Turpi si përparësi në politikë

29 Dhjetor 2016 - 09:19 - Enver Robelli      

Kryetari i qytetit të Bihaqit në Bosnjë ia shkurton vetes rrogën për 40 për qind për shkak se turpërohet nga shuma e të ardhurave përballë varfërisë së popullsisë. Në Kosovë kryetarët e dënuar të komunave ose janë milionerë, ose qëndrojnë në poste, duke ua treguar qytetarëve gishtin e mesëm – pa asnjë fije turpi.

Shuhret Fazliqi është kryetar i qytetit të Bihaqit në Bosnjë-Hercegovinë. Në fillim të tetorit ai është zgjedhur në këtë post i përkrahur kryesisht nga të rinjtë, të cilëve, siç thotë Fazliqi, «u kishte ardhur te hunda» nga menaxhimi i keq i qytetit. Pa përvojë politike, por me vullnet të madh të ndryshojnë diçka për të mirë, të rinjtë themeluan një lëvizje qytetare dhe brenda 3-4 muajve arritën të mobilizojnë elektoratin, duke ia siguruar fitoren Shuhret Fazliqit. «Ne hapur kemi treguar se çfarë ka ndodhur në këtë qytet në 20 vjetët e fundit, hapur kemi treguar se përfituesit e luftës, kriminelët dhe njerëzit e prirë të rregullojnë interesat e tyre, (...) nuk mund të jenë në pozita udhëheqëse».

Prejse ka marrë pozitën, Shuhret Fazliqi është duke «pastruar oborrin». Ditë më parë me kërkesë të tij Kuvendi i qytetit të Bihaqit ka ndryshuar rregulloren mbi rrogat dhe shtesat e të punësuarve në administratën komunale. Fazliqi u ka paraprirë ndryshimeve me një shembull personal: ai ka kërkuar t’i ulet rroga! Deri më tani rroga e kryetarit të qytetit ishte 4500 marka konvertibile boshnjake (ose 2300 euro). Në të ardhmen Fazliqi do të marrë 2500 marka konvertibile (1277 euro) – 40 për qind më pak. «Më vjen turp të kem të ardhura aq të larta në këtë kohë dhe ky është një mesazh që të gjithë së bashku duhet të ndryshojmë raportin tonë ndaj mjeteve publike, të harxhojmë sa më pak dhe aq sa kemi. Kjo është mënyra më e mirë për të jetuar më mirë në këtë qytet tonin», tha Fazliq.

Kryetari i Bihaqit sapo ka ardhur në pushtet ka shpalosur disa prej skandaleve të qeverisjes së kaluar. Borxhet e qytetit arrijnë në 50 milionë marka konvertibile. Kjo ka ndodhur për shkak se «i kemi dhënë banesë (basketbollistit të njohur) Xhenan Musa në vlerë prej 60 mijë markash, por nuk e kemi paguar. I kemi blerë tre “Passata” për 120 mijë marka, por nuk i kemi paguar. Ju kemi dhënë bursa studentëve, por nuk i kemi paguar qe një vit e gjysmë. Kemi premtuar se gratë pas lindjes do të marrin mbështetje financiare, por edhe këtu qe një vit e gjysmë nuk kemi paguar fare. Jemi marrë vesh për transportin e nxënësve, por nuk e kemi paguar. Kemi planifikuar shumë gjëra për t’i financuar, por s’kemi paguar asgjë. Krejt këto janë grumbulluar dhe unë duhet të jem i sinqertë dhe t’ua shpjegoj qytetarëve se, ndonëse kanë të drejtë, para nuk ka». Paraardhësi i Fazliqit ka qenë Emxhad Galijasheviqi nga Partia e Aksionit Demokratik (SDA). Si «partitë e luftës» në Kosovë edhe SDA e Bosnjës e ka shfrytëzuar «të kaluarën heroike» për t’u pasuruar liderët e saj – nga komunat deri në nivelin më të lartë në Sarajevë.

Ardhja në pushtet e një politikani si Shuhret Fazliqi tregon se qytetarët nuk janë të gatshëm t’i durojnë përgjithmonë funksionarët e paaftë, të cilët favorizojnë keqpërdorimet dhe korrupsionin. Të kesh turp është përparësi jo vetëm në politikë. Fazliqi turpërohet për të gjitha ato premtime që i ka bërë paraardhësi i tij dhe flet hapur e sinqertë me qytetarë. Ai bën hapin e parë dhe kërkon uljen e rrogës së tij, sepse i duket padrejtësi që vetë të marrë 2300 euro në muaj, ndërsa rroga mesatare në Bosnjë është 425 euro.

Ky shembull nga Bosnja ende s’ka shans të përsëritet në Kosovë. Përvoja gati 20-vjeçare politike tregon se në vendin tonë kanë qeverisur kryesisht politikanë të paturpshëm. Të tillët gjatë negociatave në Vjenë për zgjidhjen e statusit të Kosovës mund t’i shihje duke «qit kanune e kërrname» nëpër baret e shtrenjta të kryeqytetit austriak dhe duke belbëzuar: «Jo kjo verë nuk po më pëlqen, na jep atë tjetrën që e pimë para një muaji (150 euro shishja), jo më jep një gin tonic tjetër, atë konjak e kemi pirë mbrëmë, sonte e duam një më të shtrenjtë». Ky ka qenë kontributi në negociata i disa negociatorëve të Kosovës në Vjenë, ndërsa shpenzimet e «pijankave» të tyre i paguante ndonjë vartës që ecte me xhepat plot para të buxhetit të Kosovës.

A kemi një kryetar komune në Kosovë që publikisht është turpëruar për keqpërdorime apo për rrogën e lartë përballë pensionistëve që duhet të mendojnë se a do të hanë ushqim apo do të blejnë ilaçe me «pensionet» e tyre që nuk arrijnë as 100 euro? Jo. Në Kosovë kryetarët e dënuar të komunave ose janë milionerë, ose qëndrojnë në poste, duke ua treguar qytetarëve gishtin e mesëm – pa asnjë fije turpi. A i keni parë kaubojt dhe matrapazët lokalë të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së duke u turpëruar për të zezat që i bëjnë? Jo. E kundërta: kur hapet Festivali i Filmit Dokumentar në Prizren gjatë verës në rendin e parë ulet Ramadan Muja, kuadër i PDK-së, i dënuar për keqpërdorim të detyrës. Afër tij ulet Sylë Hoxha, prokuror dhe kuadër i LDK-së. Menjëherë afër tyre ulen Hashim Thaçi dhe Edi Rama. Njëra dorë lan tjetrën, të gjithë qëndrojnë stoikisht të përbashkuar - me një dëshirë dhe me një qëllim: vjedhjen e qytetarëve. Turpi është varrosur qëmoti në kasabatë tona.

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...