PISA e munguar dhe defektet metodologjike në UP

7 Dhjetor 2016 - 15:31 - Zejnullah Jakupi      

Pas publikimit të rezultateve të PISA-së në shkollat e Kosovës duhet të bëhen matje edhe për arsimin e lartë ose një PISA për UP-në, për arsimimin e mirëfilltë të rinisë tonë, dhe ngritjen e nivelit për punë të përbashkëta në shkencë. Situata e tanishme; Si duket, të gjithë nga pak i kemi fajet. Kemi lejuar punësime në poste pa merita. Edhe akademikët, nga frika e pushtetit dhe ndëshkimit, nuk kanë krijuar rrethin e tyre të mirëfilltë që t’i filtrojnë kuadrot e mira. Shumë pak ose jo sa duhet përfillen ata që kanë kryer ose fituar tituj në një universitet të huaj.

Edhe pse për nga numri (kuantiteti i diplomave, universiteteve dhe kolegjeve) dhe të diplomuarve nuk jemi keq, me të drejtë kur e shikon punën në terren, arsimi dhe shkenca, kurrë nuk kanë qenë në nivel më të dobët. Edhe mësimi, studimi, hulumtimi duhet të bëhet kulturë dhe ne duhet ta kuptojmë këtë. Pse ka shumë të rinj që kanë kryer fakultete, disa kanë doktoruar, por shkenca sërish ngecë. Pse? Deri diku përgjigjen, ose fillin e gjeta tek mësimdhënësit që vrapojnë nga institucionet shtetërore drejt në fakultet. Me siguri deputeti, ministri etj. do ta rris buxhetin, por i bën dëm vetvetes dhe shtetit e gjithë shoqërisë në këtë mënyrë. (Kur jemi te pagat; këtyre ministrave ua kisha rritur ato, si në Gjermani, veç të mos bëhen gazë herë këtu herë atje… e punë kërkimore dhe efektive askund hiq). Ky është gabimi i parë. Pastaj Biblioteka Kombëtare. Paramendo Republika e Kosovës, me dy universitete publike, në bibliotekë nuk kishte ose ka vetëm një makinë fotokopjimi. Dhe kur asistenti nuk është aty e ka shkuar në pushime... Pra, dështon fotokopjimi. Më e keqja ky Universitet publik se nuk po i huazon as librat. Në bibliotekë thanë, nuk guxon të kopjosh librin, mundesh ta lexosh këtu, ose përzgjedh 10 faqe, ku të duash, dhe kopjoje. O sa mirë që kemi internet dhe ja bëjmë hallin disi për literaturë! Unë po mendoja se puna e bibliotekave duhet bëhet si në Gjermani, ku mundesh t’i kopjosh, sa të duash, veç a ke para…Çdo punim të doktoraturës mund ta fotokopjosh dhe ta lexosh në qetësi..!

Metoda e të bërit shkencë dhe hulumtimi i një temë shkencore

Shkencën e bëjnë njerëzit e përkushtuar dhe të pa-politizuar. Shtrohet pyetja; a bënë instituti ose katedra e gazetarisë në Prishtine hulumtime empirike (e kam fjalën për analiza empirike kuantitative - statistikore…)? Duke lexuar kalimthi një punim diplome, bukur të mirë(thuhej) e vërejta sa kishte mangësi punimi. Para së gjithash kishte defekte tek metoda e punimit dhe sa kam vërejtur te gazetaria por edhe drejtimet tjera sociale nuk merren shumë me çështjen e metodës, dhe elaborimin e saj kur shkruajnë punime shkencore. Kjo mangësi vërehet edhe tek analizat statistikore dhe hulumtimet kualitative ose ato kuantitative ku një pjesë e madhe e tyre kanë të bëjnë me sondazhet e medieve. Natyrisht në trend është kudo nëpër universitetet e njohur në Evropë dhe më gjerë që punimet shkencore shoqërohen me analizat kualitative dhe kuantitative pra jo vetëm në drejtimin e gazetarisë por edhe në shkencat politike, psikologji etj. Natyrisht, në mungesë të shkencës së mirëfilltë, dalin shumë agjenci private dhe bëjnë sondazhe, me tema nga fusha e mediave, për shembull, se cili medium shikohet më shumë? Prandaj na duhet një forum i sociologëve apo i gazetarisë shkencore të Kosovës, sepse shumë prej këtyre sondazhe nuk janë profesionale dhe janë të njëanshme.

Kosova ka mungesë të një institut të tillë, ku do të bëheshin analiza shkencore të cilat do t’i hynin në punë edhe shtetit edhe shkencës. Pra, besoj se secili prej nesh ka të drejtë, si t’i teket, të gjykojë, të kritikojë sondazhet, por përgjegjësia, pse nuk ka institute hulumtuese bie mbi shtetin, mbi universitetin dhe njerëzit e punësuar aty. Akademikët tanë duhet t’i përveshin mëngët dhe të punojnë me kompetencë. Të investojnë kohë dhe ta bëjnë punën me kompetencë dhe kjo iniciativë duhet të niset nga universiteti. Marrja me shkencë duhet të përmirësohet që nga niveli i punimeve të diplomave, nga punimet e masterit apo punimet e doktoraturave. Nga universitetet e huaja t’i përkthejë ato në shqip, t’i botojë për publikim nacional. Këto punime po ashtu do të mund të shërbenin si mostra mbi bazë të cilave do bëheshin temat e diplomave për studentët.

Edhe nga disa vrojtime, të disa punimeve të diplomës të studentëve në degën e filologjisë të cilët kishin mbrojtur temat e tyre dhe kishin kryer studimet, për fat të keq rezultoi negativ. Nuk hasa në ndonjë analize empirike kuantitative në sojin e sondazhit. Edhe më keq, shumica e punimeve ishin shumë të cekëta, kishin diku nga 15-25 faqe dhe pak referenca 10 – 20. Kjo, vërtet nuk mjafton të quhet shkencë dhe dëmton imazhin e universitetit. Natyrisht, katedra e sociologjisë por edhe ajo e gazetarisë duhet të bashkëpunojnë në UP duke inkorporuar edhe një ekip të specializuar të statistikës. E njëjta do të duhej të bëhet edhe në universitetin e psikologjisë dhe shkencave politike, mbase shumica e punimeve ashtu si në gazetari janë analiza kualitative!

Nga muaj nëntor 2016 UP-ja ka hapur konkurs për mësimdhënie (si dozent) për analiza quantitative dhe kualitative në gazetari, shkencat politike dhe psikologji etj. Kjo është shumë e domosdoshme, por çfarë ti bësh kur profesori nuk merr erë në këtë drejtim dhe punëson docentin t´i ndihmoje. Pra në universitetet gjermane, në degët e gazetarisë, janë profesorët të specializuar dhe të doktoruar në gazetari dhe njihen si profesor të dëshmuar edhe për statistikë dhe analiza kuantitative dhe kualitative. Pra para se të punësohen docentët duhet punësuar edhe profesorë që janë ekspertë në këtë lëmi. Prandaj duhet bërë reforma rrënjësore, pra nuk duhet kursyer në kuadro por duhet hapur edhe vende te tjera të punës në këtë drejtim.

Universiteti do të duhej angazhuar kuadro të këtyre lëmenjve, edhe me tituj magjistër dhe doktorë nga universitetet e huaja, mbase ata mund të sjellin përvojën e tyre nga vendet ku kanë mbrojtur titujt e tyre akademik. Gjithsesi na duhet një debat më i gjerë dhe më profesional se si të arrijmë një përmirësim në këtë drejtim, bashkërisht! Kjo duhet bërë tërësisht pa politizime dhe pa inate personale.

(Autori është doktorant në UBW, Mynih)
 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...