Kufiri i durimit

6 Dhjetor 2016 - 08:10 - Flaka Surroi      

Në Kosovë populli ende nuk ka folur, sepse pushteti i gjen një mijë mënyra për ta ndalur shprehjen e lirë dhe të qetë. Sepse pushteti sheh se Kosova ende nuk e mbush sheshin kryesor të Prishtinës me njerëz. Porse pushteti e di se kjo mund të ndodhë

Për faj të një këshilltareje politike, e cila nuk i kishte kaluar as procedurat e sigurisë kur qe emëruar, duket se Koreja e Jugut do të mbesë pa kryetare dhe do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme presidenciale.

Kryetarja e parë femër e këtij shteti, që në çastin kur shpërtheu skandali, refuzoi të jepte dorëheqjen. Nuk e vlerësonte se akuza që i bëhej për favore ofruar mikeshës së vet e vlente heqjen dorë nga posti më i rëndësishëm politik në vend. Në fillim nuk i dukej fare e çuditshme që mikja e saj të jetë akuzuar për “manipulimin e kryetares dhe ushtrimin e ndikimit te kompanitë e mëdha që t’i jepnin 70 milionë dollarë donacion organizatave jofitimprurëse që ajo i udhëheq, prej të cilave para kishte ndarë edhe një shumë për vete”. Për më tepër, nuk donte as të dëgjonte për akuzat që i bëheshin në lidhje me miken e saj: se ajo kishte marrë aq shumë fuqi, saqë rregullisht komunikonte me ekipin e kryetares; kishte ndikim të madh në emërimin e zyrtarëve të lartë shtetërorë; se merrte raporte të rregullta të dedikuara për kryetaren, dhe se madje kishte lirinë që t’i përmirësonte dhe t’i përshtaste fjalimet e kryetares në lidhje me politikat e caktuara. Për fund, kishte aq shumë ndikim, saqë e udhëzonte kryetaren çfarë të vishte dhe çfarë ngjyrash të bartte në ditë të caktuara.

Zonja këshilltare është shefi i shefave i Koresë së Jugut – me dallimin se kjo është akuzuar dhe ka gjasa të mëdha të dënohet, ngase tashmë ka pranuar një pjesë të fajit. E, megjithatë, kryetarja nuk bindej derisa në rrugë nuk dolën rreth 1,5 milionë njerëz (sipas organizatorit) apo 260 mijë (sipas Kelanit jugkorean) për ta kërkuar dorëheqjen e saj. Trysnia u bë aq e madhe, sepse masa nuk lëvizte vendit, saqë tri herë doli t’i kërkonte falje popullit nëpërmjet televizionit. Herën e tretë edhe për të thënë se e linte në dorë të Parlamentit t’ia vendoste fatin. Nëse votojnë edhe deputetët e saj, propozimi për shkarkim duhet të shkojë në Kushtetuese, e cila me shumicë të kualifikuar do të mundë ta vërtetonte vendimin e shumicës. Por ky skenar do të ishte i turpshëm për të. Prandaj e ka mundësinë që të japë dorëheqjen, dhe kështu në formë më pak të dhimbshme të dalë nga skena politike.

Injorimi arrogant

Në çastin kur po e shkruaj këtë kolumne kanë kaluar 3 ditë e 8 orë nga çasti kur grupi i aktivistëve të shoqërisë civile e dorëzoi peticionin e nënshkruar nga 23.774 qytetarë të Kosovës në kërkim të #DrejtësisëpërAstritin. Peticioni, i drejtuar Kuvendit të Kosovës, Kryesisë dhe Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Peticione, me kërkesë që deri më datën 2 dhjetor të vendosej për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për ta shqyrtuar rastin Dehari, u injorua. Fillimisht në seancën e rregullt të Kuvendit, Mr. Kty deklaroi se ajo nuk i ishte drejtuar Kryesisë së Kuvendit. Po t’i ishte drejtuar direkt Kryesisë, me siguri kishte dalë për të thënë se peticioni nuk i është drejtuar komisionit përkatës, prandaj edhe nuk do të mundë të merrej parasysh. Kjo, për të fituar në kohë, sepse jo pak njerëz janë befasuar me reagimin e qytetarëve që i vunë gjithë këto nënshkrime për vetëm katër ditë e gjysmë.

Më pas doli ministri i Brendshëm për të thënë se nuk e kishte ndërmend të jepte dorëheqjen, sepse nuk e ndiente veten përgjegjës, meqë “hetimet ende nuk kanë përfunduar”. Ministrja e Drejtësisë nuk u prononcua, sepse me gjasë nuk i kanë treguar se çfarë duhet thënë në lidhje me rastin. Fare në fund, kryetarja e komisionit gjegjës, Lirie Kajtazi, lëre që injoroi peticionin, por edhe e shkeli Rregulloren kur nuk e thirri mbledhjen me kërkesën e një të tretës së anëtarëve të Komisionit. Me telefon i kishte thënë KTV-së se peticioni do të shqyrtohet, por dikur javën që vjen.

Lehtësia me të cilën “të zgjedhurit e popullit” i injorojnë madje gati 24 mijë njerëz do të ishte e habitshme në një shtet edhe demokratik, edhe funksional. Në Kosovë kjo është normale – sepse populli nuk vyen për asgjë tjetër, pos për të dalë në zgjedhje dhe për t’i legjitimuar nëpër poste njerëzit sikur këta: që rrinë aty jo pse dinë diçka dhe pse punojnë për të mirën e popullit, por për shkak se aty i ka vendosur partia për t’i realizuar qëllimet e tyre të ngushta. Sikur shefi i shefave, i cili nuk e konsideron veten fajtor dhe përpiqet të fitojë në kohë aq sa për t’i ikur ndjekjes për shkak të parashkrimit.

Sundim ligji që s’është

Po çfarë do të ishte reagimi i këtyre pushtetarëve po qe se në rrugë do të mblidheshin ta zëmë 100 mijë veta. Pos që do t’i nisnin krejt forcat speciale dhe provokatorët në turmë, a do t’i merrnin seriozisht kërkesat për drejtësi? Pse është kaq vështirë të pranohet një kërkesë bazike – pa paragjykuar asnjë përfundim – që rasti Dehari të hetohet si duhet, e jo me deklarata e raporte kontradiktore, e me gjasë edhe të manipuluara. A nuk po del se diçka nuk është në rregull, meqë dy mjekët e pavarur që kanë marrë pjesë në obduksion nuk e japin versionin e tyre, ngase, siç ka thënë avokati mbrojtës i familjes Dehari, janë ankuar se nuk kanë pasur qasje në të gjithë materialin e domosdoshëm për të nxjerrë përfundim të drejtë? Pse e gjithë kjo mjegull?

Mbase përgjigjja në pyetjen se përse është kaq e vështirë të flitet për një të drejtë elementare në Kosovë, siç është drejtësia, është se ky vend nuk ka sundim ligji. Se po të kishte, gjërat do t’i kishim shumë më ndryshe. Ishte ironike të shihej se si një numër i madh prokurorësh po jepnin betimin para kryetarit të shtetit, i cili derisa kishte qenë kryeministër kishte lejuar të lulëzonin korrupsioni dhe krimi – ani që mekanizmat për luftimin e tyre i kishte nën kontroll. Ironike, kur po të njëjtën ditë merrej vesh se së shpejti do të mundë t’i emëronte ambasadorë tre persona nga stafi politik, duke e shkelur ligjin për përfaqësimin diplomatik jashtë vendit – që shprehimisht kërkon që bile gjysma e të emëruarve të jenë staf profesional. E edhe më ironike kur një kryetar shteti, i cili do të duhej të ishte neutral, përfshihet në parafushatë politike për zgjedhjen e një kryetari komune, duke ftuar në darkë arsimtarët e po asaj komune. Nëse bash është dashur ta organizonte “Darkën me Presidentin” pse nuk shkoi për shembull në Mitrovicën e Veriut, po bash në Drenas.

Për shkak se ky vend mund t’i ketë ligjet më të mira në teori, porse në praktikë as që i bën hesap.

Hesapi

Hesap nuk e bënë kryeministrin serbët e veriut, që e bllokuan rrugën për në përurimin e një ure të financuar nga KFOR-i. Nuk e bënë hesap, sepse e shikojnë si “premierin e krahinës që kishte ardhur për t’i provokuar”. Ani pse po ky “premier” kishte vënë firmën në një marrëveshje të dëmshme për Kosovën, por favorizuese për serbët, dhe se po ky i njëjti kryeministër vazhdon ta dërgojë delegacionin në Bruksel për bisedime me Beogradin.

I detyruar të shkonte rrugicave anësore nëpër fshatra shqiptare, ia doli të mbërrinte te përurimi dhe doli me deklaratë triumfale se “ne askush nuk mund të na ndalë”.

A thua do të mundë të kalonte pa përcjelljen e KFOR-it dhe të policisë, edhe nëpër këto fshatra, apo ndodh se do të ndalej ende pa u nisur? Këtë do të mundë ta dinim po qe se sërish niset për në veri, i vetëm, që t’i vizitojë qytetarët e veriut, për të cilët na mbytën duke na thënë se po i integrojmë në shoqërinë kosovare.

E këtë na e thonë në kohën kur Kosova nuk ka qenë kurrë më afër dezintegrimit. E udhëhequr keq ç’prej fundit të luftës së fundit; e futur në qorrsokak me një proces dialogimi me Serbinë që e ka prodhuar një marrëveshje autonomie për serbët në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës; e futur në një konflikt të brendshëm për shkak të inatit dhe kokëfortësisë, në rend të parë të Qeverisë – Kosova është getoja e vetme e mbetur e Ballkanit.

Dy kushtet e mbetura për ta fituar liberalizimin e vizave nuk do të plotësohen kush e di edhe sa kohë. Përderisa për demarkacionin tash po bëhen përpjekje kozmetike për ta zgjidhur problemin, ai tjetri, i madhi, të cilin udhëheqja politike qëllimisht e anashkalon – luftimin e krimit dhe të korrupsionit, nuk do të zgjidhet për shumë kohë. Jo përderisa Kosova udhëhiqet nga këta njerëz dhe në këtë formë.

Ideja tash për krijimin e një komisioni të të gjitha partive politike për të shkuar dhe për të matur tokën nëse po humbim territor ose jo, është me gjasë tentimi i fundit i kryeministrit për t’i bindur njerëzit e tij, që refuzojnë ta votojnë ligjin, se ai ka të drejtë. Kryeministri e di se opozita ka kërkuar formimin e komisionit të ri shtetëror dhe zbatimin edhe të metodave të tjera (jo vetëm asaj kadastrale) për punën e caktimit të kufirit me Malin e Zi. Përderisa formimi i komisionit të ri do të thoshte pranimi i humbjes nga Mustafa, asgjë nuk do të ndodhë derisa të bjerë kjo qeveri e të shkohet në zgjedhje të reja.

Por edhe të supozonim se, qe, të gjithë do të pajtoheshin, dhe do të konstatohej se Kosova nuk humb territor, përsëri do të mbetej i hapur problemi i luftimit të krimit dhe korrupsionit. Sepse nuk mund ta luftojnë krimin e korrupsionin njerëzit të cilët janë pjesë e tyre ose që i lejojnë të lulëzojnë. Mjafton të dëgjohet një deklaratë e vetme e një ish-menaxheri të Administratës Tatimore dhe të gjitha janë të qarta: evazioni fiskal në Kosovë, të cilin e kanë ushtruar jo më shumë se 50 firma me bajagi qarkullim, e mbërrin lartësinë e një buxheti vjetor të shtetit. Pra, një miliard e gjysmë euro, në vend se të hyjnë në arkën shtetërore, kanë shkuar nëpër xhepa privatë.

* * *

Xhepat e këshilltares koreane ishin mbushur edhe me paratë që i mblidhte nga blerja e kostumeve për kryetaren: paratë i merrte nga buxheti, i blinte teshat me çmime të lira, kurse kusurin e mbante për vete. Me gjasë e ka mbajtur edhe kusurin kur kryetares i ishin blerë 360 pilula të Viagrës, “të cilat do të përdoreshin për ta parandaluar turbullirën që i shkakton fluturimi me avion”.

Por populli atje foli. Doli në rrugë dhe tash e sa ditë nuk largohet prej aty, në kërkim të përgjegjësisë.

Në Kosovë populli ende nuk ka folur, sepse pushteti i gjen një mijë mënyra për ta ndalur shprehjen e lirë dhe të qetë. Sepse pushteti sheh se Kosova ende nuk e mbush sheshin kryesor të Prishtinës me njerëz.

Porse pushteti e di se kjo mund të ndodhë, sepse edhe ky popull e ka një kufi durimi, që veç sa nuk është thyer.

flaka@koha.net 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...