Politikë shqiptare

19 Dhjetor 2016 - 08:12 - Lumir Abdixhiku      

Shqiptarëve u duhet një platformë që komunikon jashtë me një zë, që i paraqet vendet tona si aleate të vetme – në terren – të principeve e mendjeve perëndimore. Dhe kjo platformë duhet të shpjegojë se ekzistenca durimit shqiptar nuk është e përhershme

-1-

Në natën e zgjedhjeve të Maqedonisë shqiptarët shpallën fitore – secili pas tjetrit. Disa sepse ishin dalë të parët, disa sepse kishin fituar vota për herë të parë, e disa sepse të parët, kundërshtarët e tyre, s’kishin dalë të parë në rritje, por me rënie – ani pse ishin ende të parë, ani pse vetë ishin mosvet. Tipike shqiptare; festë e humbësit për humbjen e tjetrit.

Në të vërtetë, zgjedhjet në Maqedoni treguan se humbës kishte veç një. Se shqiptarët, për shkak të ndarjes, kishin marrë deputetë më pak. E sepse ishin të ndarë në lista e parti, kishte dhe shqiptarë pjesëmarrës në zgjedhje më pak. Sa për krahasim, përderisa në Kosovë serbët marrin pjesë në zgjedhje nën një listë, në Maqedoni shqiptarët po garonin me 4 parti. Si rrjedhojë s'fituan gjë. Shqiptari, ky armik i shqiptarëve; andej, këndej, gjithandej.

Humbës shqiptarët po mbesin edhe pas shpalljes së rezultateve përfundimtare. Paaftësia e tyre për të kapërcyer inate partiake – si ndodh rëndom ku ka shqiptarë – po i jep mundësi reale qeverisë së Gruevskit, një ndër antishqiptarët më të mëdhenj në Ballkan, të ketë jetë më shumë. Renditja e bllokut shqiptar në krah të opozitës së deridjeshme, nën të cilën kishin garuar dhe zgjedhur si deputetë dhe disa shqiptarë, do të prodhonte një Maqedoni më ndryshe; shumë më të favorshme për secilin prej nesh.

-2-

Por, a s’janë kështu shqiptarët gjithandej? A nuk u bë që në Kosovë, mu për shkak të inateve e përplasjeve politike të humbej logjika e trajtimit të demarkimit – e me të dhe e drejta e lëvizjes së lirë për në Evropë? Edhe atëherë kur 50 milionë ukrainas e gjeorgjianë fituan këtë të drejtë?

A nuk u bë që në Shqipëri për shkak të përplasjeve partiake primitive, që prej se e mbajmë demokracinë mend atje, të mos rrezikoheshin, e të mos rrezikohen edhe sot, secili hap drejt anëtarësimit në BE? Është mrekulli – krejt joshqiptare – pajtimi për anëtarësim në NATO atje.

A nuk sillemi njëjtë dhe në Luginë? Kur s’arrijmë as edhe një herë të renditemi bashkë për të ndërtuar një listë të vetme, veç shqiptare, për të mbrojtur zërin e pakicës atje. Madje, në Luginë, për çmendinë më të madhe, koalicione me lëvizje antishqiptare ndodhin përpara bashkimeve ndërshqiptare.

Shembull të gjithë duhet të kenë Malin e Zi. Shqiptarët atje u bënë bashkë një herë. Dhe në këtë bashkim të tyre kapërcyen pengesën ruse e serbe të influencës. Drejtuan, një vend fqinj tonin, tokat e tyre, drejt NATO-s e BE-së.

-3-

Se jemi brenda pikë e pesë, kjo më s’bën lajm. Se po trajtohemi padrejtësisht nga forcat e mëdha, kjo po që po formësohet gradualisht. Shihni për pak në rajon e në Evropë. Banorët e Ukrainës e Gjeorgjisë në secilin standard të mundshëm, në secilën madje të mundshme do të meritonin më pak secilin vendim për lëvizje të lirë sesa kosovarët – të fundit e mbyllur në Ballkan. Po, Kosova ka klasë të korruptuar, po Kosova ka probleme nepotike, të krimit e hajnisë, por, për ta thënë të vërtetën troç, siç është, klasë, krim e hajni në përmasa dhe më të mëdha ka në Ukrainë e Gjeorgji.

Shihni progresin e Serbisë drejt BE-së. Krahasojeni të njëjtin me Shqipërinë. Një Serbi që në secilën rrethanë të mundshme është e mentalitetit fashist, e udhëhequr nga radikalë trashëgues të Milosheviqit, që ngrenë lavde, dërgojnë lule e bëjnë përmendore të tij gjithandej. Një Serbi që flirton me forca antievropiane e proruse, megjithatë ecën përpara, shumë më shpejt se kjo Shqipëri. S’është e mirë kjo Shqipëri, nuk është Kroaci as për nga reforma, as për nga drejtësia e as për nga rëndësia, por megjithatë është, në secilën rrethanë të mundshme, shumë më mirë se Serbi. Në aleancë, në orientim, në mendësi. Megjithatë ecën më ngadalë.

Çfarë Kosova, Shqipëria – e shqiptarët r tjerë në Ballkan – s’kanë, në krahasim me gjithë shtetet që shpërblehen nga forcat përcaktuese në BE – është kërcënimi. Neve, po dënohemi, kolektivisht, për mungesë kërcënimi. Serbët ecin në Evropë jo sepse evropianizohen, por sepse kërcënojnë me Rusi. Kërcënojnë me lidhje tregtare, me influencë financiare e me pajisje militare. Për këtë Evropa e shpërblen, Gjeorgjia e Ukraina marrin lëvizje të lirë sepse kërcënohen nga kapërdirja ruse.

-4-

Shqiptarët nuk kanë me çfarë të kërcënojnë. Shqiptarët nuk kanë as kohë e as vullnet të kërcënojnë. Sepse janë të zënë me kërcënimin e njëri-tjetrit, e ndarjen e tallit të imët politik në provincat e tyre respektive. Në Prishtinë, në Tiranë, në Shkup – janë të njëjtë.

Prandaj në veriun tonë, në Mitrovicë, mëngjeset na çelin me mure dymetërshe e të cilat quhen nga Bashkimi Evropian, besoni ose jo, shkallë. Prandaj muri i tolerohet serbëve atje. Prandaj për murin negociohet atje. Sepse shqiptarët s’janë përcaktues politikash. Shqiptarët janë pranues, siç kanë qenë gjithherë, të kërcënimeve të fqinjëve.

Është koha që paradigmën politike tonën ta ridizajnojmë. Bota po ndryshon. Forcat e mëdha, fatpërcaktuese për ne, po ndryshojnë. Me to nuk do të thotë të ndryshojë dhe interesi për mbrojtje të aleatëve respektivë, ku jemi dhe ne, por, me to duhet të ndryshojë dhe pazari ynë. S’them të imitojmë fqinjët tanë me kërcënim. Por s’them as të mbesim reaktivë. Shqiptarëve u duhet një platformë që komunikon jashtë nën një zë. Që i paraqet vendet tona si aleate të vetme – në terren – të principeve e mendjeve perëndimore. Dhe kjo platformë, duhet të shpjegojë, se ekzistenca durimit shqiptar nuk është e përhershme. Jo pse ne domosdo do të ndryshojmë me vullnet – por se ndryshimi i brendshëm mund të kapërcejë vullnetin politik; në përmasa, që, nga padrejtësia, të prodhohen ngjarje që destabilizojnë secilën llogaritje të forcave Perëndimore për Ballkan. Sepse, kur lihen shqiptarët pas, s’mund të ketë as paqe, as stabilitet në Ballkan.

abdixhiku@facebook.com

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...