Sundimi i llastikut

20 Dhjetor 2016 - 07:51 - Flaka Surroi      

Me shtrirjen e llastikut të ligjit për vetëm aq sa iu hyn në përdorim këtyre që e udhëheqin këtë vend, Kosova do të mbetet pa pjesën veriore – sepse muskujt s’i kanë qëmoti (për llastikligjin të mos flasim) dhe vuajnë nga deficiti kronik trunor. Thuajse edhe trutë i kanë krejt llastik

Shumë jemi popull interesant. Në gjithë këtë hallakamë që e jetojmë, me gjithë këto probleme që nisin nga arsimi e shkojnë deri te gjyqësia, pjesa më e madhe e javës na shkoi duke u marrë me paraqitjen e Ramiz Lladrovcit, kandidat i PDK-së për kryetar të Drenasit në ballafaqimin që kishte me kundërkandidatin e NISMA-s. Forca e bën fuqinë, Ligji o si llastiku dhe Do të mbjellim gjelbërim – janë tri nga “thëniet” më të veçuara të diskursit të tij.

Do të imagjinoni se shumica e komentuesve flisnin si jo më keq për kapacitetin intelektual të Lladrovcit që, sipas shënimeve publike, e ka kryer filloren në fshatin e tij; të mesmen në Suharekë; Fakultetin e Bujqësisë në Prishtinë; magjistraturën në Fakultetin Juridik, dhe është kandidat për doktor shkence në Juridik në Prishtinë. Derisa ka qenë deputet në Kuvend, ka pasur probleme të mëdha artikulimi të gjërave që i shprehte e madje edhe i lexonte. Porse, dhe për fat të keq, nuk është i vetmi në mesin e politikanëve bashkëkohorë.

Prandaj edhe nuk e kuptoj se pse gjithë ky turr për t’u marrë me Lladrovcin, pos nëse ai shërben si shembull për ilustrimin e gjithë një brezi politikanësh që e sundojnë Kosovën që nga fundi i luftës. Do të kujtoni se probleme me artikulim ka Thaçi, i cili shpesh ndihet tek thotë pulici, instutucione; ndurkombëtare, dhe fjalori i të cilit zakonisht kufizohet në përsëritjen e frazave të mësuara përmendsh, që përfundojnë me të famshmen: urime, suksese. Nga ana tjetër, do të kujtoni mbylljen epokale të syrit që Veseli ia kishte bërë gazetarit të RTK-së para katër vjetësh, kur nga shumë fjalët që i thoshte pa ndonjë përmbajtje e zuri veten në qark nga i cili s’mund të dilte. Për të mos i përmendur dy nga fjalët e tij të preferuara, kty dhe atu, dhe vendosjen e fjalëve vend e pavend kur do që të thotë diçka me rëndësi.

Pasqyrimi i mjerimit

Problemi me këtë brez nuk është se çka flasin. Problemi është se si veprojnë. Nëse e shikoni biografinë e deputetëve dhe të ministrave të PDK-së, ta zëmë, do të gjeni me duzinë doktorësh, magjistrash, kandidatësh për doktorata e të ngjashme. Në të shumtën e rasteve, këto ngjallin dyshimin nëse diplomat janë vërtet të arritura me mund, apo janë rezultat i sistemit të çalë arsimor të cilin vetë e kanë krijuar, me të cilin vetes i sigurojnë edhe tituj e edhe kontroll mbi institucionet e larta shkollore. Jam e sigurt se po qe se shumica e tyre do t’i nënshtroheshin provimit të PISA-s, shumë zor se do të kalonte ndonjëri. Për gjuhën shqipe me siguri se asnjëri s’do të kalonte. Statusat në FB nuk i shkruajnë vetë – ajo është e sigurt.

Po edhe më tragjike sesa diplomat dhe titujt e dyshimtë janë vendimet politike që i marrin. Atë që e ka thënë Lladrovci për punën e ligjit, se është “llastik” është në fakt një e vërtetë e madhe, që e përshkruan në thelb natyrën e qeverisjes së këtyre njerëzve. Paslufta dhe sundimi i kësaj garniture për më shumë se dhjetë vjet tashmë e kanë dëshmuar se gjëja e fundit që u intereson këtyre është zbatimi i ligjeve me standarde evropiane në ambientin kosovar. Atyre nuk iu intereson nëse e shkelin Kushtetutën; nuk iu intereson nëse për ta arritur një qëllim të vetin janë në gjendje ta ndryshojnë atë ashtu siç iu përshtatet, e për ta bërë edhe më llastik të interpretueshëm dikur; atyre iu intereson si ta ndrydhin ligjin (zbulim i ish-shefit të Financave të Komunës së Prishtinës, Dibrani) – pra si ta zbatojnë në mënyrë selektive, ashtu që të thuhet se këtu ka sundim ligji.

Përgjigjet skandaloze

Viktimë e zbatimit selektiv të ligjit është tashmë i ndjeri Astrit Dehari. Nuk ka nevojë të krahasohet me asnjë rast tjetër, mjafton të analizohet rasti për të cilin është mbajtur në burg si i dyshuar. Krahas tij janë të dyshuar edhe pesë të tjerë, dy prej të cilëve janë mbajtur në arrest shtëpiak dhe një është detyruar të lajmërohet në polici. Vepra penale: terrorizëm. Pra, vepra më e rëndë, që nënkupton se të dyshuarit janë potencialisht të rrezikshëm nëse mbahen jashtë grilave. Se me cilin kriter është caktuar “rrezikshmëria” e tyre e shkallëzuar, do të mbetet mister për një kohë të gjatë.

Sidoqoftë, tashmë e dimë se Dehari vdiq derisa ishte nën “përkujdesjen” e shtetit. Prokuroria doli me një raport, sipas të cilit ky kishte bërë vetëvrasje, edhe pse shumë gjëra që ishin dëgjuar e përshkruar e bënin këtë përfundim vështirë të pranueshëm si të vërtetë. Dy ekspertë që ishin angazhuar nga familja për të qenë prezentë në autopsi, dje dolën me raportin e tyre, dhe e thonë të kundërtën. Se ky nuk është vetëvrarë, por vdekjen ia ka shkaktuar dhuna e zbatuar mbi të.

Reagimi i menjëhershëm i Sylë Hoxhës, kryeprokuror i shtetit në Prizren, qe se Prokuroria nuk do ta marrë fare parasysh këtë raport, sepse ai nuk është dokument zyrtar. Kurse prokurori i rastit madje shkon edhe më larg dhe thotë se s’kanë pse të merren parasysh raporte të tjera kur rasti është mbyllur.

Pra, përderisa nuk ka mbërritur komunikimi zyrtar te avokati i familjes se rasti vërtet është mbyllur, ngase, sipas tij, ende mungojnë analizat e ADN-së të dëshmive që janë gjetur aty, prokurori i rastit thuajse thotë se kjo punë ka mbaruar dhe s’ka pse flitet më për të.

Në situatën kur zyrtarisht kryeprokurori ka lejuar prezencën e këtyre dy ekspertëve të marrin pjesë në obduksion, raporti kundërshtues me atë të cilin e ka paraqitur vetë kryeprokurori nuk ka se si të mos merret parasysh. Për më tepër, një version i këtij lloji, që është shkruar nga ekspertë të lëmit, shërben me automatizëm bazë për parashtrimin e kërkesës për një superekspertizë, sipas nenit 142 të Kodit të Procedurës Penale. E aq më tepër do të duhej ta nxiste një veprim urgjent drejt zbulimit të së vërtetës, meqë bëhet fjalë për humbjen e jetës së një njeriu, e jo për ndonjë mall të vjedhur. Edhe më urgjent veprimi në këtë drejtim, duke e marrë parasysh rrethanën se vdekja ka ndodhur derisa Dehari ka qenë i paraburgosur. Dhe nuk ka dyshim se në këtë rast ekspertiza e jashtme dhe e pavarur është e vetmja që do të kryente punë.

Pa paragjykuar, megjithatë, del se me këtë sjellje kryeprokurori nuk është i interesuar që e vërteta të zbardhet. Ani që ligji obligon që ekspertët të ballafaqohen, dhe në rast se nuk ka pajtim, dikush i treti ta realizojë ekspertizën. Ligji në Kosovë është llastik, por dikur edhe ai mund të këputet.

Shosha

E ajo që është nga fundi i shtrirjes së vet elastike është Kushtetuta e Kosovës. Ende nuk po e dimë se çka ka në mendje kryetari kur flet për amendamentimin e Kushtetutës dhe për përshtatjen, me gjasë, të dispozitave të saja planeve të tij afatgjata. Atë që po e dimë është se ai, me dorë të veten, e ka nënshkruar një marrëveshje thelbësisht në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, që do ta sjellë autonominë për serbët në veri. Dhe nga e cila tash kanë nisur të rrjedhin pesëqind problemet që janë e së shpejti do të bëhen edhe më të pakontrollueshme nga institucionet e Kosovës.

Muri i famshëm doli të mos ishte projekt i BE-së (ashtu e tha shefja e Zyrës së BE-së në Prishtinë), por ajo nuk doli të na sqaronte në mos shkallët e Kocijançiçit ishin projekt i BE-së. Pos deklaratës lakonike se duhet të ndërtojmë ura e jo mure, angazhimi i BE-së duket se u ndal në këtë pikë. Pra, veriu mund të bëjë çfarë t’ia ka ënda, përderisa “dialogu” të vazhdojë.

Dhe veriu vepron mu ashtu. Para dy ditësh u hap një pompë benzine e Industrisë së Naftës së Serbisë dhe në përurimin e saj mori pjesë përfaqësuesi i Serbisë, Gjuriq, i cili u kontrabandua me autoambulancë në qytet. Pasuan ca suspendime të ca policëve dhe Qeveria, duke mos dashur t’i përdorë muskujt, tha se do t’ia drejtonte BE-së një demarsh. Dhe kaq.

Natyrisht jo më shumë, për shkak se pardje u festua edhe një “fitore historike”, ajo e kodit telefonik, që do të na i kursejë disa dhjetëra miliona euro, porse që do ta fusë me të dyja këmbët Serbinë në Kosovë, tash edhe me kontrollin e telefonisë sonë. Kodi gjeografik, i dhënë me pëlqimin e Serbisë, për “Pokrajina Kosovo i Metohija”, me denominimin Kosovo*, mbetet në duart e Serbisë, si rregullator. Fjolla e pashkrirë me të cilën ne vetes ia kontestuam pavarësinë, sepse e legjitimuam Rezolutën 1244 në të, e arriti rezultatin e radhës. Me shkelje të Kushtetutës. Dhe me rrezikimin e sigurisë kombëtare. Tash henez do ta shohim se si duket kur të përgjojnë ekspertët e zanatit.

“Ekspertët”

Por për këtë gjë kaq të “parëndësishme” nuk mërziten ekspertët tanë të zanatit tjetër; atij të korrupsionit.

Pardje vërtet kishte qenë ditë historike. Atë ditë miqtë tanë amerikanë na krisën një shuplakë sa s’dihet të madhe, dhe na i mbyllën dyert për të konkurruar për shumë miliona në projektin Compact të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

Para dy vjetësh, Thaçi do të lavdërohej se si Bordi i MCC-së ia kishte miratuar Kosovës mundësinë për të marrë grante nga ky projekt, me synim krijimin e vendeve të punës dhe zhdukjen e varfërisë. Për më tepër kishte deklaruar se si me këtë veprim SHBA-ja e njihte progresin e Qeverisë së Kosovës në bërjen e reformave për zhvillimin demokratik, për qeverisje të mirë dhe sundim të ligjit.

Me gjasë ka menduar në zhvillimin e llastikut, sepse ajo që ka ndodhur në këta dy vjet është që Kosova jo vetëm se i ka humbur këto para, por i ka trembur investitorët dhe ka mbetur pa liberalizim të vizave. Për shkak se shpërdorimi i detyrës zyrtare për përfitime personale tashmë është bërë endemik.

Aq endemik dhe elastik, saqë nuk ka pothuajse asnjë aktgjykim të plotfuqishëm që ta ketë dënuar ndonjë hajn për përvetësimin e pronave të huaja; për pasurimin e pafund; për luksin e garniturës udhëheqëse. Ka vetëm raste kur të dënuarit ikin nga shteti, sikurse edhe të akuzuarit që mbahen nëpër arreste shtëpiake. Ose në rastin më elegant, kur parashkruhen ndjekjet.

* * *

Llastiku që e rrethakon Kosovën sa nuk është shqyer në veri. Kur këputet, ai e merr formën e parregullt, veç gjithsesi zvogëlohet, nëse tenton ta lidhësh disi për ta përdorur tutje. Me shtrirjen e llastikut të ligjit për vetëm aq sa iu hyn në përdorim këtyre që e udhëheqin këtë vend, Kosova do të mbetet pa pjesën veriore – sepse muskujt s’i kanë qëmoti (për llastikligjin të mos flasim) dhe vuajnë nga deficiti kronik trunor. Thuajse edhe trutë i kanë krejt llastik.

flaka@koha.net 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...