Vota vendos

3 Qershor 2014 - 08:45 - Flaka Surroi      

Mosdalja në votim rrit shansin për vjedhje të votës. Dalja u jep shuplakë fytyrës atyre që pushtetin e zaptojnë edhe duke vjedhur

Se zgjedhjet janë gjëja më e rëndësishme në Kosovë këto ditë, java e shkuar nuk e ka lënë as dyshimin më të vogël. Fushata zgjedhore më në fund nisi zyrtarisht – dhe solli konkludimin shumë të qartë se një partie i është lagur baruti në këtë pikë:

PDK-së. Nisja shumë hershme e fushatës nga ana e kryeministrit ka gjasë që mund t’i kthehet bumerang, sepse tashmë nuk ka çka tjetër premton, pos nëse do që t’i rritë krejt vlerat që kishte nisur t’i përmendte që nga fillimi i vitit. Si do që të jetë – zgjedhjet nuk ka dyshim se janë puna më e madhe dhe më e rëndësishme për të gjithë Kosovën e këtyre ditëve. Për disa politikanë që besojnë se do t’ia zgjasin vetes qëndrimin në kolltukët që tashmë i kanë formësuar me format e trupit të tyre; për disa të tjerë që ende vuajnë për poste kryeministrash; për disa të tjerë që besojnë se mund të bëjnë revolucion të padhunshëm dhe përfundimisht për sovranin – i cili po qe se e do ndryshmin përnjëmend, e ka më së lehti, sepse e ka votën në duar të veta. Dhe në gjithë këtë atmosferë premtimesh dhe bllokimesh të gjithçkaje që nuk janë zgjedhje, pas shumë kohësh kemi një aktivitet jashtëzakonisht konstruktiv të diplomatëve të akredituar në Kosovë: herët kanë filluar të paralajmërojnë se shtetet e tyre nuk do t’i përkrahin zgjedhjet ku do të ketë vjedhje, posaçërisht nëse do të insistohet në votimin e disafishtë, që në vend se të heqë dilemat për vjedhje, në fakt do t’i rrisë ato dyshime.

PDK: “Darka e gabuar” 15 mijë, e “Dokufesti” 5 mijë euro

Nuk po më kujtohet a ka ndodhur në kohë të parafushatës apo të fushatës, porse ndodhi që PDK-ja të kishte shtruar darkë për dy mijë arsimtarë në Prizren. Për dy arsye, kjo do të mund të quhet “e gabuar”. Një, që ka mbledhur gjithë ata mësimdhënës të cilëve kryeministri në ikje u premtoi gjithçka, veç edhe me i “çu në deti” dhe dy, që ka lejuar që të shpenzohen madje 15 mijë euro të taksapaguesve të Prizrenit, apo trefishin e asaj që komuna (të cilën e udhëheq partia e tij), ia kishte ndarë vitin e shkuar festivalit më të madh dhe më të mirë që ka Kosova, “Dokufest”. Kjo mbase për shkak se “Dokufesti” është ndër gjërat e rralla që nuk ka mundur t’i akaparojë as ai e as suita e tij – sepse ata që e kanë krijuar dhe ndërtuar festivalin nuk kanë lejuar që politika të përfitojë nga ai. Kanë bërë që nga “Dokufesti” të përfitojnë qyteti i Prizrenit dhe Kosova. Nuk kanë lejuar, me të gjitha përpjekjet “jerusalemiane”, që Prizreni të identifikohet me këdo tjetër e që nuk janë vetë prizrenjantë. Është darkë që mund t’i kushtojë shumë – sepse jo pak njerëz janë ngirë premtime për rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës, përderisa ato vijnë nga dikush që ka mbajtur pushtetin shtatë vjet në dorë – pa koncept tjetër pos pasurimit, nepotizmit dhe kontrollimit të gjithçkaje që është e popullit e që mund të blihet apo të shitet. Është autogol të cilit i shtohet edhe nevoja për promovim të vazhdueshëm personal, me çmimin edhe të heqjes nga podiumi të bashkëpunëtorëve, të cilët i ka përzgjedhur për “t’ia majtë zhagin” në këto zgjedhje. Është pamundësi për të treguar se ka cilësi të re që mund të sjellë dhe se e mbështet krejt fushatën në gishtin e tij të trashë dhe buzëqeshjen artificiale për syret.

LDK: Sllovaku në kohë dhe në vend të gabuar

Se çfarë do ta ketë shtyrë LDK-në për ta pranuar ardhjen e ish-kryeministrit sllovak, që dikur e kishte mohuar kategorikisht mundësinë e pranimit të shtetit të Kosovës, në konventën e Prishtinës ku ishin paraqitur të gjithë kandidatët, një Zot e di. Porse që ka pasur reflektim negativ në opinion, nuk mbeti as dyshimi më i vogël as pas dy-tri ditësh. Nëse është dashur të tregohej përkrahja për LDK-në nga Partia Popullore Evropiane, përfundimisht nuk ka pasur përzgjedhje më të keqe sesa Dzurinda. LDK-ja ka mundur të mos e pranonte këtë person, sepse e ka shumë vështirë të dëshmojë se nëpërmjet tij po bën lobim që Kosova të njihet nga shteti i tij. Kjo thjesht s’pi ujë. Po nejse, LDK-ja ia doli të mblidhte shumë njerëz në sallë.

E kishte orkestruar mirë të gjithë skenarin e Konventës, porse nuk ia doli të bindte se ekipi i ri i kandidatëve do të sillte risi në qasje. Kjo, për shkak se nëse jo gjysma, atëherë një numër shumë i madh kandidatësh po riciklohen me vite të tëra, porse nuk është se janë spikatur me ndonjë cilësi që i veçon për të mirë. Dhe shansi i LDK-së në këto zgjedhje nuk është as cilësia e listës e as e programit zgjedhor, sa është fakti se njerëzit janë ngirë me PDK-në në udhëheqje dhe se më parë e votojnë LDK-në në shenjë ndëshkimi sesa në shenjë përkrahjeje. Sepse sado që lideri i LDK-së, për dallim nga ai i PDK-së, përpiqet ta “decentralizojë” peshën e deputetëve duke iu dhënë hapësirë të bollshme në spotet elektorale, megjithatë mbetet lider, të cilit i mungon energjia për ta përçuar porosinë tutje – madje edhe thirrjen për të votuar.

AAK: Kopje e keqe e fushatës së Obamas

Më agresivi në fushatë është lideri i AAK-së. Porositë na i përcjell varg me spote njëri pas tjetrit dhe na tregon, pa e lëvizur asnjë muskul në fytyrë dhe pa na buzëqeshur asnjëherë të vetme, sesi ai dhe ekipi i tij e kanë një plan. Dhe plani na zbërthehet në një dhomë të madhe, të rregulluar me mobilie të shtrenjta e bibliotekë të pasur që pasqyron një klasë dhe kategori jetese që nuk e ka masa e gjerë popullore – dhe se nuk mund ta ketë, duke jetuar në Kosovën ku qytetari është bira e fundit e kavallit.

Dhe përderisa mbase përpjekja e liderit të AAK-së është përpjekja për të treguar se ka kapacitet mendor dhe të udhëheqjes si Obama i Amerikës dhe se është zengjin dhe se kur të vijë në pushtet nuk do të lejojë korrupsionin, megjithatë mbetet dyshimi se si mund të ketë jetë luksoze njeriu, i cili nuk ka qenë në marrëdhënie pune me vite të tëra që nga koha kur ka qenë kryeministër. Pa paragjykuar, do të mund të thoshim se i ka pasur donatorët e fortë apo edhe se ka pasur pasuri të grumbulluar para lufte – porse nuk do të harrojmë se fundin e luftës Kosova e priti e dërrmuar nga shkatërrimi dhe plaçkitja nga trupat paramilitare serbe dhe se të vetmit që patën shumë para ishin ata të fondit “Vendlindja Thërret” – që nuk e di nëse ndonjëherë ka publikuar se sa para i ka mbledhur. Nga ana tjetër, duhet thënë se kjo do të jetë një nga fushatat më të mira që i ka realizuar partia e tij, porse nuk duhet harruar se ajo ka qenë pjesë e strukturave udhëheqëse të shtetit dhe kontribuuese në katandisjen e hershme ekonomike të Kosovës dhe opozitë jashtëzakonisht e keqe dhe joserioze në mandatin e shkuar legjislativ – posaçërisht gjatë kohës sa lideri i saj ka besuar se kryeministri në ikje do t’ia lëshonte vendin.

VV: Kandidatë për të gjitha shijet

Fushata e VV-së e ka një atu të fuqishme: Shpend Ahmetin. Të gjitha fjalimet e tij që kemi mundur t’i përcjellim janë pranuar jashtëzakonisht mirë nga publiku, posaçërisht pas shkrimit në “Guardian”, për të, si për prefektin më të guximshëm në Evropë. Për dallim prej partive të tjera, buxheti i LVV-së është i kufizuar, dhe përqendrohet në ofrimin e paraqitjeve të tubimeve njëorëshe nëpër qendra komunale ku peshë marrin kandidatët e asaj komune. Problemi i VV-së është se në listën e kandidatëve ka njerëz të proveniencave të ndryshme; ka njerëz me ideologji të vaktit të LPK-së; ka njerëz me ideologji të qendrës së majtë; ka të djathtë të kthyer të në majtë dhe në mesin e tyre ka edhe të tillë që e kanë provuar “mjaltin” e disa partive; ka të tillë që janë veçuar për abstenime kur është dashur të votohej për ose kundër në Parlament dhe shumë të rinj entuziastë, që nuk i dihet se çfarë cilësie përmbajtjesore mund të sjellin.

Larushia e kandidatëve per se nuk është gjë e keqe, porse mund të krijojë problem po qe se “garda e vjetër” nuk dëshmon as verbalisht se është mbështetëse e ndryshimeve që përpiqet t’i pasqyrojë si mundësi me qeverisjen në Prishtinën e një milion problemeve. Ideologjia që e ka djegur Shqipërinë në kohën e Enverit, e që duket se ende është prezente te një shtresë e militantëve të VV-së mund të jetë një minus i madh në sytë e votuesit. Për VV-në do të ishte shumë mirë që me shembullin e pragmatizmit qeverisës në Prishtinë dhe me luftën e vërtetë opozitare që e kanë bërë në Parlament, të dëshmojë se edhe ajo ka evoluar dhe është përshtatur në kërkim të ndryshimit për të gjithë në nivel Kosove.

AKR: Vonë për të kry punë

AKR-ja ka fushatë agresive me dy yje – Fadil Ismajlin dhe Mimoza Kusari-Lilën. Ismajlin, biznesmen të pasur, tash edhe nënkryetar, i cili paraqitet si ekspert ekonomie. Dhe i cili flet për “Trepçën” – asetin e vetëm që ka mbetur pa u shtjerrë “si duhet”. Kusari-Lilën, si të vetmen grua kryetare komune, që ngjall simpati, pavarësisht gafave që i ka pasur në kohën kur ka qenë nënkryetare Qeverie. Porse, në rastin e saj, AKR-ja e bën një gabim kalkulimi – sepse Kusari-Lilës nuk i erdhën votat në Gjakovë pse njerëzit e votuan AKR-në, por për shkak se më nuk e donin as Pal Lekajn e as AAK-në në krye të Komunës. E në këtë garë, më s’ka kundërshtar të herës së shkuar. Problemi tjetër me fushatën e përvjeljes së mëngëve të AKR-së është se kjo parti e ka një porosi shumë jobindëse, posaçërisht, meqë e mbështet fushatën në kritikën që ia bën deri dje partnerit të vet të koalicionit, PDK-së, të cilën e akuzon për të gjitha të këqijat që e kanë zatet Kosovën.

E nuk është fer, ngase me 15 postet ekzekutive që i ka mbajtur, edhe kjo parti ka pasur shumë ndikim në shkatërrimin e substancës ekonomike të Kosovës. Ka pasur po aq përgjegjësi për dialogun e keq, për legjitimimin e votave të vjedhura, për zgjedhjet e paligjshme kryetarësh, për marrëveshjet kundërkushtetuese e të ngjashme, për të dalë tash e për të thënë se ja të këqijtë janë këta të PDK-së. Është parti që ka shumë para, e mund të ketë edhe program ekonomik – porse është njëjta parti e cila është pajtuar ta përkrahë edhe atë absurdin e quajtur Plani Bansko, atë të skive, që shërbeu vetëm për tallje. * * * Krejt po thonë se do të sjellin ndryshim. Porse ndryshimi është në duart e votuesit dhe në fuqinë e votës që nuk duhet lejuar që të vidhet e keqpërdoret, ani pse do jetë vështirë të ruhet, sepse sërish do të jemi më shumë votues sesa popull. Megjithatë, një gjë është e sigurt – mosdalja në votim rrit shansin për vjedhje të votës. Dalja u jep shuplakë fytyrës atyre që pushtetin e zaptojnë duke vjedhur.
flaka@koha.net
© KOHA Ditore

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...