Ndotja e ajrit - patetizëm e aktivizëm

24 Dhjetor 2016 - 08:57 - Adriatik Kelmendi      

Ka vetëm një lajm vërtet të mirë – është kuptimi se me ndotjen e ajrit i kemi punët keq. Që i bie: S'ka kohë për vajtim. Duhet ndërgjegjësim. Dhe veprim. Që nga institucionet qendrore dhe ato lokale duhet të ndërmarrin masa urgjente që ta fusin Prishtinën në zonën e gjelbër.

LAJMI “I MIRË” brenda lajmit të keq:
I keqi është se Prishtina këto ditë ka norma shumë të larta të ndotjes së ajrit.
"I miri" është që Shkupi këto ditë ka dyfish ndotje më të madhe se Prishtina.
Tjetër, Prishtina nuk ka qenë asnjëherë qyteti me ndotjen më të madhe në botë. Mos të bëhemi patetikë dhe t'i gjejmë me zor rekordet e zeza për vete.

Mirëpo, tjetër sërish, Prishtina vazhdon të jetë një ndër qytetet me ajrin më të ndotur këto ditë.
A duhet të ngazëllehemi se paska edhe më keq se ne? Absolutisht jo! Kjo do të ishte e rrezikshme.
E në këtë mes ka vetëm një lajm vërtet të mirë – është kuptimi se me ndotjen e ajrit i kemi punët keq.
Që i bie: S'ka kohë për vajtim. Duhet ndërgjegjësim. Dhe veprim.
Që nga institucionet qendrore dhe ato lokale duhet të ndërmarrin masa urgjente që ta fusin Prishtinën në zonën e gjelbër.
Disa masa të domosdoshme të identifikuara nga ekspertët janë:

TË KTHEHET LIMITI i vjetërsisë së automjeteve. Vendimi i Ministrisë së Financave për të mundësuar importimin e veturave pa kufizim të vjetërsisë dhe pa përcaktim të standardeve bashkëkohore është një ndër veprimet më të dëmshme për vendin, meqë ndikoi direkt që të ndotet ambienti edhe ashtu i ndotur në nivele alarmante. I njëjti bëri që vendi të kthehet edhe në një varrezë masive të veturave të vjetra nga e gjithë Evropa, që të rritet rrezikshmëria në komunikacion, të jemi edhe një hap më larg integrimit në Bashkimin Evropian, e një vistër me çështje të tjera, me konotacione negative si këto.

Ekspertët e ambientit pohojnë se veturat që janë në masë të madhe të vjetra në Kosovë ndikojnë deri në rreth 40 për qind në ndotjen e ajrit. Në qoftë se edhe me këtë nivel të madh të ndotjes do të shtoheshin edhe dhjetëra mijëra vetura që hyjnë pa u respektuar standardet e përcaktuara të Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropë (UN/ECE) e të adaptuar si standard i vendeve të Bashkimit Evropian (me emërtimin EURO 1 deri në 6) për lejimin e transmetimit të gazrave nga automjetet - kjo ndotje vetëm sa është rritur.

Parlamenti Evropian, në vitin 2005, ka kaluar një rezolutë me të cilën detyron prodhuesit e automjeteve që respektojnë standardin EURO për të zvogëluar nivelin e monoksidit të karbonit në ajër, kur është kërkuar që të gjitha automjetet prej këtij viti të prodhohen në standard EURO 4, që ul shumëfish ndotjen krahasuar me veturat e prodhuara në vitet ’80.
Të dhënat nga Dogana tregojnë se më pak se 10 për qind e gjithë veturave të importuara gjatë një viti në Kosovë janë me kilometrazh 00.

Kurse, duke qenë rreth 95 për qind të veturave të vjetra në qarkullim, atëherë edhe rrezikshmëria e incidenteve në komunikacion është shumë më e madhe se në vendet e rajonit, pasi që, natyrshëm, veturat e vjetra kanë shumë më tepër predispozita që të prishen se të rejat.

Një ndihmesë e vogël për të ndërruar këtë trend ka qenë vendimi i këtij viti për të bërë zero doganën për veturat e reja, mirëpo kjo tashmë do të ketë pak efekt, meqë Kosova është e tejmbushur me vetura të vjetra pa kontroll të mirëfilltë të kapacitetit ndotës.

TË KONTROLLOHET CILËSIA e karburanteve. Ende duket se sektori më i egër në Kosovë është ai i derivateve të naftës. Duke qenë një ndër industritë më të fuqishme të vendit, duket se është i madh edhe lobimi i tyre për t’iu shmangur kontrolleve institucionale të cilësisë së derivateve dhe në përgjithësi operimit sipas ligjit.

Vetë refuzimi i një numri të kompanive të derivateve të naftës për t’u fiskalizuar tregon për fuqinë e çuditshme që e kanë ata për t’u bishtnuar obligimeve ligjore pa u ndëshkuar nga shteti. Së këndejmi ka shumë dyshime për cilësinë e derivateve të importuara në Kosovë dhe saktësinë e rezultateve të matjeve të tyre, të cilat kontribuojnë në cilësinë e ajrit.

TË NDËRTOHEN SHUMË parqe, të reduktohen maksimalisht lejet e ndërtimit në zona tashmë të ngarkuara.
Komuna e Prishtinës një herë i ndaloi të gjitha ndërtimet në emër të shmangies së paligjshmërisë. Mirëpo, kur rifilloi dhënien e lejeve ndërtimore e ktheu kryeqytetin në një vendpunishte gjigante. Natyrisht se kur përnjëherë fillojnë ndërtimin rreth 100 objekte të mëdha banimi nuk do të ketë kapacitete kontrolli nga inspektorët për të gjitha. Kështu që tash lirisht mund të thuhet se në vend të degradimit pa leje tash kemi degradim me leje, pasi që ndërtuesit në masë të madhe janë duke mos përfillur kushtet e ndërtimit.

Gjithashtu, ka një shpërputhje të madhe sot në Prishtinë me numrin e ndërtimeve dhe numrin e parqeve ose hapësirave të gjelbëruara.
Si ilustrim mund të merret lagjja “Mati 1” në Prishtinë, ku aktualisht janë në ndërtim e sipër dhjetëra e dhjetëra objekte të larta, por asnjë park i vetëm. Kjo gjendje duhet të ndryshojë urgjentisht.

JANË DY TERMOCENTRALE të vjetruara shumë tashmë.
“Kosova A” dhe “Kosova B” janë ndër shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit. Filtrat që u janë vënë atyre vlerësohet se ka kohë që nuk janë ndërruar dhe si të tillë nuk e arrijnë efektin e dëshiruar të pastrimit të gazrave.

Debatet e shumta se a duhet ndërtuar ose jo një termocentral të ri kanë ndikuar që deri tash as të mos kemi investime shtesë në dy termocentralet ekzistuese, as të mos niset ndërtimi i të riut, duke lejuar kështu që ndotja të vazhdojë. Është e qartë se Kosova nuk mund ta përballojë investimin vetëm në prodhuesit e energjisë alternative pa e ndërtuar edhe një termocentral të ri, i cili do t’i përfillte standardet e fundit bashkëkohore të pakësimit të emetimit të gazrave, gjë që do të mundësonte mbylljen e “Kosovës A”, ashtu siç kërkohet edhe nga BE-ja, si dhe renovimin e B-së. Njëkohësisht duke gjetur mënyra për të rritur ndjeshëm kapacitetet e energjisë së ripërtërishme.

TË GJENDEN FORMA alternative të ngrohjes gjatë dimrit. Kjo ka të bëjë sërish me dhënien e lejeve për ndërtesa të reja pa u plotësuar kushtet që sigurojnë ngrohje qendrore.
Së këndejmi shumica e blloqeve të reja të ndërtesave në Prishtinë vazhdojnë të gjejnë alternativa vetjake të ngrohjes, nga ajo me rrymë e deri te ngrohja me qymyr. Të gjithë këta ndotës në mënyrën e vet. Lejet e reja për ndërtim do të duhej të merrnin seriozisht komponentin e ngrohjes, kurse për ndërtesat ekzistuese duhet nxituar qasjen në ngrohjen qendrore të qytetit.

DHE, PËRFUNDIMISHT, duke mos respektuar standardet e cilësisë së ajrit të kërkuara nga Bashkimi Evropian, Kosova, si shteti i fundit në Evropë në rrugën drejt aderimit, vetëm sa ia shton edhe një arsye tjetër vetes për t’u larguar edhe më tepër.
Në këtë frymë duhet vetëdijesuar se secili mund të kontribuojë në përmirësimin e situatës, qoftë me angazhim në institucionet ku punon, qoftë me ndryshimin e praktikave të jetës.
Një Prishtinë e kemi, s'kemi tjetër rezervë.
Patetizmi nuk ndihmon. Aktivizmi shpëton!

adriatik@kohavision.net
Twitter: @adriatikk

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...