Vlerësimi PISA dhe opinioni publik në Kosovë

7 Dhjetor 2016 - 15:07 - Jonuz Salihaj      

Më në fund, pas shpalljes së rezultateve të vlerësimit të nxënësve për vitin 2015 në Kosovë, bile një ditë të vetme, opinioni në masë u sensibilizua.

Të gjitha mediet e shkruara dhe elektronike e kishin top lajm rezultatin e këtij vlerësimi shumë kredibil dhe të besueshëm. Edhe televizionet tona e kishin lajmë të parë, duke përfshirë edhe televizionin publik, i cili me ëndje në debatet për arsim fton vetëm pozitën kur preken çështjet e arsimit.

Kemi provuar qindra herë, që nga paslufta e sidomos pas vitit 2008, me forma të ndryshme të informimit, debate, tryeza, konferenca për shtyp e tj. të njoftojmë opinionin publik për shkallën e lartë të degradimit në arsim, por shpesh kemi hasur në vesh të shurdhër. Tani erdhi një vlerësim ndërkombëtar dhe të gjithë u befasuan me rezultatet. Si duket e kemi harruar thënien : çka mbjell e korrë.

Reagimet erdhën nga të gjitha anët duke filluar nga Presidenti i cili deklaroi se Kosova ka sistem të shkatërruar arsimor. Kush e shkatërroi këtë sistem? Në maje të kësaj piramide qëndron bindshëm dhe pa asnjë konkurrencë, Presidenti i tanishëm me ministrat e tij, të cilët kanë lëvizur çdo levë që arsimin ta nënshtrojnë dhe politizojnë në përmasa të tilla të pakthyeshme. Është definitivisht e pa lejueshme që këto rezultate t’i komentojnë ata që e kanë katandisur arsimin.

Tani të gjithë po pajtohemi se niveli i njohurive dhe shkathtësive të fëmijëve tanë qëndron larg moshatarëve të tyre në Slloveni apo Kroaci e mos të flasim për nxënësit e Finlandës apo Estonisë. Fajtorë për këtë gjendje jemi ne, e jo nxënësit e nivelit 1 dhe 2 që janë testuar.

Faktorët që e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje janë shumë. Ja disa prej tyre:

1. Niveli i ultë i përfshirjes së fëmijëve në çerdhe, kopshte dhe arsimin para-fillor, më i ulëti në rajon dhe Evropë;

2. Programet parashkollore jocilësore dhe jo atraktive dhe kuadri i papërgatitur mirë dhe i pamotivuar (pagat shumë të ulëta të edukatorëve në këtë nivel);

3. Mos koordinimi i veprimeve në mes MASHT-it dhe komunave, i pari zhvillon politika adekuate në përputhje me ligjin kurse komunat i zbatojnë ato.

4. Plan-programet shkollore për nivelin fillor dhe të mesëm të ultë, ende gjenden në fazën e eksperimentimit. Nuk ka rezultate të prekshme pa programe të cilat i motivojnë fëmijët.

5. Mungesa e hapësirave shkollore, ende kemi shkolla që punojnë në tre turne (Shkolla “Elena Gjika” në Prishtinë);

6. Mungesa e kabineteve, laboratorëve dhe hapësirave për rekreacion;

7. Kalendari shkollor, më i shkurtri në Evropë;

8. Institucione shkollore të pa monitoruara dhe të inspektuara plotësisht;

9. Numri shumë i madh i orëve të humbura;

10. Vlerësimet joadekuate, të brendshme dhe të jashtme. Vlerësimi i jashtëm pas mbarimit të nivelit1, shkollës fillore, asnjëherë nuk është realizuar në tërë Kosovën edhe pse është i obliguar.

11. Përgatitja e dobët e kuadrove arsimore, niveli shumë i ultë i mësimdhënies në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës e mos të flasim për universitetet tjera publike dhe private në vend.

12. Mungesa totale e llogaridhënies, nuk është shënuar asnjë rast i përjashtimit të ndonjë mësimdhënësi, apo dorëheqja e ndonjë drejtori të shkollës, për shkak të mosarritjes së objektivave në mësimdhënie dhe mësimnxënie.

13. MASHT-i asnjëherë nuk e ka bërë rangimin e shkollave në bazë të rezultateve të arritura

në vlerësimet e jashtme, tendenca për futjen e të gjithëve në një thes është katastrofale.

Ka edhe shumë faktorë tjerë që i kanë kontribuar kësaj gjendje dhe këtij rezultati.

Për tejkalimin e situatës nevojitet mobilizimi i të gjithë mekanizmave institucional, OJQ-ve, dhe donatorëve të ndryshëm që gjendja të kapërcehet - me një plan operacional me objektiva kohore dhe bartës të përcaktuara sakët.

Gjendja nuk do të ndryshoj me aprovimin e strategjive të shumta që ministri Bajrami i nxjerr nga mangët në çdo takim mediatik, por me angazhim, monitorim dhe inspektim të çdo segmenti arsimor, dhe llogaridhënie të vazhdueshme gjatë këtij procesi. Në vendet demokratike procesi i llogaridhënies gjithmonë fillon nga lartë.

Premtimeve që në vitin 2018 do të arrijmë rezultate inkurajuese, apo që në vitin 2021 do të krahasohemi me shtetet e BE , nuk iu beson askush. Nëse e ndieni fajin e përgjegjësisë, tani është koha që të shkoni.

Gjithashtu duhet shfrytëzuar këtë moment, për të bërë dallimin e madh, ata që punojnë duhet të shpërblehen kurse ata që nuk kanë rezultate duhet të zëvendësohen me të rinj.

Modeli më i mirë për ne dhe për çdo për çdo shtet tjetër të përgjegjshëm, se si krijohet vlera shtesë në arsim, është ai i Estonisë, vendi i tretë në renditjen e vlerësimit PISA në mesin e 72 shteteve të botës.

Në fund nuk guxojmë të flasim për këtë vlerësimi pa e përmendur edhe rezultatin inkurajues të Shqipërisë, ngritjen për 18 vende në tabelë, duke iu ofruar dy vendeve të BE-së Rumanisë dhe Bullgarisë.

Shkurt, tani nuk është koha për fjalime por për përgjegjësi konkrete, nga lart poshtë, nëse dëshironi të na bindni se e doni këtë vend dhe a kujdeseni për fatin e fëmijëve tanë.

Jonuz Salihaj është udhëheqës i Departamentit për Arsim në AAK
 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...