Viti që s’e besuam

2 Janar 2017 - 15:39 - Lumir Abdixhiku      

-1-

Pakkush do ta kishte besuar se në vitin 2016 bota do të ndryshonte kaq shumë. Se britanikët do të nisnin e përfundonin daljen nga Bashkimi Evropian. Se në SHBA, tradicionalja e politikëbërjes atje, do të zëvendësohej me një afrim pro-rus; me një politikë sa të paparashikueshme, aq edhe të frikshme. Pakkush do ta kishte besuar se rezultati i zgjedhjeve amerikane do të bënte festë në Veri të Kosovës; frikë në gjithë pjesët e tjera të saj.

Pakkush do ta kishte besuar se ekstremistët si Le Pen në Francë, Wilders në Holandë, e Hofer në Austri do të ishin pretendentë kryesorë për udhëheqje; po mos u bëfshin presidentë këtë herë do të bënin herën tjetër. Se rusët, në vend të dorëzimit nga sanksionet e Perëndimit, do të forcoheshin dhe më shumë. Do të bënin veten faktor, të vetëm madje, në Siri, për të prodhuar tragjedinë më të rëndë të gjeneratës sonë – ferrin e Halepit. Pakkush do ta kishte besuar, se në vitin 2016, bota do të ishte veç spektator i këtij ferri.

Pakkush do ta kishte besuar se Parisi, Stambolli, Brukseli, e qendra të tjera plot do të bëheshin fushëbeteja të individëve pa tru që s’njohin as fe, as racë as Zot. Të individëve trushpëlarë që shkelin mbi të gjithë. Që duan zi, frikë e tmerr. Pakkush do ta kishte besuar se kosovarët, fëmijët e diasporës sonë në Gjermani, do të ishin viktima të një terrori të tillë. Pakkush do ta kishte besuar se frikë e tmerr nga terrorizmi religjioz do të nxitej edhe në një ngjarje tinejxherësh në shesh të Prishtinës. Pak kush do ta kishte besuar se “New York Times” në ballinën e saj, do ta paraqiste Kosovën si “tokë pjellore të ISIS”.

Pakkush do ta kishte besuar se bota, me gjithë shqiptarë, kishte ndryshuar kaq shumë. Mu para syve tanë, për një vit të vetëm, formë morën gjithë të çarat e globalizmit, liberalizmit e epokës më paqësore të shënuar ndonjëherë në botë. Në deracionalizimin e mendjeve, 2016-a kishte dërguar secilin vend e shtet. Në këtë deracionalizimin po merrte rrugë dhe projekti i vetëm, më i sigurt i Kosovës dhe i shqiptarëve tash e sa kohë; Evropa. Një derë që na ishte dhënë si e hapur, po mbyllej më shpejt se që do ta kishim menduar ndonjëherë.

-2-

Pakkush do ta kishte besuar se në vitin 2016 kosovarët do të ishin të fundit pa viza; edhe atëherë kur kjo e drejtë iu ishte dhënë ukrainasve e gjeorgjianëve – plot 50 milionë sosh. Mbetëm, dhe këtë herë, sërish, të mbyllur në mes të Evropës duke dëgjuar arsyetimet e klasës së njëjtë politike mbi fajësinë e pafajësinë. Të njëjtët, me shtetësi të dyfishtë, për vete e familjet e tyre, udhëtimin e lirë e kanë më së paku problem.

Pakkush do ta kishte besuar se në vitin 2016, president i vendit do të zgjidhej njeriu më përçarës në vend. I njëjti përgjegjës që ktheu izolimin, papunësinë, mungesën e të drejtave bazike njerëzore në arsim, shëndetësi e gjyqësi – si çështje krejtësisht të zakonshme kosovare – ishte vendosur si president; me votat e një Liste që s’i njihte shtetin e vet. Kosova, pas 17 viteve çlirim, nuk po çlirohej nga kapësit e vet. Njerëzit rreth tij, miqtë, bashkëpartiakët e partnerët në krim, ishin herë të dënuar e në burg, herë të përgjuar me materiale për burg.

Pakkush do ta kishte besuar se gjithë vitin 2016 do ta kalonim në trajtim të pashpjegueshëm, të lodhshëm e të mundimshëm, rreth demarkimit të kufirit me Malin e Zi. Një përplasje e gjatë, e përkthyer përfundimisht në izolim, kishte marrë një vit të tërë të diskutimit publik. Nuk kishim folur as për shëndetësi, as për arsim, as për gjyqësi.

E përderisa nuk flisnim për to, nxënësit e Kosovës, e së ardhmes sonë, do të renditeshin si të fundit në botë për nga dija – nga leximi, shkenca e matematika. Të sëmurët tanë, fëmijët, pleqtë, nënat e vendit më të mbyllur në Evropë, do të trajtoheshin sërish nëpër spitale pa barna, pa penj, pa mjek; në mëshirë të batanijeve nga shtëpia, e vajtje-ardhjeve nëpër rajon. Të tjerë të shkretë, ndërsa, ishin bërë pjesë e kasaphanave të zemrave. Rrënim moral i tërë.

Gjyqësia jonë, ajo e njëjta me prokurorë të parapërcaktuar nga parapolitika, do të ishte mbulojë për kapësit, hajnat e kriminelët sërish. Në krizë, pa besueshmëri e me amatorizëm plot, ishte treguar edhe në trajtimin e vdekjes së një të burgosuri politik në vend.

Pakkush do ta kishte besuar se në vitin 2016, në Koshare, ish-ministra të Republikës do të vënin kurore për “heronjtë e Serbisë”. Se në Gazimestan do të vinin sërish simbolet shoviniste e fashiste, përfshirë dhe ato të Milosheviqit; e se në vend të urës do të lindnim mëngjesin me një mur. I kishin vënë, murit, emrin shkallë.

-3-

Pakkush do ta kishte besuar se në vitin 2016, një sportiste kosovare me emrin Majlinda Kelmendi, do të bënte lajm Kosovën gjithandej nëpër botë. Një medalje e artë olimpike, në paraqitjen tonë të parë, kishte vendosur atë e shtetin tonë në secilin lajm sportiv olimpik. Muaj më parë, po ajo kishte renditur gardën ushtarake ruse të nderojë simbolet e shtetit të saj; të Republikës, të vendit tonë të përbashkët. Ishte e bukur.

Pakkush do ta kishte besuar se në vitin 2016, futbolli do të ishte madhështia jonë. Fillimisht me Kombëtaren e Shqipërisë, me pjesëmarrje e festë në Francë; e më pas dhe me pranimin e Kosovës në UEFA e FIFA – një ëndërr prej gjeneratave e bërë përfundimisht realitet. Heronj të rinj të kësaj Republike, të mbledhur nga gjithandej, pa asnjë ditë bashkë, por të rritur të gjithë nën frymën e dashurisë për Kosovës, po bënim atë që secili patriot modern ka për rend ta bëjë – të mbrojë e përfaqësojë shtetin e vet jashtë. Pakkush do ta kishte besuar se në vitin 2016, pas gjithë përpjekjes së mundimshme për shtet, do të kishte të tillë që këtë arritje rrugëtimi ta trajtonin me përbuzje e indiferencë. E trajtuan njëjtë, me përbuzje e me sharlatanizëm, në Kosovë e Shqipëri pa dallim. Qytetarët, atdhedashësit e Kosovës, u dhanë përgjigje në fushë e jashtë saj. Bashkë, i çuan, në dreq të mallkuar.

Pakkush do ta kishte besuar se në vitin 2016, një film kosovar që trajtonte historinë e fundit të luftës në Kosovë, do të nominohej për “Oscar”. Filmi nuk mori statujën e artë – jo këtë herë – por mori zemrat e kujtimet e një vendi të tërë. Kishim harruar për pak gjithë ecjen tonë.

Pakkush do ta kishte besuar se në vitin 2016, Kosova do të nënshkruante marrëveshjen e parë kontraktuale me BE-në; atë për tregti të lirë. Një hap i tillë, me gjithë të metat mospërcjellëse me politika, megjithatë e vinte vendin tonë në rrugë të drejtë – për aq zgjat kjo rrugë e drejtë pra.

-4-

Sado më të pakta për nga numri, sado më të rralla për nga intensiteti, ngjarjet e mira, të djemve e vajzave të reja që thyenin megjithatë mbytjen tonë, do të shërbejnë si shembull për të bërë dhe një hap tjetër, në një vit tjetër. Një hap më të mirë, për një vit më të mirë. Ky vend, megjithatë, ka njerëz të mirë, patriotë modern, që dinë dhe do të kujdesen për vendin e vet. Rruga përpara do të jetë e vështirë. Çkapja, drejtësia, dija e kujdesi për tjetrin, s’kanë për të qenë të lehta asnjëherë. Do të ketë gjithmonë, fatkeqësisht nga të tanët, të tillë që do të drejtojnë mundin në anën e ligë. Por shembujt e mirë, të njerëzve që megjithatë kanë bërë shpërthim, do të shërbejnë për të tjerët plot, për më shumë më mirë. Për një Kosovë që e duam të gjithë, që na do të gjithë.

Për kurrë më kështu, Gëzuar 2017!

abdixhiku@facebook.com

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...