Shënime fundviti

2 Janar 2017 - 08:38 - Agron Bajrami      

E vërteta nuk mund të na lëndojë, thonë. Shumë e pasaktë kjo, natyrisht: është e vërteta ajo që na godet si rrufe… - Aaron Burr (Gore Vidal, “Burr”)

I

Ndërrimi i moteve, ne gazetarëve na gjen duke bërë rekapitullimin e bëmave të 12 muajve të vitit, nën shkëlqimin e dritave tradicionale dekorative, të cilat herë janë më vezulluese e herë me turbulluese.
Fatkeqësisht, si çdo vit, bilanci që nxjerrim del të jetë edhe më negativ se ai paraprak; vendi dhe qytetarët vazhdojnë të vuajnë nga keqpërdorimet e pushteteve dhe tensionimet politike. Ekonomia vazhdon stagnimin, derisa papunësia dhe varfëria rriten. Qeverisja, sa arrogante aq edhe e paefektshme, na ka zënë peng bashkë me institucionet e zaptuara nga politika dhe paaftësia.
Bilanci na trishton edhe më shumë kur i kthejmë sytë nga institucionet që do duhej të zbatonin rendin dhe ligjin, por që vetë janë vënë nën kontroll dhe në shërbim të krimit të organizuar politiko-ekonomik, duke e bërë qytetarin e rëndomtë kosovar të besojë më tepër në vërtetësinë e Babadimrit se sa në drejtësinë kosovare. Shteti duket sikur është krijuar për t’u keqpërdorur nga klanet e ndryshme, prej partive politike deri tek grupet joformale si “Pronto”, që interes të vetmin e kanë grabitjen – si të parasë e pasurisë ashtu edhe ndikimit dhe pushtetit!
Kështu, përveç në mjerim politik, viti 2016 na kaloi edhe në shenjë të dështimeve të rënda edhe në arsim e shëndetësi, izolim nga Evropa, dhe mungesën e llogaridhënies së pushtetarëve për debaklet e njëpasnjëshme – si në proceset madhore në Bruksel, ashtu edhe në politikat e brendshme që dëmtojnë jo veç të tashmen tonë, por edhe të ardhmen e fëmijëve tanë, që përfundimisht u konfirmuan me rezultatet e testit PISA.

II

Sigurisht, Kosova kishte këtë vit edhe storiet e arritjeve dhe suksesit. Disa, madje, vërtet historike, çfarë ishte fitorja e artë olimpike e Majlinda Kelmendit në Rio, apo edhe rrugëtimi në Hollywood i filmit “Shok” dhe anëtarësimi i Kosovës në FIFA e UEFA.
Veç këtyre, ishte edhe shenjtërimi i Nënës Terezë, që Kosovën, bashkë me shqiptarët, i ktheu, së paku për një moment, në dritën pozitive të vëmendjes globale.
Por krejt këto ishin rezultate më shumë të punës së individëve të talentuar e të përkushtuar, dhe ato, në të vërtetë, janë dëshmi se në Kosovë suksesi arrihet jo me ndihmën e shtetit, por përkundërt tij! Sepse shteti jo vetëm që nuk po investon në sport, kulturë, shkencë, art dhe kultivim shpirtëror, por edhe po i pengon ato, duke e politizuar çdo sektor e institucion publik në vend.
Dëshmia më e mirë për këtë është numri shumë më i madh i kosovarëve që arrijnë suksese kur janë jashtë vendit se sa i atyre që qëndrojnë në Kosovë; futbollistët nëpër Evropë dhe pop-këngëtaret në Britani e Amerikë janë vetëm disa nga shembujt e shumtë.

III

Megjithatë, nuk ishte gjithçka njëjtë si viteve të tjera. Bota ka ndryshuar rrënjësisht. Dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja e vë në dyshim të ardhmen e Unionit, ndërsa fitorja e Trumpit në Amerikë e vë në dyshim kursin e mëtutjeshëm politik të Washingtonit. Derisa në Perëndim po rritet popullariteti i partive dhe i politikave populiste e nacionaliste, krimet dhe vuajtjet në Siri dhe kriza e refugjatëve që po vazhdojnë, bashkë me ngritjen e diktaturave në Rusi e Turqi dhe terrorizmin që godet demokracitë e lira. Të gjitha këto, kanë sjellë një hije të rëndë mbi botën e lirë perëndimore, nën patronazhin e së cilës mbijetoi edhe liria e Kosovës. Dhe kjo, sigurisht, duhet të na brengosë.

IV

Duhet të na brengosë shumë, sepse bota, e cila edhe ashtu viteve të fundit kishte humbur vëmendjen për Kosovën dhe Ballkanin, në muajt dhe vitet në vijim nuk do ketë më fare kohë për ne.
Për këtë arsye, edhe më shumë se sa telashet e (pa)pritura të botës, duhet të na brengosin këto tonat. Bashkë me perspektivën që e kemi për vitin që vjen. Sepse, edhe pa Trumpin dhe dobësimin e Evropës, viti 2017 duket qartë se do të jetë edhe më i rëndë se sa ky që po e lëmë pas. Për shkak se konflikti i brendshëm politik jo vetëm që nuk është afër zgjidhjes, por duket se do të eskalojë, derisa integrimi i Kosovës në BE mbetet në letër. Por edhe për faktin se dialogu me Serbinë qysh tash është e qartë se do të prodhojë edhe më shumë ndarje e çarje brenda Kosovës, e Qeveria me politikën e saj statike zor se do të mund të lëvizë ndonjë punë tjetër përpara, gjë që vetëm sa e hap edhe më tepër rrugën për zgjedhje të parakohshme, të cilat do të mund të ndërlikoheshin nga fillimi i punës së Gjykatës Speciale.
Debatet agresive kosovare, në të cilat shpërfillja e fakteve tashmë është bërë pjesë e preferuar e lojës, vetëm sa do të shtohen, derisa në prapavijë, përbrenda, korrupsioni dhe keqpërdorimet do të vazhdojnë ta gërryejnë vendin.
Sepse, shoqëria jonë, në vend se të kërkojë ndryshimin brenda vetes, ende shikon në drejtim të horizontit prej nga pret ardhjen e një force shpëtimtare.
Dhe kjo nuk duket se do ndryshojë pas 31 dhjetorit.

V

Tradita e do që në fund të kolumnes festive të urohet për një vit të ri më të mirë, në të cilin të këqijat nuk do përsëriten, e të mirat shtohen.
Por, më shumë se sa një kolumne festive, ky shkrim është një rikujtim se punët janë vërtet keq, dhe ato nuk do ndryshojnë vetvetiu.
Andaj, urimi që kam këtë vit është që të gjejmë forcën për të ndryshuar veten. Të tjerat do të vijnë me kohë. Dhe do marrin vite. Prandaj uroj të fillojmë tani. Gëzuar 2017!

agronb@kohaditore.com

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...