Ballkani as Amerikën, as Evropën nuk duhet t’i marrë si shembull për të keq

7 Dhjetor 2016 - 08:18 - Augustin Palokaj      

Sa herë që dikush nga Ballkani dëshiron të qortojë popullin amerikan se si po voton, apo popujt e vendeve të BE-së, le të shikojnë se çfarë liderësh kanë ata në këtë moment dhe kë kanë pasur në tridhjetë vjetët e shkuar. Siç ka shkruar një koleg gazetar nga Serbia, Dejan Anastasijeviq, në një “letër mikut amerikan”, përparësia e vendeve të Ballkanit ka qenë se deri më tash u ka ndihmuar Amerika, e Amerikës nuk ka kush t’i ndihmojë

“Kjo mund të ndodhë edhe në Bashkimin Evropian”, është thënie e shpeshtë që dëgjojmë në Ballkan kur duan të justifikojnë ndonjë shkelje të rëndë, ndonjë skandal korrupsioni, ndonjë parregullsi në zgjedhje apo diçka tjetër. Nuk mungojnë as rastet kur edhe vetë përfaqësuesit e BE-së, kur kanë nevojë të marrin nën mbrojtje ata të cilët vetë i kritikojnë për korrupsion, presion ndaj mediave apo diçka tjetër, thonë se “këto mund të ndodhin edhe te ne”. Dhe vërtet gjithçka mund të ndodhë edhe në BE, edhe në SHBA, siç po e shohim. Ja kush do të kishte pritur që për shkak të parregullsive të përsëriteshin zgjedhjet presidenciale në Austri. Kush do të kishte pritur që të kërkohej rinumërim i fletëvotimeve në ndonjë shtet të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk kanë kaluar shumë vite prej kur shihnin ambasadorin amerikan në Tiranë duke i vizituar vendnumërimet e votave në Tiranë. Nuk kanë kaluar shumë vite prej kur ambasadori amerikan në Prishtinë kishte folur për mashtrime në votimet në Kosovë.

Por ka një dallim të madh në mes asaj që “mund të ndodhë edhe në BE” apo “mund të ndodhë edhe në Amerikë”. Edhe kur ndodhin rastet e tilla janë shumë të rralla, janë një përjashtim e jo rregull. Ndërsa në Kosovë, në Shqipëri, në Ballkan në përgjithësi rastet e tilla janë pothuajse dukuri e zakonshme. Shqipërisë iu deshën disa palë zgjedhjesh që nga rënia e komunizmit për të arritur një standard të pranueshëm për BE-në, por tash, për shkak të vazhdimit të konfliktit politik (jo mospajtimeve apo garave politike, por konfliktit) Shqipëria përsëri ndodhet para një sfidë në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit që vjen, sepse përsëri duhet të dëshmohet se është një gjendje të organizojë zgjedhje me standardin minimal evropian, të cilat do të ishin të pranueshme për të gjitha palët në Shqipëri dhe për BE-në. Kosova, siç po shihet në rastin e zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Drenasit, e që duket se është edhe uverturë për ato parlamentare që mund të këtë Kosova vitin që vjen, po ashtu ka hyrë në një cikël të zgjedhjeve që vihen shpesh në dyshim.

Dhe këtu qëllon dallimi më i madh mes rasteve në Evropë dhe atyre në Ballkan. Në Evropë, e edhe në Amerikë, shpesh në fushatë parazgjedhore dëgjohen deklarata të papranueshme. Të tilla po dëgjohen gjithnjë e më shpesh. U dëgjuan në Amerikë dhe në Austri. Politikanët mund të jenë të përmbajtur tash kur komentojnë fitoren e Donald Trumpit për president amerikan, sepse ai tash është president i zgjedhur, por kjo nuk e bën më të vogël problemin që ka shkaktuar zgjedhja e Trumpit për botën. Megjithatë me t’u numëruar votat humbësit edhe në SHBA e edhe të dielën e fundit në Austri, pranuan humbjen. Pa marrë parasysh se kush ka fituar, demokracia dhe vlerat e saj respektohen. Jo për shkak se dikush nga jashtë kërkon nga ata që t’i respektojnë këto vlera, por për shkak se këtë e kërkojnë qytetarët e tyre.

Dallimi i madh është se kur në Evropë, apo edhe në SHBA, zbulohet ndonjë skandal, sidomos nëse është fjala për mashtrim apo korrupsion, atëherë ka pasoja. Në Ballkan nuk ka pasoja por menjëherë fillojnë akuzat ndaj atyre që kanë zbuluar ndonjë skandal dhe teoritë se në interes të kujt dhe përse bëhet zhurmë për gjëra të tilla.

Pra asnjëherë në Ballkan nuk mund të marrin si shembull rastet që “mund të ndodhin edhe diku tjetër” për të justifikuar bëmat e tyre.

Nëse duan të mendojnë për ato që ndodhin jashtë Ballkanit, atëherë duhet të jenë të shqetësuar, sepse gjërat nuk po shkojnë në drejtim të duhur, As në SHBA e as në Evropë. Donald Trump ka qenë një kandidat skandaloz, një njeri që publikisht ka thënë se duhet ndaluar myslimanëve hyrjen në SHBA, i cili publikisht mbështet forcat të cilat duan shpërbërjen e Bashkimit Evropian, i cili vendimin e britanikëve për t’u larguar nga BE-ja e ka quajtur çlirim. Zgjedhja e Trumpit në Amerikë një personi të tillë natyrisht që shkakton shqetësim dhe ai shqetësim nuk do të zhduket shpejt. Nëse një shqetësim të tillë e ka shkaktuar në BE kjo do të duhej të vlente edhe për Ballkanin. Nëse një president amerikan nuk e dëshiron mbijetesën e BE-së, por shkatërrimin e saj, atëherë si mund ta mbështesë integrimin në BE të vendeve të Ballkanit. Një BE jostabile do të ketë edhe më pak dëshirë dhe vullnet për t’u zgjeruar edhe me vende që janë edhe më shumë jostabile nga Ballkani, e krahas kësaj janë shumëfish më të varfra sesa mesatarja e BE-së.

Por problemi më i madh i BE-së nuk është Trumpi në Washington, por janë Trumpat e shumtë në Evropë. Ky ishte një vit i rëndë për Evropën. Në Holandë u refuzua nënshkrimi i Marrëveshjes së Asocimit mes BE-së dhe Ukrainës, që dëshmoi se sa të kota janë premtimet që dikush nga BE-ja u bën shteteve që janë jashtë dhe këtë mësim duhet ta nxjerrë edhe Ballkani. Pastaj britanikët votuan për t’u larguar nga BE-ja duke nisur kështu ecjen prapa, drejt dezintegrimit dhe ngushtimit në një organizatë që gjatë historisë ka parë vetëm integrim dhe zgjerim. Pastaj në SHBA fitoi Donald Trump. Në të njëjtën kohë në Evropë janë vënë në dyshim vlerat për të cilat BE-ja ka folur aq shumë, me vite, nga kritika e mediave e deri te pavarësia e gjyqësorit. Nga Hungaria e deri në Poloni kemi shembuj të tillë. Edhe kryeministri i vendit që kryeson BE-në, Robert Fico i Sllovakisë, i ka quajtur disa gazetarë si “prostituta të ndyra që punojnë kundër Sllovakisë”. Po ai, kohë më parë ka thënë se në vendin e tij nuk ka vend për refugjatë myslimanë. Pra nuk ka dyshim se BE-ja, para se të qortojë mbi maza morale personat si Donald Trump, të shikojë në oborrin e vet së pari.

Dhe kur pritej që të vazhdojë ky proces me lajme jo të mira për Evropën, me fitoret e radhës të forcave anti-BE, që po ashtu janë edhe kundër të huajve, megjithatë erdhi një lajm sadopak lehtësues nga Austria. Kandidati i së djathtës ekstreme Norbert Hofer humbi zgjedhjet dhe austriakët, megjithatë, në fund zgjodhën një kandidat i cili synon bashkimin, bashkëpunimin, solidaritetin e jo mure, mbyllje, izolime në Evropë.

Prandaj në Bruksel nxituan që me shpejtësi të pazakonshme kur në një vend anëtar zhvillohen zgjedhjet t’i urojnë Alexander Van der Bellen fitoren në këto zgjedhje. Ky nxitim dëshmon një lloj lehtësimi se gjërat mund të kthehen në drejtim pozitiv. BE-në e presin zgjedhjet e rëndësishme vitin që vjen, nga ato presidenciale në Francë e deri tek ato parlamentare në Gjermani dhe Holandë, te të tri këto shtete, që janë jetike për BE-në, më shumë sesa Britania e Madhe, është rritur shumë mbështetja për forcat e ekstremit të djathtë, e besa edhe të atij të majtë. Fitorja eventuale e forcave të tilla vërtet do të mundë të shënojnë edhe fundin e BE-së çfarë e njohim.

Nëse prapë i kthehemi Ballkanit, mund të shohim se edhe në këtë zonë ka politikanë të cilët do të mund përsëri të gjejnë shembuj, nga Amerika e deri te BE-ja, për të akuzuar dhe sulmuar mediat (sepse këtë e bënë edhe Trump, edhe kryeministri i Sllovakisë!), për të folur me gjuhë të ashpër dhe fyese për popujt e tjerë (sepse kjo ndodh edhe në Amerikë dhe Evropë!, siç po shihet). Por sa herë që dikush nga Ballkani dëshiron të qortojë popullin amerikan se si po voton, apo popujt e vendeve të BE-së, le të shikojnë se çfarë liderësh kanë ata në këtë moment dhe kë kanë pasur në tridhjetë vjetët e shkuar. Siç ka shkruar një koleg gazetar nga Serbia, Dejan Anastasijeviq, në një “letër mikut amerikan”, përparësia e vendeve të Ballkanit ka qenë se deri tash u ka ndihmuar Amerika e Amerikës nuk ka kush t’i ndihmojë.

Nëse duhet nxjerrë shembull nga zhvillimet negative në BE dhe SHBA për Ballkanin atëherë është se duhet të bëjnë më shumë për veten e të mos llogarisin gjithmonë që të tjerët do t’u dalin zot. Sepse të tjetër kanë punët e tyre dhe nuk kanë kohë as vullnet të merren aq shumë me punët tona.

© KOHA Ditore

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...