rehabilitojnë Slobodan Millosheviqin dhe mbi varrin e tij thonë se atë “e ka zgjedhur Zoti”. Këto janë vetëm disa nga faktet që dëshmojnë se sa e sinqertë është Serbia në përballjen me të kaluarën e saj. Dhe problem edhe më i madh është se tash nga Serbia askush as nuk kërkon që të përballet me të kaluarën e saj, e madje edhe politikanët shqiptarë nga Prishtina e Tirana këtë e bëjnë vetëm përmes “Facebookut”. 

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...